Dragash – Nusja punësohet në shkollën, drejtor ka vjehrrin e saj

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Drejtoria e Arsimit në Dragash, sot e ka shpallur fituesen e konkursit për mësim klasor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ilmi Bahtijari”, në fshatin Zaplluxhë.

Fituese është shpallur Shahindere Ramadani, e cila drejtor do ta ketë vjehrrin e saj, ndërsa babai i saj ishte ish-drejtor i Arsimit në komunë.

Disa ditë para se të shpallej rezultati përfundimtar, gazeta JnK ka pranuar ankesë nga një kandidate me pretendimin që ky konkurs është planifikuar për të rehatuar nusen e drejtorit të shkollës, familja e të cilës ka lidhje politike me Partinë Demokratike të Kosovës që edhe e udhëheq këtë komunë.

Kandidatja e cila nuk ka dashur t’i bëhet emri publik, tha për gazetën JnK, se Shahindere Ramadani e cila e ka fituar konkursin është e reja (Gruaja e të birit)  e drejtorit të shkollës Naser Meleqi dhe se babai i saj Hajri Ramadani ka qenë ish drejtor i Arsimit në komunë mandatin e kaluar.

“Ka pas edhe më të mirë në konkurs. Përderisa e ka vjehrrin drejtor të shkollës, babain ish drejtor të arsimit kjo na lë me dyshu që me ndikime politike ka arrit të del e para në rezultate”, tha ajo.

Pas këtyre pretendimeve, gazeta ka kontaktuar me fituesen e konkursit, Shahindere Ramadani.

Ajo nuk i ka mohuar pretendimet e palës ankuese duke thënë se babai i saj ka qenë ish-drejtor i Arsimit dhe se vjehrri i saj është drejtor i shkollës ku ka konkurruar. Ajo tha se edhe babai edhe vjehrri kanë lidhje politike me PDK-në.

Ndërsa, ka treguar edhe shkollimin e saj.

“E kam përfundu Fakultetin e Edukimit, programin fillor në Universitetin e Prishtinës”, tha ajo.

Por, lidhjet politike me PDK-në nuk i ka pranuar vjehrri i saj Naser Meleqi.

Ai pasi e konfirmoi që Shahindere Ramadani është nusja e djalit të tij, tha se ka qenë kryetar i degës së AAK-së në Dragash, subjekt i cili është në koalicion qeverisës me PDK-në.

Sa i përket konkursit Meleqi tha se nuk ka ndikuar në punësimin e nuses së djalit të tij.

“Me Shahindere Ramadani kam lidhje familjare është nusja e djalit tim. Konkursi është hap pasi me 24 prill shkon në pushim të pleqërisë një punëtor i kësaj shkolle. Unë kam qenë kryetar i degës së AAK-së në Komunën e Dragashit”, tha ai.

Gazeta ka kontaktuar edhe me drejtorin e Arsimit në Komunën e Dragashit, Vloran Cenaj.

Ai tha për gazetën JnK, se  konkursi është hapur në bazë të kërkesave për rekrutim duke treguar se një punëtor shkon në pension dhe se pozita e tij duhet të zëvendësohet.

“Konkursi është hap në bazë të kërkesave për rekrutim. Dikush ka shkuar në pension dhe tash është hap vend i punës për mu zëvendësuar”, tha Cenaj duke mohuar se konkursi është hapur për të rehatuar familjaren e drejtorit.

Ndryshe, Kandidatët e pakënaqur me rezultatet e shpallura, mund të bëjnë ankesë me shkrim në DKA -Komisionin për ankesa, brenda 8 ditëve nga data e shpalljes së këtij Vendimi.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-