Behgjet Pacolli: Ato që thuhen për Adem Hoxhën janë spekulime

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli është i bindur se jo vetëm deputeti goran Adem Hodza, por e gjithë Lista Srspska do ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi, në seancën e së martës. Ai ndonëse aktualisht është jashtë vendit, thotë se deri më tani me gjithçka ka qenë në rregull me deputetët e pakicave.

Ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq ka deklaruar për mediet serbe se Lista Serbe nuk do ta votojnë marrëveshjen e kufirit Kosovë- Mal i Zi. Por, kjo deklaratë nuk po ia mbush syrin, kreut të AKR-së Behgjet Pacollit. Krejt këto sipas tij, janë vetëm sipas medieve të Beogradit.

“Me Listën Serbe ka qenë pothuajse krejt në rregull unë besoj se kjo është vetëm për shkak të medieve të Beogradit sepse gjithçka ka qenë në rregull. Unë prapë po rezervohem që sot të flas më kryeministrin, ai di gjithçka unë nuk di asgjë”, thotë Pacolli.

Megjithëse, zëvendësi i Ramush Haradinajt, duke i komentuar raportimet se njëri nga deputetët e Listës Serbe, Adem Hodza, do ta votojë marrëveshjen, tha se jo vetëm ai, por e gjithë partia serbe në Kosovë do ta jap votën pro.

“Unë besoj sa i përket Adem Hodzës se janë vetëm spekulime, sepse demarkacioni do ta votojnë krejt, jo vetëm ai. Unë besoj nesë ska ndryshu diçka radikale krejt në rregull ka qenë. Skom fol ende me askënd se jam jashtë”, ka shtuar ndër tjerash ai.

Seanca për Demarkacionin është caktuar që të mbahet të martën në ora 16:00. Koalicioni Qeverisës ka deklaruar se aktualisht i kanë 79 vota. Derisa janë në bisedime edhe për votën e 80-të. Lëvizja Vetëvendosje janë kategorikisht kundër votimit, sikurse edhe nga Krahu i Molliqajt.

Tri seanca të mëparshme dështuan të mbaheshin për marrëveshjen me kufirin. Shkak i këtij dështimi, ishin mungesat e votave. Partneri Qeverisës kishte deklaruar se seanca do të mbahej vetëm atëherë kur të siguroheshin votat e mjaftueshme për ta kaluar atë.

Për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, nevojiten 80 vota nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës.

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në vitin 2015 është plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe të Malit të Zi Filip Vujanoviq.

Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.

Votimi i Demarkacionit me Malin e Zi do t’i liberalizonte vizat për qytetarët. Ky është kushti i fundit i BE-së për Kosovën, që çon drejt vizave. Ndërkohë, ndërkombëtarët vazhdimisht po u bëjnë thirrje ligjvënësve që ta votojnë sa më parë marrëveshjen dhe mos ta lënë popullin në izolim.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-