TË SHESËSH AHIRETIN PËR KËTË BOTË

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Tregtia bëhet për të siguruar fitime në rrugë hallall. Kjo është një punë e pranuar edhe në fenë tonë. Madje, ky ka qenë edhe një nga profesionet e të Dërguarit të Allahut (a.s.) dhe të imamit të medh’hebit tonë, Ebu Hanifes.

Fitimi ndahet në dy pjesë, ai material dhe ai shpirtëror. Për shkak se ka të bëjë me fitimin e botës së përjetshme, fitimi shpirtëror është më i rëndësishëm. Nëse fitimet e përkohshme dhe kalimtare synojnë fitimin e të përhershmes dhe përjetshmes, kjo konsiderohet një lëvizje shumë e mençur. Në Kuranin Fisnik urdhërohet:

“O besimtarë, a doni t’ju drejtoj në një tregti, e cila ju shpëton nga një dënim i dhembshëm?! Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij dhe luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë dhe veten tuaj. Kjo, nëse do ta dini, është më mirë për ju. Ai do t’jua falë gabimet tuaja dhe do t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe në banesa të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Kjo është fitorja më e madhe.” (Saff, 10-12)

E përhershmja, është më e çmuar se ajo e përkohshmja. Njeriu i mençur, nuk mashtrohet me pasurinë, fundi i së cilës është asgjëja, por përpiqet që të përkohshmen ta kthejë në të përhershme. Të japësh më të çmuarën dhe të marrësh atë që është më pak e çmuar, nuk është mençuri, por një dëm total.

Kështu është edhe shitja e ahiretit/botës së përjetshme për të fituar diçka prej kësaj bote. Të heqësh dorë nga milionat e së nesërmes për tre qindarka të së sotshmes, është një marrëzi. Në Kuran urdhërohet:

“Vërtet që jobesimtarët e duan jetën e këtushme dhe nuk e përfillin një Ditë të vështirë, që do t’u vijë.” (Insan, 27)

Për shkak se nuk i besojnë ahiretit/botës tjetër, mohuesit e shpenzojnë të gjithë kohën e jetës së tyre për të fituar pasuri të kësaj bote. Por, në këtë mënyrë, ata shkojnë duarbosh në tregun e Ahiretit, ekzistencën e të cilit nuk e besojnë. Kështu, ata privohen prej fitimit që sjell besimi dhe dënohen me dëmin që sjell mohimi. Allahu i Madhëruar, i paralajmëron në këtë mënyrë besimtarët, me qëllim që të përgatiten për të nesërmen:

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shohë se ç’ka përgatitur për të nesërmen!..” (Hashr, 18)

Për shkak se dashuria për këtë botë dhe lakmia për pasuri u ka errur sytë, shumë njerëz e sakrifikojnë jetën e përjetshme për këtë jetë të përkohshme: “Këta janë ata që jetën e kësaj bote e kanë blerë me jetën e ardhshme. Atyre nuk do t’u lehtësohet dënimi dhe askush nuk do t’u vijë në ndihmë.” (Bekare, 86)

Të gjitha fitimet që nuk synojnë kënaqësinë e Allahut dhe jetën e përjetshme, bëhen shkak i pendesës dhe keqardhjes. Nëse pasuritë që fitohen me fuqinë dhe mundësitë që ka falur Allahu, shpenzohen në rrugën e mosbindjes dhe mohimit të Allahut, ato do të kthehen në një dënim absolut: “…Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm. Do të vijë dita, kur (thesaret e mbledhura) do të digjen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do të damkoset balli, anët dhe shpina e tyre e do t’u thuhet: «Kjo është ajo që keni grumbulluar për veten; pra, shijoni atë që grumbulluat!»” (Teube, 34-35)

“…Kështu, Allahu do t’ua tregojë veprat e tyre si burim hidhërimi për ta…” (Bekare, 167)

Nëse lakmia dhe epshi për këtë botë t’i verbon sytë, nuk e bën më dallimin midis dobisë dhe dëmit, fitimit dhe humbjes. “Sa për ata që nuk besojnë, veprat e tyre janë si mirazhi në shkretëtirë e të cilin i etshmi e kujton për ujë, por, kur arrin tek ai vend, nuk gjen asgjë…” (Nur, 39)

Fëmija, me mendjen e tij mund ta ndërrojë një monedhë floriri me një mollë sheqeri. Pra, e gjithë çështja, është të arrish të perceptosh se çfarë është më e vlefshme dhe çfarë është më e pavlefshme.

Ata që shesin Ahiretin për këtë botë, nuk janë vetëm të pafetë. Ahiretin e shesin edhe ata që hiqen si fetarë dhe e përdorin fenë si një mall tregtie për interesat e tyre. “Padyshim, ata që fshehin çfarë ka shpallur Allahu në Libër dhe e këmbejnë atë me diçka tjetër të pavlerë, do të gëlltisin në barkun e tyre vetëm zjarr. Në Ditën e Kiametit, Allahu nuk do t’u flasë atyre, nuk do t’i pastrojë (nga gjynahet) dhe do t’u japë dënim të dhembshëm. Ata e kanë këmbyer rrugën e drejtë me humbjen dhe faljen e Zotit me dënimin e Tij. Po sa të durueshëm do të jenë në zjarr?!” (Bekare, 174-175)

Të sakrifikosh Ahiretin për interesa të kësaj bote, në vend që ta bësh fitimin e kësaj bote mjet për fitimin e botës tjetër, është një pakujdesi dhe gaflet i tmerrshëm. Fitimi më i pistë, është ai që arrihet duke përdorur Allahun, Profetin (a.s.), Kuranin dhe parimet e shenjta të fesë. Mirëpo, Zoti ynë i Madhëruar na ndalon rreptësishtë nga ky veprim duke na urdhëruar: “…Mos i këmbeni shpalljet e Mia me një vlerë të vogël dhe ruhuni vetëm prej Meje!” (Bekare, 41) Çështja, nuk është t’i shesësh lirë apo shtrenjtë, por në këtë ajet kërkohet të theksohet se çdo gjë është e lirë përballë shpalljes së Zotit, madje ato janë thjesht asgjë!

Një besimtar, nuk e shet as veten dhe as të shenjtën e tij për interesa të kësaj bote, sepse as njeriu dhe as të shenjtat e tij nuk kanë një ekuivalente në këtë botë. Blerësi më i mirë i njeriut është Allahu, ndërsa pagesa bëhet me Xhenet. “Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit!..” (Teube, 111) Siç shprehet Mevlana, “Allahu na bleu, duke na shpëtuar prej shitjes, sepse një mall nuk shitet dy herë!”

Myslimanët e parë sakrifikuan edhe pasurinë edhe jetët e tyre për të ngritur lart dhe për ta valëvitur në horizont flamurin e teuhidit/besimit në një Zot. Në këtë mënyrë, ata ngritën lart edhe kauzën, por edhe veten e tyre. Froni që ndërtuan ata në zemrat e tyre, është më i çmuar se sa fronet e rrënueshme të mbretërve, sepse sundimet shpirtërore nuk rrënohen me sundime materiale. Ku janë fronet e bëra prej druri, e ku janë fronet e ndërtuara prej besimit, dashurisë dhe sakrificës!? A mund të jetë i barabartë sundimi i shpirtit me sundimin e trupit?

Le të japim këtu një shembull të bukur në lidhje me ata që e sakrifikojnë jetën e kësaj bote pa iu dridhur as qerpiku, për të shpëtuar Ahiretin e vet dhe atë të të tjerëve:

Në një transmetim të shënuar në Sahihun e Muslimit, i Dërguari i Allahut (a.s.), tregon për një mbret, një magjistar dhe një djalë të ri. Shkurtimisht, ndodhia është kështu:

“Para shumë kohësh ka jetuar një mbret, i cili kishte një magjistar. Kur magjistari e ndjeu se po i vinte vdekja, kërkoi nga mbreti një djalë të ri që t’i mësonte magjinë. Atij iu dërgua një djalë i ri siç e kërkoi vet. Gjatë rrugës për tek magjistari, djali takoi një murg pas të cilit u lidh dhe mësoi shumë. Njëherë, kur djali i tregoi murgut një ngjarje të jashtëzakonshme, ai i tha se tashmë kishte arritur një gradë të lartë shpirtërore dhe se ishte më i virtytshëm edhe se vet ai. Mirëpo, murgu i tha edhe se ai do të sprovohej me disa vështirësi. Djali i ri shëronte të verbrit, lebrosët dhe sëmundje të tjera. Kur mbreti e dëgjoi këtë, e pyeti djalin se si i shëronte të verbrit. Ndërsa djali i ri i tha se shërimi është prej Allahut. Mirëpo, mbreti, i cili pretendonte se ishte vet zot, i thotë djalit, “a ka zot tjetër përveç meje!?” dhe më pas i bëri presion që të kthehej nga feja e vet. Mirëpo, djali rezistoi dhe, megjithëse ata i provuan të gjitha mënyrat për ta vrarë, duke e hedhur nga maja e malit, duke u munduar të mbytnin në det, etj., nuk ia arritën dot qëllimit të tyre.

Më në fund, djali i drejtohet mbretit, i cili nuk dinte ç’të bënte më dhe i thotë se, nëse doni të më vrisni, më lidhni në trungun e një peme, merr një shigjetë, vendose në hark dhe gjuaje atë duke thënë: “me emrin e Zotit të këtij djali!”. Vetëm kështu mund të më vrasësh. Mbreti veproi ashtu si i tha djali dhe më në fund ia arriti qëllimit. Mirëpo, populli që dëgjoi nga goja e mbretit shprehjen: “me emrin e Zotit të këtij djalit”, i besuan Zotit të vërtetë të gjithë përnjëherësh dhe ngritën krye ndaj mbretit. Më pas, me qëllim që të ndëshkonte popullin që besoi Zotin e vërtetë, mbreti urdhëroi të hapen hendeqe në të cilët u ndezën zjarre ku hidheshin ata që besonin Zotin.”

Mesazhi që kërkohet të jepet në këtë ndodhi, është ky:

Përballë mbretit që pretendonte se ishte Zot, siç bënte Faraoni, qëndronte palëkundur një djalë i ri si Musai (a.s.), i cili sakrifikoi veten e tij që populli të besonte Zotin e vërtetë. Ky djalë, ishte një monument durimi dhe besimi. Me këtë veprim fisnik, ai e ktheu dhimbjen kalimtare në lumturi të përjetshme.

Po ashtu, edhe As’hab-i Kehf / Shokët e Shpellës, të cilët ishin të gjithë të rinj, e braktisën jetën e tyre luksoze dhe u strehuan në shpellë për hir të besimit në Zotin e vërtetë. Në sytë e tyre, jeta që bëhej në pallatet e bukura por pa besim, ishte si në shpellë, ndërsa jeta që bënë në shpellë, por me besim, ishte si jetë pallati. Po kështu, edhe gruaja e Faraonit i besoi Zotit të gjithësisë dhe i doli kundër burrit të vet. Për rrjedhojë, ajo iu nënshtrua vuajtjeve të kësaj bote. Mirëpo, ajo kishte zgjedhur pallatet e bukura e të përjetshme të Xhenetit në vend të pallateve të përkohshme të faraonit.

Njerëzit e mençur, mendojnë në mënyrë afatgjate dhe zgjedhin ato të përhershmet në vend të atyre të përkohshmeve. Ky është fitimi dhe triumfi i vërtetë. Ndërsa injorantët dhe mendjeshkurtrit, tundohen prej lakmisë së kësaj bote dhe dëshirave të përkohshme, duke e çuar dëm jetën e botës tjetër për hir të jetës së kësaj bote.

Le t’i vëmë veshin këtyre fjalëve të Mevlanës së nderuar: “Ky sy do të mbushet nga dheu në varr. A ke dritë të ndriçosh atë varr? Ke mësuar një art prej mirësisë së trupit, jepi një dorë edhe artit të fesë! Në këtë botë ke rroba, u pasurove!.. Por si do të bësh kur të shkosh nga kjo botë? Edhe ajo botë është një vend i mbushur me tregje dhe fitime. Pra, mos kujto se vetëm në këtë botë të duhet të fitosh dhe se ky fitim është i mjaftueshëm. Kujto fëmijët kur luajnë dyqanesh! Përveç kalimit të kohës, ata nuk fitojnë asgjë. Vjen nata dhe fëmija kthehet i uritur në shtëpinë e vet. Fëmijët e tjerë ikin dhe ai mbetet fillikat. Kjo botë, është vend loje, ndërsa vdekja është nata. Ti kthehesh, por e ke qesen bosh, ndërkohë që je i lodhur dhe i rraskapitur!”

“Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë. Në botën tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rreme.” (Hadid, 20)

“Por ka dhe të tjerë që thonë: «Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)»” (Bekare, 201)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-