Askush nuk është i vogël

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Nëna nuk e ushqen vetëm me gji të voglin e saj, por i mëson edhe gjërat e tjera në lidhje me jetën. I vogli i mëson prej saj ecjen, mbajtjen e lugës, ngritjen e gotës, etj. Edhe letrari më i madh e ka filluar mësimin me fjalët e thjeshta që ka mësuar nga nëna e tij, shkruan Opoja.net.

Pastaj ka formuar fjali më të mëdha e më të rregullta dhe ka bërë letërsi. Fëmijët e mësojnë nga etërit hedhjen e hapit. Të gjithë mësojnë duke parë ngritjen e tonit të zërit, mirësjelljen, ashpërsinë dhe hijeshinë. Të gjithë mësojnë dhe u mësojnë të tjerëve diçka në këtë jetë.

Nënat, etërit, shokët, mësuesit… Të gjithë janë nxënës dhe mësues. Allahu Teala kështu e ka vendosur rregullin e kësaj bote. Feja jonë është fe e jetës. Islami është në përputhshmëri me natyrën njerëzore. Allahu Teala dëshiron që të bëhemi myslimanë në këtë botë dhe sipas kushteve të kësaj bote. Ne nuk gjendemi në qiell dhe nuk jemi engjëj. Jemi njerëz të cilët hamë, pimë, ecim, flasim, qeshim dhe qajmë. Kur u bashkohemi atyre që qeshin, qeshim edhe vetë.

Kur gjendemi ndërmjet atyre që qajnë, mërzitemi edhe vetë. Nëse vrapon ai që është para nesh, vrapojmë për ta arritur. Nëse njerëzit e tjerë nuk i kushtojnë rëndësi ndonjë gjëje, edhe ne detyrohemi të mos i kushtojmë rëndësi. Ky është rezultati i natyrshëm i të qenët njeri. Ne kemi parë nënën tonë dhe kemi kuptuar fazën e parë të jetës. Pastaj e kemi praktikuar atë. Kemi parë shokët dhe kemi gjetur vend e punë për vete. Kemi parë të moshuarit në shtëpinë tonë dhe kështu kemi filluar të mendojmë për të ardhmen. Për shkak të atyre që kanë vdekur, jemi frikësuar nga vdekja.

Kemi zhvilluar pasionin për të mbledhur pasuri duke u influencuar nga të pasurit. Pra, vazhdimisht jemi ndikuar nga diçka. Kështu ka jetuar njeriu dhe sigurisht që kështu do të vazhdojë të jetojë. Gjithmonë do të ketë të mirë që ndjekin gjurmët e të mirëve dhe të këqij që ndjekin gjurmët e të këqijve. Si konvoji i të mirëve, si konvoji i të këqijve arrijnë deri te njeriu i parë, babai ynë, Ademi (a.s.). Gjithashtu do të vazhdojnë deri te njeriu i fundit.

Ndërsa shqetësimi se ku ndodhemi në këtë konvoj dhe prapa kujt jemi apo kush do të jetë pas nesh, është urdhri që ta shohim këtë jetë me ndjesinë e të pasurit para sysh jetën e botës së përtejme. Nëna do të bëhet mësuese dhe mësuesja do të bëhet nënë. Të gjithë do të marrin dhe do të japin. Kështu është shkruar fati i njerëzimit. Vazhdimësia e mirësive dhe ligësive ndodhin me dorën e të mirëve dhe të këqijve. Ata që besojnë do të gjenden në hallkën e atyre që e mbartin deri në kiamet bërthamën e besimit. Pikërisht siç e luajnë rolin e tyre ata që mbartin farën e mohimit të Zotit (xh.xh.).

Ata që falin namaz nuk do të thotë që thjeshtë falin namaz, por çdo namaz i tyre në të njëjtën kohë është edhe prezantim i namazit ndaj brezit të mëvonshëm. Nipërit që shohin faljen e dy rekatëve namaz nga gjyshërit e tyre, do t’i japin jetë namazit. Një tryezë në të cilën ulemi me bismil-lah, edhe nëse gjendet në dhomën e ndenjës, ajo është si një medrese.

Një baba që hyn më këmbën e djathtë në shtëpi një ditë do të bie në sytë e të tjerëve dhe do ta gjallërojë Sunetin. Dikush që thotë “elhamdulil-lah” me një zë që i vjen nga zemra pasi ngopet, edhe e falënderon Zotin, edhe i edukon të pranishmit. Kështu është edhe tryeza e syfyrit në të cilën ulemi për të ngrënë syfyr e për të agjëruar. Po kështu është edhe tryeza e iftarit. Haxhilerët që qëndrojnë në Arafat, e mbartin haxhin te brezat e ardhshëm. Myezinët nuk thërrasin vetëm në namaz, por në të njëjtën kohë gdhendin nëpër mendjet e njerëzve shpalljen më sublime. Madje një besimtar me mjekër, nëse nuk ka ndonjë problem tjetër, e prezanton Islamin më mirë se një besimtar pa mjekër.

Në shoqërinë tonë myslimane selami gjendet si një pikë e mrekullueshme komunikimi. Identiteti u jep mesazh të tjerëve, të bën të komunikosh me ta dhe të jep sevap. Kur një nënë të ushtrojë detyrën e nënës nuk duhet ta nënçmojë veten, sepse ajo në këtë çështje është mësuesja e besimtarëve. Ajo do të hedhë themelet, pastaj mësuesi mysliman do të ndërtoje mbi to ndërtesën e Islamit.

Një besmele në tryezë nga njëra anë do të na mbajë të lidhur me Sunetin, nga ana tjetër do t’i mësojë brezit të ri emrin e Allahut. Feja jonë është fe e njeriut. Ajo kalon nga njeriu te njeriu. I Dërguari i Allahut (a.s.), ishte njeri. Prej atij e kemi marrë fenë në atë nivel që mund ta zbatojë njeriu. Sahabët e nderuar, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, ia dolën mbanë për ta marrë fenë dhe për ta transmetuar. Kështu që u bënë më të mirët e umetit. Kjo kështu ka qenë dje, kështu është sot dhe kështu do të jetë edhe nesër. Askush nuk mund ta nënvlerësojë identitetin e besimtarit.

Secili prej nesh është i vlefshëm në pozicionin e tij. Padyshim se edhe barra e atyre që kanë marrë përsipër udhëheqjen e umetit ka një vlerë krejt të ndryshme. Suksesi i tyre për t’i ndjekur këto gjurmë është për shkak të begatisë së ndjekjes së atyre gjurmëve. Atij që i ka ndjekur mirë gjurmët, i janë ndjekur mirë gjurmët. Ai nuk është harruar apo nuk ka rënë në rrugë të gabuara. Umeti ynë është një umet i madh. Të qenët prej këtij umeti e bën të domosdoshëm të qenët të urtë.

Të jesh prej këtij umeti dhe të jesh i vogël, pothuajse është e pamundur. Nënvlerësimi i pozicionit për të cilin na ka krijuar Allahu Teala na detyron të mbetemi të vegjël dhe të zhdukemi. Të gjithë kanë vendin e tyre duke filluar nga nëna e duke përfunduar te dijetari. Kështu që secili prej nesh absolutisht ka hijen e vet. /Opoja.net/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-