Dhjetë ditët e fundit të ramazanit

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Falënderimi qoftë për Allahun, Zotin e botëve. Salavati dhe selami qoftë për të dërguarin dhe pejgamberin e fundit Muhamedin (a.s.), për familjen e tij të ndershme dhe sahabët e tij fisnikë!

Vëllezër të dashur;

Kemi hyrë në dhjetë ditët e fundit të ramazanit, Zoti na mundësoftë ta përfundojmë ramazanin e të dalim prej tij me gjynahe të falura. (…)

Në Ramazan Zoti fal shumë njerëz, i fal edhe ata që kanë bërë shumë gjynahe, madje edhe ata që kurrë nuk ua ka marrë mendja se do t`i falë Zoti i gjithësisë. Zoti i fal ata për çdo natë të muajit Ramazan, i fal natën e Kadrit, i fal natën e fundit të Ramazanit. Lusim Zotin të jemi prej atyre njerëzve që i ka falur Zoti. Nëse s`na ka falur Zoti deri tani, përsëri e kemi një shans. Kanë mbetur edhe 10 ditë të tjera. Duhet të përpiqemi shumë, sepse të lirohesh nga zjarri i xhehenemit nuk është pak. Zoti thotë në Kuranin fisnik: “E kush i largohet zjarrit e futet në xhenet, ai është i fituar dhe jeta e kësaj bote është vetëm një përjetim mashtrues”.

Dijeni se Ramazani vjen vetëm një herë në vit. Ramazani ka sekrete, që i di vetëm Allahu (xh.sh). Ky është muaji i bujarisë së Zotit, i Cili nga bujaria e Tij ka hapur të gjitha dyert e Xhenetit. Kush ka dëshirë të hyjë në xhenet, e ka shansin më të mirë në muajin Ramazan. Zoti me bujarinë e Tij i ka mbyllur dyert e Xhehenemit në këtë muaj dhe kush ka dëshirë t`i largohet Xhehenemit, këtë muaj e ka më larg se asnjëherë tjetër.

Pejgamberi (a.s) ishte ai njeri, i cili falej aq shumë për Zotin, saqë i ënjteshin edhe këmbët. Ai (a.s) ishte njeriu, të cilit i ishin falur gabimet e shkuara dhe të ardhmet, megjithatë në 10 netët e fundit të Ramazanit ai e shtonte në maksimum adhurimin e tij. Ai ngrihej vetë, zgjonte gratë e tij, madje edhe fëmijët e vegjël, që të adhuronin Allahun (xh.sh).

Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Në pjesën e tretë të natës, Allahu (xh.sh) zbret në qiellin e dynjasë, ashtu siç i ka hije madhështisë së Tij dhe thotë: “Kush kërkon prej Meje që t`i jap, kush më lutet, t`i përgjigjem. Kush më kërkon falje që ta fal, kush kërkon mbrojtje që Unë ta mbroj”. Ku janë ata njerëz, që ngrihen në pjesën e tretë të natës, kur të gjithë të tjerët flenë dhe i kërkojnë falje Zotit!? Tani në Ramazan ne ngrihemi për syfyr. Le ta lusim Allahun (xh.sh) në këtë kohë, sepse ti dhe unë kemi nevojë për faljen dhe mëshirën e tij. Allahu (xh.sh) thotë: “Unë jam afër tyre, kur më luten…”.

Përpara kemi 10 ditë të veçanta, brenda të cilave gjendet një natë më e vlefshme se 1000 muaj. Nëse të rastis që të bësh adhurim në atë natë, Allahu (xh.sh) iu dëshmon melekëve të Tij, se ti je nga të shpëtuarit e po shpëtove në atë natë, do të thotë që ke lindur për së dyti edhe pse mund të jesh me thinja. Por Zoti me mëshirën dhe urtësinë e Tij e ka fshehur këtë natë dhe nuk e dimë me saktësi se kur është ajo.

Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Allahu (xh.sh) ma tregoi, se kur është nata e Kadrit. Kur po dilja t`ju tregoja njerëzve, pashë dy persona duke u zënë me njëri – tjetrin dhe e harrova natën e Kadrit”. Pejgamberi (a.s) po dilte tu tregonte besimtarëve se si të fitonin natën e Kadrit, por u bë shkak grindja e dy personave, që Pejgamberi (a.s) ta harronte natën e Kadrit. Megjithatë edhe kjo ishte prej urtësisë së Allahut (xh.sh). Aishja (r.a) e pyeti Pejgamberin (a.s): “Sikur ta rastis natën e Kadrit, çfarë më këshillon që të them”? Pejgamberi (a.s) tha: “Thuaj, O Zot Ti je Falës i madh, Ti je Bujar, Ti e do shumë faljen, prandaj më fal mua”.

Pejgamberi (a.s) na ka treguar, se nata e Kadrit është në 10 netët e fundit të muajit Ramazan, në netët teke. Prandaj kërkojeni këtë natë dhe adhurojeni Allahun (xh.sh), qoftë edhe me dy rekate namaz. Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Kush rastis mirësinë e kësaj nate, ka gjetur mirësinë më të madhe. Kujt i ikën kjo natë, ai njeri ka humbur gjithçka”. (…)

Allahu (xh.sh) na premton, se nëse mundohemi dhe lodhemi këtë natë, Ai do të na japë mundësinë të lindim për së dyti, të dalim të pastër para Allahut (xh.sh). Shfrytëzojeni këtë natë, sepse ndoshta është nata kur na falen përgjithmonë gabimet dhe na shkruhen emrat te banorët e xhenetit.

Le të bëjmë edhe ne diçka më tepër gjatë këtyre ditëve. Ai që ka lexuar Kuran, të shtojë me shumë në leximin e tij. Ai që ka dhënë sadaka një herë në javë, le ta japë çdo ditë, qoftë edhe nga një euro. Të gjithë të shtojmë diçka, se tek Allahu (xh.sh) shpërblimi është pa masë. (…)

Ramazani është muaji, në të cilin Allahu (xh.sh) e shpërblen një punë vullnetare me shpërblimin e një farzi? Nëse jep një sasi të vogël parash, Allahu ta shpërblen sikur të kesh dhënë zekatin e pasurisë tënde edhe nëse ti ndoshta s`ke pasuri fare. A nuk është turp që në këtë muaj të mos bëhemi bujarë?! Mendoni sa para shpenzojmë nëpër kafene ose për të blerë lloj – lloj gjërash, të cilat ndoshta edhe mund të mos na nevojiten dhe nuk merakosemi fare sesa shpenzojmë. Por kur vjen puna për të lënë diçka në arkën e xhamisë, na duket e shtrenjtë. Kjo ndodh, sepse asnjëherë nuk i bëjmë llogaritë e vetes sonë.

Ky është muaji, kur Zoti i fton të gjithë besimtarët, që të bëhen pasanikë në zemrën e tyre, të japin sadakë, të japin zekat. Të gjithë ata që kanë mundësi, japin Zekatin, sepse në radhë të parë ata e pastrojnë zemrën e tyre, se Zoti nuk ka nevojë për para, por duke vepruar kështu, ata e pastrojnë edhe pasurinë e tyre. Ai njeri që nuk e jep zekatin e pasurisë së tij, ka marrë në qafë gjithë pasurinë e tij. Sa herë që Zoti ka folur për namazin, e ka shoqëruar atë me zekatin: “Ata që kur falin namazin, japin edhe zekatin…”. Duhet ta dimë se sadakaja asnjëherë nuk e pakëson pasurinë e njeriut. Pejgamberi (a.s) thoshte: “Betohem në Zot, se nuk pakësohet pasuria e njeriut, kur ai jep sadaka”.

Do ta tregoj një histori në lidhje me sadakanë dhe zekatin. Dikush jepte shumë zekat dhe djali i tij i thotë: “Baba, po sikur po jep shumë. Çdo vit po na pakësohet pasuria. Të tjerët e mbledhin, kurse ne po e japim”. I ati i tha: “Biri im! Në botë ka qen dhe dele. Sa këlyshë bën një qen në vit? Djali i tha: “Bën 3, 4 apo edhe 5”. Babai e pyeti: “Po një dele sa qengja bën në vit?” Djali u përgjigj: “Bën një ose dy në vit”. Babai e pyeti përsëri: “Çfarë ka më shumë në sipërfaqen e tokës, qen apo dele?” Djali u përgjigj: “Më shumë ka dele”. Atëherë babai i tha: “Shikoje pra, edhe pse delet bëjnë një ose dy qengja në vit, edhe pse ata theren dhe hahen gjatë gjithë vitit, edhe pse qentë lindin më shumë, në botë ka më shumë dele sesa qen. Kështu është zekati që jep për Zotin. Të duket se po pakësohet, por Allahu (xh.sh) e shton atë. Ndërsa pasuria e atyre që nuk besojnë në Zot, të duket se është shumë, por në fakt ajo është shkumë, që as atyre nuk iu del e jo më të ketë pjesë edhe për njerëzit e tjerë”.

Le të bëhemi më tepër fisnikë e bujarë në këtë muaj, t`i zbukurojmë xhamitë tona, t`i ndihmojmë muslimanët e të mos presim nga të tjerët. Atëherë kur muslimanët të shpenzojnë prej pasurive të tyre, Allahu (xh.sh) do ta shtojë bereqetin, sepse Ai nuk është i pavëmendshëm. Allahu (xh.sh) thotë: “Shembulli i atyre njerëzve që shpenzojnë për hatër të Zotit, është si ai person që ka mbjellë një farë në tokë. Nga ajo farë mbijnë 7 kallinj e çdo njëri prej tyre ka nga 100 kokrra”. Një punë e mirë vlerësohet tek Allahu me 700-fish e ndoshta edhe më shumë. (…)

Vëllezër të dashur;

Me keqardhje mund të themi, se miku i dashur i Zotit dhe i të gjithë besimtarëve muslimanë, tashmë dalëngadalë po ikën. Ramazani tashmë po mbledh regjistrat e tij dhe po i drejtohet Zotit, për t`i treguar për gjithçka që ka parë në këtë dynja, për t`i treguar për ata që e respektuan dhe për ata që nuk deshën t`ia dinë për të. Ai tashmë po na thotë “Lamtumirë o besimtarë, ndoshta nuk shihemi vitin tjetër.” Në këto momente zemrat e besimtarëve janë të prekura, sepse ndoshta nuk e respektuan siç duhej këtë muaj. Na vjen keq që po largohet një atmosferë, që përsëritet vetëm një herë në vit, atmosfera e iftareve të bujarisë, atmosfera e teravihve, atmosfera e namazit të natës, atmosfera e leximit të Kuranit. Ne na vjen keq për mangësitë dhe neglizhencën tonë ndaj këtij muaji.

Por le ta kujtojmë fjalën e Muhamedit (a.s): “Punët vlerësohen tek Zoti ashtu siç mbarojnë”. Prandaj duhet t`i përveshim krahët në 10 netët e fundit të ramazanit. Ato janë netët më të bukura të Ramazanit, janë netët e faljes, netët e çlirimit nga zjarri i xhehenemit, netët ku me lejen e Zotit do të na shkruhen emrat tek njerëzit e lartësuar.

E lusim Allahun (xh.sh) të na fusë në mëshirën e Tij. Lusim Allahun (xh.sh) të na bëjë njerëz bujarë, sepse bujaria është nga cilësitë e Allahut (xh.sh). Zoti na faltë neve, e pranoftë agjërimin tonë, namazin tonë dhe çdo punë që bëjmë. Lusim Allahun që këto ditë që kemi kaluar të kenë qenë dëshmitarë për ne dhe jo kundra nesh, ashtu siç e lusim Zotin që ditët që kanë mbetur t`i shfrytëzojmë për ta fituar kënaqësinë e Tij. Zoti na mundësoftë ta arrijmë fundin e ramazanit e të dalim prej tij me gjynahe të falura. Zoti na bëftë prej banorëve të xhenetit. Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

Referencë: /AO/Mr. Ferid Piku

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-