Anatomia e brengës

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Ibn Ataullah el-Iskenderi, kuddise sirruh, thotë:

Brengosja e atij që nuk shfaq vullnet dhe nuk përpiqet t’i kryejë ibadetet, edhe pse shprehet se është zhytur në mërzi nga moskryerja e ibadeteve dhe adhurimeve, faktikisht konsiderohet si një shenjë e mashtrimit të tij.”

Nga el-Hikemu’l-Ataijje

Sinqeriteti është një cilësi njerëzore që fitohet me vështirësi. Me një shprehje tjetër, është shenja e një adhurimi që shkëlqen. Cilësia e një personaliteti që nuk e mashtron veten dhe nuk e gënjen atë, mund të ndërtohet vetëm mbi themelin e një besimi të fortë. Nisur nga kjo, mund të themi se sëmundjet që lindin nga fjalët, sjelljet dhe gjendjet, në të vërtetë janë reflektime që dalin jashtë nga dobësia në besim.

Sa kuptimplotë është fakti që Allahu Teala i cilëson si hipokritë ata që hedhin themele mbi gënjeshtër[1] dhe sikundër kësaj, pret besnikëri prej besimtarëve.[2]Po ashtu edhe i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, na kujton duke e përsëritur tri herë njëra pas tjetrës se “Feja është këshillë”.[3]

Të gjithë miqtë e Allahut Teala pa përjashtim, kanë bërë thirrje për sinqeritet e besnikëri. Abdulkadir Gejlani, kuddisallahu sirruh, e filloi një kuvend të tij me këto fjalë:

“O bij! Jini të sinqertë, qoftë edhe sa një grimcë! Prej jush kërkoj vetëm një gjë, jo për veten time, por për ju: “Jini të sinqertë dhe besnikë!”[4]

Sinqeriteti është çelësi i gradës së besnikërisë, e cila është grada më e lartë pas gradës së profetësisë. I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, na njofton kështu për këtë përgëzim:

“Të qenët i sinqertë, sigurisht se e shpie njeriun te përsosmëria e mirësisë. Nëse njeriu vazhdon të jetë i sinqertë, në fund fiton titullin “i sinqertë” te Allahu Teala.”[5]

Shpeshherë, kur themi sinqeritet dhe besnikëri, kuptohet vetëm të qenët i drejtë në fjalë dhe mosdevijimi në mashtrim. Ky është një kuptim i drejtë, por i mangët. Faktikisht, sinqeriteti dhe besnikëria janë një stil jete. Madje një stil jete që reflekton ndaj çdo gjëje. Është një rregull jete që duhet të shfaqet në mendimet, sjelljet, marrëdhëniet njerëzore, ndjenjat dhe përfundimisht në gjendjet tona. Ja pra, Ibn Ataullahu, kuddisallahu sirruh, duke treguar sinqeritetin që duhet të jetë në brengosje, tha:

“Brengosja e atij që nuk shfaq vullnet dhe nuk përpiqet për t’i kryer ibadetet, edhe pse shprehet se është zhytur në mërzi për shkak se nuk i ka kryer ibadetet dhe adhurimet, faktikisht konsiderohet si një shenjë e mashtrimit të tij.”

Njeriu është një krijesë që herë- herë harron, bie në neglizhencë dhe bën punë të gabuara. Faktikisht, Allahu i Madhëruar nuk pret prej tij që të mos gabojë apo të mos bëjë mëkat. E rëndësishme është që njeriu të mos bjerë në këto gjendje me vetëdije, por edhe nëse bie, duhet të pendohet menjëherë dhe ta kompensojë gabimin. Ja pra, të vepruarit me sinqeritet dhe besnikëri në këtë gjendjen e dytë, është shumë e rëndësishme.

Pendim do të thotë kthim, që përmban brenda tij një pishmanllëk të sinqertë; do të thotë një drejtim të plotë ndaj Allahut Teala dhe të vërtetës. Në këtë kthim duhet të ketë edhe brengosje. Kjo brengosje nuk duhet të jetë pasive, që e gjen të shprehurin e saj vetëm në gjuhë, por duhet të jetë një ndjenjë dinamike, që i ka rrënjët në zemër dhe i jep njeriut emocion për një hedhje të re, e cila e bën atë ta kompensojë gjënë që i ka ikur. Nëse veprohet kështu, atëherë rrëshqitja e këmbëve nga rruga e drejtë mund të jetë çelësi i një fillimi të ri, madje i një jete më të zgjuar dhe më cilësore. Kjo gjendje ndikon te njeriu si një vaksinë e bërë për të aktivizuar mekanizmin e ruajtjes së trupit.

Në lidhje me këtë lloj brengosjeje, Ebu Ali ed-Dekkak, kuddise sirruh, thotë: “Gradën që një njeri me brengë të vërtetë e arrin brenda një muaji në rrugë të Allahut Teala, dikush tjetër nuk mund ta arrijë me vite.”

Gjendja e brengosjes që nuk e bën njeriun t’i kompensojë gabimet, nga një aspekt është një gjendje mashtrimi që njeriu i bën vetes dhe burimi i saj shpeshherë është nga nefsi dhe shejtani. Disa dijetarë e kanë quajtur këtë gjendje “mekri ilahi”, e cila është një lloj istidraxhi, domethënë, ndëshkim hyjnor për shkak se robi nuk i respekton rregullat e fesë. Shpeshherë kjo është një shenjë e zemërimit hyjnor, e cila duket si mirësi. Këtë lloj brengosjeje nganjëherë mund ta shoqërojnë edhe lotët.

Brengosja e rreme nuk mund të bëhet shkak për formimin e një vullneti të ri në brendësi të njeriut. Ai që brengoset në këtë mënyrë, duket i mërzitur nga rënia në mëkat, por nuk heq dorë nga vazhdimi në të. E qorton veten për shkak se shfaq koprraci aty ku duhet të japë, por nuk jep për të shpëtuar nga kjo gjendje. Brengoset për shkak se nuk i vlerëson kohët e agimit, por nuk përpiqet për të marrë masat e nevojshme për agimin e ardhshëm. Kjo gjendje e të tjera që i ngjajnë kësaj, janë shenjat që tregojnë se brengosja e përjetuar është një brengosje jo e vërtetë. Me një shprehje tjetër, është një mashtrim i ulët, me të cilin njeriu gënjen veten e tij. Sipas mistikëve, kësaj gjendjeje nuk është e drejtë t’i thuhet brengosje.

Disa dijetarë kanë folur për tri lloj brengosjesh:

1. Brengosja e gënjeshtarëve: Kjo është brengosja e atyre që nuk përpiqen për ta kompensuar atë që u ka ikur, edhe pse shprehen se janë brengosur.

2. Brengosja e të drejtëve: Kjo është brengosja e atyre që janë të sinqertë në këtë ndjenjë, që përpiqen menjëherë t’i kryejnë detyrat që nuk i kanë bërë dot më parë dhe që mundohen ta vlerësojnë në mënyrën më të mirë pjesën tjetër të jetës që ka ngelur.

3. Brengosja e të sinqertëve: Kjo është brengosa e atyre që u dhemb zemra dhe ndjejnë një pikëllim të madh për kohën e kaluar, për formimin e ndonjë gjendjeje neglizhence ndaj Zotit dhe për animin e zemrave, sadopak qoftë, ndaj pasioneve dhe dëshirave vetjake.

Së fundi, brengosja e pranuar është një djegie shpirtërore që e shpie njeriun në veprime të reja. Një brengosje e tillë është një kafshë mbartëse e mirë dhe një shok i sinqertë për udhëtarët e Zotit (xh.xh.).

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-