Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në një objekt në Prizren, pas shembjes së një pllake betoni, ku u lënduan gjashtë punëtorë.
Sipas informatave të deritanishme, tre nga punëtorët e lënduar vazhdojnë të jenë në spital, ndërsa tre të tjerët janë liruar për trajtim në shtëpi. Njëri nga të lënduarit ka pësuar fraktura.
Pas incidentit, Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë masën e ndalimit të punimeve në këtë objekt, me qëllim të parandalimit të rreziqeve dhe garantimit të sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve në vendin e punës.
Inspektorati ka bërë të ditur se do të vazhdojë veprimet inspektuese në kuadër të kompetencave ligjore, me fokus në respektimin e kërkesave për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

