Edhe legjenda e Bayernit kandidat për ta drejtuar Kosovën

Opoja.net Opoja.net Uncategorized

Edhe legjenda e Bayern Munichut, Thorsten Fink, është kandidat për ta drejtuar Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Kështu ka mësuar KOHA, të mërkurën, nga burimet brenda Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). FFK-ja e ka në listë gjermanin Fink për t’ia besuar postin e shefit të shtabit teknik të “Dardanëve”. Në FFK thonë se ende nuk kanë vendosur për pasardhësin e zviceranit Bernard Challandes, që u largua javën e shkuar. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka theksuar se për selektor të ri të Kosovës, do të vendosin vitin e ardhshëm.

“Nuk është temë tani selektori. Besoj se para ndeshjeve të marsit do të dihet se cili do ta drejtojë Kosovën”, ka thënë shkurt Ademi për KOHËN.

Fink është 53-vjeçar, ndërsa së fundi ka punuar te skuadra japoneze Vissel Kobe, ku ka fituar Kupën e Perandorit në vitin 2019, si dhe Superkupën e Japonisë vitin e kaluar. Te Vissel Kobe ka punuar me legjendën e Barcelonës dhe Spanjës, Andres Iniestan, që është ende futbollist aktiv te kjo skuadër. Më herët, Fink si trajner ka qenë edhe te Grasshoppersi në Zvicër. Në Zvicër, ai ka punuar edhe te Baseli, nga viti 2009 deri në vitin 2011, ku ka fituar dy tituj rresht të kampionit. Atëbotë, lojtarë të Baselit ishin Xherdan Shaqiri, Granit dhe Taulant Xhaka. Fink, si trajner i parë, ka qenë edhe te juniorët e Red Bull Salburgut, pastaj ka udhëhequr ekipin e parë të Ingolstadtit dhe Hamburgut në Gjermani, përpara se të jetë në krye të APOEL Nicosias dhe Austria Vjenës, ekip që e drejtoi prej vitit 2015 deri në vitin 2018.

Karrierë të madhe, Finka ka bërë edhe si futbollist. Vlerësohet si legjendë te Bayern Munichu, ku në 150 ndeshje, si mesfushor, ka shënuar katër gola nga viti 1997 deri në vitin 2003. Me Bayernin ka fituar katër tituj të kampionit dhe tri kupa të Gjermanisë, pastaj Ligën e Kampionëve dhe Kupën Interkontinentale. Ka luajtur edhe për Wattencheidin dhe Karlsruherin. Një ndeshje e ka luajtur në vitin 1989 për U21 të Gjermanisë Perëndimore.

Kosovës deri në fund të ciklit të dytë kualifikues për Kampionatin Botëror “Katari 2022” i ka mbetur edhe një ndeshje për ta zhvilluar, me Greqinë që luhet më 14 nëntor në Athinë. Para ndeshjes kundër Greqisë, më 11 nëntor, Kosova luan miqësore në Prishtinë ndaj Përfaqësueses së Jordanisë. Në këto dy ndeshje, Kosovën do ta drejtojë ndihmësi i parë i Challandesit, slloveni Primozh Gliha.

Gliha është vlerësuar një prej kandidatëve më seriozë për ta pasuar Challandesin në postin e përzgjedhësit. Gjermani Felix Magath është një kandidat tjetër i përfolur.

Magath e Gliha mund t’i bashkojnë forcat në tentim për ta shtyrë para zhvillimin e përfaqësueses së Kosovës. Një mundësi të tillë e ka paralajmëruar vetë slloveni 54-vjeçar, që më herët ishte përzgjedhës i Sllovenisë U21. Ai ka paralajmëruar se do të jetë ndihmës i Magathit në shtabin e ri teknik të Kosovës. Pra, sipas Glihas, FFK-ja do t’ia besojë drejtimin e përfaqësueses gjermanit 68-vjeçar, Magathit. Kandidat është edhe Alexander Frei. Prej zviceranëve, kandidat vlerësohet edhe Martin Andermatt.

“Jam te Kosova për afro një vit. Kam rol të veçantë në stafin profesional. Në futboll, njerëzit shikojnë nga kënde të ndryshme. Deri vonë, ata kanë pasur një staf profesional zviceran, por që ka shkuar. Jemi pajtuar që unë të udhëheq në dy ndeshjet e ardhshme. Më pas ata duan të sjellin Felix Magathin dhe të më përfshijnë mua në stafin e tij profesional”, ka thënë Gliha, të martën për sajtin slloven “24ur.com”.

Pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara, Kosova zë vendin e fundit në Grupin B kualifikues me katër pikë, sa i ka edhe Gjeorgjia që është e parafundit. Grupit i prin Suedia me 15 pikë, e përcjell nga Spanja (13) e Greqia (9). Pas kualifikimeve për Botërorin e vitit të ardhshëm, Kosova do të nisë garat në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Faza e grupeve e Ligës së Kombeve fillon më 2 qershor dhe përfundon më 27 shtator të vitit të ardhshëm. Kosova është në Ligën C edhe për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Kualifikimet e rregullta për Evropianin e vitit 2024 zhvillohen nga marsi i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-