Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia që ai drejton e ka dyfishuar mbështetjen e megjithatë shtoi se nuk duhet të vetëkënaqen me këtë.
Abdixhiku, që këto komente i bëri në Konventën Programore të LDK-së në Gjilan, deklaroi se duhet të mësojnë nga gabimet në të shkuarën për një të ardhme më të mirë.
“Përkundër progresit të jashtëzakonshëm në këtë kohë të shkurtër them se dyfishimi jonë në mbështetje s’duhet të na mjaftojë. Ne duhet të përmirësohemi e rritemi edhe më tutje. Ne duhet të mësojmë nga gabimet e shkuara e të ndërtojmë të ardhmen që shtëpia jonë politike e vendi ynë e meriton. Për ta bërë këtë përmirësim të mirëfilltë, ne nuk mund të qëndrojmë larg qytetarëve tanë dhe larg brengave të tyre”.
I pari i LDK-së deklaroi se strukturat dhe qytetarët po kërkojnë që LDK-ja të kthehet te qytetarët, derisa tha se pas Gjilanit do të vazhdojnë me takimet me qytetarë në gjithë Kosovën.
“Hapja jonë, përmirësimi ynë, respektimi i vlerave të mira e të drejta brenda partisë, vënia në pah e resurseve më të mira njerëzore që i kemi si parti, do të vazhdojë me këmbëngulësi. Duke thënë se strukturat dhe qytetarët, kanë ngritur me të drejtë nevojën që LDK të kthehet në bazë, tek qytetarët. Qytetarët kanë kërkuar me të drejtë që shpërthimi i rritjes politike të shndërrohet një mobilizim gjithënacional. Në Gjilan, po fillon cikli i takimeve me njerëzit në të gjithë Kosovën – në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje.”
Lidhja Demokratike e Kosovës sot mbajti Konventën Programore në Gjilan. Aty u tha se qytetarët janë duke e njohur potencialin dhe energjinë e re, si dhe janë duke e njohur qartë ndryshimin e shumëpritur që veç ka ndodhur në LDK./Front Online
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.