DKA në Dragash ndanë mirënjohje për mësimdhënësit e pensionuar

Opoja.net Opoja.net Opoja

Drejtori i Arsimit në mbështetje të kompetencave të tij ligjore dhe në pajtim me rekomandimin e kryetarit të komunës z.Shaban Shabani ka miratuar vendimin për ndarjen e mirënjohjeve për mësimdhënësit e pensionuar nga data 07 Mars 2020 deri më 07 Mars 2021.

Fjala e drejtorit të arsimit Vloran Cenaj

Mësues të dashur kudo që ndodheni, ju përkulem sot, këtu, përpara jush në shenjë respekti dhe mirënjohje për gjithë punën tuaj, sakrificat e mundin në profesionin tuaj kaq fisnik dhe dinjitoz, siç është profesioni i mësimdhënies, duke ju uruar “Gëzuar festën tuaj, 7 Marsin”.

Më 7 mars 1887, u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj.
Dita e Mësuesit është festë kombëtare, nuk është vetëm për punonjës të arsimit shqiptar, por edhe për nxënës e studentë, është një festë që festohet në çdo familje shqiptare. Kjo është një traditë e bukur e krijuar tek populli ynë. Në këtë ditë të rëndësishme të arsimit shqiptar, kujtojmë me respekt të thellë veprën e ndritur të mësuesve dhe patriotëve të shquar veçanarisht mësuesit e viteve të 90 -ta, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha, për zhvillimin e arsimit kombëtar.

Duke kujtuar 7 marsin –Ditën e Mësuesit nuk mund të lëmë në heshtje e të mos nderojmë edhe rolin e kontributin e mësuesve dhe punëtorēve të arsimit si: Bislim Kuteli, Samet Halimi dhe Sabatin Tahiri të cilët e humbën betejën në këtë pandemi globale.

Të dashur mësues sot ndihem i nderuar që gjendem këtu mes jush dhe i lumtur që urimin e festës së 7 marsit, festës që nderon punën tuaj kaq fisnike dhe të dashur për të gjithë, ta përcjellë edhe sot nga detyra e drejtorit të arsimit.

Lejomëni ta mbyll fjalën time me thënien e N. Veqilharxhit : “Më të mirën gjë që njohu e kuptoi njeriu në jetë është të mësuarit.”-E pra të dashur miq, së bashku ta njohim e ta kuptojmë sa më shumë atë dritë jete, pasi ky është detyrimi ynë njerëzor e patriotik ndaj popullit tonë, atdheut dhe brezave tanë të rinj.
Faleminderit dhe gëzuar për të gjithë mësimdhënësit!

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-