Deri më tani, Bashkimi Evropian (BE) ka dhuruar 150 mijë vaksina BioNTech/ Pfizer për Shqipërinë.
Sipas videos të publikuar në median sociale Facebook, të dielën e 11 korrikut, nga delegacioni i BE-së në Shqipëri, dorëzimi i dozave te autoritetet shqiptare bëhen çdo të hënë.
“Dërgimi i vaksinave po mundësohet nga Austria”, citohet në video, ndërsa thuhet që dërgesat “do të vazhdojnë deri në muajin gusht”.
Duke treguar përkrahjen e tyre, delegacioni shkruan se “jemi bashkë derisa të mundim pandeminë dhe të gjithë të jenë të sigurtë”.
Gati një javë më parë, në aeroportin “Nënë Tereza”, kanë mbërritur mbi 16 mijë vaksina antiCOVID të kompanisë Pfizer.
Këto doza ishin nga kontrata e qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer si dhe pjesë e mbështetjes së Bashkimit Evropian, të siguruara nga qeveria austriake.
Vaksinat u pritën në aeroportin e Rinasit nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca dhe ambasadori austriak, Christian Steiner.
Fushata e vaksinimit
Fushata e vaksinimit masiv vijon gjithashtu me ritme të shpejta. Ndërkohë deri më tani janë vaksinuar 900 mijë shqiptarë.
Mbi 300 mijë qytetarë, i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.
Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani mbi 1 milion doza të vaksinave anti-Covid, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.4 milionë doza.
Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.
Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.
Ministria gjithashtu ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën. Apel ka edhe për vijimin e zbatimit të rregullave për parandalimin e Covid-19
/Albanianpost.com