DUAJA

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Duaja/lutja, është thelbi i devotshmërisë dhe i jetës së adhurimit. Në fakt, një nga gjërat që pëlqen më shumë Allahu i Madhëruar, është që robi t’i ngrejë duart drejt Tij duke qenë i vetëdijshëm për gjendjen e vet të dobët dhe t’i lutet e t’i përgjërohet Atij. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e dënon atë njeri që nuk i afrohet duasë dhe nuk kërkon asgjë prej Tij. Lidhur me këtë, në një ajet fisnik urdhërohet:

“Thuaj: «Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj…»” (Furkan, 77)

Duaja është çelësi i dyerve të mëshirës, arma e besimtarit, shtylla e fesë dhe drita e tokës dhe e qiejve. Kujt i janë hapur dyert e duasë, do të thotë se atij i janë hapur dyert e mirësisë, urtësisë dhe mëshirës. Kush dëshiron që duaja e tij të pranohet në kohë të vështira, duhet të bëjë shumë dua në kohët kur është rehat dhe ka bollëk. Shpirtra të mëdhenj, janë ata që e bëjnë jetën e tyre gjithmonë të bazuar mbi duanë.

Prej duave të Resulullahut (a.s.):

Nëna jonë Ummu Seleme (r.anha.), është pyetur:

“O nëna e besimtarëve! Cilën dua ka bërë më shumë i Dërguari i Allahut kur ka qenë pranë jush?” Ajo u përgjigj:

“Shpeshherë, lutej duke thënë: «O Zoti im që i kthen zemrat nga një gjendjen në tjetrën! Bëje zemrën time të qëndrueshme në fenë Tënde!»”

***

Njëherë, kur i Dërguari i Allahut (a.s.), po bënte haxhin dhe gjendej në “vakfe”, me njërën dorë mbante frerët e devesë, ndërsa dorën tjetër e ngriti dhe bëri një dua të gjatë ku shprehte devotshmërinë dhe ndjeshmërinë e jetës së zemrës së tij. Një pjesë e kësaj duaje është kështu:

“O Zot! Qofsh i falënderuar ashtu siç urdhëron Ti dhe më tepër se sa mund të themi ne! O Allah! Namazi, adhurimi, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Ty! Kthimi im është vetëm tek Ti!

O Allah! Strehohem tek Ti prej dënimit të varrit, prej vesveseve që tundojnë zemrën dhe prej hallakatjes së punëve!

O Allah! Më jep dritë në syrin tim, në veshin tim dhe në zemrën time! O Allah! Zgjeroma gjoksin dhe ma lehtëso punën! O Allah! Strehohem tek Ti prej kthimit të shëndetit në sëmundje, prej dënimit që vjen papritur dhe prej zemërimit Tënd! O Allah! Më udhëzo në rrugë të drejtë dhe më fal të shkuarën dhe të ardhmen time!

O Zoti im që ngre gradat, që pakëson begatitë, që ke krijuar qiejt dhe tokën! Zërat gufojnë në lloj-lloj gjuhësh dhe ngrihen drejt Teje, duke kërkuar prej Teje! Dhe ajo që dua unë, është që Ti të më kujtosh në këtë botë sprovash ku banorët e saj më kanë harruar!

O Allah! Ti e dëgjon fjalën time, e sheh vendin ku ndodhem dhe di gjithçka të fshehtë e të hapur që kam! Asnjë prej punëve të mia nuk është e fshehtë ndaj Teje! Unë jam pa rrugëzgjidhje dhe i varfër. Prej teje kërkoj ndihmë dhe siguri! Kam frikë dhe i pranoj të metat e mia! Ashtu siç kërkon një njeri pa rrugëzgjidhje ashtu kërkoj edhe unë prej Teje! Ashtu siç të përgjërohet një gjynahqar i mjerë, ashtu të përgjërohem edhe unë! Ashtu si një rob që lutet kokulur para Teje, që i rrjedhin lot nga sytë për Ty, që sakrifikon gjithçka në rrugën Tënde dhe që e vendos fytyrën e vet në tokë për Ty, ashtu të lutem edhe unë Ty!

O Zoti im! Mos më privo nga pranimi i lutjes sime! Ji i butë dhe i mëshirshëm me mua o Ti më i miri prej atyre që u kërkohet diçka dhe më bujari i atyre që japin!” (Ibn Kethir, el-Bidaje, V, 166-168.)

***

Ebu Umame (r.a.), thotë:

I Dërguari i Allahut (a.s.), ka bërë shumë dua. Mirëpo, ne nuk arritëm të mësonim ndonjë gjë përmendësh prej tij. Për këtë arsye, i thamë:

“O Resulullah! Keni bërë shumë dua, por nuk arritëm t’i mësonim përmendësh.” Atëherë, i Dërguari i Allahut (a.s.), tha:

“A t’ju mësoj një dua që i përmbledh në vete të gjitha ato dua? Thoni kështu:

«O Allah! Edhe ne dëshirojmë të gjitha mirësitë që ka kërkuar Profeti Muhammed (a.s.) prej Teje. Edhe ne strehohemi tek Ti prej atyre të këqijave që është strehuar Profeti Muhammed (a.s.). Ndihma pritet vetëm prej Teje. Ti je Ai që do t’ia plotësosh dëshirat robit në dynja dhe në ahiret. Forca për t’u larguar prej gjynahut dhe fuqia për të kryer adhurime fitohet vetëm me ndihmën e Allahut.»” (Tirmidhi, Deauat, 88/3521.)

***

Enesi (r.a.), tregon:

“I Dërguari i Allahut (a.s.), vizitoi një të sëmurë, i cili ishte dobësuar jashtë mase dhe e pyeti: «A i je lutur Allahut për ndonjë gjë ose a i ke kërkuar Atij diçka?» I sëmuri tha, po unë i lutem Allahut kështu: «O Allah! Dënimin që do të ma japësh në botën tjetër, ma jep në këtë botë!» Kur dëgjoi këtë, i Dërguari i Allahut tha:

«Subhanallah! Ti nuk mund ta përballosh këtë. A nuk do të ishte më mirë të luteshe kështu: “…Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit) (Bekare, 201)»

Pas kësaj, njeriu u lut në këtë mënyrë dhe u shërua. (Muslim, Dhikr, 23; Tirmidhi, Deauat, 71/3487.)

Prej duave të sahabëve:

Një sahab i quajtur Ebu Mi’lak, merrej me tregti duke bërë ortakëri me të tjerët. Ai ishte njeri i drejtë dhe i devotshëm. Njëherë, kur kishte dalë për udhë, i preu rrugën një hajdut i armatosur, i cili i thotë:

“Nxirr çfarë ke, sepse do të të vras!” Ebu Mi’lak tha:

“Nëse qëllimi yt është malli, merre!” Hajduti tha:

“Unë dua vetëm jetën tënde!” Ebu Mi’lak tha:

“Atëherë më lejo të fal një namaz.” Hajduti tha:

“Fal sa të duash!” Ebu Mi’lak (r.a.), pasi fali namazin bëri këtë dua:

“O i dashuri i zemrave! O Sunduesi i Arshit të Lartmadhëruar! O Zoti im që bën çfarë dëshiron! Për hir të Fisnikërisë Tënde të pashoqe, të Sundimit Tënd të paarritshëm dhe të nurit që mbulon Arshin Tënd, kërkoj të më mbrosh prej së keqes së këtij (hajduti)! O Zoti im më ndihmo!”

Ebu Mi’lak e përsëriti tre herë këtë dua. Dhe, sapo e mbaroi duanë, u shfaq një kalorës që e mbante heshtën në lartësinë e veshit dhe e vrau hajdutin. Më pas, ky sahab i cili shpëtoi me mirësinë e Allahut, e pyeti kalorësin: “Kush je ti? Allahu më shpëtoi në sajin tënd!”

Kalorësi u përgjigj:

“Unë jam prej banorëve të katit të katërt të qiellit. Kur bëre duanë për herë të parë, dëgjova kërcitjen e dyerve të qiellit. Kur bëre duanë për herë të dytë, dëgjova zhurmat e banorëve të qiellit. Kur e bërë për herë të tretë, u tha: «Po lutet dikush që është në vështirësi!». Sapo dëgjova këtë, i kërkova Allahut të më ngarkonte me detyrën e vrasjes së këtij hajduti. Allahu ma pranoi dëshirën dhe unë erdha. Dije se, kush merr abdest, fal katër rekate namaz dhe bën këtë dua, ajo do të pranohet, qoftë ose jo në vështirësi.” (Ibn Haxher, el-Isabe, IV, 182.)

Prej duave të të parëve tanë të mirë:

Një pjesë prej duave që kanë bërë të parët tanë të mirë në Arafat janë edhe këto:

“O Zot! Kush mund ta lavdërojë veten përpara Teje? O Zot! Gjuha më është mekur prej gjynaheve dhe unë nuk kam as një vepër të vlefshme që ta paraqes Ty, e asnjë ndërmjetës tjetër përveçse të shpresoj për mëshirën Tënde! O Zot! E di se për shkak të të metave të mia, nuk kam as pozitë tek Ti, e as fytyrë të të kërkoj falje! Mirëpo Ti je më Bujari i bujarëve! O Zot! Edhe nëse nuk e meritoj mëshirën Tënde, ajo mund të më arrijë mua! Sepse mëshira Jote është aq e gjerë sa kaplon gjithçka! O Zot! Sado i madh të jetë gabimi im, ai mbetet i vogël pranë faljes Tënde! Falmi ato o Zoti im Bujar!

O Zoti im! Nëse Ti do të falësh vetëm robërit e Tu të bindur, ku të shkojnë e të strehohen gjynahqarët? Zoti im! Nëse Ti do të mëshirosh vetëm robërit e Tu të devotshëm, prej kujt të kërkojnë ndihmë gjynahqarët?

Unë kam nevojë çdo çast për Ty! Ndërsa Ti nuk ke aspak nevojë për mua! Si Krijuesi im, vetëm Ti mund të më falësh! Më lër të kthehem prej këtij vendi me nevojat e mia të plotësuara, kërkesat e mia të pranuara dhe dëshirat e mia të realizuara!

O Allahu im që posedon nevojat e atyre që kërkojnë! O Allahu im që di se çfarë mendojnë ata që heshtin! O Allahu im që përveç Teje nuk ka zot tjetër prej të cilit pritet ndihmë! O Allahu im që përveç Teje nuk ka krijues tjetër prej të cilit duhet të kemi frikë! O Allahu im që nuk ke roje dere si vezirët, të cilëve mund t’u jepet ryshfet për të hyrë tek ta! O Allahu im, që të shtohet bujaria dhe zemërgjerësia kur shtohen kërkesat dhe të shtohet fisnikëria dhe mirësia kur shtohen nevojat! O Allahu im! Ti e mirëpret çdo mysafir! Dhe ne jemi mysafirët e Tu. Prandaj na mirëprit në xhenetet e Tua!

O Allahu im që dhuron dhe gostit çdo vizitor! I jep shpërblime çdokujt që shpreson shpërblim! Ne kemi ardhur në grup në Shtëpinë Tënde! Qëndruam në vendet e rëndësishme për Ty! U gjendëm në ato vende të begata! Shpresa jonë është të arrijmë shpërblim prej Madhërisë Tënde! Pranoji lutjet tona, o Allah!” (Bejhaki, Shuabu’l-Iman,II, 25, 26.)

Histori

Duaja e Sulltan Muradit

Kur Sulltani Hydavendigar Muradi i I. hyri në luginën e Kosovës më 8 Gusht të 1389, u përball me një furtunë të madhe. Situata u rëndua aq shumë sa sytë nuk shihnin njëri-tjetrin. Atë natë, ishte Nata e Beraetit. Pasi fali dy rekat namaz, Sulltan Muradi u lut kështu duke qarë:

“O Zot! Nëse kjo furtunë ka filluar për shkak të gjynaheve të robit Tënd të dobët, Muradit, mos i dëno ushtarët për shkak të tij!.. O Allah! Ata kanë ardhur deri këtu vetëm për të ngritur lart emrin Tënd dhe për të kumtuar Islamin!

O Zot! Ti më ke dhënë shumë fitore. Gjithmonë m’i ke pranuar duatë. Tani po strehohem sërish tek Ti, prandaj pranoma lutjen! Na sill një shi që ta largojë këtë tym, t’i shohim qartë ushtarët e mohuesve dhe të përballemi me ta!

O Zot! Edhe sundimi, edhe ky rob janë të Tutë! Unë jam një rob i dobët. Ti je Ai që i njeh më mirë qëllimet dhe të fshehtat e mia. Qëllimi im nuk është malli dhe prona, por vetëm kënaqësia Jote!

O Zot! Mos i mposht dhe mos i shkatërro këta ushtarë besimtarë me dorën e mohuesve! Jepu atyre një fitore të tillë, që të gjithë myslimanët të festojnë! Nëse dëshiron, kurbani i asaj dite feste le të jetë robi Yt Muradi!

O Zot! Mos më bëj shkak të shkatërrimit të gjithë këtyre ushtarëve myslimanë! Ndihmoji dhe jepu fitore atyre! Unë e sakrifikoj edhe jetën time për ta… mjafton të më pranosh mes shehidëve!.. Jam i gatshëm ta dorëzoj shpirtin tim për ushtarët e Islamit… Ti më bëre gazi. Tani më fal edhe gradën e shehidit! Amin!..”

Pas kësaj lutje shumë të sinqertë, sulltani filloi të lexonte Kuranin Fisnik me një qetësi të jashtëzakonshme. Pa kaluar shumë, të gjitha këto u realizuan. Mbi fushën e Kosovës ra një shi me rrebesh, era pushoi dhe pluhuri u largua… Pas kësaj filloi sulmi ndaj armikut. Beteja përfundoi me fitoren e myslimanëve pas tetë orë luftimeve. Ndërkohë që Sulltan Muradi po kalonte mes të plagosurve dhe shehidëve në fushën e luftës, një ushtar serb, i cili u ngrit midis kufomave tha:

“Më lini! Dua t’i puth dorën sulltanit dhe do të bëhem mysliman!”

Ky ushtar serb që hiqej si i plagosur, bëri sikur po i puthte dorën sulltanit. Por menjëherë nxori thikën që kishte fshehur nën sqetull dhe ia nguli sulltanit drejt e në gjoks. Në këtë mënyrë, duaja e Sulltan Muradit u realizua plotësisht… (Osman Nuri Topbash, Qytetërimi i Virtyteve, I.)

Urtësi

– Gjatë duasë, gjuha duhet të jetë përkthyese e zemrës, ndërsa orientimi duhet të jetë mbështetëse e duasë. (Osman Nuri Topbash)

– Duaja është një klithmë shprese. (Alfred De Musset)

– Duaja manifestohet në dy mënyra: Ose e largon atë që na frikëson, ose na jep forcë dhe guxim që ta mposhtim atë. (H. E. Posdic)

– Duaja dhe adhurimi, do të thotë të jesh bashkë me Allahun. Për atë që është bashkë me Allahun, edhe vdekja, edhe jeta janë njësoj të bukura. (Mevlana)

– Ata që arrijnë të shijojnë ëmbëlsinë e duasë dhe dashurisë hyjnore, e dinë se sa gjendje e lartë është ëmbëlsia e qëndrimit vetëm për vetëm me Allahun duke iu lutur Atij. (Muslim B. Jesar)

– Duaja bëhet para se të vijë fatkeqësia. Pas ardhjes së fatkeqësisë, nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përveçse ta pranosh dhe të durosh. (Ebu Muhammed Xheriri)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-