E kur atyre u thuhet: “Jepni nga ato që ju ka dhënë Allahu”…

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

E kur atyre u thuhet: “Jepni nga ato që ju ka dhënë Allahu”, atëherë mohuesit u thonë besimtarëve: “Pse, ne do t’i ushqejmë ata që, po të donte Allahu, do t’i ushqente Vetë? Ju jeni vërtetë në humbje të qartë.

Ka mendime të ndryshme për shkakun e shpalljes së këtij ajeti. Ibn Abasi r.a. thotë: “Në Mekë kishte jobesimtarë që, kur urdhëroheshin të japin sadakanë, thoshin“Jo pasha Zotin! Si t’i ushqejmë ne, kur Allahu nuk i ka ushqyer?”;I dëgjonin besimtarët që veprat e tyre i lidhnin me dëshirën e Zotit duke thënë: “Nëse do të donte Allahu, atë do ta bënte të pasur, nëse do të donte Allahu, atë do ta bënte të fortë… !”;  dhe fillonin t’i përqeshin besimtarët duke shfrytëzuar këto fjalë.” (Zemahsher, 4/19, Kurtubi, 1996: 15/40).

Hasan El-Basriu r.a. mendon se kjo ka të bëj me çifutët. Kur Allahu i Madhërishëm urdhëroi ndihmën ndaj të varfërve, ata nga kokëfortësia dhe koprracia e madhe, u përgjigjën në këtë mënyrë (Alusi, 1985: 23/30).

Disa komentues të Kur’anit përmendin se Ebu Bekri r.a. i ushqente myslimanët e varfër. Njëherë e takoi Ebu Xhehli dhe i tha: “O Ebu Bekr, a nuk thua ti se Allahu mund t’i ushqej këto të varfër?!”; Ai u përgjigj: “Po, ashtu them.”; Ebu Xhehli përsëri e pyeti: “Atëherë, pse nuk i ushqen?!”; Ebu Bekri r.a. iu përgjigj: “Ndonjërin e ka sprovuar me varfëri, kurse ndonjërin me pasuri. Të varfrit i ka urdhëruar me durim, ndërsa të pasurit me ndarjen e sadakasë.”; Ebu Xhehli tha: “Pasha Zotin, ti je në humbje! Ku është logjika e kësaj që thua se Allahu është i aftë t’i ushqej të varfrit, ndërsa Ai nuk i ushqen, por ti!?” (Kurtubi, 1996: 15/40). Pas kësaj u shpallën këto ajete: “Për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai)dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimin).” (El-Lejl, 5-6).

Llukman Hekimi a.s. kur kalonte pranë të pasurve thoshte: “O përjetues të kënaqësive, mos harroni kënaqësinë e përjetshme!” ndërsa kur kalonte pranë të varfërve thoshte: “Ruajuni që të mos vuani dy herë!” (Ismail Hakki: 7/408). Pra, i përkujtonte të pasurit se kënaqësia e tyre është fryt i mëshirës së Allahut dhe i këshillonte të mos harrojnë se kanë mundësi, duke i ndihmuar të varfrit të arrijnë kënaqësinë e përjetshme-Xhennetin. Të varfrit i paralajmëronte se nëse vuajnë në këtë botë, të durojnë, që të mos vuajnë edhe për së dyti-në ahiret. I këshillonte që me anë të durimit dhe devotshmërisë të fitojnë kënaqësinë e përhershme-kopshtet e Xhennetit.

Ali ibn Ebu Talibi r.a. thotë: “Kapitali i kësaj bote është pasuria, ndërsa kapitali i ahiretit janë veprat e mira, dhe Allahu i ka përmbledhur dhe i ka bërë të arritshme për njerëzit!”(Zemahsheri: 4/19; Kurtubi 1996: 15/40). Me këtë dëshirohet të tregojë se njerëzit e mençur shfrytëzojnë mjetet e kësaj bote për arritjen e veprave të mira që do të rezultojnë me përfundim të lumtur në botën tjetër. Lum për atë që ka në këtë botë, ndërsa u ndanë edhe të tjerëve, pra nëpërmjet kësaj bote fiton ahiretin.

Dijetari i njohur, El-Fudajli, i nxiste të pasurit të shoqërohen dhe t’u ndihmojnë të varfërve që në këtë mënyrë t’i ndihmojnë vetes-në ahiret, kurse të varfërve në këtë botë. Ai thoshte:“Kush dëshiron të jetë i nderuar dhe i respektuar në ahiret, le të shoqërohet gjithmonë me të varfrit!” (Zemahsheri: 4/19; Kurtubi, 1996: 15/40).

Shih se sa mrekullueshëm… Zoti i botëve ua ka ndarë riskun robërve të Vet. Për të gjithë ka mjaftueshëm të jetoj një jetë të këndshme, por me kusht të ndjek udhëzimet e Tij. Nëse të pasurit do të ndanin, të varfrit nuk do të vuanin. Nëse ka të varfër, ja pra, shpresë edhe për të pasurit: u hapen mundësitë e ndarjes dhe kështu fitojnë kënaqësinë e përjetshme.

Mirësia e Allahut ndaj të pasurve është ekzistimi i të varfërve, ndërsa mirësia ndaj të varfërve është ekzistimi i pasanikëve. Problemi mund të shfaqet atëherë kur pasanikët nuk kryejnë obligimet e tyre, siç vepruan idhujtarët në Mekë, të cilët  përveç se treguan kokëfortësinë dhe mendjemadhësinë ndaj fesë së Zotit,  treguan edhe pandjeshmërinë dhe ashpërsinë e zemrave të tyre kur nuk pranuan t’i ushqejnë të varfrit. Kjo është simptoma më e madhe e pandjeshmërisë, kokëfortësisë dhe kryelartësisë së tyre.

Pikërisht, në obligimin e ndarjes dhe ndihmës ndaj të varfërve shfaqet besimi i vërtetë i një personi. Mu për këtë idhujtarët ato që u ndalin në ndihmë të varfërve i quajnë të humbur. O Zot, sa i mjerë është njeriu! Të mirat i mohon kurse të shëmtuarat i pranon dhe vepron sipas tyre.  Nëse vetëm pak do të mendonim, do të shihnim se  në këtë mënyrë veprojnë mijëra njerëz të kohës sonë. Le të analizojmë pak dhe do të bindemi në këtë.

Përktheu: Arsim Dauti

(Islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-