Sulmuesi i TSG Hoffenheimit, Fisnik Asllani, ka folur pas fitores së rëndësishme 1-0 ndaj Werder Bremenit në javën e 33-të të Bundesligës, duke theksuar se objektivi për kualifikim në Ligën e Kampionëve ende mbetet i hapur.
Hoffenheimi siguroi tri pikë vendimtare në “PreZero Arena” falë golit të Bazoumana Toure në minutën e 26-të, duke u ngjitur në vendin e pestë me 61 pikë, po aq sa Stuttgart që mban pozitën e katërt.
Pas ndeshjes, Asllani u shpreh se skuadra duhej të kishte mbyllur më herët takimin, duke theksuar mungesën e efikasitetit para portës.
“Ëndrra për Ligën e Kampionëve është ende aty. Fitorja ishte shumë e rëndësishme, por duhej të shënonim më shumë dhe patëm fat që nuk pësuam”, tha ai.
Sulmuesi shtoi se loja kundër një kundërshtari të mbrojtur mirë ishte sfiduese, edhe pse Bremeni mbeti me një lojtar më pak në fushë.
“Të luash kundër një ekipi që mbyllet në mbrojtje nuk është e lehtë. Ata u mbrojtën mirë dhe na lanë pak hapësira”, u shpreh Asllani.
Ai komentoi edhe një moment kyç të ndeshjes, duke theksuar rëndësinë e qarkullimit të shpejtë të topit në zonën ofensive.
Asllani konfirmoi se ekipi është i fokusuar vetëm te vetja para ndeshjes së fundit të sezonit, ku do të përballet me Borussia Mönchengladbach jashtë fushe.
“Jemi të fokusuar te vetja. Nuk duhet të shikojmë çfarë bëjnë të tjerët. Ndeshja e fundit do të jetë e vështirë, por do të japim maksimumin”, shtoi ai.
Asllani pritet të largohet nga Hoffenheimi në verë, ndërsa interesim për shërbimet e tij kanë shfaqur disa klube të mëdha evropiane, përfshirë Barcelona, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

