Bujqësia, një dështim skandaloz

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Uncategorized

Analisti Dardan Grapci është i mendimit se ministri aktual i Bujqësisë nuk është i denjë për këtë post dhe duhet që urgjentisht të japë dorëheqje të parevokueshme nga ky post, për shkak se ai është njëri nga fajtorët kryesorë, që e ka sjellë në këtë situatë bujqësinë e Kosovës dhe bujqit kosovarë, që i ka shkatërruar komplet

Të gjitha qeveritë e pasluftës, përfshirë edhe Qeverinë aktuale të Isa Mustafës, patën premtuar se zhvillimi i sektorit të bujqësisë ishte paraparë të jetë një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik për periudhën e paskonfliktit, mirëpo premtimet e tyre mbetën vetëm në letër. Nga viti 1999 deri më 2017 Kosova vazhdon të jetë importuese e madhe e prodhimeve bujqësore. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, misri dhe gruri janë produktet ushqimore, të cilat më së shumti importohen nga shtete të ndryshme të botës.

Nënkryetari i AKB-së, Bashkim Osmani, thotë se krahasuar me vitet e mëhershme kemi pasur përparime të investimeve në sektorin e bujqë- sisë, por krahasuar me vendet e rajonit ende qëndrojmë larg tyre. “Po të investohej nga paslufta në këtë sektor sikurse që janë bërë ca përmirësime në veçanti viteve të fundit, situata ka mundur që të jetë shumë më e mirë dhe numri i të punësuarve do të ishte dukshëm më i madh”, është shprehur ai. “Është koha e fundit që nga ana e Qeverive të Kosovës të rriten urgjentisht investimet në sektorin e bujqësisë, ndryshe nuk do të mund të ndalim invazionin e mallrave nga Serbia për në Kosovë”, theksoi Osmani.

Emërimet nepotike dhe klienteliste

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha se përderisa nuk emërohen ministra në bazë të profesionalizmit dhe meritokracisë e jo të klientelizmit, nepotizmit, apo siç ndodh te ne që nga paslufta edhe në baza të preferencave të partive dhe bizneseve, nuk do të ketë zhvillim ekonomik të vendit e as zhvillim të bujqësisë, por as nuk do të ketë investime të huaja, pa të cilat vendi nuk do të ketë zhvillim ekonomik e as zvogëlim të papunësisë. “Që të ketë investime serioze dhe afatgjata në sektorin e bujqësisë, mendoj që nevojitet të jetë ministër një ekspert nga fusha e agronomisë, sepse vetëm një ekspert i agronomisë mundet që të dijë se çka nevojitet për një fermer dhe çfarë produktesh duhet të kemi në çdo stinë”, potencoi ai. Analisti Grapci është i mendimit se ministri aktual i Bujqësisë nuk është i denjë për këtë post dhe duhet që urgjentisht të japë dorëheqje të parevokueshme nga ky post, për shkak se ai është njëri nga fajtorët kryesorë që e ka sjellë në këtë situatë bujqësinë e Kosovës dhe bujqit kosovarë, që i ka shkatërruar komplet. Sipas tij, ministri i MBZHR-së, Memli Krasniqi, është edhe njëri nga fajtorët se përse në tregun e Kosovës kemi një vërshim të produkteve nga Serbia, por edhe nga Maqedonia. “Ministri aktual duhet të japë dorëheqje”, thotë më tutje Grapci.

Dyshime për korrupsion në skemën e granteve

Deputeti i opozitës, Haxhi Shala (Nisma për Kosovën), tha se është për keqardhje se që nga paslufta e deri më sot Kosova nuk po arrin që të ketë investime serioze afatgjata në sektorin e bujqë- sisë. “Që të kemi një zhvillim dukshëm më të shpejtë të bujqësisë, kjo bëhet përmes donacioneve qeveritare dhe të granteve, të cilat për fatin e keq të fermerëve dhe bujqve tanë ato po keqpërdoren duke ua ndarë ato militantëve partiakë e jo fermerëve të vërtetë dhe bujqve tanë”, theksoi ai. “Sipas disa fermerëve, për të qenë përfitues i këtyre granteve nëpër komunat e Kosovës apo në Ministrinë e Bujqësisë përfituesit e grantit duhet që të ndajë 30 për qind të shumës së një granti përfitues për zyrtarin e institucionit që i ndajnë këto grante”, tha Shala. Sipas tij, mungesa e këtyre investimeve edhe ka ndikuar që ndërkohë në saje të këtyre keqpërdorimeve të granteve shumë nga tokat Kosovës të mbesin djerrinë dhe se nuk po përdoren për produkte profitabile dhe për pasoja ne detyrohemi që të importojmë edhe produktet më të thjeshta, që janë të kontaminuara dhe vijnë kryesisht nga Serbia.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-