Njeriu është një enigmë, që jeton midis ahsen-i takuim[1] dhe esfel-i safilin[2], midis devotshmërisë dhe gjynahut dhe midis baticave dhe zbaticave. Ndër të gjitha krijesat, njeriu është krijesa më e aftë në pasqyrimin e manifestimeve hyjnore. Në këtë aspekt, edhe gjithësia, si një pasqyrë e plotë, i është kushtuar soditjes dhe meditimit të njeriut.
Në fakt, i gjithë universi përbëhet prej manifestimeve të formulave të cilësive hyjnore. Në këtë kuptim, universi është si një pllakë xhami, së cilës nuk i është vendosur ende formula kimike, që do ta kthejë atë në një pasqyrë. Kur njeriu, i cili është krijuar si një formulë hyjnore/enigmë që do t’i japë asaj pllake xhami cilësinë e pasqyrës, e plotëson atë dhe e sheh me syrin e meditimit, ajo (gjithësia) shndërrohet në një pasqyrë të plotë për njeriun. Në këtë pasqyrë, njeriu sheh dhe njeh dobësinë dhe esencën e vet. Në sajë të këtij meditimi:
“Kush njeh veten, njeh Zotin e tij.”
Sepse në një hadith fisnik, thuhet:
“Allahu[3]e krijoi Ademin në formën (pamjen) e vet.”[4] (Muslim, Birr, 115.)
E vërteta që shprehet në këtë hadith fisnik, nuk ka të bëjë me pamjen apo formën e dukshme trupore, por me atë shpirtërore dhe të padukshme. Nuk ka të bëjë me trupin dhe egon, por me shpirtin dhe të fshehtën.
Këtë shpreh edhe fakti që ekzistencës së njeriut i është fryrë një shpirt prej Allahut, që ai është bërë halife/mëkëmbës i Allahut në tokë dhe që melekët u urdhëruan t’i bënin sexhde atij. Allahu i Madhëruar urdhëron:
“Kur Zoti yt u tha engjëjve: «Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë!..»”(Bekare, 30)
“E kur t’i jap trajtë dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, përuluni atij në sexhde!” (Sad, 72)
Po ashtu, Allahu i Madhëruar ia mësoi Ademit (a.s.), “të gjitha emrat”. Biri i njeriut, në sajë të këtyre dijeve dhe cilësive që i ka falur Allahu, do të jetë dëshmitari i Zotit në tokë dhe nën udhëzimin e Librit të Gjithësisë, Kuranit Fisnik, do të përpiqet të lexojë misteret dhe urtësitë në veten e tij.
Kjo përpjekje, do ta bëjë atë të përparojë në njohjen e Allahut. Për këtë arsye, të dashurit e Allahut, si shpjegim i këtyre të vërtetave hyjnore kanë thënë:
“Allahu është sekreti i njeriut, ndërsa njeriu është sekreti i Allahut.” (Fususu’l-Hikem Terc. ve Åžerhi, I, 48.)
Njeriu që arrin të kapërcejë pengesën e egos/nefsit, është një ekspozitë bukurish dhe një vepër e vërtetë arti. Ai është përmbledhja e Librit të Gjithësisë, hyrja e tij dhe e fshehta e krijimit.
Sepse:
Megjithëse në dukje ai është i përbërë prej mishit dhe kockës, në ekzistencën shpirtërore nën këtë pamje të njeriut, janë fshehur shumë mistere, urtësi dhe të vërteta të manifestimeve hyjnore. Aliu (r.a.), në një bejte kushtuar njeriut, këtë të vërtetë e shpreh kështu:
“Tek ty është ilaçi, por ti nuk e sheh, tek ti është problemi, por ti nuk e di. Diçka e vogël kujton se je, por gjithë universi është fshehur te ti.”
Kjo është edhe e vërteta që shpreh Shejh Galibi në bejten e tij të famshme:
“O njeri! Shikoje bukur veten me syrin e zemrës, sepse ti je esenca dhe bebja e syrit të universit.”
Për shkak se nuk arriti ta shohë të vërtetën e Ademit (a.s.), Iblisi u tregua smirëzi ndaj tij dhe kundërshtoi urdhrin e Allahut duke mos rënë në sexhden e nderimit ndaj Ademit (a.s.). I nderuari Mevlana ka thënë:
“Njeriu i talentuar dhe i ditur, është i mirë, por, merr mësim prej Iblisit dhe mos e çmo tepër atë! Sepse edhe Iblisi kishte dije, por, ai arriti të shohë vetëm krijimin e prej balte të Ademit, pamjen e tij të jashtme dhe nuk arriti të shohë të vërtetën e tij.”
Nëse njeriu arrin ta pastrojë zemrën e tij nga papastërtitë trupore dhe egoiste me anë të devotshmërisë, duke përjetuar qetësinë shpirtërore, ai do të arrijë të përparojë edhe në horizontin e meditimit dhe thellësitë e kuptimit.
Kur robi arrin këtë pjekuri (shpirtërore), tek ai fillon të largohet perdja e indiferencës ndërmjet tij dhe Allahut. Në këtë mënyrë, ai zbulon misterin e “vdekjes para se të vijë vdekja”. Kjo botë dhe dashuria e përkohshme për të, bukuria dhe dëshirat e kota të saj nuk kanë më vlerë në sytë e tij dhe më në fund, ato i dalin prej zemrës. Në këtë mënyrë, shpirti arrin ëmbëlsinë e papërshkrueshme të afrimit me Krijuesin e vet.
Në çdo gjë që sheh, zemra e tij i kujton Allahun dhe kështu forcohet lidhja dhe miqësia e tij me Allahun. Një meditim i tillë, bëhet çelësi më i mirë i besimit.
Për një njeri me pjekuri të tillë shpirtërore, kjo gjithësi është një shkollë e mrekullueshme dhe një vend provimi i vërtetë.
Shkolla e universit
Çdo gjë, që prej grimcës më të vogël e deri tek trupi më i madh, tregon manifestimin e madhështisë dhe fuqisë hyjnore. Zija Pasha, e shpreh kështu këtë të vërtetë:
“Në çdo flet të librit të këtij universi, janë shënuar me mijëra mësime prej manifestimeve të dijes dhe urtësisë hyjnore. O Zot! Sa shkollë e mirë është ky univers për ata që zhyten në oqeanin e meditimit dhe për ata të cilët marrin mësim duke soditur vitrinat hyjnore!”
Gjithësia, është si një lloj komentimi i detajuar i mrekullisë së Kuranit Fisnik. Domethënë, Kurani Fisnik është një univers i përbërë prej fjalëve, ndërsa universi është një Kuran pa fjalë.
Një poet tjetër, e shpreh kështu këtë të vërtetë:
“Gjithësia është libri më i madh i Allahut, nga fundi në krye.
Cilëndo shkronjë të këtij libri të lexosh, do të shohësh që kuptimi i saj Allah del gjithmonë.
Mbi cilëndo grimcë të gjithësisë të meditosh, tek Allahu do të të çojë ajo.”
Siç shprehet edhe Shejh Sadi:
“Për zemrat e ndritura, edhe një gjethe peme mjafton për të njohur Allahun. Ndërsa për indiferentët, edhe të gjitha pemët nuk vlejnë sa një gjethe.”
Për të zotët e mendjes, universi në të cilin jetojmë, është një madhështi hyjnore dhe një bukuri e mrekullueshme mbi të cilin duhet medituar. Ndërsa për njerëzit pa mend, nuk është gjë tjetër përveçse ushqim dhe epsh.
Ndërsa i nderuari Mevlana, gjendjen e mjerë të atyre që janë të verbër e indiferentë ndaj manifestimeve të madhështisë dhe fuqisë hyjnore në këtë botë, e tregon me këtë fabul:
“Kau shkoi në Bagdad dhe e shëtiti fund e krye qytetin madhështor me plot bukuri. Mirëpo, atij nuk i zuri syri asnjërën prej këtyre bukurive. Në fakt ai nuk pa asgjë tjetër përveçse lëvore pjepri e shalqiri.”
Kështu është edhe gjendja e njerëzve indiferentë përballë manifestimeve të madhështisë hyjnore!
Toka mbi të cilën jetojmë, është një planet në sistemin diellor që është zgjedhur midis triliona yjeve. Me gjithë kërkimet që vazhdojnë të bëhen prej shumë vitesh në lidhje me kozmosin, ende nuk është zbuluar ndonjë planet tjetër i mbushur me jetë si Toka. Planetët e tjerë, janë ose shumë të nxehtë, ose shumë të ftohtë, ose pa oksigjen, ose të përbërë vetëm prej gazit, ose vetëm prej shkëmbinjve pa jetë dhe të tjerë faktorë që nuk e lejojnë jetën të zhvillohet.
Shkencëtarët mendojnë se, që nga krijimi i universit kanë kaluar rreth 13 miliardë vite. Ndërsa ekzistenca e njeriut, ka filluar në pjesën e fundit të kësaj hapësire të madhe kohore. Allahu i Madhëruar, dëshiron që ne të meditojmë mbi këtë fakt. Për rrjedhojë, në një ajet fisnik urdhërohet:
“Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ka qenë qenie e denjë për t’u përmendur?!” (Insan, 1)
Njeriu nuk ekzistonte as si emër e as si formë. Mirëpo, Allahu e përgatiti këtë botë për të dhe, me qëllim që njeriu të ketë mirësi të shumta për të medituar, arti hyjnor shpërtheu veçanërisht në këtë planet të vogël.
Një nga format e meditimit, është edhe mendimi i të kundërtës. Kjo gjë e kufizon zakonin të bëhet pengesë për meditimin.
Mendo njëherë të kundërtën
Le të meditojmë pak. Allahu i Madhëruar, gjallesat e llojllojshme që janë manifestim i cilësive të Tij, “el-Bari/Filluesi” dhe “el-Musauuir/Formëdhënësi”, mund t’i kishte krijuar edhe në një botë tjetër që nuk mund ta shohim kurrë. Fakti që Ai i ka krijuar dhe, i ka krijuar në këtë botë, është mirësi e madhe për ne në aspektin e përfitimit prej tyre dhe në aspektin e zgjerimit të horizontit tonë të meditimit…
Gjallesat e tjera ushqehen vetëm me disa lloje ushqimesh. Kështu mund të na kishte krijuar edhe neve Allahu. Por, drithërat e ndryshëm, shumëllojshmëria frutave, e ushqime bimore dhe shtazore, janë vetëm disa prej mirësive të Tij të veçanta për ne…
Po ashtu, edhe lulet, trëndafilat, zambakët, manushaqet dhe tulipanët plot ngjyra, forma dhe aroma të ndryshme që i japin rehati shpirtit, janë prej mirësive të Tij të veçanta…
Edhe kafshët e udhëtimit janë mirësi e Tij…
Edhe bilbilat që i emocionojnë zemrat me zërat e tyre të bukur, janë mirësi e Tij…
Edhe pëllumbat që i zgjojnë ndjenjat tona me “hu-hu”-të e tyre, janë mirësi e Tij…
Zogjtë që udhëtojnë ndërmjet kontinenteve sikur të kishin busulla dhe harta, janë arti i Tij…
Kafshët grabitqare dhe helmuese, gjarpërinjtë dhe akrepat, të cilët të kallin frikën me pamjet e tyre dhe të bëjnë të mendosh dënimin hyjnor, janë po ashtu arti i Tij…
Nëse Ai nuk do t’i kishte caktuar orbitat e Tokës dhe të Diellit dhe pozicionet e tyre ndaj njëri-tjetrit me një precizitet të lartë dhe nëse nuk do të ekzistonte pjerrësia prej 23,5 gradësh e Tokës, stinët nuk do të krijoheshin dhe nuk do të ndryshonin njëra pas tjetrës. Ky është një ekuilibër ekologjik madhështor…
Nëse Ai nuk do ta kishte vendosur shpejtësinë e rrotullimit të Tokës rreth boshtit të saj në atë që është aktualisht, dita dhe nata nuk do të vinin njëra pas tjetrës në atë mënyrë që ne kemi nevojë, por do të kishim ose vetëm ditë, ose vetëm natë.
Mirëpo, për shkak se ne jemi shumë të dobët t’i mendojmë vetë të gjitha këto mundësi, Allahu i Madhëruar na pyet dhe na urdhëron që të meditojmë, duke thënë:
“Thuaju (o Muhamed): «Pa mendoni, nëse Allahu jua bën natën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte dritën? Vallë, a nuk dëgjoni?»
Thuaju (o Muhamed): «Pa mendoni, nëse Allahu jua bën ditën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte natën, në të cilën qetësoheni? Vallë, a nuk shihni?»”(Kasas, 71-72)
Uji i pastër dhe i ëmbël, pa të cilin nuk do të ishim dhe as do të jetonim, mund të mos ekzistonte. Ashtu si ujërat e kripur e të hidhur që kanë mbushur oqeanet, edhe shiu që bie nga qielli mund të ishte i kripur dhe i hidhur. Mirëpo, Allahu i Madhëruar e pastroi atë me anë të një sistemi filtrimi madhështor dhe, në sajë të tij u gjallëruan kopshtet dhe vreshtat. Po ashtu, me anë të rrjedhave nëntokësore, Allahu e pasuroi ujin me minerale të rëndësishme për njeriun, e ëmbëlsoi, e begatoi dhe na gostiti me të. Për këtë arsye, Zoti ynë i Madhëruar, duke na kërkuar meditim dhe falënderim, me të drejtë pyet:
Përse nuk falënderoni?
“A e shihni ujin që pini? Vallë, ju e zbrisni atë prej reve apo Ne e zbresim? Nëse duam, Ne e bëjmë atë të njelmët, andaj përse nuk falënderoni?!” (Uakia, 68-70)
Uji është i rrjedhshëm dhe i përkohshëm, ndërsa toka është thithëse… Nëntoka në thellësi është e përbërë nga shtresa të cilat njeriu nuk mund t’i arrijë… Ndërsa më në thellësi gjendet zjarr… Mirëpo, uji që bie nga qielli, nuk humbet. Por, po të humbte?
Allahu i Madhëruar paralajmëron:
“Ne zbresim ujë nga qielli me masë të caktuar, pastaj e depozitojmë atë në Tokë. Por, nëse dëshirojmë, Ne jemi në gjendje ta heqim atë tërësisht.” (Mu’minun, 18)
Zoti ynë pyet përsëri:
“Thuaj: «Mendoni: nëse ujërat tuaja ju shteren, kush (përveç Allahut) do t’ju sjellë ujë rrjedhës?!»” (Mulk, 30)
Allahu i Madhëruar i dha ujit edhe një cilësi tjetër, në sajë të së cilës është bërë e mundur që ne të udhëtojmë me anije. Po sikur Zoti ynë të mos e kishte vendosur këtë ligj?
Allahu i Madhëruar urdhëron:
“Është Ai që ju ka vënë në shërbim detin, që ju të hani prej tij mish të freskët dhe të nxirrni nga ai stolitë që mbani. Ti sheh se si anijet e çajnë atë, që ju të kërkoni mirësitë e Allahut dhe të jeni mirënjohës.”(Nahl, 14)
Nëse lëshojmë qoftë edhe një gur të vogël në det, ai menjëherë do të bjerë në fund të tij. Mirëpo, anijet me peshë prej mijëra tonelatash lundrojnë mbi ujë. Kjo, sepse ato anije mund të ndërtohen në atë mënyrë që të lundrojnë mbi ujë pa u fundosur, në sajë të ligjit të Allahut të Madhëruar, që i bën gjërat me densitet më të ulët se e ujit të shtyhen nga forca poshtë-lart.
Në fakt:
Në përgjithësi, teknologjia është frymëzuar prej artit të Allahut të Madhëruar, të cilin ka arritur ta imitojë dhe ta kopjojë.
Për shembull, vëllezërit Wright, të cilët prodhuan aeroplanin e parë, morën si model krahët e hutit. Me gjithë përparimin teknik, edhe aeroplani më i përsosur, është imitimi i përafërt i një zogu.
Aeroplanët prodhohen duke imituar shpendë të ndryshëm. Për shembull, avionët për distanca të shkurtra prodhohen duke imituar zogjtë e vegjël si harabelat, ndërsa aeroplanët për distanca të largëta prodhohen duke imituar fluturakët e distancave të largëta si lejlekët.
Le të mendojmë pak!.. Edhe pse njeriu zotëron mendje, zgjuarsi dhe dije të trashëguar brez pas brezi, për të arritur të imitojë këto krijesa, është dashur të kalojnë me mijëra vite.
Mirëpo, nga ana tjetër, një zog i sapo dalë nga veza arrin të fluturojë pas një kohe të shkurtër. Në Kuranin Fisnik urdhërohet:
“A nuk shohin ata, se si shpendët fluturojnë pa mundim në hapësirat qiellore? Ato i mban vetëm Allahu. Kjo, në të vërtetë, është shenjë për popullin që beson.” (Nahl, 79)
Ndërsa struktura e krahëve të shumicës prej insekteve fluturuese, ende nuk është imituar dot nga teknologjia. Po ashtu, ka ende shumë gjëra prej artit hyjnor, të cilat njeriu nuk mund t’i imitojë. Ja, një dele apo një lopë që ha bar, pi ujë dhe jep qumësht!.. Le të ngrenë njerëzit një fabrikë dhe të përdorin të gjithë teknologjinë më moderne për të prodhuar qumësht nga bari dhe uji! E pamundur!
Ajri që thithim gjatë frymëmarrjes sonë, përmban oksigjen dhe azot në nivelet e përshtatshme për ne. Ajri është i mjaftueshëm dhe i përshtatshëm për ne kudo që jetojmë.
Por, po sikur të mos ishte kështu? Po sikur oksigjeni të pakësohej dhe njerëzit të vuanin duke kërkuar ajër me oksigjen sa andej këndej?
Gjithashtu, edhe frutat e perimet e llojllojshme prej të cilave kemi shumë përfitime dhe bota e gjithë bimëve, me lulet e së cilës qetësohemi shpirtërisht, ekzistojnë në sajë të aftësisë së fotosintezës që u ka dhuruar Allahu i Madhëruar. Por, po sikur të mos ishte kështu? Po sikur bota të ishte një vend tepër i thatë vetëm me shkëmbinj e male?
Edhe jetëgjatësia e bimëve dhe kafshëve është një lloj i veçantë meditimi. Përkrah bimëve një stinore, kemi edhe pemën e ullirit që mund të jetojë më tepër se njëmijë vjet.
[Gjithashtu, edhe frutat e perimet e llojllojshme prej të cilave kemi shumë përfitime dhe bota e gjithë bimëve, me lulet e së cilës qetësohemi shpirtërisht, ekzistojnë në sajë të aftësisë së fotosintezës që u ka dhuruar Allahu i Madhëruar. Por, po sikur të mos ishte kështu? Po sikur bota do të ishte një vend tepër i thatë vetëm me shkëmbinj e male?]
Ndërkohë që fluturat mund të jetojnë rreth një javë, breshkat mund të jetojnë edhe më shumë se një shekull. Bleta jeton 45 ditë derisa i përfundon funksioni që ka. Çfarë ekuilibri ekologjik brenda një rregulli madhështor!..
Ka prej gjallesave që zhvillohen ngadalë, por ka edhe nga ato që zhvillohen shpejt dhe janë ushqim për gjallesat e tjera. Edhe kjo është një urtësi më vete. Gjithashtu, edhe në ardhjen në këtë botë, tek krijesat ka një harmoni/ekuilibër në sasi.
Le të marrim një lloj kafshe! Nëse prej një lloj gjallese do të dërgoheshin në këtë botë të gjitha përnjëherësh, ato që kanë ardhur dhe ato që do të vijnë deri në fund të botës, Toka jo vetëm që nuk do të mjaftonte vetëm për atë lloj kafshe, por as ushqimi nuk do të mjaftonte për to. Mirëpo, Allahu i Madhëruar në sajë të misterit të kohës, i shpërndan ato në një formë më të gjerë se sa është hapësira duke i krijuar me ligjin e një zinxhiri. I njëjti ligj vlen për të gjitha gjallesat. Për rrjedhojë, në sajë të misterit të kohës dhe hapësirës, bota bëhet skena e trilion fish më tepër krijesash se kapaciteti normal që ka.
Në këtë mënyrë, edhe ardhja e krijesave në botën tonë, ndodh në bazë të një ekuilibri kufizues. Për shembull, dihet se një pemë rrapi çdo vit prodhon me miliona fara, të cilat në sajë strukturës së tyre më të lehtë se një pupël dhe në formë parashute, ato shtyhen nga erërat deri në vende shumë të largëta.
Nëse çdo farë që del vetëm prej një rrapi do të kishte mundësinë të bëhej një rrap i ri, nuk do të kalonte shumë kohë kur çdo vend i tokës i përshtatshëm për bimët, do të pushtohej plotësisht nga pemët e rrapit. Pra, gjithë kjo tokë do të ishte e ngushtë edhe vetëm për një lloj peme. Të njëjtin shembull mund t’ia përshtatim edhe krijesave të tjera. E gjithë kjo, tregon ekzistencën e një harmonie dhe ekuilibri që nuk mund të perceptohet lehtë me mendje.
Edhe kafshët që shtohen me shpejtësi, nuk arrijnë ta pushtojnë botën, sepse shumë krijesa të tjera në natyrë ushqehen me to, duke siguruar kështu ekuilibrin e përsosur.
Por, kush e siguron këtë?
Në dukje, nuk shihet ndonjë administrues i pyjeve, i deteve, apo i maleve. Mirëpo, çdonjëri prej tyre vepron brenda një harmonie të plotë me urdhrin e Allahut të Madhëruar. Të gjitha tregojnë bindje dhe nënshtrim. Flutura, nuk thotë kurrë, “përse jeta ime zgjat një javë, ndërsa ajo e breshkës një shekull?”. Të gjithë janë të kënaqur.
Kafshët prej të cilave përfitojmë mishin dhe qumështin, nuk i rebelohen njeriut dhe nuk tregojnë koprraci. Nga ana tjetër, një elefant gjigand mund të tërhiqet edhe nga një fëmijë. Kush është Ai që i bëri ato të bindura ndaj njeriut dhe ia vuri ato në shërbim?
Po sikur të mos i bënte të bindura?
Mbrojtësit e krijimit rastësor dhe evolucionistët, pretendojnë në mënyrë të palogjikshme, se krijesat e kanë zhvilluar vetveten në bazë të dëshirave dhe nevojave të veta, brenda kushteve të ambientit ku jetonin.
Por, cila krijesë do të zgjidhte një jetë të shkurtër e do të kënaqej me të?
Cila krijesë do të pranonte me vullnetin e vet të bëhej furnizimi (ushqimi) i një krijese tjetër?
Le të mblidhen të gjithë njerëzit dhe t’ia zgjasin jetën një njeriu që sapo i ka mbaruar, duke ia shtuar edhe një shekull! E pamundur! Është e pamundur t’ia shtyjnë qoftë edhe një sekondë përtej asaj që është caktuar!
Sepse çdo krijim bëhet me caktimin e Allahut…
“…Asnjë gjethe nuk bie, pa dijeninë e Tij dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).” (En’am, 59)
Allahu i Madhëruar na kujton:
“A nuk shihni se si Allahu jua ka bërë të mundur t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme? E megjithatë, disa njerëz polemizojnë për Allahun pa kurrfarë dijenie, pa kurrfarë rrëfyesi dhe pa libër ndriçues.”(Lukman, 20)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.