Në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë është realizuar prezantimi përmbyllës i pjesës praktike dhe teorike të trajnimit “Ballafaqimi me turma” për 65 zyrtarë policorë të NJRSH-së nga regjionet: Prishtinë, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë Veri dhe Mitrovicë Jug.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, trajnimi është udhëhequr nga instruktorët e DNJSO-së dhe është zhvilluar në Kampin “Vrella” dhe në QNJS “Enver Zymeri”, me fokus në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operative për menaxhimin e situatave me turma dhe ruajtjen e rendit publik.
Në kuadër të trajnimit është realizuar edhe skenari praktik për menaxhimin e turmave, ku për ta përcjellur nga afër morën pjesë drejtues të lartë të Policisë së Kosovës, përfshirë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, kolonel Gazmend Hoxha, si dhe eprorë të tjerë të lartë të PK-së.
Drejtori Hoxha iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti, ku i përgëzoi zyrtarët dhe instruktorët për realizimin me sukses të trajnimit, duke theksuar nivelin e lartë të profesionalizmit në menaxhimin e turmave dhe vënien nën kontroll të situatës së sigurisë, si dhe përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj zyrtarëve policorë, në veçanti të njësive të specializuara.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

