Dr. Selami Sylejmani, profesionist e humanist i ndritur

Dr. Selamiu është një nga emrat më të spikatur të mjekësisë në Kosovë dhe rajon, i specializuar në lëmin e gjinekologjisë në Zagreb dhe Tiranë dhe një nga pionierët e ultrasonografisë në Kosovë. Përveç si profesionist e humanist i spikatur, dr. Selamiu është edhe atdhetar i devotshëm.

Opoja.net Opoja.net Opoja Personazhe

Shkruan: Demir Reshiti

Të martën (9 janar 2024) e ka kremtuar ditëlindjen e 70-të doktori i respektuar opojan, docent. dr. sc. Selami Sylejmani. Selamiu është një nga emrat më të spikatur të mjekësisë në Kosovë dhe rajon, i specializuar në lëmin e gjinekologjisë në Zagreb dhe Tiranë dhe një nga pionierët e ultrasonografisë në Kosovë.

Dr. Selamiu është pronar i klinikës Ginekos, një nga klinikat e para private gjinekologjike ku ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm sidomos në periudhën e okupimit të institucioneve nga ana e pushtuesit serb. Në këtë klinikë ka trajtuar falas me mijëra paciente me kushte të rënda sociale, ndërsa për hir të mikpritjes që treva e Kukësit u ka bërë shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, me vite të tëra ka ofruar shërbime falas për pacientet nga Kukësi e rrethina!


Përveç si profesionist e humanist i spikatur, dr. Selamiu është edhe atdhetar i devotshëm. Ka qenë i burgosur dhe i përndjekur politik, ndërsa vëllain e tij Hyrmetin e kanë vrarë forcat ushtarako policore serbe në masakrën e Tususit, në vitin 1999.

Dr. Selamiu u lind më 09.01.1954, në Bresanë. Është djali më i madh i prindërve Nijazi (Sylejman) Sylejmani dhe Xhevahire (Osmani) Sylejmani, të cilët përveç Selamiut kishin edhe dy djem Xhemilin (stomatolog) dhe Hyrmetin (i vrarë në masakrën e Tususit në Prizren).

I lindur në një familje që shquhej për dëshirën e madhe për arsimim

Fëmijëria e Selami Sylejmanit, nuk dallon shumë nga fëmijëria e bashkëmoshatareve të vet dhe bashkëvendëseve të vet. I lindur në “kulmin” e një dimri shumë të acartë të cilin akoma më të acartë e kishte bërë  aksioni i grumbullimit të armëve i ideuar nga krimineli serb Aleksander Rankoviq. Në shënjestër të këtij aksioni famëkeq ishte edhe gjyshi i Selamiut, Sylejmani, i cili si shumë shqiptarë tjerë qe ftuar për ta dorëzuar armën ndërsa babai i tij Nijaziu disa herë është dashur vullnetar të shkojë për ta ndërruar atë (Sylejmanin) kur është thirrur në polici, për ta kursyer nga torturat që i janë bërë, me pretekst të dorëzimit të armeve!
Babai i Selamiut, Nijaziu, që në fëmijëri shquhej për dëshirën e madhe që kishte për mësim dhe për ta realizuar këtë dëshirë kishte mbështetjen e babait të ti haxhi Sylës i cili me t’u hapur shkolla shqipe në Bresanë, ishte ndër të parët që e dërgoi djalin e tij në shkollë të mësuesi i parë i asaj kohe, Hajdar Siçeca. Madje duke e ditur rëndësinë e arsimimit shqip, gjyshi i Selamiut, Syla i Ramadanit, në mënyrë vullnetare, pa pagesë, ua ka mundësuar që në njërën dhomë të shtëpisë e cila kishte vetëm dy dhoma, të banojnë mësuesi Hajdar së bashku me bashkëshorte e tij Arifqe Siçecën, të cilët në atë periudhë punonin si mësues dhe angazhoheshin në çrrënjosjen e analfabetizmit në Bresanë dhe rrethinë.

Me qëllim të lehtësimit të shkollimit të fëmijëve, babai i Selamiut, Nijaziu, shpërngulet në Prizren ku në vitin 1979 pëson një fatkeqësi komunikacioni me biçikletë, në dalje të rrugës së Lubizhdës së Prizrenit, për në rrugë kryesore. Nijaziu aksidentohet nga gjykatësi i gjykatës së Prizrenit Zhivko Shtatkiç, dhe vdes në spitalin e Prizrenit në moshën 52 vjeçare.

Nga dëshira për arsim, prindërit e dërgojnë në shkollë Selamiun akoma pa i mbushur 7 vjet. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindjen e tij, Bresanë, ndërsa shkollimin e mesëm në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prizren (1972) dhe pajiset me diplomën Teknik medicinal.

 

Në vitin 1980 e përfundon fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Ndërsa studimet pasuniversitare i përfundon në vitin 1987 në Universitetin e Zagrebit (Kroaci), drejtimi Ultratingulli në Mjekësinë Klinike, dhe avancohet në gradën Ultrasonist në lëmin e gjinekologjisë dhe obstetrikës. Një vit më vonë (1988), në të njëjtin universitet kryen specializimin në lëmin e gjinekologjisë me Obstetrikë. Titullin magjistër i shkencave mjekësore e fiton në vitin 1995 në  Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës ku mbron me sukses të shkëlqyer tezen “Paraqitja ultrasonike e shtatzënive të hershme patologjike, posaçërisht në blighted ovum”.

Gradën Doktor i shkencave mjekësore e arrin në vitin 2000 në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës ku mbron tezen “Parashikimi i ovulacionit dhe vlerësimi i funksionit të vezoreve te gratë me anë të ultratingullit”.

Titullin akademik titullin akademik Profesor MD, PhD e arrin në Universitetin Publik “Fehmi Agani” në Gjakovë ndërsa titullin  “Docent” e arrin në në Universitetin Ndërkombëtar DIU Libertas, Zagreb, Kroaci.

Specializime të ndryshme pasuniversitare në lëmin e ultrasonografisë në gjinekologji dhe obstetrikë ka kryer në institucione të njohura kombëtare e ndërkombëtare.

I vlerësuar për punë profesionale dhe humanizëm

Ka punuar si teknik medicinal, mjek, mësimdhënës dhe si gjinekolog në qytete të ndryshme të Kosovës: Suharekë, Dragash, Prizren, Podujevë dhe Prishtinë.

Pas përfundimit të shkollës së mesme ka punuar për disa muaj (1975) si Infermier ne dhomën e pranimit të Spitalit të përgjithshëm të Qendrës Medicinale të Prizrenit. Më pas, në periudhën 1979-1980, ka punuar si profesor i disa lëndëve në Qendrën e Shkollave të Mesme “Jeta e Re” Suharekë.

Në shtator të vitit 1980 punësohet si mjek i përgjithshëm në Shtëpinë e Shëndetit në Dragash dhe në punkte shëndetësore nëpër fshatra të kësaj komune (sipas nevojës). Pas demonstratave studentore të vitit 1981 kur fillojnë diferencimet e arrestimet e intelektualëve me bagazh kombëtar,  më 13 prill e arrestojnë edhe doktor Selamiun për shkak të bindjeve politike me arsyetimin se ishte marrë me “veprimtari armiqësore” sepse kishte dalë në përkrahje të demonstratave dhe përkrahje e kërkesës së studenteve për  Kosovën Republikë! Një javë pasi e lirojnë nga burgu, e dërgojnë në shërbim ushtarak në Novi Sad të Vojvodinës. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak, kthehet në vendin e punës në shtëpinë e shëndetit në Dragash, mirëpo menjëherë e përjashtojnë nga puna me procedurë të shpejtë!

Në qershor të vitit 1982, pas përfundimit të procesit gjyqësor rikthehet në vendin e punës në Shtëpinë e shëndetit në Dragash dhe i caktohet vendi i punës në fshatin e largët Restelicë (si formë e dënimit për shkak të ‘papërshtatshmërisë’ politike). Në Restelicë mirëpritet nga banoret sepse behët mjeku i parë i përhershëm në këtë fshat! Respekti që gëzoi në këtë fshat bie në sy të strukturave drejtuese të asaj kohe dhe nga ana e drejtorisë së Shtëpisë së Shëndetit në Dragash “këshillohet” që tani në mënyrë “vullnetare” të largohet nga vendi i punës, ose në të kundërtën ata sërish do të nisin procedurën gjyqësore për përjashtimin nga puna! Detyrohet t’i zbatojë urdhrat dhe në mënyrë “vullnetare” dhe më 30 gusht1982 e lëshon vendin e punës dhe të nesërmen fillon punë si mjek në ambulancën e fshatit Orllan të komunës së Podujevës. Që të punësohet në Orllan, ndihmohet nga drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Podujevë, dr. Muharrem Avdiu.

Në fillim të vitit 1983 fillon punë në Qendrën Medicinale “Boro e Ramizi” në Prizren. Për punësimin në Qendrën Medicinale “Boro e Ramizi” në Prizren e ndihmon dr. Ymrane Celina e cila atëbotë ishte kryetare e pleqësisë së organizatës bazë, sepse ishte e vështirë një mjek me biografi pas burgosjes për shkaqe politike dhe largimit nga puna të pranohet në punë. Deri në përfundimin e specializimit, punoi si mjek i përgjithshëm, ndërsa pas përfundimit të specializimit (29.02.1988), punoi profesionin e gjinekologut dhe obstetrit në repartin gjinekologjik obstetrikë të Spitalit të përgjithshëm të Prizrenit. Në këtë spital për një kohë të shkurtër u bë njëri nga gjinekologët më të famshëm dhe në vitin 1989 e themeloi Kabinetin e Diagnostikës Ultrasonografike në Mjekësi.
Si gjinekolog punoi deri më 14.10.1991, kur nga organi i dhunshëm punë-drejtues largohet nga puna. Pas largimit nga puna nga Spitali i Prizrenit, më 15 tetor të vitit 1991, themelon Ndërmarrjen private Shëndetësore “GINEKOS” në Prizren ku punon edhe tani.

Poliklinika GINEKOS, shndërrohet në vatër të arsimit – Ordinancë Shkollë dhe “Nëna Terezë e dytë”.  Këtu mbajtën pjesën praktike studentët e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Në poliklinikën GINEKOS e kryen pjesën praktike të gjitha gjeneratat e kësaj periudhe të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren – drejtimi i mamive.

Nga viti 1992 deri në vitin 2000 ka punuar si mësimdhënës në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren. Në këtë shkollë ka punuar si profesor i lëndës së gjinekologjisë me obstetrikë për drejtimin e Mamive dhe Infermierisë së përgjithshme, (pa pagesë), në objektet Shtëpitë Shkolla, si formë e mbijetesës së arsimit shqip, dhe formë e rezistencës dhe luftës për mbijetesë të arsimit shqip të popullit tonë.

Ka punuar pa pagesë në Ambulancën “Nëna Terezë” në Prizren dhe Spitalin “Nëna Terezë” në Prishtinë për 4 vite me radhë (1995-1999).

Pas përfundimit të luftës, në qershor të vitit 1999, për shkak të rrethanave të krijuara dhe mungesës së mjekeve – gjinekolog në Repartin gjinekologji -obstetrikë të Spitalit Rajonal, rikthehet dhe fillon punën e gjinekologut, pa kompensim material. Më 15 nëntor 1999 i lejohet pushim pa pagesë për një vit me qëllim të përfundimit të punimit të doktoratës të cilin e mbron publikisht më 2 maj të vitit 2000.

Pas fitimit të gradës shkencore doktor i shkencave të mjekësisë, udhëheqësit e Spitalit të përgjithshëm Rajonal nuk treguan gatishmëri e as interes për të vazhduar punën në këtë institucion, për çka serish kthehet dhe vazhdon punën private në Poliklinikën Ginekos.

Në qershor të vitit 2013 angazhohet si Docent – Ligjërues në studimet pasuniversitare në lëmin e diagnostikës ultrasonografike në gjinekologji me obstetrikë në Universitetin Ndërkombëtar DIU Libertas në Zagreb të Kroacisë.

Më 3 tetor 2014 nis punën në Fakultetin e Mjekësisë, Drejtimi Infermieri dhe Mami si profesor i lëndëve: Obstetrika dhe Gjinekologjia; Shëndeti Riprodhues dhe Etika 1; Shëndeti Riprodhues dhe Etika 2; dhe Infeksionet në shtatzëni dhe periudhën perinatale.

Ka organizuar, udhëhequr dhe ligjëruar në Shkollën Ndërkombëtare për edukim në lëmin e diagnostikës ultrasonografike në mjekësi ALOKA-KOSOVA, 2003-2005, Prizren. Ka organizuar, udhëhequr dhe ligjëruar Kursin njëjavor në lëmin e diagnostikës ultrasonografike në gjinekologji dhe obstetrikë mbajtur në Spitalin Rajonal të Prizrenit 05-09 nëntor 2006. Ishte organizator dhe Udhëheqës i Kursit Intensiv në lëmin e ultrasonografisë së vazave të gjakut, mbajtur në Spitalin Rajonal të Prizrenit, nga 12-16 nëntor 2007.

Ishte organizator, udhëheqës dhe ligjërues i punëtorisë në lëmin e ultrasonografisë së sëmundjeve të gjirit, mbajtur në bashkëpunim me Poliklinikën GINEKOS dhe NT KONTI, Prizren, Ligjërues në Konferencën e 4-të Ndërkombëtare të Perinatologjisë Shqiptare mbajtur në Tiranë – Shqipëri, nga 11-13 qershor 2010; Ligjërues në Kongresin e 5-të të Shoqatës Shqiptare të Perinatologjisë, mbajtur në Tiranë , Shqipëri, 10-12 Qershor 2011; Ligjërues në Kongresin e parë të Shoqatës së Obstetërve dhe gjinekologve të Kosovës, mbajtur në Pejë më 18-19 Maj 2012; Ligjërues në Simpoziumin: “Epidemiologjia dhe diagnostikimi bashkëkohor i sëmundjeve të gjirit”, organizuar nga Universiteti i Vlorës, 27 prill 2012; Ligjërues në Konferencën Ndërkombëtare: “Zhvillimet bashkëkohore në Farmaci” mbajtur nga 22-23 shtator 2012, Prishtinë; Ligjërues në Kongresin e 6-të Ndërkombëtar të Shoqatës Shqiptare të Perinatologjisë, mbajtur në Tiranë nga 02-03 shkurt, 2013; Ligjërues në Shkollën e 12-të të Perinatologeve të Serbisë mbajtur nga 05-07 prill 2013, në Tara; Ligjërues në Kursin Intensiv bazik “Ultrasonografia në Obstetrikë” mbajtur në Klinikën e gjinekologjisë me obstetrikë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë nga 29-31.05.2013.

Dr. Selami Sylejmani është autor dhe bashkautor i mbi 200 punimeve shkencore të publikuara në revista prestigjioze me impakt ndërkombëtar, si dhe organizator dhe pjesëmarrës në dhjetëra konferenca e aktivitete shkencore kombëtare e ndërkombëtare.

Është anëtar i Shoqatës së Mjekëve të Kosovës; Anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës në kryesinë aktuale; Kryetar i Shoqatës së Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi në periudhën 2002 – 2007; Anëtar i Shoqatës së Mjekëve Privatë të Kosovës; Anëtar i Shoqatës së Mjekëve të Kroacisë (Hrvatski Lječnički Zbor); Anëtar i ISUOG-ut (International Society of Ultrasound in Obstetrics and Gynecology); Anëtar nderi i Shoqatës së Perinatologeve të Shqipërisë;  Anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës ne kryesinë aktuale.

Nga viti 2018, dr. Selamiu është drejtor i Shkollës Ndëruniversitare Ndërkombëtare Ian Donald,  për Republikën e Kosovës, te cilin post ende e mban.

Për punën dhe angazhimin e tij prej afro gjysmë shekulli në fushën e mjekësisë dhe humanizmit e atdhetarisë, është vlerësuar me qindra mirënjohje, certifikata e plaketa nderi nga institucione vendore e ndërkombëtare si dhe nga qindra pacientë të cilët falë përkujdesjes së doktor Selamiut janë bërë prindër madje edhe në rastet kur i kishin të shuara shpresat!

Doktor Selamiu është i martuar me Shefkate Hajdarin nga fshati Bresanë me të cilën kanë lindur pesë fëmijë, tri vajza (Sebahate, Shqipe, Dorarta) dhe dy djem (Leutrim, Qendrim), që të gjithë kanë përfunduar fakultetin, katër të parët janë të martuar dhe janë bërë prindër, ndërsa djali i vogël Qendrimi është i fejuar. Selamiu dhe bashkëshortja e tij Shefkatja janë gjyshër të lumtur të dy mbesave (Amla e Anda) dhe katër nipave (Leari, Noari, Blini dhe Lisi).

Vlen të theksohet se të gjithë fëmijët e dr. Selamiut kanë zgjedhur profesionin e mantelbardhit! Vajza e madhe Sebahate Sylejmani Shala, mjeke, Gjinekologe – Obstetre, punon në QKMF në Sharr; Vajza e dytë Shqipe Sylejmani Rexhepi, magjistre e farmacisë; Vajza e vogël, Dorarta Sylejmani Morina, Magjistre e Farmacisë; Djali i madh Leutrimi, mjek në specializim të Dermatovenerologjisë; Bashkëshortja e Leutrimit, Saimja, mjeke në specializim të gjinekologjisë me obstetrikë, ndërsa djali i vogël Qëndrimi është mjek, dhe e fejuara e Qëndrimit, Ela Jonuzi, është studente e Fakultetit të Mjekësisë!

Doktor Selamiun e urojmë për ditëlindjen e tij të 70-të duke i dëshiruar shëndet në radhë të parë, dhe suksese në veprimtarinë e tij shkencore e humane!

Disa histori jete të dr. Selamiut- kuriozitete që nuk harrohen!

I – Më 14.10.1991, organi i përdhunshëm punë-drejtues e largon nga puna, në vazhdën e zbrazjes së institucioneve nga kuadrot e përkatësisë shqiptare. Për mbijetesë, më 15.10.1991, fillon punën në Poliklinikën Ginekos në Prizren. Me përkushtim maksimal e profesionalizëm që nga ajo ditë, asnjëherë, nuk e ka kthyer asnjë paciente pa e vizituar, pavarësisht a ka pasur mundësi të paguajë! Ky profesionalizëm dhe kjo korrektësi shumë herë u vlerësua nga shumë paciente.

II – Në Dragash e konsiderojnë armik i popullit, e burgosin dhe e largojnë nga puna! Në Podujevë dhe fshatrat e komunës së Podujevës, bëhet mjek shumë i vlerësuar dhe i paharruar edhe pas 40 vitesh! Më 13 prill të vitit 1981, gjatë ushtrimit të profesionit të mjekut, arrestohet nga policia dhe me procedurë të shpejtë burgost, për shkak të përkrahjes së demonstratave të marsit të vitit 1981 dhe kërkesës Kosova Republikë. Pas lirimit nga burgu e largojnë nga puna, dhe për një periudhë detyrohet për mbijetesë të punojë punë krahu. Me ndihmën e Dr. Muharrem Avdiut, në atë periudhë drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Podujevë, më 31.08.1982, pranohet në punë në Ambulancën në Orllan. Aty punon deri më 10.01.1983. Populli i Orllanit dhe i fshatrave përreth, si popull i mrekullueshëm që është e mirëpret doktor Selamiun i cili ju shërbente me devotshmëri!

Bota është e vogël! Në vitin 2012, qifti bashkëshortor Strelli – Pollomi, nga Podujeva të cilët edhe përkundër dëshirës 4 vite, ende nuk kishin fëmijë, shkojnë në ordinancën e tij private GINEKOS. Pas këshillave dhe terapisë, zonja G. S. ngel shtatzënë dhe i lindin dy vajza të bukura dhe të mrekullueshme, Rumesa dhe Tara. Pas 10 vitesh, ky çift bashkëshortor ishin shumë mirënjohës dhe së bashku me vajzat i shkojnë për vizitë dhe e falënderojnë doktor Selamiun!

III- Fëmija i parë i dr. Selamiut, Sebahatja, ka lindur më 22.06.1981, ndërsa është  regjistruar zyrtarisht më 10.10.1981, për shkak se në periudhën e lindjes, babai i Sebahates, ishte burgosur nga regjimi dhe ndodhej në burg në Prizren, për shkak të përkrahjes së demonstratave të marsit të vitit 1981 dhe Shpalljes së Kosovës Republikë. Lindja e Sebahates u krye në shtëpinë private të familjes së Selami Sylejmanit, e ndihmuar nga mamia Shefie Tutuli Gashi, për shkak të frikës nga ish regjimi, që lindja e bashkëshortes së një të burgosuri politik të kryhet në institucione publike. Sebahate Selami Sylejmani Shala, tash është e martuar me Burim Shalën nga Prizreni dhe me profesion është mjeke gjinekologe.

IV- Në datat 30 mars – 1 prill 2007, në Lahore të Pakistanit, është mbajtur Konferenca Ndërkombëtare Pakistanezo-Kosovare: PAK – KOSOVA INTERNATIONAL CONFRENCE, me rreth 500 pjesëmarrës nga të gjitha kontinentet. Në këtë Konferencë, Kosova u përfaqësua nga: Zëvendësministri i Shëndetësisë Dr. Fadil Kryeziu. Ligjërues ishin prof. Selami Sylejmani, dhe prof. Sejran Abdushi, ndërsa staf shoqërues Tahir Hoxha (tashmë i ndjerë) dhe Dorarta Sylejmani. Nga Kosova u prezantuan 5 ligjërata. Gjatë këtij aktiviteti shkencor, u bë promovimi i një librit mbi Kosovën, i një autori pakistanez. Pritja e përfaqësueseve të Kosovës në Lahore, u bë nga miku i madh i Kosovës, prof. Syed Amir Gilani. Ishte pritje e ngjashme me një delegacion zyrtar shtetëror, fantastike, e paharrueshme… Kuriozitet: Me rastin e hapjes zyrtare të konferencës, ishte traditë që të intonohen himnet e të dy shteteve. Delegacionit të Kosovës iu kërkua nga organizatori që ta dorëzojnë himnin e shtetit – Kosovës! Mirëpo, Kosova ende nuk ishte shtet i pranuar dhe i njohur. Sikur ta dorëzonim himnin e shtetit të Shqipërisë, ai mund të njihej nga ndonjë i pranishëm dhe të mund të na paraqiste ndonjë telashe të pa planifikuar. Atëherë, të gjithë u dakorduan dhe nga interneti e shkarkuan këngën  “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë” që njihej si himni dardan dhe për herë të parë në një aktivitet zyrtar në mes dy Shoqatave të dy shteteve, u intonua zyrtarisht himni i Dardanisë! Të gjithë të pranishmit u ngritën dhe qëndruan në shenjë nderimi, gjatë antonimit. Ishte ndjenjë që nuk përsëritet!

 

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-