A duhet të punojë gruaja?

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Fakti që gratë, të cilat përbëjnë pothuajse gjysmën e shoqërisë, janë joaktive, nuk marrin pjesë në asnjë mënyrë në jetën e punës, sigurisht që nuk duhet të mendohet dhe nuk është menduar… Gjatë gjithë historisë gratë kanë punuar në punë të vështira krahu dhe akoma vazhdojnë të punojnë në shtëpi, fusha dhe në një mijë e një punë të tjera. Atëherë, si duhet ta drejtojmë pyetjen? “A duhet të punojnë gratë në kushte të barabarta me burrat, në lloj-lloj punësh të cilat i duan ose nuk i duan dhe në mënyrë të veçantë jashtë shtëpisë?”

Të punuarit e gruas jashtë ambientit të shtëpisë

Po, në fakt kjo është pyetja që bëhet këto dyqind vitet e fundit. Çështja, përveç “punësimit të gruas” është “punësimi i gruas jashtë shtëpisë”. Pse kërkojnë gratë të punojnë jashtë shtëpisë? Mos vallë ngaqë kanë mbaruar punët e shtëpisë? Apo i lënë punët e shtëpisë dhe kërkojnë të punojnë në punë të tjera të pastra jashtë shtëpisë? Kush do t’i bëjë punët e tjera të shtëpisë, ndërkohë që gruaja punon jashtë? Nëse duhet me patjetër të punojë, çfarë e pengon të punojë në shtëpi në vend që të punojë jashtë?

Pyetjet janë të shumta… Njëra më e rëndësishme se tjetra… Para se të kalojmë te dispozitat e Islamit mbi gruan dhe punën së saj, duhet të shohim shkurtimisht punën e gruas në shoqërinë perëndimore, e cila është origjina e botës moderne të ditëve të sotme.

Gruaja perëndimore në mesjetë

Sipas librit të shenjtë që është falsifikuar, thuhet se gruaja ka bashkëpunuar me djallin, pastaj ka mashtruar Hz. Ademin dhe është bërë shkak që njerëzimi të zbresë nga Parajsa në tokë. Prandaj Zoti e ka ndëshkuar gjininë femërore me “shtatzëni” dhe “menstruacione”. Për këtë arsye, priftërinjtë e konsiderojnë qëndrimin larg femrave si shkak për t’u afruar te Allahu dhe për këtë arsye e kanë ndaluar martesën.

Menjëherë duhet ta bëjmë të qartë se Islami e ka ndaluar këtë këndvështrim ndaj gruas. Sipas Kuranit Famëlartë, Hz. Ademi dhe Hz. Havaja i janë afruar së bashku pemës së ndaluar dhe po së bashku e kanë kryer këtë mëkat. Prandaj ky mëkat nuk është një mëkat që ka kaluar nga babai te i biri apo nga nëna te e bija dhe nuk ka ndëshkim. Çdo njeri lind nga nëna e tij krejt i pastër dhe vjen në jetë me një natyrshmëri pa mëkate. Besimi në krishterim se Hz. Isai me flijimin e tij u mundua të shpëtonte njerëzimin dhe priftërinjtë që me ujin e pagëzimit kërkojnë të pastrojnë “mëkatin që trashëgohet nga Hz Ademi dhe që vjen që nga lindja”, është mohuar plotësisht në Islam.

Në Evropë gjatë mesjetës gruaja quhej “element fitneje (përçarjeje)”, “ndërmjetës i djallit”, “e mallkuar”; prandaj nuk ishte e përshtatshme që ajo të hynte në kishë apo sinagogë. Shpeshherë gratë magjistare ndëshkoheshin duke u djegur në vende të hapura, në mënyrë që të pastrohen nga xhindët dhe djajtë që kanë brenda.

Gruaja, në shtëpi është nëna e fëmijëve dhe në arë është ndihmësja e burrit. Ndërsa për gratë të cilave u ka vdekur bashkëshorti dhe janë të detyruara të fitojnë dhe të rrisin fëmijët e tyre, “punësimi” është i kufizuar. Për fat të keq, për shkak të nevojave, pas një kohe detyrohen ta kthejnë në kapital gjënë e tyre me të shtrenjtë, trupin. Ndërsa, kur mbaron rinia dhe bukuria, ngel e mjeruar dhe e pikëlluar.

Kjo gjendje vazhdon kështu deri në shekullin e njëzet pas dy periudhave të njëpasnjëshme,  “Epoka e Industrializimit” dhe “Luftërat Botërore”. Në kohën e industrisë mashkulli perëndimor zbuloi “punëtorin e lirë”: Gruan dhe fëmijën… Duke u dhënë këtyre të fundit gjysmën e parave, madje edhe më pak se gjysmën që do t’i jepte një burri, ua ka vënë mbi shpatulla përgjatë shekujve të gjithë barrën e industrisë së perëndimit modern.

Madje nuk bëjmë fjalë për punën e skllevërve me të cilën mundoheshin të mbushnin barkun dhe aty ku vdisnin shtroheshin asfalte e rrugë… Sepse skllevërit nuk quheshin as “njerëz”.

Gruaja në Islam

Gjendja e gruas në shoqërinë e xhahilijetit (injorancës) nuk ndryshonte nga ajo e “ehli kitabit”, pra çifutëve dhe të krishterëve. Në ato kohë ajo ishte një krijesë që shitej e blihej si plaçkë, nënçmohej, madje edhe vritej pa shkak. Nëna ndoshta edhe mund të respektohej pak, por gratë që mbanin statusin “bashkëshorte” ose “vajzë” nuk e meritonin në asnjë mënyrë respektin.

Islami erdhi në një kohë ku shoqëria turpërohej nga vajzat. Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, vajzës së tij të parë i vuri emrin Zejnep, që do të thotë “stolia e babait”. Ashtu siç festohej dhe pritej kurban kur lindte një djalë, edhe Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, festonte, priste kurban dhe gëzonte me ta kur njoftohej për lindjen e një vajze.

Ndërkohë që arabët kërkonin pretekst për të zhdukur vajzat e tyre, Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ndihej krenar me vajzat e tij. Ai (s.a.s.), kurrë nuk mendoi t’i varroste ato të gjalla dhe kur i zbritën me anë të Xhebrailit (a.s.), parimet e Islamit, e çrrënjosi këtë zakon gjakatar të xhahilijetit.

Islami i dha gruas një pozitë në të cilën zotëronte një identitet dhe respekt të plotë ligjor. Gruaja tashmë zotëronte reputacion dhe kishte të drejtën e “zgjedhjes” dhe “kundërshtimit” kur bëhej fjalë për martesë. U lejua që të martohej me dikë që e kërkonte brenda masave ligjore. Pasuria që posedonte para dhe pas martesës u kalua plotësisht mbi të. U hoq detyrimi i fitimit të të ardhurave të familjes nga ana e gruas së martuar edhe sikur bashkëshorti i saj të ishte nevojtar. Gruaja u lejua që, nëse dëshironte dhe nëse kushtet ishin të përshtatshme, të bënte tregti duke shfrytëzuar pasurinë e saj për ta shtuar atë. Gjithashtu iu dha e drejta për të pasur pjesë nga trashëgimia.

Edhe pse janë hedhur shumë shpifje dhe akuza deri më sot se “gratë në Islam marrin pjesë nga trashëgimia sa gjysma e pjesës që marrin burrat”, kjo buron nga mosnjohja e plotë e çështjes. Duke u mbështetur te rëndësia e saj, këtu e shohim të nevojshme të hapim një parantezë.

Si e trajton Islami pjesën e gruas në trashëgimi?

Ndërsa Kurani Fisnik bën të ditur dispozitat e trashëgimisë, i cakton gruas një pjesë sa gjysma e asaj që merr burri. Kjo gjendje mbështetet në një ekuilibër të mrekullueshëm mes drejtësisë hyjnore dhe të drejtave/detyrave njerëzore. Në këtë mënyrë:

Sipas Islamit, gruaja zotëron çdo gjë që ka sjellë nga shtëpia e babait dhe nuk është e detyruar ta ndajë atë me bashkëshortin e saj. Në të njëjtën mënyrë, çdo dhuratë që i është bërë para ose gjatë martesës, i takon asaj. Për më tepër, gruas i është dhënë një garanci me “mehrin” masën e të cilit e cakton ajo vetë dhe që për të përbën “një sigurim shoqëror”.

Pas martesës gruaja është e qetësuar, pasi të gjitha nevojat e saj duke filluar nga ushqimi, strehimi, veshja etj., në masë normale përballohen nga bashkëshorti. Sikur gruaja të jetë trilionere me pasurinë e saj personale dhe bashkëshorti i saj të punojë me pagë minimale të ditëve të sotme, ai burrë është i detyruar t’ia plotësojë të gjitha nevojat gruas në rrugë hallall. Gruaja nuk është e detyruar të paguajë nga pasuria e saj për mbështetje familjare apo për të lehtësuar barrën e burrit, vetëm nëse ajo dëshiron ta bëjë këtë për virtytin dhe lumturinë e familjes…

Përveç kësaj, gruas i janë dhënë shumë të drejta edhe në punët brenda shtëpisë. Të kujtojmë njërën nga këto, dispozitat islamike të së cilës nuk janë shumë të njohura. Për shembull, nëse një grua nuk dëshiron ta ushqejë me gji fëmijën që ka lindur, sipas ligjit islam, babai i fëmijës është i detyruar të gjejë nënë qumështi për të. Siç shihet edhe në këtë shembull, Islami pothuajse i ka dhënë femrës një “pozitë të veçantë” dhe i ka falur të gjithë lirinë ekonomike duke i hequr nga supet çdo lloj barre materialo-shpirtërore që mund ta mundojnë atë.

Nëse një gruaje i vdes bashkëshorti, krahas trashëgimisë që do të marrë nga ai, nevojat e saj minimale janë të detyruar t’ia plotësojnë  njerëzit e saj më të afërt si babai, gjyshi, vëllai, xhaxhai, daja etj. Nëse ajo nuk ka asnjë të afërm që ta mbikëqyrë, shteti islam është përgjegjës për plotësimin  e çdo lloj nevoje të asaj gruaje dhe familjes së saj.

Gruas, e cila është marrë nën një mbrojtje kaq të fortë, të cilës i është dhënë mundësia për ta përdorur dhe për ta shtuar pasurinë e saj si të dëshirojë, e cila merr mehrin, paratë e jetesës e të ardhurat e tjera nga burri dhe së cilës i janë siguruar nevojat e tjera duke u marrë nën mbrojtjen e të afërmve pas vdekjes së burrit, sikur t’i jepej e plotë edhe pjesa e trashëgimisë, atëherë situata do të kthehej kundra mëshkujve dhe do të prishte ekuilibrin.

 

Sepse, siç e shpjeguam edhe më lart burri, përveç shpenzimeve të martesës (dhurata, gosti, mehër etj),është përgjegjës edhe për përballimin e të gjitha shpenzimeve të bashkëshortes dhe fëmijëve dhe këtë furnizim duhet ta bëjë në rrugë hallall. Përveç kësaj, ai duhet t’ua plotësojë nevojat edhe nënës, motrës ose ndonjë prej të afërmve që ka mbetur vetëm.

Një përgjegjësi të tillë burri mund ta përballojë me dy burime financiare: me paratë që fiton nga puna e krahut dhe me pjesën që i caktohet nga trashëgimia… Ja pra kjo është logjika e trashëgimisë në Islam.

Sipas Islamit, a duhet të punojë gruaja?

Në fakt, në pjesën e mëparshme shprehëm se të gjitha nevojat e gruas duhet të përballohen nga bashkëshorti. Prandaj nuk mund të mendohet që burri ta detyrojë bashkëshorten e tij të punojë për të fituar të ardhurat e familjes apo për të mbledhur më shumë para. Së pari, kjo është detyrë e burrit. Po nëse gruaja dëshiron të punojë, çfarë duhet të bëjë?

Faktikisht kjo gjendje shfaq ndryshime nga një person te tjetri, nga një familje te një tjetër. Prandaj është e vështirë të thuash për secilën grua “duhet të punojë” ose “nuk duhet të punojë”.  Në këtë çështje shumë kritere si: edukimi, statusi shoqëror, aftësitë, nevojat, struktura e familjes, fëmijët, kriteret e vendit të punës, kushtet e orarit të punës, ambienti shoqëror etj. bëhen shkak për ndryshime të rëndësishme.

Por ne në linja të përgjithshme mund të vizatojmë një tablo të tillë: Nëse një nënë ka fëmijë të cilët kanë nevojë për përkujdesje dhe nuk ka ndonjë njeri tjetër që mund të kujdeset për ta, detyra e saj e parë është kujdesi për fëmijët dhe shtëpinë, sepse Allahu Teala nuk e ka bërë atë përgjegjëse për fitimin e të ardhurave familjare, por për rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Por, nëse nuk ka fëmijë apo ka ndonjë të afërm të besueshëm që mund të kujdeset mirë për fëmijët që ka, duke marrë edhe aprovimin e bashkëshortit, mund të punojë në punë “të ligjshme” dhe që i përshtaten natyrshmërisë së saj.

Punët e ligjshme dhe të përshtatshme për natyrshmërinë e gruas

Në të vërtetë, ky titull është një shprehje me përmbajtje shumë të gjerë. Natyrshmëria e gruas nuk është e njëjtë me atë të burrit. Burrat janë krijuar të punojnë më shumë në punët jashtë shtëpisë. Nëse gruaja punon në punë të rënda, që kanë shumë stres, në kushte të lodhshme orari, me kalimin e kohës kjo bëhet shkak për shqetësime të mëdha te ajo. Për shembull të mendojmë gratë që punojnë në fabrikën e qymyrit ose ato që bëjnë rrugë të gjata dhe të lodhshme me kamionë. A është e përshtatshme për këtë natyrshmëria (krijimi) e gruas?

Ata që thonë se “gratë dhe burrat janë të barabartë”, duhet të dinë se edhe në olimpiada gratë dhe burrat garojnë në korsi të ndryshme. A nuk e shpreh qartë ndryshimin e natyrshmërisë së tyre ky shembull kaq i thjeshtë? Atëherë punët që nuk bien në kundërshtim me natyrshmërinë e gruas, janë punë të cilat pothuajse mund t’i përcaktojë çdo njeri normal. Për shembull infermiere, mësuese, doktoreshë etj…

Në fakt, për popullin mysliman është “farz kifaje” që të edukojë doktoresha për të mjekuar gratë e tyre dhe dijetare për të mësuar vajzat që arrijnë moshën e pjekurisë. Pra, ky është një obligim që u është ngarkuar të gjithë myslimanëve. Nëse një shoqëri myslimane nuk zotëron aq “gra të edukuara” sa për të realizuar këtë farz, atëherë shkallë-shkallë të gjithë janë përgjegjës për këtë.

Është mirë që të flasim edhe dy fjalë për punën ligjorë. Sipas Islamit, çdo punë që mund të behët qoftë nga burri apo nga gruaja, së pari duhet të jetë “hallall”. Nuk ka ndryshim mes burrit apo gruas nëse ata punojnë në punë ku ekziston harami (pija alkoolike, bixhozi, prostitucioni, kamata, fajdeja etj.), kjo nga ana e të dyve është haram. Nëse nuk ka mundur të gjejë ndonjë mundësi tjetër punësimi, mund të punojë në këto punë sa për të “mos ngelur i uritur” me kusht që ndërkohë të vazhdojë të kërkojë për një punë “hallall”. Ndërkohë që ne duhet t’i largohemi edhe dyshimit, nuk është e përshtatshme që ta nxijmë zemrën tonë në fusha ku ekziston harami.

Përveç kësaj, të punuarit në vende ku gjenden “burra e gra së bashku” është e papërshtatshme si për gratë edhe për burrat. Burrat që i kritikojnë bashkëshortet e tyre në çështjen e të punuarit në një ambient me burra të tjerë, sa Islame është që ata të punojnë bashkë me sekretaren në të njëjtën dhomë? Mos vallë janë hallall për burrat gjërat që për gratë janë haram?

Puna dhe jeta moderne

Në fakt shkaku kryesor që e detyron të punojë gruan e jetës moderne të ditëve të sotme, është “rritja e dhëmbëve të çarkut ekonomik”. Për ata nuk ka ndonjë kundërshtim nëse ky çark mban të shtrënguar familjen, bashkëshortët, fëmijët dhe shoqërinë. Ata e shohim çështjen me në qendër “ekonominë” dhe synojnë të arrijnë “sa më shumë prodhim dhe të ketë sa më shumë konsumim”.

Tregtimi i gruas nëpër “reklama”, duke filluar nga gjërat më të lira e deri te ato më të shtrenjta dhe të bërit e saj “një mjet argëtues që nxit”, është humbja më e madhe nga aspekti i personalitetit të saj. Ky është shfrytëzim i ndjenjave dhe animeve të burrave si dhe nëpërkëmb identitetin shpirtëror të grave.

Në anën tjetër mënyra moderne e jetesës duke filluar me mendimin kryesor: “Në këto kohë nuk jetohet vetëm me një rrogë!” dhe me thënien: “Për të fituar lirinë, duhet të fitosh së pari lirinë ekonomike!”, po i hedh burrat dhe gratë në rrjetën e saj. Si mund të formohet dashuria, respekti dhe uniteti i pjesëtarëve të familjes, kur ata, për të punuar dhe fituar më shumë, pothuajse nuk e shohin aspak njëri-tjetrin?!

Çfarë kontributi mund të japë për ekonominë familjare, gruaja, e cila ia kushton veten karrierës dhe punës, ndërkohë që nuk tepron asgjë nga shpenzimet që bëhen për kopshtin, shërbimin automobilistik, kujdestaren, makijazhin, veshjet, grimin etj? Sa besnik mund t’i qëndrojë bashkëshortes së tij një burrë që punon në një ambient me gra të cilat ekspozohen me veshjet më tërheqëse?

Një grua që pothuajse harxhon të gjithë pasurinë për t’u zbukuruar dhe që shumicën e kohës ia kushton kësaj, sa kohë mund të ndajë për bashkëshortin e saj? Kur bashkëshortët kthehen të lodhur e të rraskapitur nga puna, si mund t’i shfaqin buzëqeshje dhe mirëkuptim njëri-tjetrit? Edhe sa kohë do të zgjasë pritja e fëmijëve që prindërit e tyre të ndajnë pak kohë për ta pasi kthehen nga puna?

Kush fiton dhe kush humb nga një mënyrë e tillë jetese? Ne, të gjithë siç jemi me ose pa vetëdije po zvarritemi në këtë mënyrë jetese. E çfarë ngel pas; një brez më i lumtur, një e ardhme më e qetë apo një ekonomi më produktive?

Nëse me të vërtetë të pasuruarit është e lidhur me këtë, a mund të krahasohet kjo pasuri me “vatrën e qetë dhe të lumtur familjare” që kemi humbur?

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-