“Nuk jam
dërguar të mallkoj, por jam dërguar si mëshirë për të gjitha botët.”
Kurani na
njeh me personalitetin e Pejgamberit (savs), me fjalët e mëposhtme:
“Dhe, Na
të kemi dërguar ty (o Muhamed!) vetëm si mëshirë për botët – njerëzit.” (el-Enbija, 107)
Nga ky
ajet shohim se tipari i tij i veçantë është se ai ishte begati e mishëruar si
në fjalë ashtu edhe në vepër.
Nga
transmetimi i regjistruar në Sahihun e Muslimit mësojmë se sahabët i
kërkuan Pejgamberit (savs), që t’i mallkonte armiqtë e tij kur ata e
intensifikonin persekutimin e tyre. Në këtë Pejgamberi (savs), u përgjigj:
“Nuk jam dërguar të mallkoj, por jam dërguar
si mëshirë për të gjitha botët.”
Armiqtë e
tij edhe më tutje silleshin me mizori dhe padrejtësi ndaj tij dhe ndaj shokëve
të tij, kurse ai gjithmonë lutej për ta.
Me një
rast ata hodhën aq shumë gurë në të, saqë gjaku rrodhi prej tij në të gjitha anët.
Kjo i ndodhi atij në Taif, ku fisnikët e Hixhazit i kalonin ditët e tyre të
verës. Kur ai u përpoq t’i thërriste ata në Islam, në vend që t’i dëgjonin
fjalët e tij të mençura, ata i urdhëruan fëmijët nga rruga ta sulmonin atë, dhe
ata e përndoqën atë deri sa ra nata. Madje edhe atëherë, në një moment lodhjeje
të vërtetë dhe gjakderdhjeje nga koka te këmbët, gjithçka që tha Pejgamberi
(savs), ishte:
“O Zoti
im, udhëzoje popullin tim, sepse vërtet ata nuk dinë.”
Zemra e
tij ishte e mbushur me dashuri të madhe për të gjithë njerëzimin, pa dallim nga
klasa ose ngjyra e lëkurës. Ai një herë i këshilloi sahabët e tij që t’i
shihnin të gjithë njerëzit si vëllezër dhe motra të tyre, dhe pastaj shtoi:
“Ju të
gjithë jeni pasardhës të Ademit, kurse Ademi është krijuar prej balte.”
E gjithë
kjo na tregon se çfarë lloj ndërgjegjeje Pejgamberi (savs), donte të zhvillonte
tek njerëzit. Misioni i tij ishte që njerëzit gradualisht ta kuptonin
realitetin se të gjithë burrat dhe gratë, janë vëllezër dhe motra nga gjaku,
ndonëse banojnë në zona të ndryshme të botës, dhe ndonëse duken të ndryshëm nga
njëri-tjetri për shkak të ngjyrës së lëkurës, gjuhës, veshjes, kulturës, etj.
Pra, marrëdhënia e duhur midis të gjithë njerëzve do të vendoset vetëm nëse e
shikojmë njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra. Vetëm atëherë ndjenjat e vërteta
të dashurisë dhe respektit do ta përfshijnë botën.
Në një
hadith, Pejgamberi (savs), ka thënë:
“Besimtar
i vërtetë është ai me të cilin të tjerët janë të sigurt, ai që urrejtjen e
kthen me dashuri.”
Pejgamberi
(savs), tregoi qartë se ai që vetëm dashurinë e kthen me dashuri është në një
nivel më të ulët etik. Ne nuk duhet të mendojmë se duhet t’i trajtojmë të
tjerët bukur vetëm nëse ata sillen mirë me ne. Ne, në fakt, duhet të jemi të mësuar
të sillemi bukur ndaj atyre të cilët nuk sillen mirë me ne, dhe të mos i dëmtojmë
ata që na kanë lënduar.
Në një
hadith tjetër, Pejgamberi (savs), ka thënë:
“Pasha
Allahun, nuk është besimtar, nuk është besimtar, nuk është besimtar, ai nga i
cili fqinjët e tij nuk janë të pasigurtë.”
Ky hadith
na tregon se sa Pejgamberi (savs), i donte dhe kujdesej për të gjithë njerëzit.
Një nga mësimet e tij është se ne me të tjerët duhet të jetojmë si lule, jo si therra,
pa i dëmtuar të tjerët.
Edhe në
një hadith tjetër, Pejgamberi (savs), ka thënë:
“Nëse
besimtari nuk mund tu sjellë dobi të tjerëve, të paktën ai nuk duhet t’i
dëmtojë ata.”
Nga kjo
shohim se për Pejgamberin (savs), personi që u sjell dobi të tjerëve është në
një nivel më të lartë të jetës. Por nëse njeriu nuk mund të jetë i dobishëm, të
paktën, ai nuk duhet t’i dëmtojë njerëzit e tjerë. Për të qenë dikush rob i
mirë i Allahut, ai duhet të jetojë në këtë botë si person që nuk u jep probleme
të tjerëve. Nuk ka mundësi të tretë.
Për
sjelljen e Pejgamberit (savs), na dëshmon Enes ibn Maliku (r.a.), i cili i
shërbeu atij për dhjetë vjet. Ai ka thënë se Pejgamberi (savs) kurrë nuk e
kishte qortuar. “Nëse do të bëja diçka, ai kurrë nuk do ta vinte në
pikëpyetje mënyrën time të punës, ndërsa nëse nuk do të bëja diçka, ai kurrë
nuk më pyeste se pse nuk e kam bërë atë.” Një sjellje e tillë i solli atij
respekt edhe nga armiqtë e tij, ndërsa ndjekësit e tij ishin me të gjatë të
gjitha fatkeqësive dhe vështirësive. Parimet mbi të cilat bazohej jeta e tij, ai
zbatoi në mënyrë të barabartë si për ata që e ndiqnin, ashtu edhe për ata që e
dëmtuan dhe nuk i dhanë mbështetje.
Në botën
e sotme, kurrë plotësisht nuk mund të përputhen mendimet, shijet, dëshirat dhe
antipatitë e të gjithë njerëzve. Në botë ka dallime për shumë arsye. Atëherë, cila
është zgjidhja e përhershme e problemit? Zgjidhja është në tolerancë. Pejgamberi
(savs), gjithë jetën e tij shërbeu si shembull i përsosur i këtij parimi.
Gruaja e tij Aishja (r.a.), ka thënë se “Ai ishte personifikim i Kuranit.”
Kjo do të
thotë se Pejgamberi (savs), jetën e tij e formoi në përputhje me shembullin
ideal të jetës, të cilin ua paraqiti të tjerëve në Kuran. Ai kurrë nuk e ka goditur
një shërbëtor, një grua apo dikë tjetër. Natyrisht, ai luftoi për atë që ishte
e drejtë. Por kur do të duhej të zgjidhte midis dy gjërave, ai e zgjidhte
rrugën më të lehtë, nëse nuk përfshinte mëkatin. Askush nuk ishte më i
kujdesshëm se ai në shmangien e mëkatit. Ai kurrë nuk ka kërkuar hakmarrje në
emrin e tij për ndonjë dëm që i ishte bërë atij personalisht. Vetëm nëse shkelej
ndonjë prej urdhrave të Allahut, atëherë ai kërkonte ndëshkim në emër të
Allahut. Sjellja e tillë i solli atij respekt universal.
Në
periudhën e hershme mekase të Shpalljes, kur armiqtë e Pejgamberit (savs),
ishin shumë më të shumtë se sahabët, shpesh ndodhte që kur ai të fillonte të falej,
dikush t’i afrohej dhe të fillonte të fishkëllente ose të trokiste për ta
shqetësuar, por Pejgamberi (savs), kurrë nuk ka treguar zemërim në situata të
tilla. Gjithmonë e zgjodhi konceptin e tolerancës dhe u shmang nga konfliktet.
Kur
kundërshtarët e tij u bënë jashtëzakonisht të fortë, Pejgamberi (savs), u shpërngul
nga Meka në Medine, por armiqtë e tij nuk e lanë të qetë. Ata i filluan sulmet
ndaj Medinës. Si rezultat, u krijua një gjendje lufte midis muslimanëve dhe jomuslimanëve.
Meqenëse Pejgamberi
(savs), i shmangej luftës me çdo kusht, ai synoi të vendoste marrëveshje
paqësore midis tij dhe banorëve të Mekës. Pas përpjekjeve të tij të mëdha, jomuslimanët
ranë dakord ta lidhnin një marrëveshje 10 vjeçare armëpushimi, e cila u nënshkrua
në Hudejbi.
Derisa
marrëveshja në Hudejbi ishte në fazën e hartimit, mekasit u përfshinë në një
numër të madh veprimesh provokuese. Për shembull, në marrëveshje u përmend emri
i Pejgamberit (savs), si ‘Muhamed, i Dërguari i Allahut.’ Mekasit
këmbëngulën që fraza ‘i Dërguari i Allahut’ të zëvendësohej me frazën ‘biri
i Abdullahut.’ Pejgamberi (savs) e pranoi kërkesën e tyre të paarsyeshme
dhe me duart e veta e shprehjen e më parshme. Në mënyrë të ngjashme, ata
kërkuan që të mbahet peng çdo mysliman që ata e arrestojnë, por që muslimanët
duhet ta kthejnë çdo jomusliman që ata e arrestojnë. Pejgamberi (savs), e
pranoi edhe këtë kërkesë. Për ta vendosur paqen, Pejgamberi (savs), pranoi
shumë pika të tilla të paarsyeshme të shtuara nga armiku. Në këtë shembull,
është vendosur parimi i lidhjes midis tolerancës dhe paqes. Nëse duam paqe,
duhet të tolerojmë shumë gjëra të pakëndshme nga të tjerët. Nuk ka asnjë mënyrë
tjetër për të vendosur paqen në një shoqëri.
Në një
rast, Pejgamberi (savs), ishte ulur me sahabët në Medine. Pranë tyre kaloi një
xhenaze. Kur e pa funeralin, Pejgamberi (savs), u ngrit në këmbë. Njëri nga
sahabët tha se ishte xhenaze e një hebreu. Kurse Pejgamberi (savs), u përgjigj:
“A nuk
ishte edhe ai qenie njerëzore?”
Ky rast
na tregon se si atmosfera e dashurisë dhe respektit të ndërsjellë në botë mund
të arrihet vetëm kur ngrihemi mbi kufizimet tinëzare të klasave shoqërore dhe
ngjyrës së lëkurës. Mu ashtu si Pejgamberi (savs), edhe ne vetë duhet t’i
shohim të gjithë njerëzit si qenie që gjithmonë meritojnë respekt.
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.