Allahu i Madhëruar është betuar në kohën. I Dërguari i Tij salAllahu alejhi ues-selam e ka përmendur kohën.
Koha për të cilën betohet, Allahu na kufizoi, na dha fillimin dhe fundin. Me fjalë të tjera, koha e kalueshme dhe e kufizuar – jemi ne. Disa nga ne e vlerësojnë si dhuratën më të çmuar, e ruajnë dhe e harxhojnë me masë. Të tjerët janë të pavetëdijshëm për vlerën e saj dhe e nuk e vërejnë që ajo harxhohet (kalon). Siç ndryshojnë njerëzit, ashtu ndryshojnë edhe kohët. Paraardhësit tonë e gëzonin dhe shijonin bereqetin e kohës, ndërsa këtë e arritën përmes frikërespekti (takvasë), nijetit të sinqertë, ibadetit të përhershëm, të vetmuarit për shkak të reflektimit, kufizimin e epshit, shmangien e plogështisë etj.
Si ndryshe, nëse jo përmes kohës së bereqetshme mund t’i sqarojmë gjithë ato vepra grandioze të cilat i lanë pas vetes klasikët muslimanë nga lëmi i tefsirit, kelamit, fikut, sufizmit, filozofisë, astronomisë, medicinës, matematikës, historisë, artit.
Ku jemi ne? A do të arrijmë që gjatë jetës sonë t’i lexojmë shumicën veprave të Gazaliut, Kardavit, Kutbit etj.? Çfarë lëmë ne pas vetes? Sipas çkahit do të mbahemi mend? Çfarë është qëllimi jonë?
Nëse nga perspektiva e sodit shikojmë të arriturat e gjeneratave të kaluara, parashtrohet pyetja, a i takojmë ne atij lloji?
Njeriu ndërton dinjitetin me fenë e tij dhe me kapacitetin e fuqisë së të menduarit (tefekkur). Lirisht mund të thuhet se reflektimi i paraprinë madje edhe besimit. Nuk mund të ketë besim të vërtetë, të dëshmuar pa reflektim rreth shenjave të cilat Krijuesi jonë i vendosi gjithkund. Pa reflektim, vlerësim dhe planifikim nuk mund të ketë organizim, rregull dhe të arritura të vlefshme. Aty ku ekziston anarkia, qoftë brenda nesh apo rreth nesh, aty mungon të menduarit cilësor.
A mund të thuhet që në kohën e sodit, kështu si ç’është, dominon urtësia si prodhim i fesë së vërtetë dhe të menduarit cilësor? A vlerësohet sado pak urtësia? A kërkohet nga ne të menduarit?
Ritmi jetësor, modelet e imponuara të sjelljes dhe nevojat e trilluara nuk e lënë njeriun të mendoj. Pa marrë parasysh ku qëndron problemi, tek lakmia e pangopur për para apo tek fitimi për nevojat elementare të jetës, në botën e ashpër të interesave personale, të menduarit cilësor aspak nuk i jepet rëndësi. Si e shfrytëzon kohën e mbetur njeriu bashkëkohorë pas kryerjes së obligimeve të punës? Si pushon dhe relaksohet? Si i qetëson mendimet e turbulluara?
Për njerëz të tillë, civilizimi modern ka shumë zgjidhje. Të gjitha ato përmblidhen me një fjalë – zbavitje. Nëse nuk ka zbavitje, është monotoni. Nëse nuk e kënaq epshin, jeta nuk ka kuptim. Industria e zbavitjes nuk ka mungesë të arritjeve teknologjike, televizorët, kompjuterët, telefonat e mençur – të gjitha këto shërbejnë si zbavitje, dhe gjithmonë i kemi pranë dore. Gjithmonë jemi të lidhur në rrjetë. Me orë të tëra, madje edhe në punë, shikojmë telefonat e mençur. Kemi nevojë për informata. Jemi bërë të varur prej tyre, Dëgjojmë dhe lexojmë rreth asaj që na intereson. Shikojmë edhe gjëra që nuk duhet shikuar. Infektojmë mendjen me detaje të panevojshme. Dhe siç thotë Kur’ani, duhet lënë gjithçka që nuk na intereson. Do të pyetemi për atë që dëgjojmë dhe shohim – për të gjitha do të japim llogari. Gjërat që i konsiderojmë pushim akoma më tepër na lodhin. Mendimet na turbullohen. Ndërsa për mendim, përpunim të informacioneve dhe nxjerrje mësim nga to – nuk kemi kohë. Në fund të fundit, pse të mendojmë kur kemi videoklipe, fotografi, komente. Përse të mendojmë, kur e kemi televizorin e ndezur? Kush mendon sot? Kush kujdeset për kuptimin e ajeteve kur’anore? Kush lëshon sot lot për shkak të dijes që ia ka dhuruar Allahu i Madhërishëm? Kush pushon përmes këtij libri të bukur dhe të dobishëm? Apo më mirë është të shikojmë fotografitë në rrjetet sociale, të shohim sa pëlqime apo komente kemi? Është më lehtë ta lëvizësh gishtin nëpër ekran, se sa të shfletojmë faqet e librit?
Natyrisht, nuk kemi kohë as për bashkëshortet, as për fëmijët, as për prindërit. Disa edhe për namaz nuk kanë kohë, apo ndoshta asnjëherë nuk kanë pas. Ndërsa ata që akoma falen, me çfarë mendime hynë në namaz? A thua qetësohen në namaz, ashtu siç thotë i Dërguari i Allahut alejhis-selam, apo akoma më tepër lodhen? Nuk kemi kohë as për Kur’an – qetësuesin e zemrave dhe mendimeve. Edhe fjalët e dhikrit rëndë dalin nga goja.
Flitet për ne muslimanët. Edhe ne, muslimanët jemi përfshirë në rrjetën nga e cila shumë rëndë dilet. Ku është fundi? Çfarë është përfundimi, le të gjejmë rrugëdalje, nëse kemi kohë!
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.