(Ar)miqësia ndërmjet Evropës dhe Islamit

Opoja.net Opoja.net Opinione

Autor: Nexhat Ibrahimi

1. Shqyrtimet hyrëse

Marrëdhëniet Evropë – Islam kanë një histori të gjatë dhe janë përcjell me batica e zbatica të theksueshme. Përkundër disa shkrimeve historike të vyeshme, mendojmë se kjo periudhë është jashtëzakonisht pak e studiuar, selektivisht e trajtuar dhe në mënyrë subjektive e hulumtuar.[1] Më e keqja është se Evropa edhe në këtë kohë, në fillim të shekullit XXI, nuk ka gjetur fuqinë e duhur  fetare, intelektuale e shpirtërore, historike e shoqërore, politike e ekonomike, për ta pranuar rolin e saj të mirëfilltë në raport me Islamin dhe muslimanët.

Tema për Islamin dhe muslimanët në Evropë shpërfillet, heshtet, për të nuk flitet. Ndonjë shkëndijë herë pas here del në dritë, shpërthen në skenë, por ajo është e pamjaftueshme për të ndërtuar parakushte e kushte, paramundësi dhe mundësi për një të ardhme të vërtetë. E kundërta, me qindra e qindra tituj janë shkruar e shkruhen sesi Islami dhe muslimanët duhet të përdhosen dhe luftohen, sesi muslimanët janë rrënja dhe boshti i së keqes, por shumë rrallë gjejmë ndonjë tentim që të flitet e vërteta objektive, pa paragjykime. Megjithatë, e vërteta gjenë mënyrë, në kohë të caktuara, të dalë në sipërfaqe dhe të ofrohet para lexuesve sikurse lulet e para në pranverë pas një dimri të gjatë e të acartë.

Mirëpo, duke u marrë me këto probleme komplekse historike nuk duhet të preokupohemi me problemin e pasojave, sepse është e qartë, nga pasojat nuk mund të kuptohet thelbi i problemit. Domethënë, raporti shoqëroro-historik ndërmjet Evrpës dhe Islamit, qoftë më herët qoftë në kohën aktuale, duhet të shqyrtohet nga prizmi i perspektivës. Nësenë gjetjet tona preokupohemi me pasojat, ato sërish bëhen shkaqe të reja dhe kështu në pafund.

Janë edhe disa probleme që duhen theksuar. Fitojmë përshtypjen se Evropa, si trashëgimtare shpirtërore-politike e Perandorisë Greko-Romake, nuk e ka gjetur diskursin e mirëfilltë për Islamin. Sikur ajo e ka harruar tërë trashëgiminë muslimane në Spanjë (të Kordobës, Seviljes, Toledos etj.), atë të Sicilisë dhe të tjera në Ballkanin juglindor.[2] Sikur Evropa e ka lënë në harresë Kanunin e Ibn Sinait, veprën më e njohura në mjekësinë evropiane për shumë shekuj.[3] Evropa duke përdorë gjuhën e heshtjes ndaj të arriturave muslimane në njëfarë mënyre ka zgjuar revoltë te muslimanët. Derisa në një anë heshtet e vërteta, në anën tjetër imponohet e vërteta e Evropës kristiane dhe judeo-kristiane. Kjo shpërfillje e Islamit dhe muslimanëve, kjo heshtje e tipit të komplotit kundër muslimanëve, revoltën dhe pakënaqësinë e muslimanëne e ngre në nivel të agresivitetit te një pjesë e muslimanëve në Evropë. Ata, evropianët, e glorifikojnë trashëgiminë judeo-kristiane dhe greko-romake, por heshtin trashëgiminë muslimane, madje e kategorizojnë si element jo të dëshirueshëm, trup të huaj në Evropë.[4]

Ja disa shembuj të interpretimit evropian: derisa pushtimi kolonialist evropian i një pjese të botës në shekullin XV e pas shikohet si një sukses i tyre, fuqia punëtore muslimane në Evropë shikohet si një rrezik dhe kërcënim për Evropën. Derisa pushtimi musliman i Spanjës në shekullin VIII (710-711) shikohet si veprim barbar i berberëve muslimanë, pushtimi i spanjollëve dhe tjerëve në kontinentin e largët shikohet si qytetërim. Analizoni të arriturat muslimane në Spanjë (710-1492) dhe analizoni pushtimin e atyre territoreve dhe pasojat e pushtimi: zhdukjen e popujve vendorë në Amerikë nga ana e spanjollëve dhe evropianëve tjerë, dhe vlerësoni çka quajmë qytetërim e kulturë!?!

Përse ndihet e kërcënuar Evropa nga muslimanët? Me një gjuhë të thjeshtë do të themi se Evropa duke përqafuar një degjenerim total njerëzor nuk mund të shtohet, kurse muslimanët duke ruajtur vlerat e vjetra fetare dhe tradicionale, shtohen dhe pas një shekulli muslimanët do të paraqesin shumicë në ato vende. Evropa e frikësuar nga ky konstatim realist, e në kërkim të mekanizmave mbrojtës, përpiqet që me vendime politike të mbajë gjendjen nën kontroll (dëbimi i një pjese të tyre, asimilimi i një pjese dhe mbajtja nën mbikëqyrje rigoroze i një pjese tjetër). Por, edhe kujtesa e emigruesve pyet: a mundet Evropa me shekuj të pushtojë, të shfrytëzojë, të vrasë, të grabisë, të imponojë gjuhën dhe kulturën e vet tek popujt e shtypur e nënshtruar, por sot, duke importuar fuqi punëtore nga vendet e shtypura për punët që evropianët nuk duan t’i bëjnë, të mos lejojnë rrethana të reja!?

Të shkojmë në histori e të shohim si ka ndodhur në të kaluarën. Spanja muslimane për 7-8 shekuj ishte muslimane, për disa shekuj prodhoi kulturë dhe qytetërim të paparë, për disa shekuj prodhoi paqe, madje, hebrenjtë nuk mbahet mend në histori të kenë pasur periudhë më properuese dhe me të lumtur sesa ndër muslimanët në Spanjë. Nëse Evropa ishte periudhë e errët Spanja në po këtë kohë përjetoi zhvillimin më të hovshëm që kurdoherë mbahet mend. Këtë errësirë Evropa filloi ta tregojë edhe në Spanjën muslimane pas dëbimit të tyre, pas vrasjes së tyre. Rekonkuista kristiane dogji e zhduki mbi një milionë libra muslimane në Spanjë. Këtë e di Evropa, këtë e di bota, këtë e dinë muslimanët. Por, këtë nuk e di masa e thjeshtë, këtë nuk e di populli i zakonshëm. Sepse ajo vazhdimisht dëgjon vetëm për dallimet, konfliktet, rreziqet dhe për rolin negativ të muslimanëve etj.[5]

2. Qasja

Si të shtrohet pyetja e drejtë? Si t’i qasemi problemit drejt kur kemi gjithë këto kufizime politike, ekonomike, religjioze, kulturore, gjuhësore? A është e mundur qasja e drejtë kur gjerat varen nga interesat e korporatave, të artikuluara me gjuhë politike, fetare apo kulturore?

Mendoj se përkundër problemeve të shtruara, qasja e drejtë është e mundur. Vetë shtruarja e pyetjes së qasjes së drejtë është një hap para drejt demistifikimit dhe dekonstruktimit të mendimeve të caktuara që ngarkojnë bisedën dhe dialogun e drejtë. Qasjet e ndryshme janë një hap para përball përfaqësimit jokritik dhe anues të cilitdo orientim. Por, edhe qasja e fokusimit në hollësi është që raportet Islam-Evropë të shikohen në dritën e provave, të numrave e jo të paragjykimeve të akumuluara dhe shtresuara historikisht!?

Nëse do ta shikojmë Evropën dhe evropianët, kemi gjithnjë e më pak besimtarë praktikë në ritualet kishtare, mbase si ndikim i konkurrencës por edhe i sistemit shekullar të shtetit. Prandaj Pierre Maneut thotë: “Do të hamendet të flet për Evropën kristiane ai që ka vërejtur sesa modeste është vizitueshmëria e besimtarëve të cilët zakonisht përcjellin shërbimin e Zotit në Sint Paul’s catedral ose në katedralen e Marseilleut.”[6] Pra, trualli i caktuar nuk mund të përcaktohet i dikujt (për shembull,kristian) në bazë të besimtarëve praktikë nëpër faltoret e fesë së caktuar.

Qasje e paqëndrueshme është edhe ajo që simpatizon, që anon drejt një qëndrimi të caktuar. Mendoj se ka nevojë për qasje racionale, analitike e jo emotive. Në të kundërtën, edhe kjo qasje do të gjenerojë mosmarrëveshje të mëtejme, madje edhe më të mëdha, në konflikte, dhunë e edhe luftëra.

Një qasje gjithashtu e mundshme por jo e shëndoshë është edhe ajo që Evropa nuk mund të komunikojë me një shtet që fenë nuk e ka lënë si çështje private, siç është Perandoria Osmane, sepse sipas evropianëve, mirësjellja fetare muslimane është mbi atë evropiane perëndimore, e cila si bazë ka të drejtën njerëzore. Nuk pajtohemi me evropianët dhe me ndarjen e fesë nga shteti vetëm formalisht, sepse në sfond të kësaj të drejte njerëzore qëndron ideologjia e lashtë romake e greke e ngjyrosur me rolin e Kishës, por me mjete tjera e ndërtuar dhe zhvilluar. Këtë e pranojnë edhe vetë evropianët duke pohuar se “Kisha kristiane, duke e udhëhequr Perandorinë Romake, nuk ka mundur të heq dorë nga struktura e fuqisë dhe nuk ka arritur të zhvillojë të gjitha implikimet antimetafizike të kristianizmit.”[7] Këtë ndryshe e ka artikuluar edhe A. v. Hamack: “Në vetëdijen e popullsisë vendore është shkrirë katolicizmi dhe ndjenja nacionale romake, dhe kisha romake është bërë Perandori Romake Perëndimore, e përcjell në fushë religjioze, kurse peshkopi i saj ka qenë mbreti i fshehur romako-perëndimor.”[8]

Vihet re një element që ka rëndësi në trajtimin e temës së shtruar, dhe që e bënë të ndërlikuar qasjen e mirëfilltë të marrëshënieve Islam-Evropë, e ai është shekullariteti i fshehur në Lindje dhe dominimi i heshtur i botëkuptimit religjioz në shoqëritë shekullare në Perëndim. Këtë e ka vënë re edhe intelektuali me prejardhje siriane që jeton në Gjermani, Bassam Tibi (1944), i cili mangësinë e sheh të mungesën e tolerancës së ndërsjellë. Muslimanët sipas tij kërkojnë nga Perëndimi atë që nuk e ofrojnë vetë në Lindje. Madje, ai shkruan: “Arabët gjithnjë e kërkojnë fajin te tjetri …”.[9]

 3. Rrafshi historik

Evropa ‘e bëri’ Evropën duke eksploatuar të tjerët, duke vrarë të tjerët, duke gjenociduar të tjerët. Këtë konstatim tonin e  përshkruajmë me fjalët e Franc Fanonit: “Kombet evroperëndimore zhgërryen me bollëk mbi shpinën e skllevërve, me gjakun e skllevërve, dhe mirëqenia e përparimi evroperëndimor janë ndërtuar me djersën dhe ku­fomat e zezakëve, arabëve, hindusëve dhe të verdhëve. Dollari, funta, franku e marka bazën e kanë mbi supet e skllevërve, në puset e naftës të Lindjes së Mesme. Kapital­istët si kolonë janë sjellur si kriminelë, kanë depërtuar, ma­sakruar, dhunuar, e për t’i rritur rezervat e veta të arit e të diamanteve etj.” [10]

Ngjashëm aktualisht po vepron edhe Izraeli, kurse ndër të parët nga shtetet evropiane këtë metodë e ka përdorur Anglia, për ta vazhduar Belgjika, Franca, Holanda, Spanja etj.[11] Edhe pse kjo gjendje vazhdon, Perëndimi akuzon vazhdimisht muslimanët për të këqijat e kohës. Madje, disa akuza janë të tepërta edhe për teologun e intelektualin kristian, siç është Hans Kungu: “Është e tmerrshme atë që në media publike mund ta dëgjojmë ose lexojmë për Islamin dhe që intelektualët përgjithësisht për të flasin. E tmerrshme në kuptimin e dyfishtë: e para shtrembërimet dhe paragjykimet që zbulohen në ato gjykime, dhe e dyta, toni demonizues me të cilin karakterizohen këto gjykime…”.[12]

***

Që mos të bijmë në grackën e Evropës fenomenin duhet shikuar si tërësi, si diversitet në unitet dhe unitet në kundërshtim. Po ta nxjerrim pjesën nga tërësia, ne i bëjmë atak tërësisë dhe mëkat ndaj tërësisë. Prandaj, Islamin në Evropë duhet ta shohim në raport me kristianizmin dhe judaizmin si tri religjione të mëdha monoteiste. Ky diskurs edhe pse është i vështirë, pasi që pjesëtarët e njërës dhe tjetrës anë janë të ndarë sipas simpative, emocioneve e jo sipas një ndarjeje racionale, megjithatë është i mundur. Për më tepër që shkenca moderne nuk arriti të ofrojë zgjidhjen e plotë nëpërmjet të matshmes dhe të përsëriturës; për më tepër që as arti nëpërmjet formës së praktikës së dëshirueshme dhe të nevojshme njerëzore nuk arriti të ofrojë përgjigje në fushën e pavarësisë së prodhimit të veprave artistike. Përgjigje nuk ofruan as format e ndryshme religjioze që perceptimet njerëzore nuk i ngritën në nivelin abstrakt të Njërit të Vetmit. Perceptimi fetar shkon përtej kufijve gjuhësorë të aspektit filozofik apo artistik. Ai ka nevojë për gjuhën si shkëndijë, si metaforë, por shkon përtej mendimit, gjuhës, shpjegimit racional, përtej logjikës. Perceptimi fetar e bënë atë që shkenca nuk arriti të shpjegojë mirëkuptimin e ndërsjellë njerëzor, në konstituimin e bashkësive morale njerëzore, në zhvillimin e tolerancës dhe mirëkuptimit të tjetrit dhe të ndryshmit.[13] Prandaj, në këtë rrafsh edhe duhet shtruar pyetjet në aspekt të raportit fe-shoqëri-tolerancë-mirëkuptim ndërmjet Islamit dhe Evropës dhe Islamit dhe botës në përgjithësi.

 4. A mund të përfundohet

Analizimi i drejtimeve të të perceptuarit në aspekt të raporteve Islam-Evropë është një tentim i nevojshëm për të parë të kaluarën jo fortë të favorshme , por është edhe një shikim para, një shikim drejt të ardhmes: pikarritja, anët e mira dhe të këqija, ndriçimi i periudhave të errëta dhe qasja e drejtë ndaj raporteve Islam-musliman në një anë përball Evropës dhe kristianizmit nga ana tjetër. Analiza synon të gjurmojë drejt pikave të përbashkëta, rreth urave që lidhin, dhe aqsa të zhvillohet diskursi i mirëkuptimit dhe ndërgjegjësimit edhe të Evropës dhe të muslimanëve rreth një jete të përbashkët më e mirë se kjo e deritanishmja.

 

___________________________

[1] Shih disa shkrime lidhur me këtë temë: Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, Logos-A, Shkup, 2009.

[2] Shih: Ferid Muhiq, identiteti islam i Evropës, Logos-a, Shkup, 2013.

[3] Shih: Ahmed F. El-Ehwani, Filozofia islame, Zëri Islam, Prizren, 2002.

[4] Shih: http://behar.hr/kako-postaviti-pitanje-odnos-europe-i-islama/. Gjithashtu: Nexhat Ibrahimi, A është Evropa në fakt “shtëpi” për muslimanët, revista Paqja, mars 2012, Zëri Ynë, Prishtinë, ose:  A është Evropa në fakt “shtëpi” për muslimanët,, në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2245.

[5] Bernard Lewis (ed.), Svijet islama, Beograd, 1979, fq. 229-248.

[6] Manent, Pierre: Religija Europski glasnik br. 12. Zagreb, 2007, fq. 68, sipas: http://behar.hr/kako-postaviti-pitanje-odnos-europe-i-islama/.

[7] Richard Rorty, Gianni Vattimo, Santiago Zabala: Kakva je budućnost religije nakon metafizike? Europski glasnik nr. 12. Zagreb, 2007, fq. 68 dhe 249, sipas: http://behar.hr/kako-postaviti-pitanje-odnos-europe-i-islama/.

[8] Franzen, August: Pregled povijesti Crkve, Kršćanska sadašnjost, Zagreb, 1996, fq. 103/104, sipas:http://behar.hr/kako-postaviti-pitanje-odnos-europe-i-islama/.

[9] Bassam Tibi: Islamska imigracija, Europski glasnik nr. 12. Zagreb, 2007, fq. 344, ose: A Migration Story: From Muslim Immigrants to European “Citizens of the Heart?“” in: The Fletcher Forum of World Affairs Vol.31 (Winter 2007) 1: 191-210.

[10] Shih gjerësisht veprën: Franc Fanoni, Të mallkuarit e botës, Rilindja, Prishtinë, 1984, fq. 87-95.

[11] Sloterdijk, Peter: Ako se Europa probudi, Europski glasnik, nr. 3 Zagreb, 1998, fq. 41, sipas: Franzen, August: Pregled povijesti Crkve, Kršćanska sadašnjost, Zagreb, 1996. Sipas:http://behar.hr/kako-postaviti-pitanje-odnos-europe-i-islama/.

[12] Hans Kung, Kršćanstvo i svjetske religije, Uvod u dijalog s islamom, hinduizmom i budizmom, Naprijed, Zagreb, 1994, fq. 13.

[13] Sipas: http://behar.hr/kako-postaviti-pitanje-odnos-europe-i-islama/.

(Opoja.net | zeriislam.com)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-