Nëna është personi që e bën fëmijën e saj burrë për jetën. Nëna është pasqyra, ndërsa fëmijët e saj drita dhe ngjyrat. Nëna është grusht vuajtjesh dhe simboli i personifikuar i sakrificës. Flatrat e saj janë përherë mbi fëmijët e saj. Nëna është mbështetja dhe loja e parë e fëmijës. Nëna është shembulli dhe shkolla e parë e tij. Fëmija merr nga e ëma mësimet e para, e imiton atë dhe e vë veten e tij në pozicionin e saj. Ka ditë që nëna bëhet ruajtësja e sekretit të fëmijëve, ka ditë që krenohet me ta. Ka ditë që nëna bëhet reja e fëmijës së saj, që lëshon shiun e begatë për të, ka ditë që ajo e edukon ashpër atë duke thënë me vete se “fëmija është i shenjtë, por edukimi i tij është edhe më i shenjtë.” Nëna është jeta, syri dhe veshi i fëmijës që ia ka borxh jetën e tij nënës. Fëmija ka botën e tij në qoftë se ka nënën dhe nuk ka botën e tij, në qoftë se nuk e ka atë. Pra fëmija është gjithçka me nënë dhe asgjë pa të. Një asgjë e madhe. Fëmija lëkundet nga mungesa e nënës së tij, është i trullosur, i frikësuar dhe për të çdo gjë është i pamotivuar. Mëmësia është ndjesia që e bëri Haxheren të vraponte në shkretëtirën e stërmadhe. Nëna e qumështit e Musait në saraje është emri i ndjenjës së fuqishme që e gjunjëzoi edhe vetë faraonin. Nganjëherë nëna purifikohet nga një mëkat i sajuar me anë të Isait që flet në djep, nganjëherë ajo është tema e fermanit hyjnor drejtuar birit të saj, të cilit i thuhet “o në xhenet, o në xhehenem”. Nëna është si kandili që ndriçon veten dhe të tjerët duke u shuar. Zemra e nënës është si ujvarë, por ajo shndërrohet në luaneshë kur fëmija i saj bëhet subjekt i një padrejtësie. Ajo end pak e nga pak të ardhmen e fëmijës së saj në avlëmendin e shpirtit. Ajo e stolis, e zbukuron atë me përpikmërinë e një argjendari duke e përgatitur për jetën.
Çfarë është fëmija në sytë e nënës së saj? Fëmija është një lule e brishtë e livadhit. E ardhmja që pritet me shpresë, e nesërmja që premton të ardhmen. Fëmija është drita e syve të nënës, rrahja e zemrës dhe fryma e jetës. Fuqia që ia mban hapur fletoren e jetës, potanciali që do t’i vërë kurorën mbi kokë. Fëmija është investimi në rininë e saj dhe shpresa e saj në pleqëri. Në kohët e vështira fëmija është bastuni i dorës, drita e syve dhe forca e gjunjëve për nënën. Fëmija është gjithçka për nënën. Fëmija është një fidan, një gjethe, një fryt për nënën. A nuk i ka quajtur edhe dielli i dy botëve “frytat e xhenetit” fëmijët e tij? Pa shiko se çfarë e urdhëron Zoti fëmijën e prindërve të tij kur i thotë me anë të sures Isra: “Shtrij krahët e mëshirës për prindërit e tu dhe thuaj: ‘Zoti im! Mëshiroji ata të dy ashtu siç më kanë mëshiruar dhe u jam dhimbsur edhe unë atyre kur kam qenë i vogël.” Në çfarë mënyre madhështore që e ka shprehur Zoti. Në çfarë mënyre të qartë dhe haptazi na kanë ftuar të lutemi me këto ajete të madhërueshme.
Prandaj të dashur miq, ne duhet të vëmë gishtin mbi këtë të vërtetë: Në qoftë se fëmija për nënën dhe nëna për fëmijën e saj janë kaq të vyer dhe të rëndësishëm, si është e mundur që me kalimin e kohës kjo dashuri dhe ndjeshmëri dobësohet dhe shkatërrohet? Si ndodh që fëmijët nuk u shërbejnë më prindërve të tyre dhe e konsiderojnë marifet që mos t’u binden atyre? Ka fëmijë që nis t’u duket angari mbulimi i shpenzimeve të prindërve të tyre dhe nis t’u duket si torturë kjo gjë. Si arrin fëmija që t’ia prishë zemrën nënës së tij, duke iu bindur kështu egos dhe shejtanit, ndërkohë që ajetet e Zotit e kanë urdhëruar atë që “mos t’u guxojë t’i thotë as Uf! prindërve të tij? Vërtet që e kam të vështirë të gjej përgjigjen e këtyre pyetjeve.
Ejani miqtë e mi! Rishikojini edhe një herë marrëdhëniet me prindërit tuaj, në qoftë se ata janë gjallë. Mos harroni se ua keni borxh atyre ekzistencën tuaj! Bëni gara se kush do të arrijë të jetë më shumë respektues për prindërit e tij. Merreni duanë e tyre dhe gëzojuani zemrat. U këshilloj me këmbëngulje të arrini të merrni duanë e nënës suaj “me meritë”. Duaja e nënës suaj është kapitali më i madh për ju. Mos i merrni këto fjalë si ofshamat e një vajze të mbetur pa njeri, por si klithmën e fortë të një evladi për nënën e vet. Pa dyshim që hadithi profetik na ka mësuar se nëna ka tri herë përparësi ndaj babait, por nuk duhet të harrojmë që t’u shërbejmë edhe baballarëve tanë, sepse vetë i Dërguari i Allahut, (a.s.), ka thënë se: “Lutja e babait për evlatin e tij është si lutja e Profetit për ymetin e tij.” Mos të harrojmë që të bëjmë dua me fjalë dhe me vepra për këto dy krijesat më të mira për ne në të gjithë gjithësinë. Veproni dhe bëni diçka për ta para se të jetë shumë vonë, para se të pendoheni për këtë gjë, një gjë që është e prekshme. Në qoftë se tani është vonë, sepse ata janë nisur për në udhëtimin e përjetshëm, atëherë kujtojini ata përherë me lutjet më të mira.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.