Milani vuajti shumë ndaj Spezias, por ia doli të merrte tri pikët përballë këtij kundërshtari, ndaj së cilit i humbi të dy ndeshjet e sezonit të kaluar. Kuqezinjtë fituan 2-1 në “San Siro” dhe tani renditen në vendin e dytë në Serie A me 29 pikë, gjashtë më pak se Napoli kryesues.
Theo Hernandez zhbllokoi ndeshjen në minutën e 21’. Asist i bukur i Ismaël Bennacer dhe gol i kapitenit, i dyti për të në Serie A këtë sezon, ndërkohë që pesë minuta më parë Rade Krunic goditi traversën.
Ekipi mik priti momentin e vet dhe ai erdhi në minutën e 59’. Daniele Maldini, të cilin Milani e huazoi këtë sezon te Spezia, realizoi një gol shumë të bukur, duke rikthyer baraspeshën. 21-vjeçari nuk festoi golin e parë sezonal përballë ekipit të zemrës.
Vjet gjeti golin e parë në Serie A në sfidën Spezia-Milan (1-2), ndërsa sonte ndodhi e kundërta, me djalin e Paolo Maldinit që shënon në “San Siro” me fanellën e Spezias. Sandro Tonali gjeti golin në minutën e 65’, por VAR-i e anuloi për një faull.
Djemtë e Stefano Piolit nuk u demoralizuan dhe siguruan fitoren falë golit të Oliver Giroud një minutë përpara fundit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.