Njëra nga tri fushat e blerta në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, pasditen e së premtes, ishte vërshuar nga vajzat njomake nga mbarë Kosova. Arsyeja që ato kishin lënë për disa orë çerdhet dhe shkollat e tyre ishte fillimi i projektit më të ri të FFK-së “Playmakers”.
Ky projekt i mbështetur nga UEFA, parasheh argëtimin e vajzave të reja nëpërmjet lojës së futbollit dhe jo vetëm. Pjesë e këtij projekti janë bërë vajzat e moshës 5-vjeçare nga të gjitha regjionet, teksa së bashku me trajnerët e përfshirë në këtë projekt, ato për 1 orë janë njoftuar me futbollin përmes lojërave të ndryshme, por edhe tregimeve të bazuara në karakteret e filmave më të famshëm për fëmijë të kompanisë ‘Disney’.
Trajnerja e këtij projekti, Albina Rrahmani, ka treguar detajet e këtij projekti ambicioz. “Është një projekt që nuk ka të bëjë vetëm me futbollin, por që nëpërmjet tij i mëson vajzat rreth aftësive të ndryshme, si atyre sociale ashtu edhe fizike. Ka qenë e vështirë t’i grumbullojmë këto vajza, duke pasur parasysh se ato janë të vogla. Por, ne, jemi fokusuar te mosha 5-vjeçare dhe dihet se te kjo moshë zakonisht fëmijët nuk fokusohen shumë, por është kënaqësi e madhe kur i sheh duke u argëtuar”, ka theksuar Rrahmani.
Dhe në fakt, vashat e vogla e kanë pritur jashtëzakonisht mirë këtë aktivitet, ashtu sikurse prindërit e tyre që janë shprehur mirënjohës për FFK-në për organizimin e projekteve të tilla.
“Po thuajse të gjitha vajzat pas përfundimit të aktivitetit të sotëm i kanë pyetur trajnerët dhe edukatoret nëse do të vijnë prapë për të luajtur futboll dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Mendoj se është arritur objektivi që kemi pasur për sot. Tani besoj se ky aktivitet do të shpërndahet në tërë vendin. Është një projekt goxha i famshëm dhe i cili ka bërë bujë në Evropë, e ku shumë vajza iu kanë bashkuar futbollit përmes tij. Shpresoj se edhe në vendin tonë do ta ketë të njëjtin efekt”, ka shtuar Rrahmani, e cila bashkë me Alban Bellopojën e me trajnerët e tjerë të angazhuar si dhe edukatoret e prindërit e fëmijëve si dhe menaxheren e këtij projekti, Sanije Krasniqi, janë përkujdesur që gjithçka rreth këtij aktiviteti të shkojë në mënyrën më të mirë, duke pasur parasysh edhe moshën e ndjeshme të vajzave.
Ky projekt tani do të shtrihet në të gjitha regjionet e Kosovës, e ku çdo vajzë 5-vjeçare do të mund t’i bashkohet aktiviteteve “Playmakers”, të cilat do të mbahen nga një deri dy herë në javë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.