Dragashi e Mamusha, komunat më pak transparente

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Në fokus të “Transparometrit Komunal” të prezantuar nga Instituti Demokratik i Kosovës për periudhën gjashtëmujore janar-qershor 2015 janë gjithsej 11 komuna të Kosovës.

Sipas një njoftimi të KDI, thuhet se komunat si Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Suhareka, Deçani, Graçanica, Rahoveci, Malisheva, Dragashi dhe Mamusha u vlerësuan objektivisht në bazë të indikatorëve që vlerësojnë transparencën e komunave në katër shtyllat themelore të qeverisjes lokale si: Zyra e Kryetarit/es, Kuvendi i Komunës, Financat e Komunës dhe Transparenca e Komunës në Konsultime me Publikun

“Vlerësimi vë në pah vlera krahasuese për 6 nga 11 komunat e përfshira në hulumtim. Komunat si Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Deçani dhe Graçanica ishin vlerësuar edhe për periudhën paraprake prill-shtator 2014. Rezultatet tregojnë që disa komuna kanë avancuar, por disa edhe kanë pësuar regres në transparencë”.

Sipas KDI, Komuna e Prishtinës ka shënuar rritje sa i përket nivelit të transparencës, prej 55.7% sa ishte vitin e kaluar në 70.8 % në gjashtëmujorin e këtij viti. Ndërsa Komuna e Gjakovës, e cila në Transparometrin e kaluar kishte pikë maksimale dhe ishte vlerësuar si komuna më transparente (76.4%), për këtë periudhë indeksi tregon për rënie të nivelit të transparencës (64.5 %). Më mirë nuk qëndron as Komuna e Prizrenit, e cila nuk ka shënuar ndonjë përmirësim dhe nuk ka reflektuar nga rekomandimet që KDI i ka adresuar vitin e kaluar.

“Në Komunën e Prizrenit, performancë më të mirë del të ketë Zyra e Kryetarit (me gjithsej 20 nga 35 pikët e mundshme), e pasuar nga Komuna e Suharekës me 15.7 pikë, ajo e Rahovecit me 14.3 pikë, e Malishevës me 14.0 pikë, Komuna e Dragashit me 6.7 pikë dhe Komuna e Mamushës me vetëm 4 pikë. Naim Cahanaj nga KDI ka shpalosur detaje të indeksit të transparencës për gjashtë komunat e regjionit të Prizrenit. Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka treguar rezultatet më pozitive sa i përket transparencës së këtij institucioni (21.7 nga 35 pikët e mundshme), pasuar nga Komuna e Malishevës me 19.3 pikë, Komuna e Prizrenit me 19 pikë, Komuna e Suharekës me 18.0 pikë, Komuna e Dragashit me 13.7 dhe Kuvendi Komunal me nivelin më të ulët të transparencës është ai i Mamushës me 13 pikë”.

Sipas KDI-së, Transparenca Financiare është një kategori tjetër në bazë të të cilave janë renditur komunat.

“Rahoveci prinë në regjionin e Prizrenit për nga transparenca financiare (me 17 nga 35 pikët e mundshme), përcjellë nga Malisheva me 9.3 pikë, Komuna e Mamushës me 6 pikë, Komuna e Prizrenit dhe Suharekës me nga 5 pikë, dhe Komuna e Dragashit me 3 pikë”.

KDI vlerëson më tej se komunat kanë treguar performancë të ndryshme lidhur me transparencën në Konsultimet me Publikun.

“Malisheva prin me 16.3 pikë nga 35 pikë të mundshme, pasuar nga Komuna e Prizrenit me 11 pikë, Komuna e Suharekës me 9 pikë, Komuna e Mamushës me 4.7 pikë, Komuna e Dragashit me 4.3 pikë dhe Komuna e Rahovecit me vetëm 4. Pikë”.

Më tej shtohet se vlerësimi i përgjithshëm që përmbledh performancën e komunave bazuar në 44 indikatorët në të cilët mbështetet ky indeks, nxjerr edhe komunën më transparente (nga 11 komunat pjesëmarrëse) që është ajo e Prishtinës me 70.8%. Komunat që pasojnë janë ajo e Gjilanit me 66.7%, Gjakovës 64.5%, Deçanit 51.2%, Malishevës 42.1%, Rahovecit 40.7%, Prizrenit 39.3%, Graçanicës 35.0%, Suharekës 34.1%,. Me nivel të ulët të transparencës kanë rezultuar Dragashi dhe Mamusha me vetëm 19.8%. (Telegrafi)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-