Rrëfehet se imam Ahmed ibën Hanbelit, Allahu e mëshiroftë!, i erdhi një lajm se një prej nxënësve të tij falet tërë natën dhe e përfundon Kuranin në tërësi deri në agim, e pastaj e fal namazin e sabahut.
Imami shprehu dëshirën t’ia mësojë atij metodën e meditimit dhe përsiatjes së Kuranit dhe kur e takoi i tha:
– Më erdhi një lajm se ti e vepron një gjë të tillë?
– Po, – u përgjigj ai.
Imami i tha:
– Shko sot dhe falu natën ashtu si ke vepruar netët e tjera, mirëpo këtë herë Kuranin lexoje në namaz sikurse je duke e lexuar para meje, e pastaj më lajmëro.
Ditën e nesërme shkoi nxënësi tek imami dhe i tha:
– Mbrëmë nuk munda t’i lexoj më shumë se dhjetë pjesë (xhuza).
Imami i thotë:
– Еdhe sonte veproje të njëjtën gjë, mirëpo kësaj radhe lexoje Kuranin në namaz sikurse je duke ia lexuar të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!
Nxënësi shkoi dhe të nesërmen erdhi tek imami dhe i tha:
– Mbrëmë me shumë vështirësi arrita ta lexoj një pjesë (xhuz).
– Shko edhe sonte dhe falu, mirëpo sikurse ia lexon Kuranin Allahut, – i tha imami.
Nxënësi u mahnit nga ky propozim dhe të nesërmen, pasi e kishte kaluar natën në namaz, erdhi tek imami, i përlotur dhe me fytyrë të pikëlluar dhe i tha:
– Imam, pasha Allahun, nuk munda ta përfundoj mbrëmë as suren Fatiha tërë natën.
Pra kur e rikujton se kur lexon Kuran je duke folur me Allahun, atëherë ndryshon çdo gjë!
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.