Koha ndahet në të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen. Ata që kanë jetuar, që jetojnë dhe do të jetojnë brenda këtyre tri periudhave të kohës kanë të drejtat e tyre mbi ne. Ata që kanë vdekur duhet t’i kujtojmë me dua, t’i përgjërohemi Zotit që t’i mëshirojë dhe të mos ua shqetësojmë shpirtrat e tyre duke mos ruajtur amanetet që na kanë lënë pas. Detyrat tona ndaj atyre që jetojnë sot janë përcaktuar sipas rregullave tradicionale dhe juridike, brenda kritereve morale.
Njerëzit në përgjithësi interesohen për kohën ku jetojnë vetë ata, duke e shtyrë në plan të dytë ose të tretë të kaluarën dhe të ardhmen. Megjithëse ata e marrin seriozisht të ardhmen e tyre, nuk mendojnë sa duhet për të ardhmen e të tjerëve apo të së drejtës së tyre për të ardhme. Një njeri i formuar, i ndërgjegjshëm dhe i pajisur me virtytet e moralit duhet të mendojë rreth së shkuarës, të sotmes dhe së ardhmes, duke i dhënë secilës prej tyre të drejtën që i takon. Ne duhet t’u lëmë pas brezave që do të vijnë vepra të hijshme dhe kujtime të bukura, në mënyrë që ata të na kujtojnë me krenari dhe të mos ndihen të turpëruar që janë pasardhësit tanë. Ata që arrijnë të lënë pas vepra të bukura dhe të vlefshme, në njëfarë mënyre jetojnë së bashku me ato vepra duke u përjetësuar në këtë jetë.
Profëtët me anë të mesazheve të tyre të pavdekshme dhe sjelljet shembullore, dijetarët me veprat e tyre, poetët me poezitë e tyre, muzikantët me muzikën që kompozuan dhe arkitektë me veprat e tyre arkitekturore që u lanë pas brezave të ardhshëm, pra neve, jetojnë në mesin tonë dhe përmenden përherë me fjalë admirimi dhe dashamirësie.
Sadakaja rrjedhëse, e cila përmendet në hadithin e famshëm të Profetit, është investim për të ardhmen, duke u shndërruar në një arsye që të mos mbyllet regjistri i veprave tona të mira edhe pasi të vdesim, duke bërë që të shënohen sevape në llogarinë e bamirësit të veprës së mirë. Urat, xhamitë, shkollat, spitalet, librat, poezitë, kompozimet muzikore, zbulimet dhe veprat e tjera të mira janë investim për sot dhe për të ardhmen.
Trashëgimia nënkupton përfshirjen e brezave të ardhshëm në përllogaritje. Sad b. Ebu Vakas ka qenë një njeri i kamur. Ai kishte vetëm një vajzë që do të mbetej trashëgimtare e tij. Ai dëshiroi që ta dhuronte dy të tretën e pasurisë që kishte. Profeti nuk e pranoi këtë gjë. Atëherë Sadi kërkoi leje prej tij të dhuronte gjysmën e pasurisë që kishte. Profeti edhe këtë propozim nuk e pranoi. Ai pranoi që Sadi të dhuronte si bamirësi vetëm një të tretën e pasurisë së tij. Në fakt edhe këtë masë e konsideroi të tepërt dhe e këshilloi me këto fjalë Sadin: “Më mirë t’i lësh trashëgimtarët e tu të pasur sesa t’i lësh ata të varfër.” (Rijadu-s’Salihin, hadith no: 6)
Kalifi Umer nuk pati pranuar t’ua shpëndante tokat e pushtuara ushtarëve myslimanë si plaçkë lufte, ashtu siç ishte praktika deri atëherë, sepse shqetësohej për të ardhmen e brezave që do të vinin. Në qoftë se ai do të kishte pranuar t’i ndante sipas praktikës që zbatohej deri atëherë, brezave që do të vinin nuk do t’u mbetej asgjë. Prandaj ai vendosi t’ia lërë këto toka shtetit. Kur u pushtua Iraku, ai mori taksën e punimit të tokës nga ata që e punonin atë dhe kështu që të gjithë përfituan nga këto të ardhura.
E drejta islame e ndarjes së pasurisë e merr parasysh madje edhe fëmijën e palindur që është në bark të nënës së tij dhe përllogaritja e pasurisë bëhet duke e përfshirë edhe atë si pjesëtar. Kjo praktikë tregon përpikmërinë në ruajtjen e së drejtës që u takon atyre që do të vijnë në jetë.
Por kjo përpikmëri nuk duhet treguar vetëm ndaj të afërmëve dhe farefisit, por ndaj të gjithë brezave që do të vijnë. Madje këtu duhet përfshirë i gjithë njerëzimi.
Meqë kemi për detyrë të mendojmë edhe të ardhmen, atëherë duhet të sillemi me kujdes në shfrytëzimin e mundësive dhe burimeve të kufizuara që ka bota dhe mos ta heqim kurrë nga mendja se ajo nuk na përket vetëm neve. Këto mundësi dhe burime u përkasin si atyre që përfitojnë prej tyre, edhe atyre që do të vijnë në të ardhmen. Bota nuk është si një supermarket që mund të grabitet nga kushdo. Burimet mbi dhe nëntokësore janë të limituara. Rezervat e qymyrit, naftës dhe pasurive të tjera nëntokësore janë të kufizuara. Konsumimi i tyre pa përgjegjësi dhe në mënyrë shpërdoruese shkakton shkatërrimin e mjedisit dhe kjo nuk përputhet me etikën dhe moralin human. Përkundrazi, brezat që do të vijnë kanë për të na dënuar për këtë që kemi bërë. Ashtu sikurse nuk mund të duhet babai që e shpërdoron pasurinë e tij në mënyrë të pandërgjegjshme dhe nuk u lë gjë pas fëmijëve të tij, po ashtu edhe brezat e ardhshëm kanë për t’i urryer paraardhësit e tyre që kanë shpenzuar pa kriter të mirat dhe burimet materiale që kanë pasur.
Paraardhësit tanë myslimanë patën llogaritur edhe kafshët kur krijonin vakëfet e tyre, duke pasur prej tyre që patën krijuar madje edhe vakëfe për përkujdesjen ndaj lejlekëve me krahë të thyer që nuk mund të fluturonin dot kur vinte koha e shtegtimit. Strehat e zogjve që ata ndërtonin në vende të caktuara të objekteve që ndërtonin, tregojnë se sa shpirtmëdhenj kanë qenë ata. Fryma e vakëfit është fryma e rrokjes së të ardhmes dhe përcjelljes së mëshirës drejt saj.
Ne jetojmë me ato që na lanë pas paraardhësit tanë. Veprat e tyre monumentale i japin vlerë dhe kuptim shtetit tonë. Po të mos kishin qenë investimet e tyre në objektet e kultit, objektet publike ne do të jetonim në tokë të djerra, duke mos e mbajtur gjallë kujtimin e të parëve tanë. Vepra të tilla të rralla na sigurojnë madje edhe të ardhura, pasi ato vizitohen për arsye turizmi. Turizmin nuk e mban gjallë vetëm dielli dhe deti. Kjo vlen për të gjitha shtetet në botë.
Të ruajmë trashëgimin e të parëve dhe ta pasurojmë atë, në mënyrë që t’ua lëmë pas brezave që do të vijnë, do të na mundësojë një kujtim të mirë në mendjet dhe gjuhët e pasardhësve tanë. A nuk rrëfejnë se si e panë një të moshuar që po mbillte një fidan peme dhe e pyetën se përse mundohej aq shumë, se në moshën që ishte ai do të duhej edhe shumë kohë që ajo pemë të rritej dhe të jepte fryta. Ai u përgjigj se ata që ishin para tij mbollën pemë frutorë nga frutat e të cilave hëngrëm ne, kështu që sot po mbillte ai pemë në mënyrë që të hanin prej frutave të tyre ata që do të vinin. Kjo është shpirtmadhësia.
Filozofia materialiste e shekullit që jetojmë ka prodhuar breza të pangopur. Çfarë të mire do të kemi nga një brez i ri që mendon vetëm për veten e tij, që e kalon ditën vetëm në dëfrim, që konsumon pa përgjegjësi çdo gjë, pasi është kapur edhe ai nga marrëzia e konsumimit dhe që rend në këtë marrëzi i ngërthyer nga dehja e haresë së dëfrimit. Këta jo vetëm që shesin të sotmen dhe të ardhmen, por do të shesin edhe veprat e të kaluarës së tyre. Njeriu duhet të rendë pas gjërave që nuk konsumohen me kalimin e kohës. Zoti urdhëron dhe thotë: “Veprat e mira që mbesin në kohë janë më të mira si tek Zoti yt, ashtu edhe tek bashkësia jote.” (Kehf, 46)
E ardhmja e ndritshme realizohet falë shërbimeve dhe kujdesit që është treguar në të kaluarën e saj. Investimi më i sigurt për të ardhmen është edukimi i brezave të rinj që do të ruajnë amanetet e të shkuarës dhe do t’i pasurojnë ato me të reja. Njeri i zgjuar është ai që punon për të ardhmen e tij afatshkurtër dhe afatgjatë, duke e shndërruar të përkohshmen në të përhershme. Le të kujtojmë këtu fjalët e mendimtarit mysliman francez, Rozhe Garodi: “Vlera e njeriut matet me masën e kontributit të tij në ndërtimin e së ardhmes.”
Ashtu sikurse e thamë edhe më sipër, çdo njeri është përgjegjës për të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen e tij. Virtyti më i madh është ta perceptosh këtë përgjegjësi dhe ta përmbushësh atë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.