Krijohen dy komisione në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë

Opoja.net Opoja.net Kosova

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka themeluar dy komisione të reja në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri Andin Hoti, i cili ka njoftuar se komisionet janë krijuar me qëllim të forcimit të mekanizmave për zbatimin e ligjit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve në këtë fushë.

Njëri nga komisionet do të merret me certifikimin e ekspertëve, licencimin e shërbimeve, certifikimin e trajnerëve dhe licencimin e qendrave të trajnimit për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Ndërsa komisioni tjetër do të ketë përgjegjësi për mbikëqyrjen dhe kontrollin e personave që veprojnë në këtë sektor.

Sipas ministrit Hoti, këto vendime synojnë avancimin e standardeve të sigurisë në vendin e punës dhe përmirësimin e mbrojtjes së punëtorëve në Republikën e Kosovës.

Ministria ka bërë të ditur se përmes këtyre mekanizmave do të punohet në zbatimin më efikas të kërkesave ligjore dhe në garantimin e shërbimeve më cilësore në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-