Rregullat themelore në ndërtimin e një shoqërie të virtytshme

Opoja.net Opoja.net Artikuj

“O Besimtarë! … Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër!” (Maide, 2)

Ky mesazh, që përbën një pjesë të ajeti 2 të sures Maide, është një nga përgjegjësitë më të rëndësishme që Kurani u ngarkon atyre që i besojnë atij. Mësimet që përmenden në ajetin e mësipërm, janë kriteret më themelore që Kurani kërkon për formimin e personalitetit të besimtarit dhe për ndërtimin e një shoqërie të pastër. Termat, “birr/mirësi”, “takua/devotshmëri”, “ithm/gjynah” dhe “uduan/armiqësi”, të cilat përdoren në ajet, mbase janë termat më gjithëpërfshirës që e shpjegojnë më mirë qëllimin e shpalljes së fundit hyjnore, Kuranit dhe, se çfarë lloj njerëzimi dhe jete shoqërore kërkon ai. Kurani, kërkon një shoqëri ku boshti kryesor është paqja, ku njerëzit ndihmohen me njëri-tjetrin në mirësi, qëndrojnë larg armiqësisë dhe para së gjithash, kanë përvetësuar vetëdijen e devotshmërisë dhe frikës ndaj Allahut, duke qëndruar larg të këqijave. Me qëllim që kjo çështje të kuptohet më qartë, është me dobi të qëndrohet pak tek këto terma që përdoren në ajet:

1- Birr

“el-Birru”: Ka kuptimet, ndershmëri, fjalë-drejtë, besnikëri, bindje, mirësi, bamirësi, vepër e mirë që të afron tek Allahu, të tregohesh i mirë, të jesh i përulur, të sillesh me respekt, të gostitësh njerëzit, t’i bindesh prindërve dhe të sillesh mirë me ta, etj.

Nëse nisemi nga kuptimi leksikor i fjalës “el-Birru”, kuptojmë se Allahu i Madhëruar kërkon prej besimtarëve të veprojnë me mirësi, besnikëri dhe të ndihmohen me njëri-tjetrin në punë të mira. Ai i urdhëron ata të jenë besnikë në fjalët e tyre, të sillen me respekt ndaj njëri-tjetrit, t’i binden prindërve dhe të ndërtojnë një bashkësi të shëndetshme. E thënë me pak fjalë, Allahu i Madhëruar, dëshiron prej besimtarëve që ata të ndërtojnë një shoqëri që i bindet Atij, është besnike dhe e pastër nga gjynahet.

2- Takua

“et-Takua”, rrjedh prej rrënjës “ueka-jeki-uikajeten” dhe do të thotë: Të kesh frikë, të ruash diçka, të mbrosh, të kujdesesh për diçka, të ruash veten, të jesh i kujdesshëm, të mbrohesh prej gjërave që të dëmtojnë, etj. Fjala takua, përmban kuptimet si, të kesh frikë prej Allahut, të bësh kujdes ndaj hallallit dhe haramit, të sigurosh mbrojtje ndaj diçkaje të rrezikshme, etj. Ndërsa kuptimi terminologjik i fjalës takua, është, “të ruash veten prej gjërave që bëhen shkak për hyrjen në gjynahe”.

Termi “takua”, është një prej termave kryesor të Kuranit. Allahu i Madhëruar, kërkon që njeriu, e në mënyrë të veçantë besimtari, t’i rregullojë të gjitha veprat e tij në lidhje me këtë botë dhe botën tjetër, në bazë të kritereve të “takua-s”. Për shkak të rëndësisë që ka, forma paskajore e këtij termi, “el-uikaje”, së bashku me format e tjera të saj, përdoret 258 herë në Kuran. Ky fakt, tregon qartë rëndësinë e madhe që ka termi “takua” në përbërjen semantike/kuptimore të Kuranit.

Fjala “ittika”, do të thotë, të kesh frikë prej Allahut dhe të ruhesh prej haramit dhe gjërave të dyshimta. Kjo gjendje quhet “takua”, ndërsa personi që ka këtë cilësi, quhet “muttaki”. Një njeri që është “muttaki”, do të thotë se është një njeri i besueshëm dhe prej tij nuk vjen asnjë e keqe. Në pikëpamjen Islame, njerëzit janë të barabartë me njëri-tjetrin dhe superioriteti mund të jetë vetëm në “takua”.

Muttaki, është ai që ka respekt të thellë për Allahun. Ata që ndjejnë respekt për Allahun, kanë respekt edhe për robërit e Tij dhe për të drejtat e tyre. Për këtë arsye, Kurani kërkon një sistem shoqëror ku mbizotëron takua. Dhe kjo është e mundur vetëm nëse besimtarët ndihmohen ndërmjet njëri-tjetrit në çështjen takuas. Largimi prej harameve, plotësimi i farzeve, mbizotërimi i drejtësisë, ruajtja e të drejtave vëllazërore, shërbimet e bamirësisë, ruajtja prej gjynaheve, ndihmesa mes njeri-tjetrit në kryerjen e adhurimeve, etj., janë nga detyrat më të rëndësishme që Kurani ua ngarkon besimtarëve. Pa u plotësuar këto rregulla të rëndësishme, duket e pamundur të ndërtohet një shoqëri e virtytshme dhe një personalitet “muttaki”. Shoqëria Islame dhe Qytetërimi Islam i cili është themeluar mbi këtë shoqëri, është ndërtuar dhe ka marrë formë mbi themelet e takuas.

Në lidhje me termin e “takuas”, është bërë edhe një përkufizim që përfshin kuptimin e kryerjes së detyrave fetare dhe morale dhe ruajtjen prej sjelljeve dhe qëndrimeve të cilat konsiderohen të rrezikshme nga feja dhe morali. Nëse e mendojmë kuptimin e ajetit duke u nisur nga kjo, bëhet e qartë se ndihmesa e besimtarëve ndërmjet njëri-tjetrit në luftën kundër të këqijave në shoqëri dhe në parandalimin e tentativave që prishin rregullin shoqëror, ka një rëndësi shumë të madhe. Termi “takua”, që shpreh kapjen pas urdhrave të Allahut dhe largimin në mënyrë rigoroze nga ndalesat e Tij, përbëjnë themelin e drejtësisë, durimit, vetëmohimit, mjaftueshmërisë, mëshirës, shkurtimisht të të gjitha virtyteve.

Nëse do të marrim parasysh domosdoshmërinë e drejtësisë në sistemin e jetës shoqërore, del në pah se “takua-ja”, tashmë nuk përbën vetëm një virtyt individual, por në të njëjtën kohë është edhe një domosdoshmëri e sistemit shoqëror. Nisur nga kjo, takuaja është një parim i rëndësishëm i cili vë rregull në jetën e individit dhe të familjes së tij.

3- Ithm

Fjala “ithm”, e cila përfshin kuptimet, gjynah, krim, faj, etj., rrjedh prej rrënjës “ethime-jethimu”, ndërsa shumësi i saj është “atham”. Ky është emri i veprave që vonojnë ose ngadalësojnë sevapin. “Ithm”, është veprimi i diçkaje që nuk është hallall. Ithm është quajtur kumari, alkooli dhe gënjeshtra. Kjo fjalë është pranuar si antonimi i fjalës “birr”. Nëse fjala “birr” shpreh veprimin që kënaq shpirtin (qetëson ndërgjegjen dhe të jep gëzim), fjala “ithm”, shpreh diçka që të ther zemrën. Ithm-i është diçka që edhe logjikisht, edhe ligjërisht është e detyrueshme t’i qëndrosh larg. Ithm, është gjynahu që e bën njeriu të meritojë dënim. Me të, mund të shprehen vetëm gjërat që janë haram.

Midis fjalës “ithm” dhe “dhemb” ka disa dallime. “Dhemb”, është gjynahu që bëhet me dije ose padije, ndërsa “ithm”, është gjynahu që bëhet me dije, me dashje dhe që meriton dënim.

Siç mund të kuptohet nga të gjitha këto shpjegime, Allahu i Madhëruar, ka kërkuar që besimtarët të mos ndihmohen ndërmjet vete në kryerjen e veprimeve që sheriati i konsideron gjynahe, të largohen prej harameve si, alkooli, kumari dhe gënjeshtra dhe të mos e mbështesin kryerjen dhe përhapjen e këtyre. Gjynahu është një veprim që prish shoqëritë dhe eliminon paqen dhe qetësinë. Gjynahu është pengesa më e madhe në ndërtimin e një shoqërie të pajisur me virtyte morale, të drejtë dhe të ndërgjegjshme. Gjynahet janë ato që shkatërrojnë qytetërimet dhe bëhen shkak të ardhjes së fatkeqësive nga qielli dhe nga toka.

4- Uduan

Termi “uduan”, rrjedh nga rrënja “ada” dhe ka kuptimet; armiqësi, të mbash qëndrim armiqësor, të bësh zullum, të sulmosh, të kalosh kufijtë, etj.

Nisur nga këto kuptime, është e qartë se Allahu i Madhëruar në suren Maide, ajeti 2, kërkon prej besimtarëve të mos ushqejnë armiqësi ndaj njëri-tjetrit dhe të mos e ndihmojnë njëri-tjetrin në armiqësi, zullum, në moszbatimin e drejtësisë dhe të tjera veprime të ngjashme. Me pak fjalë, në ajetin e mësipërm, Allahu i Madhëruar kërkon prej besimtarëve të jetojnë si vëllezër, të ndërtojnë një shoqëri të virtytshme, të sigurojnë mbizotërimin e moralit të bukur dhe drejtësisë dhe të mos e ndihmojnë njëri-tjetrin në armiqësi dhe gjynahe.

Është shumë e qartë se myslimanët e kanë të domosdoshme ta ndihmojnë njëri-tjetrin në fushën ekonomike dhe shoqërore. Ajeti i mësipërm e shpreh në mënyrë shumë të qartë se besimtarët duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në fushën shpirtërore, në kryerjen e adhurimeve, në ruajtjen prej gjynaheve dhe qëndrimin larg prej tyre. Në mënyrë të veçantë, theksohet domosdoshmëria e këtyre rregullave në ndërtimin e një shoqërie islame.

Allahu e di më mirë!

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-