Disa fetva rreth agjërimit

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Meqenëse besimtarët
gjatë ramazanit vijnë në situata kur janë në dilemë se si të veprojnë siç duhet
dhe a është agjërimi i tyre i vlefshëm, këtu po i sjellim disa nga pyetjet më
të shpeshta rreth agjërimit dhe muajit ramazan me përgjigjet e tyre nga fetva-i
emini Dr. Enes Ljevaković. Për shkak të specifikave të situatës, disa pyetje i
kemi përcjellë fjalë për fjalë, ndërsa përmbajtja e të tjerave mund të shihet
në nëntituj.

Iftari para perëndimit të
diellit

Në ditën e parë të
agjërimit kam bërë gabim dhe kam bërë iftar 10 minuta para kohës së akshamit. A duhet ta agjëroj përsëri atë ditë?

Pasiqë në rastin
tuaj kemi të bëjmë me gabim dhe jo me harresë, ju duhet ta agjëroni atë ditë
dhe ta falni (përsëri) akshamin sepse e keni falur para kohe, kurse agjërimin e
keni ndërprerë para akshamit. Allahu nuk e ndëshkon një person nëse vepron
diçka me gabim, pa dashje. Ngrënia me gabim e prish agjërimin, për dallim nga
ngrënia me harresë, e cila nuk e prish agjërimin.

Syfyri pas agimit (imsakut)

Personi i cili ha
syfyr pas imsakut, a është i detyruar ta agjërojë përsëri atë ditë?

Personi i cili ha
syfyr pas imsakut, është i detyruar ta agjërojë përsëri atë ditë, sepse e ka
prishur agjërimit të tij duke ngrënë ushqim pas agimit, kur tashmë ka hyrë koha
e agjërimit. Juristët islamë konsiderojnë se ky person pa tjetër duhet të përmbahet
nga ushqimi dhe pija deri në iftar të asaj dite për respekt dhe shenjtërim të
kohës së agjërimit.

Ndërprerja e agjërimit për
shkak të punës së rëndë fizike
dhe angazhimeve sportive

Unë punoj si
saldator në mekanikën e metaleve të rënda jashtë vendit nga 10 orë në ditë.
Cili është qëndrimi i sheriatit rreth agjërimit në punë të tilla?

Personat që punojnë
punë të rënda fizike gjatë të cilave humbin sasi të mëdha të lëngjeve, ashtu që
agjërimi mund ta rrezikojë shëndetin e tyre, kanë justifikim (uzur) që ta
ndërprejnë agjërimin, kurse ato ditët e humbura t’i kompensojnë më vonë, sipas
ajetit kuranor: “Ndërsa ai që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër
(le të agjërojë aq ditë sa nuk i ka agjëruar) – Allahu ka bërë lehtësi për ju,
e jo vështirësi e mundime…”
(el-Bekare, 185)

Ajo që mund të çojë
në sëmundje ose shërim të ngadaltë mund të ketë tretman të sëmundjes. Në
fundjavë apo pushime, nuk ka asnjë justifikim për të mos agjëruar. Gjithashtu,
juristët islamikë konsiderojnë se personat në raste të ngjashme duhet ta bëjnë
nijet agjërimin, dhe mund ta ndërpresin atë vetëm kur të ndjejnë vështirësi të
mëdha për shkak të agjërimit.

Unë jam sportist dhe
falënderoj Allahun e Plotfuqishëm që më ka dhënë forcë edhe të agjëroj edhe të stërvitem.
A mund të më përgjigjeni se a duhet të kryej keffaret nëse e kam prishur
agjërimin me dashje, nga frika se mundimi i madh do të ma dëmtojë shëndetin, në
ditën kur kam pasur një ndeshje të pashmangshme, për të cilën mësova më vonë.
Gjithashtu, a duhet ta kryej keffaretin për ditët e humbura me dashje kur kam
pasur 4 ndeshje në 3 ditë?

Kur bëhet fjalë për
ditët e humbura të agjërimit, nëse ndeshjet janë luajtur në vendin e huaj,
dmth. në një vend të largët 80 kilometra ose më shumë nga vendbanimi juaj,
atëherë si musafir ju keni mundur të mos agjëroni në ato ditë. Mirëpo, nëse
ndeshjet janë luajtur në vendbanimin tuaj ose në një vend jo shumë larg për të
pasur statusin e musafirit, atëherë duhet ta kishit filluar agjërimin, dhe
pastaj, nëse do t’ju mbisundonte uria dhe etja dhe do të frikësoheshit për
shëndetin tuaj, atëherë në atë situatë keni mundur ta ndërpritni agjërimin. Nëse
fare nuk e keni agjëruar atë ditë, pa dy bazat e përmendura të mos agjërimit,
atëherë duhet të pendoheni për lëshimin e bërë, t’i agjëroni përsëri ditët e
humbura, si dhe të kryeni një keffaret për të gjitha ditët e humbura. Allahu i Lartësuar
e pranoftë mundin tuaj dhe veprat e mira dhe ju ndihmoftë juve në sport dhe në
jetë.

Detyrimi i agjërimit kur
shkoni në det

Unë jam i mendimit
se në dilemën e zgjedhjes midis pushimit vjetor në det dhe ramazanit, muslimani
duhet t’i japë përparësi ramazanit. Pushimi në bregdet gjatë ramazanit,
veçanërisht gjatë verës, qoftë personi agjërueshëm ose jo, nga pikëpamja fetare
nuk është zgjedhje e mirë, sepse ambienti që mbizotëron atje në atë kohë, është
në kundërshtim me ambientin dhe vlerat që përmbajnë dhe formojnë agjërimin dhe ramazanin.
Unë gjithashtu e kuptoj dëshirën tuaj (të dynjasë) dhe nevojën, andaj zgjidhni ju
vetë se çfarë mendoni se është më mirë dhe më parësore për ju. Allahu ju
ndihmoftë që të zgjidhni atë që është më e mira për ju në këtë botë dhe në
botën e ardhshme.

Vlefshmëria e agjërimit
gjatë punës me alkool
dhe me ushqim haram

Meqenëse jam i
punësuar si kamerier dhe kam ndërmend – me vullnetin e Zotit – të agjëroj ramazanin,
ju lutem të më përgjigjeni, a është e mundur të agjëroj dhe në të njëjtën kohë,
si agjërues, ta shërbej musafirin i cili porosit pije alkoolike?

Agjërimi nuk do të
jetë i prishur në rastin në fjalë, por do të ishte më mirë nëse mund t’i shmangeni
asaj pune të paktën gjatë ramazanit. Nëse nuk është e mundur, agjërimi do të jetë
i vlefshëm, me vullnetin e Zotit.

Agjërimi në praninë e tymit
të duhanit

Thithja pa dashje e
tymit të duhanit në dhomën e tymosur, a e prish agjërimin tim?

Agjërimi juaj është
i vlefshëm, sepse ju nuk keni thithur tymin e duhanit me qëllim dhe me dashje, por
kjo ka ndodhur si rezultat i qëndrimit tuaj në dhomën e tymosur. Në dhoma të
tilla nuk duhet të hyhet pa nevojë. Nuk është korrekte dhe është jo kulturore sjellja
e disa individëve, të cilët gjatë ramazanit pinë duhan në ambientet ku hyjnë
ose qëndrojnë edhe agjëruesit.

Vlefshmëria e agjërimit në
rastin e përdorimit
të produkteve mjekësore dhe preparateve higjienike

A e prish agjërimin
përdorimi i pikave të syrit, hundës, pompave të astmës dhe injeksionet?

Vendosja e pikave në
sy nuk e prish agjërimin, sepse nuk paraqet futjen e ushqimit dhe pijeve në
trup përmes rrugëve natyrore. Nëse pikat që hyjnë në hundë depërtojnë në pjesën
e brendshme të trupit, e prishin agjërimin, sepse hunda është një hapje
natyrale përmes së cilës lëngu mund të hyjë në trup. Nëse
nuk depërton në brendi të trupit nuk e prishë agjërimin.

Përdorimi i pompës
nuk e prish agjërimin, sepse ajo vetëm e lagështon ajrin që thithet.

Injeksioni, përveç
infuzionit, nuk e prish agjërimin.

I sëmuri mund të mos
agjërojë nëse agjërimi i tij e dëmton, por ai është i detyruar ta agjërojë (më
vonë) atë ditë të humbur të agjërimit. Nëse agjërimi nuk i paraqet ndonjë
vështirësi, ai është më mirë të agjërojë.

Marrja e insulinës
përmes injeksionit në lëkurë nuk e prish agjërimin dhe mund të përdoret gjatë
agjërimit.

Vlefshmëria e agjërimit në
rastin e kryerjes së mëkatit

A e prish agjërimin blasfemia
(sharja), gënjeshtra, përgojimi, mosfalja e namazit, veshja e pahijshme dhe
shikimi i gjërave të palejuara?

Nëse kemi të bëjmë
me blasfeminë e cila nxjerr nga feja, agjërimi do të prishet dhe, bashkë me përtëritjen
e imanit, duhet të agjërohet ajo ditë. Nëse, megjithatë, bëhet fjalë për sharje
të zakonshme (e cila nuk nxjerr nga feja), agjërimi nuk do të prishet, por
vlera dhe shpërblimi i tij qenësisht do të zvogëlohen. Sharja gjatë agjërimit është
shenjë se ai agjërim nuk po e arrin qëllimin e tij të plotë, por e plotëson vetëm
formën. Në një hadith thuhet: “Ka shumë agjërues, të cilët nga agjërimi i
tyre nuk kanë asgjë tjetër përveç urisë dhe etjes.”
Allahu i Lartësuar na
ruajtë nga sprova dhe belaja e tillë!

Edhe gënjeshtra e zvogëlon
vlerën e agjërimit. Pejgamberi (savs), thotë: “Kush nuk e lë
gënjeshtrën dhe veprimin me të, Allahu nuk ka nevojë që ai
ta le ushqimin dhe pijen e tij.”
(Buhariu, 6057) Kush gënjen gjatë agjërimit, do ta vazhdojë agjërimin
dhe nuk është i detyruar ta agjërojë përsëri atë ditë. Se
a do të pranohet agjërimi i tillë nga Allahu, kjo është pyetje tjetër. Për këtë
vendos Allahu.

Qëllimi i agjërimit
është të arrihet devotshmëria – takvallëku dhe mbrojtja nga mëkatet, ndërsa
personi që nuk e fal namazit nuk mund të përshkruhet si i devotshëm dhe i
mbrojtur nga mëkatet (sepse mos falja e namazit është një nga mëkatet më të
mëdha), kështu që agjërimi i tij nuk e arrin qëllimin e vet. Se a do të
pranohet agjërimi i tillë tek Zoti, ne nuk e dimë.  Zoti është i mëshirshëm dhe mund ta mëshirojë
personin e tillë. Nëse kryhet një mëkat (duke e lënë namazin), kjo nuk do të
thotë, se duhet të kryhen edhe mëkate të tjera (mos agjërim, etj). Prandaj,
personi i tillë nuk duhet të dekurajohet nga agjërimi, por përkundrazi, në një
mënyrë të bukur duhet të inkurajohet, që përveç agjërimit të fillojë edhe
faljen e namazit dhe kryerjen edhe të detyrave të tjera islame.

Edhe gruaja që nuk
vishet sipas rregullave islame është e obliguar të agjërojë. Mëkati për veshje
jo-islamike nuk nënkupton parregullsi automatike ose çlirim nga agjërimi, nga namazi
dhe nga ibadetet e tjera. Zoti shpërblen për vepra të mira, fal dhe ndëshkon
për mëkatet; kjo është në kompetencën e Tij. Vepra e kujt do të jetë e pranuar,
vetëm Ai e di.

Ne nuk mund t’ia
mohojmë atij që kryen ndonjë mëkat – dhe çdokush në diçka kryen mëkat – të
drejtën dhe obligimin për të kryer cilindo ibadet dhe të shpresojë në mëshirën
e Zotit. Allahu askënd nuk e ka përjashtuar nga mëshira e Tij përveç shejtanit
dhe ata që vdesin si jobesimtarë. Ai, nuk do ta falë në botën e ardhshme, siç
thotë në Kuran, atë që i ka bërë shirk Atij, ndërsa do ta falë, cilindo mëkat
tjetër përveç shirkut. “Ai që ka punuar ndonjë të mirë, qoftë ajo e vogël
madje sa thërmia, do ta shohë atë, kurse ai që ka punuar të keqe, qoftë madje
sa thërmia – do ta shohë atë.”
(ez-Zelzele, 7-8)

Edhe sytë, si
organet dhe shqisat e tjera, duhet të largohen nga gjërat e ndaluara, siç është
shikimi i lakuriqësisë, njëjtë siç largohet agjëruesi nga ushqimi, pija dhe
kënaqja e nxitjes seksuale. Mirëpo, nëse agjëruesi nuk arrin të kontrollojë
shikimin e tij, agjërimi i tij nuk do të prishet, por shpërblimi i agjërimit me
siguri do të zvogëlohet, pasi që nuk e ka arritur plotësisht qëllimin e vet (kontrolli
i plotë i trupit, shpirtit, pasioneve, shqisave dhe mbrojtja nga gjërat e
ndaluara – gjendje takvallëku). Se a do të pranohet agjërimi i tillë tek Zoti,
ne nuk e dimë. Në çdo rast, nevojitet pendimi (tevbe) për shkak të këtij
mëkati. Allahu i Lartësuar është i Mëshirshëm, e pranon pendimin e atij që
pendohet sinqerisht.

Gjithashtu, mëkatet
e vogla shlyhen me dhënien e sadekatul-fitrit.

Përgojimi, bisedat e
kota e të llojllojshme, shikimi në avretin e huaj dhe të ngjashme, formalisht
nuk e prishin agjërimin, por e zvogëlojnë vlerën e tij dhe shkaktojnë mëkat.
Këto vepra janë të ndaluara edhe jashtë ramazanit, por veçanërisht gjatë
agjërimit.

Vlefshmëria e agjërimit në
këto raste:
Vjellja, të rënët pavetëdije dhe rrjedhja e vrullshme e gjakut nga hunda.

Vjellja pa dashje
nuk e prish agjërimin, ndërsa shkaktimi me qëllim i vjelljes e prish agjërimin,
në bazë të hadithit në të cilin Pejgamberi (savs), thotë: “Kush vjell nuk
është i detyruar ta agjërojë përsëri atë ditë, ndërsa ai i cili me dashje
shkakton vjellje, është i detyruar ta agjërojë përsëri atë ditë.”
(Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe).

Humbja e vetëdijes
gjatë agjërimit nuk e prish agjërimin, gjithashtu edhe rrjedhja e gjakut nga
hunda ose nga ndonjë pjesë tjetër të trupit.

Gjidhënia e foshnjës

Ushqyerja me gji e
foshnjës nuk e prish agjërimin. Agjërimin e prish ajo që hyn në trup përmes të hapurave
natyrore, dhe jo ajo që del nga trupi.

Vizita e gjinekologut dhe
dentistit

Ekzaminimi gjinekologjik ose stomatologjik nuk e prish postin. Mirëpo, këto ekzaminime pa nevojë të madhe, duhet të shmangen gjatë agjërimit.

preporod.com

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-