Autor: Nexhat Ibrahimi
Abstrakt:
Depërtimi i Islamit në Ballkan dhe në trojet shqiptare është temë e padëshirueshme në mesin e shumë intelektualëve dhe institucioneve shkencore-kulturore. Edhe kur flitet për këtë temë, ajo paraqitet në forma të papërshtatshme, madje në rolin e ‘gogolit’, si fe destruktive për Perëndimin dhe shqiptarët sidomos. Të gjitha ‘fajet’ për mospropseritetin kombëtar ia mveshin Islamit dhe Perandorisë Osmane, duke i bazuar në mite, përralla, romane ose në shënime të priftërinjve mesjetarë. E vërteta qëndron ndryshe, ndaj edhe Islamin e gjejmë në Ballkan edhe para ardhjes së osmanlinjve edhe me osmanlinjtë, si fe konstruktive, tolerante, të paqes, ndërtuese të jetës shpirtërore dhe materiale. Studimet e pavarura që kohëve të fundit janë më të shpeshta ofrojnë dritare të shpresës se kjo temë do të trajtohet edhe në qarqet shqiptare në nivelin e përgjegjësisë intelektuale dhe morale.
Fjalët kyçe: Ballkani, Trojet shqiptare, Përhapja e Islamit, Periodizimi, Jo/Dhuna
I. Hyrje
Nëse do t’i bëjmë një vizitë shkencore e hulumtuese qyteteve me shumicë muslimane në Ballkan, si për shembull Prizrenit, Shkodrës, Sarajevës, Shkupit të Vjetër dhe shumë qyteteve të tjera, ajo që është ruajtur nga trashëgimia e pasur, do të gjejmë gjurmë të drejtpërdrejta si të Orientit ashtu dhe të Oksidentit. Në një perimeter prej disa qindra metrash do të hasim në xhami muslimane, kishë ortodokse e katolike, madje edhe sinagogë hebraike. Kjo pamje nuk është çështje për histori, çështje muzeale, por aktualitet, i cili përkundër turbulencave të kohës, fal shumicës së popullësisë, të etnisë shqiptare të përkatësisë muslimane, është ruajtur deri në fillim të shekullit XXI.
II. Shtritja gjeografike e Islamit në Ballkan
Ballkani ka një larmi të pasur demografike, duke nënkuptuar edhe gjuhët e shumta dhe këtë do ta kuptojmë vetëm nëse i hedhim një shikim, qoftë sipërfaqësor, pozitës së tij gjeostrategjike dhe gjeografike. Ai lidhë dy kontinentet, Azinë dhe Evropën, kurse nëpërmjet detit Mesdhe, Egje, Adriatik dhe Marmara, fërkohet edhe me kontinentin e Afrikës. Kanali i Suezit dhe gryka e Gjibraltarit i hapin Ballkanit lidhjet me botën e gjerë. Në këtë hapësirë ballkanike qysh moti jetojnë edhe shqiptarët, si pasardhës të ilirëve, krahas disa popujve të vjetër, si: thrakët, dakët, keltët, grekët, romakët, hunët, sasët, turqit, sllavët e shumë të tjerë. Të mirat materiale që i sillte reliefi, pozita gjeografike, por edhe të mirat (prodhimet) njerëzore, herë-herë sillnin edhe lehtësi e pozitivitet, e herë-herë edhe luftëra, gjakderdhje, robërime të pafund. Përbri këtyre fërkimeve dhe kontakteve, popujt e ndryshëm këmbyen dhe i ofruan njëri-tjetrit edhe religjionin, artin, vegla të shumta, gjuhën, me një fjalë, kulturë e qytetërim të llojllojshëm.
Në këtë vorbull ngjarjesh e ecurish edhe Islami ka gjetur vendin e vetë, duke lënë gjurmë të thella në shoqëri, të cilat përkundër një ofensive të vrazhdë antimuslimane, kanë lëshuar rrënjë të thella dhe ekzistojnë deri në ditët tona. Islami ndikoi jo vetëm në pasurimin e etnive dhe kulturave të caktuara, por ai u bë faktor kryesor për ruajtjen dhe mbijetimin e disa popujve nga asimilimi, si shqiptarët, boshnjakët dhe popuj të tjerë më të vegjël. Gjendja e muslimanëve në Ballkan, e sidomos në trojet shqiptare, ka qenë relative, duke përjetuar kohët e frytshme por edhe ato të rrezikshme. Sidomos në këtë gjendje ka ndikuar numri i muslimanëve, përkatësisht nataliteti i lartë. Në trojet shqiptare dhe në Bosnjë gjendja e tyre ka qenë më e lehtë, por në viset tjera ka qenë më e vështirë, sidomos për shkak të numrit të vogël të muslimanëve.
Struktura etnike e muslimanëve në Ballkan, e veçantë në trojet iliro-shqiptare, ka qenë e llojllojshme, dhe në pikëpamje të karakteristikave të veshmbathjes, të të ushqyerit, banimit, lindjes dhe varrosjes e zakoneve të tjera, dallohen sidomos:
– Muslimanët shqiptarë, të cilët edhe hapsinërisht por edhe numerikisht kanë qenë më të shumtit dhe edhe aktualisht paraqesin faktorin kryesor musliman në Ballkan;
– Muslimanët boshnjakë, të cilët në të kaluarën janë ndier si sllavë, por me kalimin e kohës, studimet historike, arkeologjike e të tjera tregojnë se ata janë më tepër vendorë e më pak ardhacakë (simbiozë iliro-para-boshnjake);
– Muslimanët sllavë, ku bëjnë pjesë pjesëtarët e etnisë serbe, kroate, malazeze, maqedone etj.Muslimanët turq, të cilët erdhën në këto troje qysh nga kohët e lashta e deri sot;
– Muslimanët e etnive të përziera dhe jo mjaft të qarta në aspekt të prejardhjes, ku do t’i fusnim romët, egjiptianët, pomakët, torbeshët, goranët etj.[1]
Këtë mozaikë demografikë të muslimanëve në Ballkan dhe sidomos në trojet shqiptare gjatë historisë e kanë ndikuar faktorë të shumtë, por në shkallën e nivelit të studimeve momentale, identifikohen sidomos dy faktorë kryesorë:
– Faktori natyror – lëvizjet për kushte më të mira jetësore, termetet, vërshimet, epidemitë-pandemitë e ndryshme, lufta për mbijetim biologjik etj. dhe;
– Faktori shoqëror – krizat shoqërore, politike, ekonomike, luftërat, uritë, shpërnguljet e dhunshme etj.[2]
Gjerësia gjeografike dhe rrethanat historike të Ballkanit, pastaj larmia etnike kushtëzuan që edhe në pikëpamje gjuhësore të kemi një larmi interesante. Kemi gjuhët bazë të popujve por edhe ato dialektore, që përbëjnë një komponent me rëndësi. Edhe pse është vështirë të përfundohet diç në këtë aspekt, gjuha shqipe është dominonte në komunikimin verbal, të folur, por jo edhe në të shkruar. Sigurisht, pozita inferiore, gjithnjë e nënshtruese, ka ndikuar që ky aspekt të jetë i varfër. Pas gjuhës shqipe, gjuha vijuese mund të merret gjuha sllave (variacionet boshnjake, serbe, kroate, por edhe ato dialektote), gjuhë këtë të cilën e përdornin një pjesë e popujve si gjuhë amtare dhe disa të tjerë si gjuhë të asimilimit, siç është rasti i boshnjakëve). Kemi edhe gjuhën turke, por edhe gjuhën rome dhe gjuhë me variacione lokale. Kemi edhe karakteristika të caktuara në aspekt të huazimeve, përdorimin e shprehjeve të caktuara orientale (arabe, perse dhe turke) në fusha të ndryshme jetësore (në fe, moral, politikë, ekonomi, amvisni etj.), duke ia përshtatur shprehjet gjuhëve të tyre dhe duke i shkruar në alfabetet e kohës.
Gjuha arabe, si gjuhë fetare dhe kulturore, politike dhe ekonomike, terminologjia e saj, ka qenë dominuese edhe në të folur edhe në të shkruar, normalisht e përshtatur gjuhëve të vendit. Rezultatet nga këto përpjekje kanë qenë modeste, që ne aktualisht e njohim si literaturë alamiado, e karakterit të ngushtë fetar, pastaj didaktike dhe letrare (prozë e poezi) etj.
III. Periodizimi historik i shtrirjes së Islamit në Ballkan
Periodizimi i saktë i shtrirjes së Islamit në Ballkan është i vështirë. Nuk mund të bëhet një prerje rigoroze e periudhave. Megjithatëë, studimi sistematikë dhe konzistent i të kaluarës në trojet tona në raport me Islamin identifikon tri periudha të mundshme kohore:
- A) Periudha paraosmane (prej fillimit e deri në gjysmën e parë të shekullit XIV),
- B) Periudha osmane (prej gjysmës së dytë të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX) dhe;
- C) Periudha pasosmane (prej fillimit të shekullit XX, d.m.th. nga largimi i Perandorisë Osmane e deri sot).[3]
III. A. Periudha paraosmane
Periudha paraosmane shtrihet prej fillimit të paraqitjes së Islamit në shkenën historike e deri në gjysmën e dytë të shekullit 14. Kjo periudhë e Mesjetës është e errët në aspekt të informacionit sepse mungojnë të dhënat për shumë periudha. Nga të dhënat ekzistuese megjithatë mund të formohet një mozaik njohurish. Një pjesë e njohurive edhe pse është në formë supozimesh, analogjish e traditash gojore, ofron material nga i cili mund të hulumtohet më tutje.
Edhe pozita gjeostrategjike por edhe faktorët e tjerë bënë që populli ynë të kontaktojë, herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi, me shumë popuj muslimanë të Mesdheut e më gjerë në mënyra të ndryshme: ushtarake, tregtare, ekonomike e religjioze-shkencore e të tjera dhe në vende të ndryshme qysh nga shekulli 8 e. r. Intensiteti i kontakteve, fërkimeve të ndërsjella por edhe të bashkëjetesës në disa vende gjatë historisë ka qenë relativ, varësisht nga stabiliteti ushtarak dhe interesat e çastit.
Ndër shtetet që paraqisnin faktor me rëndësi në Ballkan dhe në tokat shqiptare ishte Bizanti. Kjo perandori e madhe dhe e fuqishme ishte në fqinjësi me shtetet ambicioze muslimane në Azi të Vogël por edhe në gadishujt mesdhetar dhe vendet bregdetare mesdhetare. Këto vende janë sidomos Bullgaria, Greqia dhe Maqedonia dhe në veçanti nëpërmjet Italisë jugore dhe basenit adriatik.
Muslimanët e Egjiptit, Afrikës Veriore gjatë fatimidëve, aglebitëve dhe emevitëve në Spanjë, gjatë shekujve 8 e 12, me motive misionariste fetare-kulturore apo edhe politike dhe ekonomike-tregtare, depërtuan deri në limanet dhe qytetet bregdetare të Adriatikut, si në: Kotor, Tivar, Raguza, Rosin, Rijeka, Susak, por edhe në qytetet bregdetare shqiptare, Ulqin, Shkodër, Durrës, Vlorë etj. Qoftë si rezultat i vendosjes normale qoftë si rezultat i skllavërisë, këmbimi dhe zhvendosja e popullsisë filloi të bëhet gjë normale dhe me këtë edhe huazimi dhe futja në pëdorim të të mirave intelektuale por edhe materiale. Prej atëherë e kemi të pranishëm termin “saracen”, që rrjedh nga fjala “sharki”, lindor, oriental.[4] Shprehje të tilla kemi edhe nga fusha e veglave luftarake, tregtare, llojeve të ushqimit, pastaj në veshmbathje, folklor, muzikë etj.[5] Kësaj gjendjeje i ndihmuan edhe Kryqzëtatat, të cilët sollën edhe përvoja të shumta nga Lindja muslimane. Mendohet se edhe muzika e “trubadurëve” në bregdetin dalmatin, pastaj muzika “moreshko” në Korçul në Kroacisë kanë prejardhje nga trashëgimia maure (muslimane andaluziane). Madje, edhe ndërtimi i minareve, apo disa objekteve të ngjashme në formë katrore në hercegocinë e troje shqiptare ka ndikim nga stili berber musliman i mjeshtërve verio-afrikan.[6]
Por, kontaktet nuk kanë qenë më të vogla as nëpërmjet veri-lindjes, sidomos nëpërmjet Hungarisë apo atë që sot e quajmë Panonia, pastaj të Bullgarisë etj.
Depërtimi i disa fiseve turke, si të peçenegëve, kazarëve, kalisëve, bashgirdëve, bozormanëve e ismailitëve, më vonë edhe të bogumilëve, kumanëve e pomakëve ndikoi që edhe shtetet e mëdha përreth ta kenë në konsideratë praninë muslimane. Sidomos peçenegët edhe numerikisht edhe cilësisht paraqisnin forcë respektive në aspekt të fesë islame. I gjejmë edhe në shërbim të mbretërive të Hungarisë e Bullgarisë mesjetare, por herë-herë edhe si subjekt në vete.[7] Të dhënat nga Ebu Hamid El-Garnati, Istahriu dhe Jakut El-Hamawiu janë burime solide historike për argumentimin e aktivitetit të tyre ushtarak, politik, ekonomik por edhe fetar e kulturor.[8]
Muslimanët në trojet shqiptare paraqisnin faktor me rëndësi të madhe. Këtë e dëshmon edhe letra e mbretit bullgar në vitin 858-869, Borisit, drejtuar Papës në Vatikan, dhe përgjigja e papës: “Ju petni ç’duhet bërë me librat heretikë, të cilkët pohoni, gjenden te ju, kurse i keni marrë nga saracenët. Ata, natyrisht, nuk duhet ruajtur, sepse sikur që është e shkruar (në Enciklikën mbi Korinasit), kuvendimet e këqija prishin moralin e shëndoshë, e për këtë si të dëmshme dhe heretike dorëzoni zjarrit.” [9]
Nuk duhet harruar as rolin e vardariotëve sidomos në pjesën qendrore dhe jugore të Ballkanit, por edhe të Sari Salltukut, të cilët në periudhën paraosmane kontribuan në përhapjen dhe shtrirjen e Islamit dhe muslimanëve dhe natyrisht huazimit të ndërsjellë të shprehjeve, veglave, traditave, veshmbathjes etj.[10]
III. B. Periudha osmane
Periudha osmane shtrihet prej depërtimeve të para të ushtrisë osmane në Ballkan në Betejën e Maricës 1371 dhe Betejën e Kosovës më 1389 e këndej, fillimisht jo intezivisht. Nga kjo periudhë popujt ballkanikë e sidomos ai shqiptar ka qenë ngushtë i lidhur me këtë perandori. Ngritja e rënia e saj ka qenë edhe ngritja dhe rënia e shqiptarëve.
Kjo bashkëjetesë ka pasur edhe karakteristikat e saj:
– Përshtatjen ushtarake, shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore të popujve dhe vendeve nën perandorinë osmane dhe
– Procesi i përhapjes dhe fuqizimit dhe përforcimit të Islamit dhe kulturës materiale por edhe shpirtërore në këto troje.
Vendet ballkanike deri në këtë kohë ishin nën ndikimin e fuqishëm të Bizantit, Hungarisë, republikës mletase, monarkisë habsburgiane dhe vetë Vatikanit, madje ishin drejtpërdrejt të varura politikisht dhe ekonomikisht. Trojet shqiptare të ndara në sfera interesi nga vendet mësipër të përmendura nëpërmjet fisnikëve vendorë nuk kishin ndonjë perspektivë. Mosmarrëveshjet e shumta ndërmjet feudalëve të vegjël lokalë shqiptarë i shtynë ata që të kërkojnë ndihmën ushtarake të Osmanlinjve.[11] Popullata fshatare, mbi të cilën kishte ra barra kryesore e këtyre konflikteve, ishte e dërrmuar si materialisht ashtu edhe në numër të njerëzve për shkak të luftrave të shumta lokale dhe më gjerë. As qytetet nuk qëndronin më mirë sepse ishin shkretëruar, kurse zanatet dhe tregtia ishin në grahmat e fundit. Kësaj gjendjeje të rëndë i ndihmonin edhe rrethanat e ndryshme, si: fatkeqësitë natyrore, sëmundjet epidemike, vërshimet dhe thatësitë. As në aspektin shoqëror nuk ishte gjendja më e mirë, sepse sektarizmi kristian kishte lëshuar rrënjë të thella. Kristianizmi me sektet e tij (katolicizmi, ortodoksizmi), bogumilizmi dhe grupime më të vogla ndikonin në një atmosferë heterogjene. Edhe ajo pak kulturë materiale dhe shpirtërore si letërsia, arti, arkitektura e të tjera, ishin të përqendruara në duart e bujarëve të vendit dhe të kishës. E përballur me këtë gjendje kaotike materiale dhe shpirtërore, Perandoria Osmane imponoi tri etapa konsolidimi:
- Nga pala nën vazalitet kërkohej njohja e pushtetit të sulltanit dhe pagesa e xhizjes vjetore (lloj tatimi vjetor për të pasurit, shëndoshit, për ata të cilët nuk i përgjigjen shërbimit ushtarak etj.);
- Përqendrimi i ushtrisë osmane në disa pika strategjike të vendit, me ndërhyrje të herëpashershme nëse e kërkonte situata në terren apo ndërhyrje me kërkesë të aleatëve për të fikur konfliktet mes tyre dhe;
- Nënshtrimi përfundimtar i vendeve të cilët nuk pranonin kushtet e mësipërme apo kishin shkelur marrëveshjen pasi kishin panuar.[12]
Depërtimi i Islamit në Ballkan në këtë etapë ka disa data. Një datë merret ajo e Betejës së Maricës më 1371 dhe ajo e Kosovës më 1389, kur osmanlinjtë depërtuan në pjesën më të madhe të Ballkanit. Nëpërmjet sistemit të vasalitetit, ata nuk sundonin fizikisht në këto troje. Këtë e bënin sunduesit e deriatëhershëm, por duke e njohur pushtetin qendror. Mirëpo, për shkak të konflikteve të njëpasnjëshme mes veti, varfërisë së skajshme dhe mosmenazhimit të situatës, osmanlinjtë filluan të depërtojnë dalngadal në brendi të vendeve tona. Kështu, më 1392 u morë Shkupi dhe u ndihmua qyteti dhe rrethi me stabilitet ekonomik, tregtar, bujqësor etj., filluan të shfaqen edhe gjurmët e para të kulturës materiale islame: xhamitë, mektebet, medresetë, hamamet, imaretet, bibliotekat, hanet e të tjera.
Edhe pse në këtë kohë kishte edhe ca probleme të brendshme (lufta për pushtet) por edhe kërcënimi i jashtëm nga mongolët, megjithatë depërtimet e reja vazhduan drejt Evropës.
Në kohën e Muratit II (1421–1451) dhe Mehmetit II Çliruesit (1451–1481) ranë Bizanti, Shqipëria, Kosova si e veçantë, mbretëria boshnjake, pastaj principata serbe dhe Beogradi dhe Hungaria në betejën e Mohaçit më 1526.
Kjo gjendje vazhdoi edhe në kohën e sulltan Selimit I (1512-1520), i cili e barti titullin e halifit nga sunduesi i fundit i dinastisë abasite nga Egjipti në Stamboll. Nga kjo kohë ata edhe zyrtarisht interesoheshin për muslimanët që jetonin nën sunduesit dhe territoret jomuslimane. Kjo gjendje do të zgjasë derei më 1925, kur Mustafa Kemali e abrogoi institucionin e hilafetit dhe vetë u bë kryetari i Turqisë.[13] Luftërat sollën edhe anën e mirë, ngritjen e qytetërimit oriental e aksidental, shumë vepra të shkruara dhe të përshkruara të natyrës fetare dhe të shkencave të tjera, në gjuhë të ndryshme, sidomos në gjuhën arabe, perse dhe osmane, por luftrat sollën edhe anën e errët, rrënimet, viktimat, tatimet, qëp nuk e lënë indiferent askënd.
Përhapja e fesë ishte dhe mbeti proces i gjallë, i hapur dhe shumë dinamik nga brezi në brezë, nga vendi në vend. Kryesisht, është mbështetur në dy faktorë kryesor:
1) Faktori subjektiv, që nënkupton forcën e vetë Islamit si ide fetare, morale, shkencore, kulturore dhe si sistem jetësor dhe;
2) Faktori objektiv, që nënkupton situata të llojllojshme të atyre të cilëve u prezantohet Islami.[14]
Janë shkruar vepra të shumta, por nuk janë dhënë rezultate objektive e reale për sekretin e suksesit të shtrirjes së Islamit në Ballkan dhe në botë. Përjashto veprën e Thomas W. Arnoldit[15], të Filip Hitit[16], të Oksfordit[17] e ndonjë tjetër që janë më pak të ngarkuara, shumica e veprave janë përplot paragjykime, përplot tendenca madje edhe falsifikime të rënda. Sidomos në këtë trend prijnë veprat e historianëve shqiptarë, qysh nga Barleti e deri në ditët tona. Histori përplot mite e gojëdhëna, përplot mashtrime e mbarështime ideologjike. Vështirë që një rishkrim i historisë do të mund ta pastrojë historinë shqiptare nga e pavërteta.
Në studimet e historisë shqiptare që nuk dallon shumë nga ajo serbe, maqedone, kryesisht dallohen disa qasje, tendenca:
1) Ata që arbitrarisht dhe pa argumente përfundojnë se Islami është përhapur me forcë e shpatë dhe;
2) Ata që janë më të matur dhe përpiqen të ofrojnë dëshmi të caktuara:
– Dëshmi të natyrës politike (stimuli dhe avancimi politikë i të konvertuarve të rinj)
– Dëshmi të natyrës ekonomike (privilegjet e natyrës materiale, lirimi nga tatimet dhe ndihmat materiale etj.
– Dëshmi psikologjike e sociale (përndjekjet, krizat shoqërore, pasiguria etj.).
Në këtë aspekt theksohet aspekti ushtarak, politik, ekonomik e të ngjashëm por në studimet e tyre shpërfillet aspekti fetar, moral, kulturor, social, të cilët janë strumbullar i të gjitha sukseseve dhe lëvizjeve pozitive. Ky faktor konsiston, mbi të gjitha, në atë se për herë të parë Islami i solli njeriut koncept të plotë mbi Krijuesin dhe krijesën, duke mos e ndarë jetën në të vlefshme e pavlefshme por të integruar, jetën e kësaj bote dhe të asaj bote. Islami solli moral stabil, që lidhë hyjnoren dhe botëroren, tipar ky që mungon në kristianizëm dhe hebraikëm. Islami mohoi mitologjinë dhe besëtytninë, kurse urdhëroi mësimin, arsyes dhe vetëdijes njerëzore i dha rol. Islami pushtetin nuk e konceptoi as për mbretin, as për popullin sepse ai i përket Krijuesit, kurse njerëzit janë implementues të tij në këtë jetë. Islami e bëri njeriun “mëkëmbës” të Zotit, por jo shërbëtor të njeriut.[18]
Edhe orientalisti anglez Th. Arnold nuk e sheh përhapjen e Islamit në fuqinë e shpatës dhe forcës, por mendon se kjo ka ndodhur nëpërmjet rrugës së qetë, bindjes dhe argumentimit dhe herë-herë nëpërmjet mënyrës së dhunshme, por që kjo mënyrë nuk ka bazë në fenë islame.[19] Po këtë e mendon edhe Sami Frashëri, kur thotë se “pos përhapjes së Islamit me pushtime, ekziston edhe rruga tjetër, e papërmendur nga historianët, e ajo është përhapja e fesë vetvetiu pa pushtim, pa shpatë dhe pa ushtri. Kjo nëse nuk është më masive se mënyra e parë, pothuajse është e barabartë.”[20]
Janë të paqëndrueshme edhe pretendimet e kundërshtarëve se privilegjet ekonomike dhe politike kanë ndikuar në përqafimin e Islamit. Sepse, shtrohet pyetja, vallë, mund të thuhet kështu për stërgjyshërit tanë, kanë qenë ata kaq servil e puthadorë. Nuk e mendoj këtë edhe nga shkaku tjetër, sepse po të ishin privilegjet faktori kryesor joshës, përse me heqjen e këtyre privilegjeve, të parët tanë nuk u tërhoqën nga Islami dhe përse kjo joshëje nuk dha fryt edhe me popujt e tjerë si, bullgarët, serbët, grekët, maqedonët, por ndodhi vetëm me shqiptarët e boshnjakët.[21] Jo vetëm që të parët tanë nuk hoqën dorë nga Islami, por hoqën dorë nga atdheu dhe pragu i shtëpisë në emër të ruajtjes së besimit, nderit, traditës, folklorit etj.
Pretendimet tona i forcon edhe zhvillimi i hovshëm i qyteteve tona si Shkupi, Manastiri, Prizreni, Gjakova, Prishtina, Shkodra, Berati, Nishi, Beogradi, Pazari i Ri, Sarajeva, Mostari, Ulqini etj. U zhvillua dukshëm zejtaria dhe tregtia, e me këtë edhe prurjet e kapitalit dhe fuqisë së re punuese. Vakufe e reja lulëzojnë e me këtë edhe intelektualët e ri, dijet e reja, objektet sakrale e profane të reja. Në qytetet tona sillen arritjet më të mëdha të botës muslimane në arsim, edukim, kulturë, qytetërim etj. Lëvizja e popullsisë bëhej pa problem për të gjithë qytetarët me ngjyra e gjuhë të ndryshme, me kultura e besime të shumta. Shqiptarët nuk lëviznin nga mëhalla në mëhallë, por nga një skaj i perandorisë në skajin tjetër, duke dhënë për perandorinë dhe duke marrë nga perandoria.
Në periudhën osmane në fillim bartësit kryesorë të përcjelljes së Islamit në Ballkan janë ushtria shumetnike osmane, në përbërje të të cilës kishte turq, por edhe persianë, arabë, egjiptianë, por në fazat e mëvonshme bartësit e shtrirjes së fesë janë kryesisht shqiptarët dhe boshnjakët por edhe etnitë më të vogla nga këto troje.
Prania e Islamit është e dukshme dhe e prekshme në shumë pikëpamje, por sidomos vërehet në:
– Mënyrën e veshmbathjes së meshkujve e sidomos femrave, përgatitjes së ushqimit hallall, mënyrës së banimit dhe ndarjes së separeve, dhomave të veçanta për meshkuj dhe të veçanta për femra, pastaj kalimit të kohës së lirë në shtëpi e në ahengje pa harame etj;
– Urbanizimin e vendbanimit (ndarjes së vendbanimit në pjesën e çarshisë, e cila është pjesa afariste për të gjithë pa dallim feje, gjuhe e ngjyre) dhe të mëhallës/ lagjes, e cila kishte karakteristikat e banorëve në aspekt të gjuhës, besimit, traditave etj.);
– Mënyrën dhe stilin e ndërtimit (vendit të ndërtimit, ngjyrës së mureve të shtëpive, dekorit të orendive, mungesa e figurave të krijesave të gjalla, organizimit të ambientit jashtë shtëpisë me ujë rrjedhës, lule, gjelbërim etj.);
– Mënyrën e arsimimit/edukimit muzikor (lexim-këndimit të Kur’anit, mevludit, ilahive, ezanit, këngëve popullore dhe artistike, me instrumente orientale ose vendore të përshtatura nevojave);
– Mjekësi dhe kozmetikë (pastrimi dhe higjiena individuale, mjekimi me mjekësi preventive, përdorimi i parfumeve, krehja e flokëve etj.);
– Bujqësi (sjellja e disa drithërave, pemëve, perimeve dhe luleve nga jashtë, avancimi i mënyrës së punës në bujqësi, avancimi i sistemit të ujitjes, kurse këtë e dëshmojnë emrast e shumë veglave, bimëve me prejardhje orientale);
– Astronomi (përdorimi i kalendarit / takvimit, ndërtimi i sahat-kullave dhe muvekit-haneve për përcaktimin e kohëve të namazit dhe muajve dhe vitit, përcaktimin e agjërimit, madje edhe aftësimin për përdorimin e veglave astronomike nëpër medrese për përcaktimin e vaketeve të namazit, të fillimit të muajve etj.);
– Arsim (ndërtimi dhe shtrirja e sistemit shkollor: ai vullnetar parashkollor apo për të rritur, ndërtimi i medreseve të të gjitha niveleve, ndërtimi i xhamive si objekte adhurimi, mësimi dhe edukimi, i teqeve, hanikaheve etj. Arsimimi bëhej edhe në mënyrat fakultative nëpërmjet vazeve, hutbeve, mevludeve apo tubimeve të ndryshme fetare);
– Depërtimin e gjuhëve orientale me karakter botëror (sikurse gjuha arabe si gjuhë fetare, gjuha turke si gjuhë e administratës dhe gjuha perse si gjuhë e artit dhe letërsisë së bukur) dhe;
– Përhapja e arsimimit, dijes dhe librit (në fillim nga të huajtë e pastaj kryesisht nga dijetarët e vendit. Këtë e dëshmojnë emrat e shumtë, si Mesih Prishtinasi, Suzi Zerrini (Prizreni), Jahja bej Dukagjini, Muhamed Kyçuk Çami etj. Edhe autorët e periudhës pasosmane janë nën ndikimin e tyre dhe këtë e kanë dëshmuar në zhanre të ndryshme.[22]
III. C. Periudha pasosmane
Kjo periudhë shtrihet prej fillimit të shekullit XX (kjo në Bosnjë ndodhi më herët), d.m.th. nga largimi i Perandorisë Osmane nga Ballkani e deri sot.
Nën presionin e lëvizjeve politike dhe sociale në Evropë gjatë shekullit XIX Perandoria Osmane ndihej gjithnjë e më e paaftë t’i udhëheq proceset në drejtim të duhur. Evropa tashmë e fuqizuar, në ofensivë në të gjitha kontinentet, kishte rol dhe ndikim të fuqishëm edhe në Ballkan. Sidomos Kongresi i Berlinit më 1878 dhe tubimet e ngjashme më vonë në Evropë (Paris, Londër etj.) i vuri vulë rrjedhave të mëtejshme në Ballkan. Muslimanët e Ballkanit mbeten të vetorganizohen. Mirëpo, në këtë vetorganizim kishte edhe pritje të tepruara por edhe zënie në thua, sikurse edhe skepticizëm kundrejt prurjeve të reja ideologjike, fetare e morale. Trendet evropiane dhe autoktone fetare islame filluan të bashkëjetojnë natyrisht në relacione të reja. Muslimanët ishin në defansivë dhe luftonin për mbijetesë në mesin e kristianizmit, ateizmit dhe më vonë modernizmit ekstrem. Në disa shtete si në Jugosllavi, shqiptarët, boshnjakët dhe muslimanët e etnive të tjera kaluan më lehtë krahasuar me muslimanët në Shqipëri, Rumani, Greqi, Bullgari etj. Bashkësitë islame nuk kishin formë as politike as ekonomike e kulturore të bënin diç më tepër.
Përkundër të gjitha rrethanave rënduese, muslimanët e Ballkanit vazhduan të jetojnë me ngritje e rënie relative. Faktor me rëndësi në ruajtjen e vlerave të përgjithshme në këtë fazë luajti bashkësia muslimane e secilit vend veç e veç. Ajo nëpërmjet ligjëratave nëpër xhami e tubime fetare, aftësimit të kuadrit nëpër medrese dhe veprimtarisë botuese aqsa ndikoi që feja islame të ruajë individualitetin e saj dhe të përgatitet për fazën e ardhshme.
IV. Përfundim
Islami është i vjetër në Ballkan sa edhe kristianizmi. Prania e vardariotëve, peçenegëve, muslimanëve në Hungari, Bullgari, në Jug të Italisë e të tjera bëri që muslimanët të adhurojnë Allahun në trojet ballkanike qysh nga shekulli IX, për të vazhduar deri në ditët e sotme. Rrugët e depërtimit të Islamit, mënyrat e depërtimit dhe cilësia e këtij Islami janë temë interesante për studiuesit e vendit dhe të botës. Islami në Bllkan ka një histori të veten dhe ndahet në tre periudha: Paraosmane, Osmane dhe Pasosmane. Nga kjo periudhë e gjatë shumë shekuj kemi personalitete të mëdha, vepra të mëdha dhe nivel i lartë qytetërues dhe kulturor. Shkenca në kohët e ardhshme do të duhej hulumtuar sistematikisht dhe metodogjikisht tërë të kaluarën për të zbuluar dhe vënë në dritë perlat që ende janë të mbuluara nga misteri i injorancës dhe paragjykimeve.
LITERATURA
Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, VIII, Prishtinë, 1988.
- Filip Hiti, Historija Arapa, Sarajevo, 1973.
- Grup autorësh, Historia e popullit shqiptar, vëllimi i pare, Tiranë, 2002.
- John L. Espozito (ed.), Oksforska historija islama, Zivinice, 2005.
- Muhamed Hadzijahic etj., Islam i muslimani u Bosni i hercegovini, Sarajevë, 1977.
- Nexhat Ibrahimi, Vepra, 10, Logos-A, Shkup, 2009.
- Nijaz Šukrić, Neki aspekti širenja islama i njegove kulture u našim krajevima, në: Takvim za 1987 za Bosnju i Hercegovinu, Sarajevo, 1407-1408. ose: http://www.ibn-sina.net/bs/component/content/article/1536-neki-aspekti-irenja-islama-i-njegove-kulture-u-naim-krajevima.html.
- Mustafa Kemal Atatürku në: http://en.wikipedia.org/wiki/Mustafa_Kemal_Atat%C3%BCrk (data 11.11.2012).
- Sami Frashëri, Përhapja e Islamizmit, Prizren, 1989.
- Sir Thomas W. Arnold, The Preaching of Islam, London, 1913 & Thomas W. Arnold, Historia e përhapjes së Islamit, Prishtinë, 2004.
_____________________
[1] Nijaz Šukrić, Neki aspekti širenja islama i njegove kulture u našim krajevima, në: Takvim za 1987 / 1407-1408 god. za Bosnju i Hercegovinu, Sarajevo, fq. 95–112 apo: http://www.ibn-sina.net/bs/component/content/article/1536-neki-aspekti-irenja-islama-i-njegove-kulture-u-naim-krajevima.html (data: 11.11. 2012).
[2] Nijaz Šukrić, po aty.
[3] Me këtë rast periudha e tretë do të trajtohet shkurtimisht, sepse mbetet që për këtë të bëhet një studim i veçantë.
[4] Shih: Nexhat Ibrahimi, Vepra, 10, Logos-A, Shkup, 2009, fq. 124
[5] Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, VIII, Prishtinë, 1988, fq. 52 dhe fq. 458-460.
[6] Nexhat Ibrahimi, po aty, fq. 125 e tutje.
[7] Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, Logos-A, Shkup, 2009, fq.445-468.
[8] Po aty, fq. 513-534.
[9] Muhamed Hadzijahic e të tjerë, Islam i muslimani u Bosni i Hercegovini, Sarajevë, 1977, fq. 22.
[10] Nexhat Ibrahimi, po aty, fq. 425-444 dhe 469-474.
[11] Grup autorësh, Historia e popullit shqiptar, vëllimi i pare, Tiranë, 2002, fq. 374 e tutje.
[12] Nijaz Šukrić, po aty.
[13] Për Mustafa Kemal Atatürk-un lexo në: http://en.wikipedia.org/wiki/Mustafa_Kemal_Atat%C3%BCrk (data: 11.11.2012).
[14] Sipas: Nijaz Šukrić, po aty.
[15] Sir Thomas W. Arnold, The Preaching of Islam, London, 1913, ose përkthimin shqip: Thomas W. Arnold, Historia e përhapjes së Islamit, Prishtinë, 2004.
[16] Filip Hiti, Historija Arapa, Sarjevo, 1973.
[17] John L. Espozito (ed.), Oksforska historija islama, Zivinice, 2005.
[18] Gjerësisht për faktorët e pranimit të Islamit lexo: Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, po aty, fq. 95-113.
[19] Thomas W. Arnold, Historia e përhapjes së Islamit, Prishtinë, 2004, fq. 17-24, por dhe faqet tjera…
[20] Sami Frashëri, Përhapja e Islamizmit, Prizren, 1989, fq. 17.
[21] Nijaz Šukrić, po aty.
[22] Nijaz Šukrić, po aty.
(Zeriislam)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.