Te Sllovakia e kanë pranuar se nuk e njohin mirë Kosovën, mirëpo besojnë se me ndihmën e tifozëve do të arrijnë të kualifikohen në finalen e play-offit.
Kosova do të jetë mysafir i Sllovakisë në mars, mirëpo nëse arrin ta eliminojë atëherë do ta presin fituesin e takimit Turqi – Rumani midis Prishtine.
Pas shortit, te Sllovakia ka optimizëm se do ta eliminojnë Kosovën, megjithatë kanë pranuar se ende nuk e njohin mirë ekipin dardan.
Asistenti i përzgjedhësit Calzona, Simone Bonomi lavdëroi Kosovën për paraqitjet e bëra, sidomos fitoret si mysafir në këta muajt e kaluar.
“Kosova është padyshim kundërshtar i pakëndshëm. Në këto kualifikuese, e mposhtën dy herë Suedinë, fituan me Slloveninë, skuadër që e njohim. Kanë lojtarë të mirë si Rrahmani, Muriqi, Vojvoda dhe të tjerë”.
Simone Bonomi
“Për herë të parë janë aq afër për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, që padyshim do t’i jep lojtarëve të tyre me plot entuziazëm. Në fakt, që luajmë si vendas mund të jetë avantazh për ne dhe e shoh të njëjtë edhe finalen potenciale”.
Ndërkohë, sulmuesi Ivan Schranz shtoi se nuk do të ketë favorit por beson se tifozët do t’iu ndihmojnë.
“Nuk kisha favorit nga këta katër kundërshtarë, secili janë shumë të fortë. E kemi Kosovën, prandaj e pranojmë, edhe pse nuk dimë shumë për këtë skuadër aktualisht”.
“Deri në mars, ekipi do të merr shumë informata dhe do ta analizojmë kundërshtarin në mënyrë perfekte. Jam i kënaqur që luajmë në shtëpi, besoj se tifozët do të jenë në numrat e mëdhenj dhe të qëndrojnë prapa nesh”.
Kurse, sekretari gjeneral i Federatës Sllovake Peter Palencik shtoi se Kosova është skuadër e fortë.
“Kosova është kundërshtar i panjohur, por bazuar në rezultatet e kualifikimit, duhet ta respektojmë se jemi skuadër e fortë. Fakti që mund ta luajmë edhe ndeshjen e dytë në shtëpi, na bënë të lumtur, në mënyrë që të mos udhëtojmë për ndeshjen vendimtare”.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.



