DHJETË NETËT E FUNDIT DHE NATA E KADRIT

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Artikuj Uncategorized
  1. Allahu, krijesat i dalloi ndërmjet tyre në vlerë dhe disa i ngriti në shkallë të larta karshi disa të tjerave. Nga ditët dhe muajt i favorizoi disa karshi të tjerëve; dhjetë ditët e para të muajit Dhulhixhe janë ditët më të mira të dynjasë, dita e xhuma është dita më e mirë e javës, muaji Ramazan është muaji më i mirë karshi muajve të tjerë, ndërsa nga netët; dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë netët më të mira, kurse nata më e mirë nga to është nata e Kadrit, e cila është edhe më e mirë se një mijë muaj.
  2. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në dhjetëshin e fundit përpiqej në ibadet deri në maksimum, e kërkonte natën Kadrit dhe mirësitë e saj, ashtu siç përcjell Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila thotë: “Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në dhjetëshin e fundit përpiqej në ibadet më shumë se në çdo ditë tjetër.”[1]

Si dhe (Aisha) thoshte: “Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur hynte dhjetëshi i fundit e shtrëngonte izarin[2] e tij, e ngjallte natën (me ibadet) dhe e zgjonte familjen e tij”; me një transmetim tjetër që e shënon imam Muslimi: “e shtrëngonte izarin (rripin) dhe përpiqej (në ibadet).”[3]

“E shtrëngonte izarin (rripin)”; është për qëllim që në dhjetëshin e fundit përpiqej dhe mundohej në ibadet më shumë se që e kishte zakon në ditët e tjera. Thuhet njashtu që për qëllim është se largohej nga gratë dhe nuk iu afrohej atyre në këto net dhe merrej me ibadet.

  1. Dhjetëshi i fundit i muajit Ramazan është treg i madh, ku garojnë të mirët dhe përpiqen në të adhuruesit dhe i afrohen Allahut me ibadete dhe nënshtrime të llojllojshme. Myslimani përkujdeset që Ramazanin ta përfundojë me veprat më të mira dhe më të vlefshme, sepse “Veprat vlerësohen sipas përfundimit.”[4] Kur garojnë kuajt në mes tyre, në fund të garës e japin maksimumin dhe atë më të mirën e tyre.

Prandaj në këto ditë dhe net myslimanin nuk e sheh përveçse duke u falur, duke lexuar Kuran, duke e përmendur Allahun, duke bërë lutje, i përulur dhe i nënshtruar, nuk dëshiron që t’ia tejkalojë askush për në vepra të mira që e afrojnë tek Allahu.

Ebu Othman En-Nehdij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Të parët tanë të mirë i madhështonin tri dhjetëshe: dhjetëshin e fundit të Ramazanit, dhjetëshin e parë të muajit të Dhulhixhes dhe dhjetëshin e parë të muajit Muharrem.”[5]

  1. Netët e dhjetëshit të fundit të Ramazanit janë më të mira sesa ditët e tij shkaku i përfshirjes së natës së Kadrit në to, edhe pse në përgjithësi në vlerën e dhjetëshit të fundit dhe të vepruarit në to përfshihet edhe nata edhe dita e këtyre ditëve.
  2. Itikafi në dhjetëshin e fundit është sunet dhe vepër e mirë që të afron tek Allahu. E veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe pas vdekjes së tij e vepruan edhe sahabët.

Myslimani pëlqehet që itikafin ta bëjë në atë xhami ku falet xhumaja, me nijet që të qëndrojë në të dhe t’i afrohet Allahut me ibadet duke u shkëputur nga dynjaja dhe preokupimet e saj, nga jeta dhe kënaqësitë e saj, duke u vetmuar me Allahun dhe duke e angazhuar veten me namaz, lexim të Kuranit dhe përmendje të Allahut,  duke u larguar nga harami dhe nga ajo që nuk i intereson nga fjalët dhe veprat.

Itikafi i tij, pra duhet të jetë vetmi me Zotin, përmirësim për zemrën, rishikim dhe llogari e vetvetes, përkujdesje për kohën, forcim i raporteve me Allahun, mbrojtje për agjërimin, edukim në sinqeritet, mosteprim në gjëra të lejuara dhe asketizëm në dynja.

  1. Kurani është fjala, shpallja dhe mesazhi i Allahut te krijesat e Tij, nëpërmjet tij rriten shkallët dhe shtohen të mirat, prandaj duhet që në dhjetëditshin e fundit të shtohet leximi i tij dhe ta përfundojë myslimani leximin e tij (të bëjë hatme) sa më shpesh. Të parët tanë të mirë e përfundonin leximin e Kuranit çdo tri ose çdo shtatë net, ndërsa kur hynin në dhjetëshin e fundit ishin disa që e përfundonin për çdo natë.
  2. Fjalën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Kush e bën hatme Kuranin për më pak se tre ditë, nuk e kupton atë”[6], dijetarët thonë se për qëllim është nëse bëhet në vazhdimësi, kurse në kohë të vlefshme, sikurse muaji i Ramazanit e në veçanti dhjetë ditët e fundit, ose vende të vlefshme, sikurse në Meke për vizitorin dhe jo për vendasin e saj, pëlqehet shpeshtimi i leximit të Kuranit me qëllim që të shfrytëzohen koha apo vendi. Kjo është thënie e imam Ahmedit dhe Is’hak Er-Rahavejh dhe të tjerëve, si dhe këtë mendim e përforcon të vepruarit e të tjerëve kësisoji.[7]
  3. Duaja është ibadet dhe arma e besimtarit, gjëja më e ndershme tek Allahu si dhe zbatim i urdhrit të Allahut: “Zoti juaj ka thënë: ‘Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem’!” (Gafir: 60)

Agjëruesi në dhjetëshin e fundit pëlqehet të bëjë sa më shumë dua, duke qenë i përulur, i nënshtruar, duke e shprehur varfërinë e tij para Allahut, duarngritur, i drejtuar kah Kibla, i pastër nga jashtë (trupi) dhe brenda (shpirti), me zemër jo të shkujdesur gjatë lutjes, paraprakisht duke u ushqyer me hallall, duke qenë i sinqertë në kërkesën e tij, duke u lutur në kohët e vlefshme kur pranohet duaja, me fjalë gjithëpërfshirëse, me insistim në lutje, dhe duke u lutur me frikë dhe shpresë. E si të refuzohet ai që i lutet Allahut në këtë gjendje?!

Lute Allahun që lutjet e tua t’i pranojë dhe kujdesi yt që veprat të pranohen tek Allahu të jetë shumë më i madh sesa kujdesi yt për veprën, dhe ndoshta do të përfshihesh në ajetin: “dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” (El-Muminun: 60). Të tillët janë “ata që agjërojnë, falen, japin lëmoshë, por njëkohësisht frikohen se veprat e tyre nuk do t’iu pranohen”: “ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët.” (El-Muminun: 61)[8]

  1. Pëlqehet në dhjetëshin e fundit, në ditët dhe netët e saj, që myslimani t’i shtojë adhurimet dhe veprat e mira që nëpërmjet tyre shpresohet t’i falen gjynahet dhe të çlirohet robi nga zjarri i Xhehenemit. Nga ato vepra është: shpeshtimi i ‘tehlilit’ (shqiptimit të fjalës la ilahe il-lallah); ngase dëshmia e teuhidit (njësimit të Allahut) “i rrënon mëkatet dhe i fshin ato dhe nuk lë asnjë mëkat dhe nuk ka vepër të ngjashme sikurse ajo. Është e barabartë në shpërblim sikurse e çliron një skllav, kurse kjo vepër e detyron çlirimin nga zjarri i Xhehenemit, dhe ai që e shqipton me sinqeritet nga zemra e tij Allahu ia ndalon zjarrin e Xhehenemit atij.”[9]
  2. Shpërblimi vjen sipas llojit të veprës, andaj kush e çliron një skllav, Allahu e çliron atë nga zjarri i Xhehenemit: “Kushdo që e çliron një skllav (rob) mysliman, për çdo organ të çliruar të tij, Allahu e shpërblen njëlloj duke ia çliruar organet e tij nga zjarri i Xhehenemit.”[10] Prandaj disa nga të parët tanë në fund të Ramazanit e çlironin nga robëria skllaven më të bukur që e kishin dhe shpresonin që me çlirimin e saj ta fitojnë çlirimin e Allahut nga zjarri i Xhehenemit.[11]

Me shpeshtimin e përmendjes së Allahut me tehlil (me shqiptimin e fjalës la ilahe il-llah) dhe me realizimin e teuhidit, myslimani shpërblehet njëlloj sikurse me shpërblimin e çlirimit të skllevërve, kurse kjo e fundit e obligon çlirimin nga zjarri i Xhehenemit. Me një hadith Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush thotë ‘la ilahe il-llah, uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu, ue huve ala kul-li shejin kadir (nuk i takon askujt adhurimi me të drejtë përveçse Allahut, të Vetëm e i parival, Atij i takon Pushteti dhe Falënderimi dhe Ai është i Gjithëfuqishëm mbi çdo gjë)’, në ditë njëqind herë; është e barabartë me çlirimin e dhjetë skllevërve, i shkruhen atij njëqind të mira dhe i fshihen njëqind të këqija, është i mbrojtur nga shejtani gjatë ditës derisa të vijë nata, dhe nuk ka vepruar më mirë askush se ky person, përveç atij që vepron më shumë se ky.”[12]

  1. Kush gjendet afër Qabesë dhe e ka mundësinë të bëjë tavaf, le ta bëjë atë, sepse kjo është e barabartë me çlirimin e një robi: “Kush bën tavaf (sillet rreth Qabesë) shtatë herë dhe i plotëson ato si duhet (duke i respektuar kushtet dhe rregullat) është e njëllojtë sikurse ta çlirojë një skllav.”[13]
  2. Myslimani pëlqehet që t’i shpeshtoje lutjet me çlirim nga zjarri i Xhehenemit, me shpresë që ndoshta Allahu do ta lirojë atë. Me një hadith Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu çliron robër të Tij në Ramazan për çdo ditë dhe natë, dhe çdonjëri nga ta e ka një lutje të pranuar.”[14]
  3. Myslimani pëlqehet që Ramazanin ta përfundojë duke e shpeshtuar istigfarin (kërkimfaljen) në dhjetëshin e fundit. Istigfari është lutje për falje dhe lutja e agjëruesit është e pranuar kur agjëron dhe kur çel iftar.

Istigfari vjen në fund të veprave të mira, me të përfundohet namazi, haxhi, namazi i natës dhe me të përfundohen mexhliset, prandaj myslimani duhet që agjërimin e tij të Ramazanit ta përfundojë me istigfar.

Kjo ishte arsyeja e letrës që e shkroi Omer ibën Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, dhe ua dërgoi vendeve të ndryshme dhe i urdhëroi banorët e saj që Ramazanin ta përfundojnë me istigfar dhe me dhënien e zekatit të fitrave, sepse fitrat janë pastrim për agjëruesin nga gabimet në të folurit dhe nga fjalët e ndyra, kurse istigfari e arnon atë që e djegin gabimet në të folurit dhe fjalët e ndyta nga agjërimi.[15]

  1. Istigfari më i dobishëm është ai që veprohet paralel me pendimin, duke i braktisur mëkatet, duke ndier keqardhje për veprimin e tyre, duke qenë i këmbëngulur për të mos iu kthyer më, si dhe duke i kthyer padrejtësitë te pronarët e saj, nëse mëkati ka lidhje me njeriun.
  2. Përkujdesja për ta përmirësuar të jashtmen (veprat e gjymtyrëve) dhe të brendshmen (veprat e zemrës) gjatë dhjetëshit të fundit është më se e nevojshme, ngase vepra e zemrës është themeli i çdo të mire dhe bamirësie. Prandaj myslimani e drejton fytyrën e tij kah Allahu, me sinqeritet, i përulur i nënshtruar para Duarve të Tij, me dashuri dhe përkushtim të plotë.

E falënderon dhe e lavdëron Allahun, kërkon falje për të këqijat e tij dhe prej Allahut kërkon ndihmë dhe mbrojtje nga to dhe i mbështetet vetëm Atij. Allahut i frikësohet dhe Allahun e shpreson, tek ai frika dhe shpresa janë sikurse dy krahët e zogut, në rehati e shton anën e frikës kurse shpresa dominon në momentet e daljes së shpirtit: “…e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij…” (Ez-Zumer: 9). Ai e shpreson mëshirën dhe Xhenetin e Allahut, dhe shpresës së tij ia bashkëngjit veprën e mirë që e kënaq Allahun, duke llogaritur për ato vepra në shpërblimin e Allahut.

  1. Nata e Kadrit është natë e bekuar. Ajo është nata më e mirë e vitit dhe ajo është më e mirë se një mijë muaj. Në këtë natë ka zbritur Kurani përnjëherë i tëri nga libri amzë ‘Levhi Mahfudhi’ në qiellin e dynjasë që quhet ‘Bejtul Izzeh’. Ai që e qëllon këtë natë dhe mirësinë e saj vetëm se e ka qëlluar tërë mirësinë, dhe kush ngritet atë natë (për namaz nate) me bindje dhe me llogari në shpërblimin e Allahut i falen gjynahet e mëhershme, kurse ai që privohet nga mirësia e saj vetëm se është privuar nga mirësia në tërësi.

Allahu thotë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” (El-Kadr: 1-5). Dhe për Kuranin Allahu thotë: “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.” (Ed-Duhan: 3)

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush ngritet (për namaz nate) në natën e Kadrit me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[16]

“Me besim” d.m.th. me bindje të plotë që kjo është e vërtetë dhe adhurim, dhe se Allahu është Ai që e bëri të ligjshëm ngritjen në këtë natë (për namazin e natës) dhe nxiti për në të.

“Llogarit në shpërblimin e Allahut” d.m.th. e kërkon shpërblimin nga Allahu, prandaj me vullnet ngritet natën dhe e shpreson shpërblimin e Allahut, me shpirtmirësi dhe kënaqësi në shpirt, nuk e llogarit të rëndë dhe të mundimshëm ngritjen në këtë natë, dhe atë e kryen me sinqeritet vetëm për Allahun.

Po ashtu i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaj i bekuar… Në të është një natë më e mirë se një mijë muaj, kush privohet nga kjo natë është privuar nga mirësia në tërësi.”[17]

  1. Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, u pyet se cila është më e vlefshme, nata e Kadrit ose nata e Israsë kur Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u ngrit në qiell?

U përgjigj: “Nata e Israsë është më e vlefshme te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kurse nata e Kadrit është më e vlefshme për sa i përket umetit. Nata e Israsë u veçua shkaku i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, prandaj mirësia e kësaj nate te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, është më e plotë sesa mirësia e natës së Kadrit. Kurse mirësia e umetit në natën Kadrit është më e plotë sesa mirësia e tyre në natën e Israsë dhe Miraxhit, edhe pse ata kanë mirësi shumë të madhe në të, prapëseprapë mirësia, nderi dhe grada e lartë u arrit në atë që u ngrit me të Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.”[18]

  1. Nata e Kadrit është quajtur me këtë emër shkaku i madhështisë, peshës dhe vlerës së madhe që e ka kjo natë tek Allahu. Kjo natë llogaritet e madhe dhe me vlerë sepse në të zbriti Kurani, ose sepse në këtë natë zbresin melekët, ose sepse në këtë natë zbresin bereqeti, mëshira dhe falja, ose sepse ai që e gjallëron këtë natë me ibadet bëhet vetë me vlerë më të madhe.

Disa të tjerë thonë që llogaritet natë e madhe sepse Allahu e përcakton atë që dëshiron nga përcaktimet e Tij për një vit, pra deri në natën e Kadrit të vitit që vjen. Disa të tjerë thanë që ka edhe shkaqe të tjera jashtë këtyre që u cekën.[19]

  1. Ai që i afrohet Allahut me ibadet dhe me nënshtrime në natën e Kadrit, do të fitojë shpërblime shumë të mëdha.

Allahu thotë: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” (El-Kadr: 3). Kuptimi i ajetit është se vepra e mirë që veprohet në natën e Kadrit është më e mirë sesa vepra e më shumë se  një mijë muajve ku në të nuk është nata e Kadrit, d.m.th. që ibadeti në natën e Kadrit është më i mirë sesa ibadeti në një mijë muaj.[20]

“Vepra e mirë e vepruar në një natë, të jetë më e mirë sesa vepra në një mijë muaj, që i bie të jetë ekuivalent me jetën e një njeriu që vepron për më shumë se tetëdhjetë vjet, është dhunti e Allahut që mendjet e njerëzve i mahnit dhe i lë pa fjalë dhe është dhunti që Allahu ia dha këtij umeti të dobët që të forcohet.”[21]

  1. Nata e Kadrit është në dhjetëshin e fundit të muajit Ramazan dhe lëviz brenda këtyre ditëve dhe ajo do të ekzistojë për çdo vit deri në Kiamet. Prandaj myslimani duhet të përpiqet ta kërkojë në dhjetëshin e fundit, duke e shpresuar shpërblimin dhe sevapin e Allahut dhe duke e shfrytëzuar mirësinë e saj, ashtu siç Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “M’u tregua nata e Kadrit, por pastaj m’u harrua, andaj kërkojeni në dhjetëshin e fundit në ditët tek.”[22]
  2. Nata e Kadrit është në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, në ditët tek, dhe ajo lëviz dhe nuk mund të specifikohet me një natë të veçantë në asnjë vit. Në ndonjë vit mund të jetë në natën e 27-të, në vitin tjetër në natën e 21-të, në ndonjë vit tjetër në natën e 23-të ose në natë tjetër, ashtu siç erdhi në hadith: “Kërkojeni në dhjetëshin e fundit në ditët tek.”[23]
  3. Pëlqehet që nata e Kadrit të kërkohet në shtatëditëshin e fundit të dhjetëshit të fundit të Ramazanit, sepse shpresohet që në këto ditë më shumë të jetë nata e Kadrit karshi netëve të tjera, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Shoh që ëndrra juaj përputhet me shtatë ditët e fundit, prandaj kushdo që e kërkon natën e Kadrit le ta kërkojë në shtatëditëshin e fundit të Ramazanit.” Në një transmetim që e shënon imam Muslimi: “Kërkojeni në dhjetëditëshin e fundit, e nëse ndokush prej jush ligështohet ose është i pafuqishëm, kërkojeni në shtatëditëshin e fundit.”[24]

Shtatë ditët e fundit fillojnë nga nata e 23-të ose 24-të, sipas dallimit në mendime të dijetarëve rreth kësaj çështjeje.[25]

  1. Nga shtatë netët tek që shpresohet më së shumti në të nata e Kadrit është nata e 27-të e Ramazanit. Ky mendim është i shumicës së sahabëve dhe dijetarëve, ndër ta Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kurse Ubej ibën Kab, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, betohej se nata e Kadrit është në natën e 27-të dhe thoshte: “Pasha Allahun që nuk ka të adhuruar tjetër përveç Atij, nata e Kadrit është në Ramazan dhe pasha Allahun unë e di se në cilën natë është ajo! Ajo është nata ku në të na urdhëroi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të falim namaz nate, ajo është nata e agimit e ditës së 27-të”[26]

Abdullah ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se një njeri erdhi te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë jam plak dhe i sëmurë, namazi i natës për mua është i rëndë, prandaj më trego në cilën natë të ngritem ndoshta Allahu më jep mbarësi që ajo të jetë nata e Kadrit. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, iu përgjigj: “Kërkoje në natën e njëzeteshtatë.”[27]

Me një hadith tjetër: “Kushdo prej jush që e kërkon, le ta kërkojë në natën e 27-të.”[28]

Në përcaktimin e kësaj nate përcillen hadithe të shumta që janë merfu’ (që zinxhiri iu përfundon te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. – sh.p.-)

Mirëpo, sidoqoftë kjo mund të jetë në shumicën e rasteve dhe jo çdoherë, ngase ajo lëviz, prandaj më e sakta dhe më e mira është që të kërkohet në dhjetëshin e fundit dhe jo vetëm se në një natë, natën e 27-të.

  1. Nuk lejohet që në natën e 27-të të bëhet ndonjë lloj manifestimi me pretekst që ajo është nata e Kadrit si dhe nuk lejohet që kjo natë të veçohet me kryerjen e umres me bindje që kjo natë ka vlerë të posaçme. Nata e Kadrit nuk është e konfirmuar se është në natën e 27-të , po edhe po që se konfirmohet një gjë e tillë, prapëseprapë nuk lejohet që kjo natë të veçohet me ndonjë lloj manifestimi ose umre.
  2. Nata e Kadrit, edhe përskaj vlerës së posaçme që e ka, nuk kërkohet që ajo të veçohet me umre, por pëlqehet të falet namaz nate, bazuar në fjalën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili thotë: “Kush ngritet (fal namaz nate) në Natën e Kadrit me bindje dhe me llogari në shpërblimin e Allahut, i falen gjynahet e mëhershme.” [29]
  3. Në disa hadithe inkurajohet që nata e Kadrit të kërkohet sipas ditëve të mbetura të muajit dhe jo sipas ditëve të kaluara, ashtu siç erdhi në hadithin që e përcjell Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, në nëntë ditët e mbetura, në shtatë ditët e mbetura, në pesë ditët e mbetura.”[30]

Në hadithin që e përcjell Ebu Seid, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kërkojeni natën e Kadrit në natën e nëntë, natën e shtatë dhe natën e pestë.”[31]

Ebu Seidi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i komentoi fjalët e hadithit dhe tha: “Kur të kalojë nata e 21-të, ajo që vjen pas saj është 22 dhe ajo është e nënta, kur të kalojë nata e 23-të, ajo që vjen pas saj është e shtata, kur të kalojë nata e 25-të, ajo që vjen pas saj është e pesta.”

Çështja është sikurse Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Netët tek llogariten në bazë të ditëve të kaluara dhe fillojnë me natën e 21-të, natën e 23-të, natën e 25-të, natën 27-të dhe natën e 29-të.

Si dhe llogariten në bazë të ditëve të mbetura, prandaj sipas kësaj llogarie nëse muaji është tridhjetë ditë, nata e Kadrit i bie të jetë në netët çift, dhe kështu nata njëzet e dy, është nata e nëntë e mbetur, dhe nata njëzet e katër është nata e shtatë e mbetur.

Nëse muaji është njëzet e nëntë ditë, koha e mbetur është sikurse koha e kaluar.

Pra, pasi çështja qenka kështu, atëherë besimtari duhet që natën e Kadrit ta kërkojë gjatë gjithë dhjetëshit të fundit, kurse mundësia më e madhe është që të jetë në shtatë netët e fundit”[32]; sepse nuk mund të konfirmohet saktësisht për muajin se a do të jetë i plotë (30 ditë) ose i mangët (29 ditë). Çështja ndërlidhet me pamjen e hënës.

  1. Allahu e fshehu natën e Kadrit për umetin me qëllim që të lakmohet në gjetjen e saj dhe myslimanët ta kërkojnë në dhjetëshin e fundit të Ramazanit dhe të garojnë në vepra të mira dhe nënshtrime, ashtu siç e fshehu “emrin e Tij të madh në mesin e emrave të Tij, e fshehu kënaqësinë e Tij në adhurime që ato të gjitha të dëshirohen, e fshehu zemërimin e Tij në mëkate që robërit e Tij nga të gjithat të largohen, dhe e fshehu ndodhinë e Kiametit që të gjithë të jenë të kujdesshëm nga ndodhia e tij dhe të përpiqen sa më shumë në adhurime.”[33]
  2. Në natën e Kadrit pëlqehet të shpeshtohet lutja: “O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua.” Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë se e pyeta Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe i thashë: “Nëse e kuptoj që në cilën natë është nata e Kadrit çfarë të them në të? Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Thuaj: O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua.”[34]
  3. Kërkimi i faljes nga Allahu pas përpjekjes në ibadet në natën e Kadrit dhe në dhjetëshin e fundit aludon në nënshtrimin dhe përuljen e plotë para Duarve të Allahut. Adhuruesi e di se është i mangët në adhurim dhe në vepra të mira, prandaj kërkon falje nga Allahu sikurse e kërkon faljen mëkatari dhe gjynahqari. Jahja ibën Muadhi, Allahu e mëshiroftë, tha: “Nuk e njeh Allahun ai që synimi i shpresës së tij është falja nga Allahu.” Kurse Mutar’rif, Allahu e mëshiroftë, thoshte në duanë e tij: “O Allahu im, je i kënaqur me neve, e nëse jo, atëherë na fal neve.”[35]
  4. Myslimani në dhjetëshin e fundit duhet që të përpiqet dhe t’i shfrytëzojë mirësitë e natës së Kadrit dhe ta paraqesë të mirën e tij para Allahut me namaz nate, me lexim të Kuranit, me kërkimfalje në agim, me përmendje të Allahut, me lutje dhe i përulur para Tij, i kthyer drejt Tij, duke shpresuar në mëshirën e Tij dhe duke e pasur frikën nga ndëshkimi i Tij dhe duke e shpeshtuar lutjen: “O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua.”
  5. Nga shenjat e natës së Kadrit është lindja e diellit në mëngjesin e saj pa rreze. Ubej ibën Kab, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte se e di kur është ajo “sipas shenjës që i lajmëroi i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se lindja e diellit në mëngjesin e saj është pa rreze.”[36]

Andaj le të përgëzohet ai që u përpoq në atë natë dhe le t’i shtohet imani dhe bindja dhe le t’i rriten shpresat e tij për atë që e veproi nga adhurimi dhe nënshtrimi.[37]

  1. Shenjë tjetër e natës së Kadrit: ajo natë është e qetë, as e nxehtë e as e ftohtë, e ndritshme. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Është natë e qetë e rehatshme, as e nxehtë e as e ftohtë, dielli në mëngjesin e saj lind i kuq dhe i dobët.”[38] Me një hadith tjetër: “Ajo është natë e qetë dhe e ndritshme.”[39]
  2. Nga shenjat e tjera që nuk janë të vërtetuara dhe nuk janë të sakta: në këtë natë qentë nuk lehin ose pakësohet të lehurit e qenve ose në këtë natë nuk bie shi. Të gjitha këto nuk janë të sakta dhe të vërteta.
  3. Myslimani i mençur përpiqet në të gjithë dhjetëshin e fundit, madje në të gjithë Ramazanin, dhe synimi i tij është të kënaqurit e Allahut gjatë tërë jetës së tij.
  4. Baza në arritjen e shpërblimit dhe sevapit në natën e Kadrit është përpjekja dhe llogaria në shpërblimin e Allahut, pavarësisht a e di apo jo njeriu se kur është kjo natë.

Ai që ngritet në këtë natë me bindje dhe llogari në shpërblimin e Allahut dhe përpjekja e tij përputhet me natën e Kadrit, do ta fitojë shpërblimin e saj dhe do ta arrijë mirësinë e saj, pavarësisht që njeriu nuk e di se a ka qenë ajo natë apo jo. Nuk është kusht për atë që e qëllon natën e Kadrit që ta dijë se ia ka qëlluar, madje mundet që disa që nuk e dinë natën e Kadrit të jenë më të mirë dhe me pozitë më të lartë tek Allahu sesa ata që e dinë atë, shkaku i përpjekjes së fuqishme dhe sinqeritetit në adhurimin e Allahut.

  1. Kujt Allahu i jep mbarësi që ta qëllojë natën e Kadrit, netët që vijnë pas saj le të jenë net adhurimi në shenjë falënderimi për Allahun dhe jo net largimi ose plogështie nga ibadeti dhe adhurimi i Allahut.
  2. Gruaja me menstruacione dhe lehona ligjërohet që dhjetëshin e fundit të Ramazanit ta ngjallë me ibadet dhe nënshtrime, përveç namazit dhe tavafit në Qabe dhe itikafit në xhami.

Ajo mundet që të lexojë Kuran (pa e prekur mus’hafin)[40], të bëjë dhikër, istigfar, të bëjë dua dhe lutje, dhe nuk duhet ta privojë veten nga shpërblimi, sevapi dhe mirësia e natës së Kadrit.

Nëse arsyet sheriatike (d.m.th. menstruacionet ose lehonia) e pengojnë të ngritet për namaz nate në këto net të vlefshme, kurse në çdo vit e ka pasur traditë të falte namaz nate në dhjetëshin e fundit, ajo në këtë rast do ta fitojë shpërblimin e ngritjes natën për shkak nijetit të saj, me lejen e Allahut. Në një hadith Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nëse robi sëmuret ose udhëton, i shkruhen atij shpërblimet sikurse ka qenë vendas dhe i shëndoshë.”[41]

  1. Myslimani e nxjerr zekatin e fitrave për veten dhe për familjen e tij, një ose dy ditë para Fitër Bajramit, dhe nëse fitrat i nxjerr para faljes së namazit të Bajramit kjo është më e mirë. Fitrat janë pastrim për agjëruesin nga gabimet e fjalët e ndyra dhe ushqim për të ngratët. Në një hadith Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e detyroi dhënien e zekatit të fitrit si pastrim për agjëruesin nga gabimet e fjalët e ndyra dhe ushqim për të mjerët.”[42]

Ramazanit i kaluan ditët dhe i erdhi fundi atij. Ai do të jetë dëshmitar për ju ose kundër jush për veprat që i vepruat në të.

Kush u nda në fund të muajit prej tij me vepra të mira, le ta falënderojë Allahun dhe le të përgëzohet me shpërblim të mirë, sepse Allahu nuk ia humb mundin dhe shpërblimin atij që punoi vepra të mira.

Kurse kush u nda në fund të muajit prej tij me vepra të këqija, le të pendohet me pendim të sinqertë te Zoti i tij, sepse Allahu e fal atë që pendohet.”[43]

 

E lusim Allahun që të na e mundësojë ta arrijmë natën e Kadrit dhe të na ndihmojë që ta adhurojmë Atë në këtë natë dhe e lusim që të na e mundësojë t’i fitojmë shpërblimet e Tij dhe ta përfundojmë muajin e Ramazanit me faljen e kënaqësinë e Tij dhe të na çlirojë nga zjarri i Xhehenemit, dhe e lusim të na bëjë nga fitimtarët me vepra të pranuara. Amin

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

Dr. Muhamed el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Pjesë nga libri: “Sezonet e adhurimit” (i përkthyer në shqip)

 

[1] Muslimi (1175).

[2] Tek ne e përdorin e shtrëngonte rripin e pantallonave, për qëllim është përgatitej dhe shtrëngohej për ibadet. (sh.p.)

[3] Buhariu (2024), Muslimi (1174).

[4] Buhariu (6493), Muslimi (112).

[5] Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 35).

[6] Ebu Davudi (1390), Imam Ahmed (6499), shejh Albani e saktësoi në Es-Sahiha (5/601).

[7] Letaif El-Mearif (fq. 171).

[8] Tirmidhiu (3175), Ibën Maxhe (4198), hadithi është në Es-Sahiha (162).

[9] Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 214).

[10] Buhariu (2517), Muslimi (1509).

[11] Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 213).

[12] Buhariu (3293), Muslimi (2691).

[13] Tirmidhiu (909), hadithi është në Sahih El-Xhami’ (6380).

[14] Imam Ahmedi (7450), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (2169).

[15] Letaif El-Mearif (fq. 214).

[16] Buhariu (2014), Muslimi (760).

[17] Imam Ahmedi (7148), Nesaiu (2106), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (55).

[18] Mexhmual Fetava (25/286).

[19] Shih: Tefsir El-Bagavij (8/482), El-Kurtubij (20/130), Fet’hul Bari, Ibën Haxher (4/255).

[20] Shih: Tefsir Et-Taberij (24/546), El-Bagavij (8/491), Ibën Kethir (8/443).

[21] Tefsir Es-Sadij (fq. 931).

[22] Buhariu (2036), Muslimi (1167).

[23] Buhariu (2036), Muslimi (1167).

[24] Buhariu (2015), Muslimi (1165).

[25] Letaif El-Mearif (fq.195).

[26] Muslimi (762).

[27] Imam Ahmedi (2149), zinxhiri i hadithit është sipas kushteve të imam Buharit ashtu siç tha Ibën Rexhebi në Letaif El-Mearif (fq. 199).

[28] Imam Ahmedi (4808), dhe hadithin e saktësuan recensuesit e haditheve të El-Musned.

[29] Buhariu (2014), Muslimi (760).

[30] Buhariu (2021).

[31] Muslimi (1167).

[32] Mexhmual Fetava (25/284).

[33] Tefsir El-Bagavij (8/490).

[34] Tirmidhiu (3513), Ibën Maxhe (3850), shejh Albani e saktësoi.

[35] Letaif El-Mearif (fq.206).

[36] Muslimi (762).

[37] Shih: Esh-Sherh El-Mumti’, Ibën Uthejmin (6/397).

[38] Ibën Huzejme (2192), shejh Albani e saktësoi hadithin.

[39] Ibën Huzejme (2190), shejh Albani e saktësoi hadithin.

[40] D.m.th. mundet të lexojë dhe ta prekë Mus’hafin me dorëza ose me peshqir. Kjo vlen për leximin e Kuranit në gjuhën arabe, kurse në gjuhën shqipe mundet ta prekë edhe me dorë si dhe librat fetarë dhe librat e tefsirit mundet t’i lexojë pa abdes. (sh.p.)

[41] Buhariu (2996).

[42] Ebu Davudi (1609), Ibën Maxhe (1827), shejh Albani hadithin e vlerësoi të mirë.

[43] Mexhalis shehru Ramadan, Ibën Uthejmin (fq.224).

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-