Besimtarët janë vëllezër dhe një umet i vetëm

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Emri i shoqërisë që formohet prej njerëzve që janë të kënaqur nga Allahu si Zot, nga Islami si fe, nga Muhamed Mustafai (a.s.), si pejgamber, nga Kurani Fisnik si libër i Allahut Teala dhe të cilët e shijojnë besimin e tyre në këtë mënyrë është Umeti i Muhamedit. Allahu Teala thotë në Kuranin Fisnik: “Vërtet, ky umeti juaj (që formohet rreth Islamit, fesë së vërtetë) është një umet i vetëm. Ndërsa Unë jam Zoti juaj. Andaj më adhuroni vetëm Mua!” (Enbija, 92)

Ky umet është umeti më i mirë i nxjerrë në pah nga Allahu Teala për të gjithë njerëzimin. Ky umet është i ngarkuar me detyrën e “Emri bi’l-ma’ruf ve nehji ani’l-munker-it”, domethënë, për të urdhëruar për gjërat që mendja e shëndoshë dhe sheriati i pranojnë si të mira e të bukura dhe për të ndaluar prej atyre që i pranojnë si të këqija e të shëmtuara derisa mbi tokë të mos mbetet përçarje dhe feja e sundimi të jenë për Allahun e Madhëruar.3

Ne si umeti i Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, jemi miqtë e njëri-tjetrit. Nisur nga kjo, ne jemi miqtë dhe ndihmuesit e njëri-tjetrit. Ne jemi si organet e një trupi të vetëm. Ne kemi përgjegjësinë për të arritur të gjithë së bashku te më e mira duke u mbajtur për njëri-tjetrin. Simboli ynë është që të garojmë në mirësi e devotshmëri dhe ta ndalojmë njëri-tjetrin nga mëkati e armiqësia. Zemrat tona janë bashkuar dhe kanë formuar miqësi me njëra-tjetrën në sajë të mëshirës së Allahut Teala. Allahu i Lartësuar na ka shpallur vëllezër me njëri-tjetrin dhe na i ka bërë haram shumë vepra dhe sjellje si talljen, përçmimin, emërtimet me llagape të këqija, kërkimin e mangësive te të tjerët, paragjykimin, përgojimin dhe thashethemet të cilat e prishin këtë vëllazëri. Epërsia te Allahu i madhëruar nuk është vendosur në prejardhje, farefis dhe racë, por vetëm në devotshmëri.

Çdo individ, xhemat dhe shtet ka shumë përgjegjësi për të marrë përsipër në emër të sigurimit të bashkimit dhe unitetit të umetit. Nëse ky umet i nderuar e vazhdon rrugën sipas udhëzimit që ka dhënë Allahu Teala duke e siguruar disiplinën brenda vetes, shumë njerëz të devijuar si qafirët, zullumqarët dhe hipokritët asnjëherë nuk do të kenë mundësi t’i shkaktojnë ndonjë dëm. Rreziku më i madh për umetin është kur grindja dhe fraksionet shfaqen ndërmjet pasuesve të besimit. Si rezultat, humbasim edhe fuqinë. Nisur nga këto, ndërkohë që pajtimi ndërmjet vëllezërve vjen në krye të veprave më të mira, edhe prishja e miqësisë, lidhjeve dhe bashkimit të tyre është prej mëkateve më të rënda.

Edhe nëse shejtanët prej njerëzve dhe prej xhindeve të dukshëm dhe të padukshëm i bëjnë ata të grinden me njëri tjetrin apo i lëshojnë deri në atë gjendje saqë të luftojnë me njëri-tjetrin për interesa vetjake e materiale, pjesës tjetër prej besimtarëve që nuk janë prekur nga kjo fatkeqësi i takon të qëndrojnë të bashkuar kundër atyre që i drejtohen padrejtësisë dhe t’i kthejnë ata nga rruga e gabuar në të cilën kanë hyrë. Domethënë, besimtarëve u bie për detyrë që t’i ndihmojnë vëllezërit e tjerë besimtarë edhe nëse janë prej atyre që bëjnë padrejtësi, edhe nëse janë prej atyre që u është bërë padrejtësi. Padyshim se ndihma më e rëndësishme që mund t’i bëhet të padrejtit është të ndaluarit e tij nga kjo padrejtësi.

Të gjithë ata që i drejtohen kibles, që nuk mohojnë haptazi dhe që i përshëndesin besimtarët e tjerë me përshëndetjen e Islamit janë elementë bazë të këtij umeti. Askush nuk mund ta nxjerrë nga umeti ndonjë tjetër me justifikimin se nuk i bindet mendimit të tij. Principi ynë themelor si umet është: “Të vepruarit me njerëzit sipas anës së dukshme të tyre, domethënë, sipas veprave dhe sjelljeve që ata reflektojnë në planin e jashtëm dhe t’ia lëmë Allahut Teala botën e brendshme të tyre.” Për ta nxjerrë dikë jashtë rrethit të Islamit duhen argumente shumë të qarta e serioze dhe mohim në formë të hapur. Në të kundërt, ai që akuzon për mohim, domethënë, ai që e bën këtë veprimin për ta shpallur qafir dikë, do të thotë se e ka hedhur veten në një rrezik shumë të madh.

Mëkatet nuk e nxjerrin njeriun nga umeti përderisa të mos e pranojë hallallin si haram dhe haramin si hallall. Ne si besimtarë kemi përgjegjësinë që armiqësinë dhe urrejtjen që kemi ndaj mëkatit të mos e mbartim ndaj mëkatarit. Madje, ne e kemi për detyrë ta shpëtojmë këtë vëlla nga humnera e gjynahut në të cilën ka rënë.

Siç ka vend brenda kornizës së madhe të umetit për të devotshmit, të mirët, të sinqertët dhe besnikët, ka vend edhe për gabimtarët, mëkatarët dhe gjynahqarët. Njëri prej mëkateve më të mëdha që nuk duhet të gjendet ndërmjet të gjitha këtyre grupeve është përçmimi i robërve të Allahut (xh.sh.). Njëra prej cilësive më të rëndësishme që Zoti i Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëplotë dëshiron ta shohë te robërit e Tij është që ndjenjat e mëshirës dhe të butësisë t’i mposhtin zemërimet e tyre. Nisur nga këto, njerëzit e pranuar te Zoti (xh.xh.), nuk janë ata që përpiqen t’i nxjerrin nga rrethi i umetit të gjithë të tjerët duke i shikuar me egoizëm, por janë ata që përpiqen për t’i parë brenda rrethit të umetit robërit e Allahut duke vlerësuar qoftë edhe shenjën më të vogël të tyre në lidhje me besimin dhe që i tërheqin ata drejt qendrës.

Brenda këtij umeti sigurisht që herë-herë kanë dalë individë apo grupe që kanë devijuar nga linja qendrore. Këtu e rëndësishme është që besimtarët ta paralajmërojnë njëri-tjetrin dhe të përpiqen për ta afruar njëri-tjetrin sa më afër linjës kryesore.

Të gjithë ata që përpiqen për të formuar klasa brenda umetit, sido që t’i emërtojnë, në të vërtetë e shkatërrojnë umetin. Medhhebet dhe përkatësitë asnjëherë nuk duhet të shndërrohen në përplasje. Çdo lloj qëndrimi apo veprimi që ushqen egon e grupit, do të jetë shkak për të merituar jo kënaqësinë, por zemërimin e Allahut Teala.

Bashkimi i umetit mund të realizohet me udhëheqje të shëndoshë. Nisur nga ky aspekt, umeti duhet të edukojë njerëz që do të bëhen liderë dhe pastaj duhet të mbahen fort pas këtyre liderëve. Përderisa këta liderë të mos urdhërojnë për mosbindje ndaj Zotit, të gjithë besimtarët duhet ta pranojnë bindjen me sinqeritet ndaj tyre si urdhër të Allahut Teala. Individët apo grupet që nuk e formojnë dot një udhëheqje të tillë apo që e copëtojnë një udhëheqje të tillë e cila ekziston, duket qartazi se kanë marrë përsipër një përgjegjësi të rëndë dhe kanë rënë në një mëkat të madh.

XHEMATI ËSHTË MËSHIRË

Xhemati është një koncept bashkimi dhe shoqërimi. Feja islame nuk është një fe murgërie, por një fe sociale. Besimtarët e kësaj feje nuk janë njerëz që jetojnë të vetëm dhe të shkëputur nga njëri-tjetri, por janë njerëz që formojnë një bashkim si shembulli i tullave që janë të lidhura fuqishëm me njëra-tjetrën. I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë në lidhje me këtë çështje: “…Ju këshilloj xhematin! Kini kujdes nga ndarja, sepse shejtani qëndron me atë që është vetëm. Ai qëndron larg dy vetave. Ai që dëshiron mesin e Xhenetit, të mos ndahet nga xhemati!..” (Ibn Maxhe, Ahkam 27; Tirmidhi, Fiten 7.) “Në xhemat ka mëshirë, ndërsa në ndarje ka ndëshkim.” (Munavi, III, 470.)

Në të vërtetë, umeti islam në tërësi është një xhemat i madh. E fshehta që e mban të bashkuar është Islami, i cili është referenca e vetme e parimeve të besimit, adhurimit, veprave dhe moralit. Këtu duhet të shprehemi se edhe koncepti “ehli sunnet ve’l-xhemaat” është i rëndësishëm. Suneti është mënyra e adhurimit që është formësuar dhe simbolizuar në personalitetin e të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam. Ja pra, emri i përgjithshëm që i është vendosur një shoqërie që e merr për bazë këtë linjë me të gjitha aspektet e saj (të dukshme dhe shpirtërore), është “Ehli sunnet ve’l-xhemat”. Kjo shoqëri është quajtur edhe “sevadi a’zam”.

Myslimani asnjëherë nuk mund të jetë individualist dhe egoist. Shumë dispozita të Islamit janë për formimin e një xhemati të shëndosh. Në Islam është vënë në pah domosdoshmëria dhe mirësia e xhematit në dispozitat e adhurimeve më themelore si namazi, haxhi e zekati dhe është urdhëruar që myslimanët të veprojnë të bashkuar dhe me mirësi e devotshmëri.

Ndërmjet këtij xhemati të madh të umetit janë formuar edhe grupe të vogla që përsëri janë emërtuar me emrin xhemat. Në lindjen e këtyre strukturave nganjëherë ka qenë influencuese nevoja për dije, nganjëherë nevoja për ndërtimin e personalitetit dhe nganjëherë mendimi për t’u solidarizuar në mirësi dhe devotshmëri. Përderisa qëllimet të jenë të ligjshme e të pranuara, formimi i këtyre xhematëve është krejt i natyrshëm, madje nganjëherë mund të jetë edhe i domosdoshëm. Këto struktura që janë formuar rreth një dijetari, murshidi apo mirëbërësi, gjithmonë kanë ekzistuar në histori. Medresetë, teqetë, vakëfet dhe shoqatat në një farë mënyre janë format e institucionalizuara të strukturave të xhematëve. Nëse ata që gjenden në krye të këtyre strukturave janë njerëz të ditur, të urtë, largpamës dhe me vizion, përgjatë gjithë historisë kanë marrë përsipër role mjaft influencuese në shtimin e mirëqenies së umetit. Por për fat të keq ka edhe një të vërtetë të pamohueshme e cila është: Strukturat e këtyre xhematëve nganjëherë janë bërë vegla të abuzimeve të ndryshme. Për shkak të kësaj, detyra që u takon dijetarëve dhe udhëheqësve largpamës të umetit është që t’i parandalojnë këto lloj abuzimesh e shfrytëzimesh.

Këto lloje xhematesh të vogla është shumë e rëndësishme që të jenë të zgjuara kundrejt sëmundjes që mund ta quajmë egoja e xhematit, pëlqimit të vetes dhe përçmimit të të tjerëve, në mënyrë që të mos prishet uniteti i umetit. Gjithashtu, nëse këto struktura e shenjtërojnë veten e tyre dhe e shohin të vërtetën e të drejtën sikur është vetëm në anën e tyre, atëherë edhe ky është një rrezik serioz për to. Përfundimisht, zhytja në mendimin e pagabueshmërisë për shkak të dehjes që jep lidhja dhe dashuria ekstreme, është një sëmundje shkatërruese.

Gjithashtu ekzistojnë edhe disa vatra ligësie që janë emërtuar si xhemat, por këto janë jashtë temës sonë. Ndoshta do të ishte më mirë që ky emër fisnik të mos përdorej për ata. Në lidhje me këto vatra sherri mund të përdoret fjala organizatë.

Përfundimisht mund të themi se formimi i xhematëve dhe bashkëpunimi ndërmjet tyre është një nevojë jetike dhe e domosdoshme, në mënyrë që feja të zbatohet, që personaliteti të ruhet, të zhvillohet e të përsoset dhe që mirësia të shtohet. Sikundër kësaj, ndarja në fraksione duke e copëtuar fenë, kapja e secilit grup pas një pjese të saj dhe formimi i grupeve të interesave dhe dëshirave vetjake shkaktojnë përçarje dhe shkatërrim të madh. Ky është devijimi i vërtetë. Allahu i Madhëruar në Kuranin Fisnik thotë: “(O ju që keni besuar!) Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Islamin) dhe mos u përçani!” (Al Imran, 103) “Me të vërtetë, ti s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte. Te Allahu është puna e tyre e pastaj Ai do t’u tregojë çfarë patën punuar.” (En’am, 159)

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-