Dragash: Suksesshëm vazhdojnë traditën me dele

Opoja.net Opoja.net Opoja

Mbajtja e kafshëve të imta, sidomos e deleve, po tregohet mjaft e suksesshme për shumë fermer. Shumica e blegtorëve, që merren me kultivimin e deleve, tregojnë se krahas prodhimit të qumështit dhe llojeve të ndryshme të djathërave, ata përfitojnë edhe nga shitja e qengjave, që kohëve të fundit hapja e restauranteve të ndryshme në vend ka bërë që kërkesa për qengja të rritet edhe më shumë. Krahas kësaj, fermerët e Sharrit po vazhdojnë ta ruajnë traditën për mbarështimin e deleve të racës autoktone të Sharrit.

Njëri nga këta blegtorë është edhe Xhezair Kolloni, nga fshati Kosavë, i komunës së Dragashit, i cili po ia sheh hairin kësaj veprimtarie, e cila sipas tij viteve të fundit ka shënuar rritje. Ai tregon se aktualisht ka 500 krerë dele, ku vetëm prodhimtaria vjetore e djathit të Sharrit thotë se arrin në 700 kilogramë. Kolloni thotë se janë duke e vazhduar traditën familjare të mbajtjes së deleve dhe se nga viti në vit po investojnë në rritjen e madhësisë së kopesë dhe përmirësimin e kushteve të mbarështimit. “Në fermën time kam 500 krerë dele, me një prodhimtari vjetore mjaft të madhe si të qumështit, djathit të Sharrit, djathit të bardhë të deleve si dhe shumë produkte të tjera”, tha blegtori Kolloni për portalin “Ferma Ime”. Ai ka treguar se aktualisht ka 250 qengja, derisa pjellshmërinë tek delet e ka 1.90.

Përveç prodhimit të qumështi dhe shitjen e djathërave, Xhezair Kolloni, thotë se fiton mjaft edhe nga shitja e qengjave neper restauronte, të cilat e shërbejnë mishin e qengjit. “Po përveç që kemi shitje të mirë të djathit të Sharrit dhe djathit të bardhë të deleve, ne kemi fitime të mira edhe me shitjen e qengjave ku aktualisht i shesim në restaurantin ‘Kështjella’ në Malishevë, pasi që ata i marrin qengjat për mish dhe jemi mjaft të kënaqur me shitjen që e realizojmë”, tregon ai.

Ky fermer ka treguar se mbarështimin e deleve e bënë me desh të racës gjermane, të cilët janë treguar mjaft të suksesshëm sipas tij, si në pjellshmëri e po ashtu edhe në rritjen e prodhimtarisë së qumështit.

Xhezair Kolloni nga Kosava e Dragashit, thotë se është përkrahur vazhdimisht që nga viti 2007 nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me nga 10 euro për krerë të deleve, derisa pret tash që përkrahja të jetë edhe më e madhe. Ai tregon se për çdo vit bënë rritjen e shtimit të krerëve të deleve për 200 krerë.

Edhe blegtori Can Rugova, nga Xërxa e Istogut, thotë për portalin “Ferma Ime”, se kjo veprimtari po tregohet mjaft fitimprurëse për të. Rugova thotë se shitjen e qengjave dhe deleve e ka bërë tash së fundmi për Festën e Kurban Bajramit, por ai tregon se ka raste kur blejnë qengja edhe shumë qytetarë që dalin nëpër bjeshkë me familjet e tyre.

“Aktualisht kam 190 dele të mëdha dhe 24 qengja. Për festën e Kurban Bajramit i kam shitur 110 copë, jam ndarë mjaft i kënaqur me shitjen e tyre”, thotë Rugova, për portalin “Ferma Ime”.

Ky fermerë thotë se pavarësisht se merr përkrahje nga Ministria e Bujqësisë në formë të subvencioneve, konsideron se ato duhet të jenë më të mëdha, pasi me rritjen e mbështetjes, ai thotë se do të rritet edhe numri i deleve. “Kam plane për shtimin e krerëve të deleve por njëherë nuk kam mundësi financiare, nëse rritet përkrahja bashkë me të do të rritet edhe numri i deleve”, ka thënë Can Rugova nga Xërxa e Istogut.

Në anën tjetër, eksperti i turizmit, Zekë Çeku, i cili merret me organizimin e ofertave turistike për të huajt, thotë se kohë pas kohe në ofertat e tyre kanë edhe mish qengji. “Në ofertat tona për turistët e huaj të cilët e vizitojnë vendin tonë, mish qengji u ofrojmë vetëm në pranverë, kur janë me të vegjël dhe të freskët “, ka treguar Çeku për “Ferma Ime”. Ai thotë se sipas kërkesës, për turistët që janë mësuar me këtë mish, u ofrojnë çdoherë edhe këtë shërbim me shumë kënaqësi.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë edhe sivjet ka subvencionuar fermerët, të cilët mbarështojnë dele qumështore në të gjitha fazat e prodhimtarisë së qumështit. Vlera e subvencioneve është 10 euro për krerë, për të gjithë fermerët që mbarështojnë 30 e më shumë krerë dele.

 

(Opoja.net)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-