Bllokada në Kuvendin e Kosovës po rrezikon zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, si dhe mund të vërë në pikëpyetje rreth 60 milionë euro fonde deri në fund të muajit qershor.
Kjo u bë e ditur në takimin e parë të Komitetit Monitorues BE–Kosovë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje.
Koordinatori Kombëtar për këtë instrument, Jeton Zulfaj, tha se Kosova ka qenë ndër vendet e para në rajon që ka përmbyllur negociatat me Bashkimin Evropian për agjendën reformuese në verën e vitit 2024. Sipas tij, Qeveria e Kosovës e ka miratuar agjendën e reformave më 9 tetor 2024, por procesi ka ngecur për shkak të vonesave dhe bllokadave në Kuvend.
Ai theksoi se Kuvendi më vonë ka ratifikuar dy marrëveshjet kryesore të instrumentit më 13 shkurt të këtij viti, ndërsa më 19 mars Qeveria ka miratuar sistemin e zbatimit. Fondet e para nga Plani i Rritjes, në vlerë prej 61.8 milionë euro, janë pranuar më 16 prill.
Megjithatë, Zulfaj paralajmëroi se ngërçi aktual në Kuvend po pengon miratimin e ligjeve dhe reformave të nevojshme për zbatimin e plotë të marrëveshjes me BE-në.
Sipas tij, nëse situata vazhdon, deri në fund të qershorit mund të rrezikohen rreth 9 hapa reformues, që lidhen me afro 60 milionë euro fonde nga Plani i Rritjes.
“Vonesat nga viti i kaluar në Kuvend, siç e thashë edhe në fillim, kanë vonuar ratifikimin e marrëveshjeve si dhe zbatimin e reformave. Fatkeqësisht bllokada në Kuvend vazhdon këtë vit duke vonuar tutje reformat e nevojshme që kryesisht janë ligje që duhet kaluar në Kuvend. Si pasojë e kësaj bllokade në fund të këtij muaji në qershor tashmë mund të rrezikohen 9 hapa në shumë prej afër 60 milionë euro nga Plani i Rritjes”, u shpreh Zulfaj.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

