Opoja.net

Enveri pa maskë…!

Raportet e Enver Hoxhës me Kosovën kanë qenë shumë të ndërlikuara dhe jo të qëndrueshme për një rrjedhë kohore të gjatë . Gjatë shumë deklarimeve dhe shkrimeve të tij ai asnjëherë nuk ka qenë konsistent . Gjë që më poshtë do ta shohim kontradiktat e tij .

Që me themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare me 8-14 nëntor 1941, aty shihet qartë se Kosova as që ishte pjesë e diskutimeve për çështjet të cilat ajo parti do ti ndiqte . Kjo për arsye se në mbledhjen e Partisë ishin dhe dy Jugosllav Miladin Popoviq e Dushan Mugosha që as që e lejuan diskutimin për Kosovën duke arsyetuar që çështja e Kosovës nuk i takon Partisë Komuniste . Aty Enver Hoxha thjesht ishte një përfaqësues jo i rëndësishëm dhe e ndiqte linjën e Popoviqit e Mugoshës .
I vetmi që e ngre dhe ankohet se PKSh nuk e ka në agjendën e saj e as në program çështjen e Kosovës është Koço Tashko, i cili në fund të vitit 1942 i shkruan Moskës:
“Për Kosovën, Partia deri më tani ka heshtur vazhdimisht, duke thënë se kjo çështje është e Partisë Komuniste të Jugosllavisë”. Por që shqetësimet e Tashkos nuk u morën parasysh .
Gjatë tërë Luftës së Dytë Botërore çështja e Kosovës as që është vënë në diskutim thuajse kishte një tërheqje komplete të Partisë Komuniste .

58
Cilën kandidatë e shihni fituese në raundin e dytë të zgjedhjeve ?

Në librin e bashkëshortes së Enverit, Nexhmije Hoxhës ” Lufta jonë Çlirimtare” f. 194 shkruan si vijon: ” Në vijim të çfarë kam thënë më parë, roli i Enver Hoxhës për Kosovën spikat qartë jo vetëm në Mbledhjen Themeluese të PKSH-së, po edhe në ngjarje të tjera historike të mëdha të LANÇ-it, si në Konferencën e Pezës, më 16 shtator 1942, në të cilën mori pjesë Ramadan Çitaku, kosovar, dhe ku “u trajtua edhe çështja e Kosovës”. Me këtë se çfarë shkruan zonja Hoxha thuajse asnjëra nga këto nuk qëndron . E para roli i Enverit në Mbledhjen themeluese të PKSH-së siç e ceka dhe më lartë nuk ishte aspak i rëndësishëm dhe nuk u diskutua fare për Kosovën . E dyta çështja e Konferencës së Pezës, është thjeshtë një lakim i çështjes së Kosovës sepse në atë mbledhje nuk u vendos asgjë konkrete për Kosovën e as nuk u ofrua përkrahje atyre pak partizanëve në Kosovë .

Nëse e marrim një deklaratë të vetë Enverit që e bëri gjatë luftës del e kundërta e asaj që e thotë Nexhmije Hoxha . “Pjesëmarrja në luftën kundër pushtuesve nazistë, përkrah popujve të tjerë të Jugosllavisë e ushtrisë partizane të kësaj, shkruan Enver Hoxha, është rruga e vetme që do t’u japë shqiptarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur të ardhmen e vet, përndryshe, ata do të shtypen, do të përbuzen e do të dënohen si bashkëpunëtorë të pushtuesve” . Këtu e shohim se Enveri Kosovën e kishte lënë në duart e Jugosllavisë duke e parë si rrugë e duhur të tyre . E që padyshim kjo ndodhi për shkak të interesave të Enverit me Jugosllavët . Pra në të dy këto deklarime shohim një kundërthënie që nuk është e vetmja . Përkrahja që iu dha nga Partia Komuniste dhe vetë Hoxha si udhëheqës i saj na tregon një detaj të rëndësishëm e që ishte influenca e Partisë Komuniste Jugosllave mbi atë Shqiptare.
Pas mbarimit të luftës edhe çështja e Kosovës mbeti ashtu siç ishte planifikuar, jashtë Shqipërisë . Kjo ishte dhe për fajin e udhëheqjes së Partisë Komuniste në Kosovë ku ata pranuan që të mbeteshin nën Jugosllavi . Edhe pse thënë me relacion politik që e kishin atëherë ata as që kishin ndonjë influence për këtë çështje por që nuk u bënë as përpjekjet më të vogla .

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë ishin të shkëlqyera dhe siç e quanin udhëheqësit e këtyre vendeve një vëllazërim i dy popujve . Hoxha dhe Tito krijuan relacione të mira dhe të qëndrueshme ndërmjet vete. Situata në Kosovë tani ishte qetësuar relativisht, u pa që bashkimi me Shqipërinë as që mund të ndodhë . Kushtet në Jugosllavi në fundit e viteve ’50-ta dhe fillimin e ’60-ta ishin mjaftë të mira, ekonomia kishte ngritje të kënaqshme, vende të punës kishte e kështu dhe popullsia ishte e kënaqur nën Jugosllavi .

Në plenumin e jashtëzakonshëm të 18-20 dhjetor 1946 të PKSH një pjesë e konsiderueshme e fjalimit të Hoxhës ishte e fokusuar tek çështja e Kosovës . Aty shihet qartë se Hoxha po këmbëngulte që Kosova është mirë nën Jugosllavi dhe se nuk duhet bërë përpjekje për të ndërhyrë atje . Disa anëtar jo pak të rëndësishëm e ngritën çështjen e Kosovës aty por që ishin shumë pak e që edhe për këta Hoxha kishte përgjigje . Më poshtë do të shohim pjesë të shkëputura nga fjalimi i Hoxhës : “Në lidhje me këtë, është edhe një çështje tjetër se unë mendoj se disa anëtarë partie që duan të na filozofojnë se mos thotë populli se ç’bëhet me Kosovën. Në rast se një anëtar partie e ka të qartë vijën, ai e ka të qartë edhe çështjen e Kosovës.
A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresive. Pra në këtë situatën, përkundrazi duhet të bëjmë ç ‘është e munduar të kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi.
Populli i Kosovës i ka të gjitha liritë, ai ka marrë tokën, kanë shkolla, jemi miq më të mirë, forca e argumenteve tona është më e madhe”.

Pra sipas kësaj që Hoxha deklaroi ishte në vijë që populli i Kosovës duhej të qëndronte nën Jugosllavi .
Me acarimin e raporteve Shqipëri-Jugosllavi, ndryshohet edhe qasja e Hoxhës për Kosovën .
Tani Kosova për Hoxhën ishte pjesë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe ajo duhet që ti përkas asaj . Monologjet e Hoxhës në drejtim të Jugosllavisë me raste dhe kërcënime me luftë për Kosovën vetëm që ishin fjalë boshe e pa ndonjë peshë të rënde sepse fare mirë dihej që kjo po bëhej për propagande pas prishjes me Jugosllavin . E që Kosova ishte një pikë ku Hoxha tash po e kërcënonte Titon e që e dinte mirë se as që do të bënte luftë për Kosovën .
Qindra kosovarë, të përndjekur nga regjimi jugosllav, kaluan kufirin dhe u strehuan në Shqipëri. Ata që dukeshin të dyshimtë përfunduan në burgjet shqiptare, ndërsa të tjerët në zona të izoluara të vendit. Kjo ndodhi para dhe pas prishjes me RFJ . Kjo ndodhte për shkak se regjimi atje dyshonte se këta njerëz ishin të infiltruar nga shërbimet jugosllave për ta destabilizuar Shqipërinë .

Enver Hoxha ne vitin 1966 do të deklaronte si në vijim: “Pra fitorja e popullit të Kosovës deri në vetëvendosje duhet të vijë dhe të organizohet, në një rrugë të gjatë, plot vuajtje, mundime dhe sakrifica nga vetë populli dhe jo nga këta krerë të shitur shqiptarë.

Kosova e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, pjesë të Shqipërisë, u shkëputën nga mëma e tyre prej fuqive imperialiste dhe iu dhanë mbretërisë serbe. Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë.
Problemi i trojeve shqiptare të Kosovës e i viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, të aneksuara me forcë Jugosllavisë për ne ka qenë shumë delikat e kompleks. unë ia thashë qartë Titos, në takimin që pata me të në Beograd, në qershor të vitit 1946. Kosova, i thashë Titos, dhe viset e tjera me popullsi shqiptare në Jugosllavi, janë toka shqiptare që fuqitë e mëdha padrejtësisht ia shkëputën Shqipërisë; ato i përkasin Shqipërisë dhe duhet t’i kthehen Shqipërisë
Populli i Kosovës është trim, i guximshëm, por nuk u qartësua e nuk u organizua politikisht në kohën e duhur. Këtë edhe ne nuk e bëmë sa duhet dhe nuk kishim shumë mundësi konkrete për ta bërë. Çështja e Kosovës nuk është e lehtë dhe as nuk mund të zgjidhet aq shpejt sa mendojnë disa kosovarë me vullnet të mirë. Kjo është një çështje politike, në radhë të parë, dhe po u pa drejt politikisht atëherë çdo gjë vihet në rrugë të drejtë, fillohet puna nga a-ja me durim, me kujdes dhe jo me rrëmujë e pa perspektivë të qartë, se ku do të shkohet dhe si do të shkohet. Për sa i përket se ku dhe kur do të mbërrihet, ajo s’mund të përcaktohet, se s’varet vetëm nga dëshira” .
Kjo deklaratë edhe tjera të ngjashme tregojnë për jo konsistencën e Hoxhës në raport me Kosovën .

Figura e Hoxhës në Kosovë shihej me një përshtypje krejt tjetër, simpatia për të ishte e dukshme në masë të madhe nga të gjithë njerëzit . Përshtypjet e njerëzve se atje Hoxha ka krijuar një shtet të fuqishëm që mund ta shkatërroj tërë jugosllavin ishin mbizotëruese . Në demonstratat e 1966 ndër shumë parulla ishte edhe kjo ” Rroftë Enver Hoxha” pra dashuria e shqiptarëve të Kosovës ishte e madhe për Hoxhën . Deri në vitet ’70 kur dhe filloi një qetësim i raporteve Jugosllavi-Shqipëri ishte një diskurs tensioni për Kosovën .
Në fillim të viteve shtatëdhjetë, kur tensionet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë kishin rënë shumë, filloi një periudhë e bashkëpunimit kulturor, nga e cila Kosova pati disa përfitime në fushën arsimore dhe kulturore.

Nëse dalim në një përfundim se gjatë sundimit të tij Enver Hoxha e përdori Kosovën si instrument në funksion të ruajtjes së pushtetit të tij personal, ndërsa shqiptarët e Kosovës e përdorën mitin e tij për të zhvilluar rezistencën e tyre kundër regjimit jugosllav. Të dy palët në fund ia arritën qëllimeve të tyre . Raportet e Hoxhës duhet që të studiohen dhe me shumë që të arrijmë në një përfundim sa më konkret dhe të sakta të mundshëm .

Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net
Fokusi
Shiko
Zgjedhjet
Abonohu
Raporto