Hamdi dhe falenderimi, lutjet dhe adhurimi i takojnë vetëm Allahut xh.sh. E lusim Allahun xh.sh për hir të kësaj dite të bekuar të na bëjë një popull të drejtë dhe që i qëndrojnë besnik të vërtetës. E lusim Allahun xh sh për hir të kësaj dite ti pastroj zemrat tona nga cdo ligësi që mund ta mbjellë shejtani. Allahu na pastroftë edhe veprat tona dhe qëllimet tona, dhe na mundësoftë që në momentin që është më i kënaqur ndaj nesh të dalë dhe shpirti jonë. Salavatet dhe selamet i’a dërgojmë njeriut më të ndershëm, pishtarit ndricues, Muhamedit a.s, familjes së tij të ndershme, shokëve të tij të sinqertë dhe krejtë atyre që e kanë ndjekur e ndjekin dhe do ta ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e Gjykimit, kur të dalim para Zotit tonë dhe të japim llogari.
I nderuari xhemat!
Allahu xh.sh në një ajet Kur’anor ka thënë: “Kush bënë vepra të mira, qoftë ai të jetë mashkull ose femër, duke qenë besimtar (i sinqertë në Zotin xh.sh), Ne do ti mundësojmë atij një jetë të mbushur me mirsi e lumturi. Dhe do ta shpërbljemë për veprat e mira të cilat i ka bërë”- Nahl,97”.
Në këtë ajet Allahu i Lartësuar i jep mesazhe mbarë njerëzimit e në vecanti muslimanit, i cili musliman ka thënë se e ka Zot Allahun xh.sh. Allahu në këtë ajet botës i jep shpresë. I jep shpresë atij të cilin e kanë kapluar dhimbjet shpirtërore, stresi dhe ankthi, preokupimet dhe shqetësimet ndoshta dhe të panevojshme, i jep shpresë atij i cili ka harruar se ka edhe mundësi tjetër për të jetuar dhe se jeta nuk është vetëm dhimbje dhe hidhrime. Allahu i tregonë rrugë atij të cilit i ka humbur shpresa për jetë, i ka humbur fuqia, e ka shkatërru shëndetin, e ka gjunjëzu dynjaja. Andaj Allahu po i’a tregon zgjidhjen këtij njeriu duke i’a treguar dhe anën tjetër të medaljes, duke i thënë se kjo jetë është e përzier, e ka të hidhurën por e ka edhe të ëmblën, e ka të shëmtuarën por e ka edhe të bukurën, e ka të keqen por e ka edhe të mirën dhe se gjërat e mira janë më shumë sesa të këqijat, prandaj njeriu e në vecanti muslimani duhet më tepër të jetë i lumtur dhe aktiv sesa të jetë pasiv dhe i demoralizuar.
Allahu xh.sh tregonë në ajetin Kur’anor që besimtarët duhet të plotësojnë dy kushte që Allahu tu jape një jetë me mirësi dhe lumturi dhe atë: 1.Besimi i pastër në Zotin një dhe të Vetëm dhe 2.Ata duhet të aktivizohen individualisht dhe bashkarisht në punë të hajrit dhe të mira dhe të mos qëndrojnë pasiv dhe pa bërë asgjë. Punët e hajrit dhe të mira në Islamin tonë janë ata që i bëjnë dobi njeriut sikurse: leximi, namazi, mirësjellja, respekti, fjalët e mira, ndihma ndaj të tjerëve në punë të mira etj etj. Pasi të mirat janë këto, atëherë kush janë të këqijat? Të këqijat janë të kundërtat e atyre që përmendëm. Pasi leximi është i mirë, atëherë mosleximi është i keq. Falja e namazit e mirë, kurse mosfalja e keqe. Mirësjellja e mirë, kurse arroganca e keqe etj etj. Andaj pyesim popullin ku jemi ne prezent më shumë. A kemi në popullin tonë më shumë cka lexojnë ose cka nuk lexojnë? A kemi në popullin tonë më shumë cka falin namaz ose cka sfalin namaz? A kemi më tepër njerëz të edukur me sjellje të mirë, ose kemi arrogant dhe të pasjellshëm? A kemi njerëz cka dinë me folë me butësi dhe urtësi, ose kemi më shumë që shajnë dhe folin fjalë të këqija? Dhe për krejtë këto vetë ne jemi përgjegjës. Për problemet tona dhe mosqetësinë shpirtërore të mos fajsojmë dikë tjetër por vetvetën.
Andaj të bëhemi aktiv në punë të mira, ta aktivizojmë vetvetën aty ku është shpëtimi dhe mirësia. Nuk i ka hije besimtarit me qëndru pasiv, por ai duhet të jetë aktiv me trupin dhe pasurinë e tij aty ku është e dobishmja. Të mos e shpenzojmë pasurinë tonë në bixhoz, por le ta shpenzojmë aty ku është ardhmëria e ndritur, në avancimin e shkollave dhe xhamive, në edukimin dhe arsimimin e rinisë sonë. Sot shumë njerëz e kanë gabuar orientimin duke menduar se nëse janë më mizor do të jenë më të lumtur, nëse ju shkaktojnë probleme të tjerëve do të jenë më të lumtur, nëse janë sa më larg njerëzve do të jenë më të lumtur, ama harrojnë se sekreti i lumturisë është krejtë e kundërta, sekreti i lumturisë është kur je në mesin e njerëzve, kur tregon mirësjellje ndaj të tjerëve, sekreti i lumturisë është brenda familjes dhe brenda shoqërisë, vetëm se kërkohet menaxhimi i mir me situatat. Po e tregojmë shembullin e Rebias r.a, një grua e cila ishte shumë modeste, ajo nuk kishte pasuritë cka kemi ne sot, nuk kishte edhe mundësitë cka kemi ne sot, ama ajo me kushtet e veta ishte shumë më e kënaqur dhe më e lumtur sesa ne sot. Të gjithë njerëzit habiteshin me lumturinë e saj, ama ajo kishte kuptuar atë cka sot shumë nuk e kuptojnë. Lumturia qëndron në atë kur kënaqesh edhe nëse është pak, dhe jo në mosngopjen dhe lakminë e asaj cka nuk e ke.
Ne duhet të punojmë për më shumë me bindje se do arrijmë, ama mosarritja nuk duhet të na shkatërroj që të i’a hupim shijen edhe asaj cka kemi. Rebia ishte shumë e lumtur sepse ajo me atë cka kishte dinte si të menaxhojë. Ajo punonte shumë por nuk arriti shumë, ama me atë që kishte ishte e kënaqur. Ajo dëshirën e vetme e kishte që të ketë një vend në Xhennet afër Pejgamberit Muhamed a.s. Dhe kur këtë dëshirë i’a paraqiti Pejgamberit a.s ai i tha: “Oj Rebie, më ndihmo në realizimin e dëshirës tënde me shumë sexhde”. Pra neve që të arrijmë qetësinë e brendshme kemi nevojë për vepra të mira, kemi nevojë edhe për dituri edhe për sexhde, që me dituri të ngritemi në dyja dhe me sexhde të përulemi para Kontrolluesit të dynjasë Allahut xh.sh.
E lusim Zotin të na përmirsojë gjendjen tonë dhe të shoqërisë sonë. Lusim Zotin ti pranoje punët tona, e të na mundësoje cdoher të jemi prezent në punë të mira. Lusim Zotin tonë të Gjithmëshirshëm të na mundësoje edhe ne një vend në Xhennet sikur dëshira e Rebies r.a. Allahu na ruajt ne, familjet tona dhe ummetin tonë…AMIN.
Përgatiti: Musa Biba
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.