Erdhi pranvera! Të heqim dorë nga përtacia dhe ta ndërmarrim iniciativën e përhapjes së energjisë pozitive

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Kur mendojmë për përtacinë, zakonisht na shkon mendja tek përtacia
individuale, ndjenjën se nuk dëshiron të bësh diçka, edhe pse e di që duhet ta
bësh atë. Sidoqoftë, termi përtaci ka shumë fytyra dhe vesh maska të ndryshme.
Në këtë artikull, qëllimi ynë është t’i zbulojmë këto maska në mënyrë që të
jemi të vetëdijshëm për to.

Definicioni i përtacisë

Para se t’i paraqesim maskat e përtacisë, fillimisht ta
definojmë atë. Sipas Imam er-Ragibit, përtacia është: “Mungesë energjie dhe
entuziazmi për të bërë diçka.”

Për shembull, nuk guxojmë të kemi mungesë dëshire dhe
energjie për kryerjen e namazeve, shkuarjen në punë, apo të mësoni që të
përparoni, mirëpo nëse kjo ndodhë, atëherë kjo quhet përtaci.

Përtacia në Kur’an dhe sunnet

Termi përtaci, përkitazi fjala arabe kasal, në Kur’an
përmendet vetëm dy herë, atëherë kur përshkruhen dyfytyrëshit dhe qëndrimi i
tyre ndaj namazit.

“Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë
Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me
përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak.” [
EN-NISÂ’,
142]

“Ndihmesat e tyre nuk do të pranohen, ngase ata janë
njerëz që nuk besojnë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, namazit i afrohen
vetëm në mënyrë të ngathët dhe nuk shpenzojnë (nga pasuria), veçse në mënyrë përbuzëse.”
[
ET-TEUBE, 54]

Në sunnetin e të Dërguarit të Allahut salAllahu ‘alejhi ue sel-lem,
përtacia përmendet në hadithin vijues:

Ebu Hurejra radijAllahu anhu tregon se i Dërguari i Allahut salAllahu
‘alejhi ue sel-lem ka thënë: “Gjatë gjumit tuaj, shejtani i lidh
gjithkujt tri nyje pas koke dhe i fryn çdo nyjeje duke thënë: ‘Ke natë të
gjatë, fli pra/ Kur ky njeri zgjohet dhe kujton Allahun, atëherë zgjidhet një
nyje, në qoftë se merr avdes, zgjidhet edhe një nyje, në qoftë se falet,
zgjidhet edhe nyja e fundit dhe ngrihet i gjallë dhe në gjendje të mirë
shpirtërore; kurse në të kundërt, ngrihet në gjendje të keqe shpirtërore dhe i
plogësht.”

Nëse mendoni pakëz rreth kësaj, do të vëreni se përtacia ndërlidhet
me namazin, sepse namazi është obligimi më i rëndë ditor të cilin besimtarët duhet
ta kryejnë, për shkak se namazi kryhet pesë herë në ditë, pa humbur asnjë
namaz. Një fakt interesant është se kushdo që është përtac në namazin e tij, do
të jetë i tillë edhe në veprat e tjera, dhe secili që nuk përton në kryerjen e
namazit, nuk do të ketë përtesë as në aspektet e tjera të jetës së tij.

Padyshim që nga sa u tha më sipër, përtacia është diçka që
nuk duhet anashkaluar, por duhet kundërvënë. Në fakt, Muhammedi salAllahu ‘alejhi
ue sel-lem kërkonte mbrojtje tek Allahu nga përtacia, duke e përfshirë në duatë
e tij të përditshme: “Allahu im! Kërkoj strehim tek Ti, nga frika dhe
trishtimi, dobësia dhe përtacia, turpi dhe burracakëria, barra e borxhit dhe
nga varësia prej njerëzve”.

1. Përtacia shoqërore

Shoqëria përbëhet prej individëve, ndaj nëse individët në
shoqëri janë përtac, krejt shoqëria bëhet e tillë. Shenjë e përtacisë shoqërore
është vetëdija e ulët qytetare që të zgjidhen problemet personale, dhe mbështetja
e tepërt në Qeverinë, mendimi i gjatë për të marrë ndonjë vendim, përçarja,
shtimi i numrit të padrejtësive dhe përçarjeve, varfëria dhe papunësia të cilat
e godasin tërë shoqërinë, që ka pasoja të shumta. Për më tepër, përtacia shoqërore
shfaqet edhe tek njerëzit që e ndalojnë të keqen dhe e këshillojnë të mirën,
gjë që sjell pasoja të shumta.

I Dërguari i Allahut salAllahu ‘alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shembulli
i atij njeriu i cili u përmbahet urdhrave dhe detyrimeve të Allahut në krahasim
me ata që i cenojnë ato, është si shembulli i atyre të cilët hodhën short për
vendet e tyre në anije: disa zunë vendet lart dhe disa zunë vendet poshtë. Kur këta
të dytët (që ishin poshtë) kishin nevojë për ujë, duhet që të ngjiteshin lart
për të sjellë ujë (dhe kjo i shqetësonte të tjerët), kështu që (menduan dhe)
thanë: ‘Të hapim një vrimë këtu në pjesën tonë të anijes (dhe të marrim
ujë) duke mos i shqetësuar ata që janë sipër/ Kësisoj pra, në qoftë se njerëzit
e pjesës së sipërme do t’i linin ata poshtë të bënin ç’donin të bënin, atëherë
të gjithë do të shuheshin duke u mbytur, por, në qoftë se do t’i ndalonin ata,
atëherë të dyja palët do të shpëtonin.” [Buhariu]

2. Përtacia arsimore

Kjo përtaci shfaqet në arsim, avancimin e vetes dhe shtimin
e dijes personale. Si besimtarë, gjatë kohës së artë të civilizimit Islam, ishim
iniciatorët e të gjitha shkencave, por kur u bëmë përtac dhe filluam të
kënaqemi me mirësitë e kësaj bote, të tjerët u bën pishtar të arsimit dhe e
vazhduan rrugëtimin drejtë zbulimeve që sollën deri te rezultatet e tyre mbresëlënëse.
Në të vërtetë  është trup për Ummetin e ‘ikre-s’
që ta ndërpret leximin.

3. Përtacia familjare

Familja paraqet njësinë themelore të shoqërisë, kështu që
nëse ajo është e fortë, edhe shoqëria do të jetë e tillë, por nëse nuk është e qëndrueshme,
atëherë edhe shoqëria është në rrezik. Po qe se familja është përtace, atëherë
nuk do ta ketë edukimin e duhur, prindërit do të jenë përtacë në përmbushjen e
detyrimeve të tyre ndaj fëmijëve, dhe fëmijët gjithashtu do të jenë përtacë në
përmbushjen e detyrimeve ndaj prindërve dhe shtëpisë. Dhe nëse asnjë anëtar i
familjes nuk posedon dashuri dhe vëmendje që i motivon ata ta luftojnë përtacinë
dhe të japin gjithçka për familjen e tyre, atëherë do të vëreni lidhje të
dobëta familjare, apo edhe më keq, do të gjeni një shtëpi të shkatërruar në
aspektin islam.

Si duket e harrojmë hadithin e të Dërguarit salAllahu ‘alejhi
ue sel-lem i cili thotë: “Gjithsecili prej jush është kujdestar dhe
gjithsecili prej jush është përgjegjës për gjithë ç’ka nën mbikëqyrje dhe nën
kujdesje: Kështu, imami (sunduesi, prijësi) është kujdestar për gjithë ç’ka ai
nën sundim dhe është përgjegjës për ata që ai ka në vartësi; edhe burri është
kujdestar i familjes së vet dhe përgjegjës për ta; edhe gruaja është kujdestare
e shtëpisë së burrit të saj dhe përgjegjëse për të; edhe shërbyesi është
kujdestar i pasurisë së padronit të vet dhe përgjegjës për të.” (Buhariu)

4. Përtacia fizike

Kjo e paraqet përtacinë e zakonshme rreth të cilës mendojmë
të gjithë kur flitet për përtacinë, ndërsa manifestohet karshi ushtrimeve dhe
lëvizjes trupore si dhe aktiviteteve fizike. Për fat të  keq, kjo lloj përtacie e shkatërron
shëndetin, sepse shumica e mjekëve thonë që shkaktar i shumicës së sëmundjeve
në shekullin e njëzet e një, është jetesa pasive.

5. Përtacia financiare

Kjo është përtacia e kërkimit të burimeve të ndryshme të
nafakës. Shumica e njerëzve në kohën e sotme dëshirojnë ‘punë të sigurtë’, ku
do t’u sigurohen ‘pagesat mujore’ dhe asgjë më tepër. Harrojmë që nëntë të dhjetat
e nafakës është në veprimtarinë e hadithit të përmendur, ndërsa ne përtojmë në hapjen
e sipërmarrjeve apo të bëhemi sipërmarrës. Nëse i shikojmë të Dërguarit e
Allahut që janë shembujt tanë, vërejmë që çdonjëri prej tyre është marrë me
tregti apo zanat. Nuhu alejhis-selam ka qenë rrobaqepës, Muhammedi salAllahu ‘alejhi
ue sel-lem ka qenë bari, mandej tregtar… Ata fitonin për jetën e tyre me
duart e veta dhe nuk mbështeteshin në pagat dhe lehtësimet e qeverisë.

Ebu Hurejra radijAllahu anhu tregon se i Dërguari i Allahut salAllahu
‘alejhi ue sel-lem ka thënë: “Betohem për Atë, në Duart e të Cilit
është jeta ime! Është më mirë që çdo njëri prej jush të marrë një litar, të
presë dru në pyll, t’i mbajë ato në shpinë dhe t’i shesë për të fituar për jetesën,
sesa t’i shkojë e t’i kërkojë ndokujt diçka, ndërsa ai mund t’i japë ose
jo.”
(Buhariu)

Kjo është fryma e besimtarëve. Ai nuk ankohet për
papunësinë, por ecën përpara dhe lufton gjatë gjithë jetës për ta siguruar gjendjen
financiare.

Formë tjetër e përtacisë financiare është përtesa në
shpenzimin e parave për të dhënë sadaka dhe për qëllime humanitare. Ekzistojnë
një numër i madh i shoqatave humanitare, shumë njerëz përreth nesh kanë nevojë,
por ne rrallë jemi dhurues aktiv dhe bëjmë premtime të rreme që rrallë herë i
përmbushim

6. Përtacia e biznesit

Kjo lloj përtacia i shkatërron shumë kompani sepse
punonjësit janë përtacë dhe nuk i përmbushin obligimet e tyre duke e  dëmtuar kështu, furnizuesin, konsumatorin,
investitorin dhe këdo që është i përfshirë në biznes.

Përtacia manifestohet duke humbur kohë, duke mos i kryer
obligimet siç duhet, i bëjmë me vonesë, përpiqemi ta ‘mashtrojmë’ sistemin, ose
e pranojmë ryshfetin që t’i kryejmë punët ‘më shpejtë’, e gjithë kjo në kurriz të
të tjerëve.

Përtacia e biznesit mund të manifestohet nëse nuk
angazhohemi sa duhet. Ai gjithashtu nganjëherë manifestohet pas pensionimit,
kur personat e pensionuar thjeshtë jepen pas jetesës pasive, duke i harxhuar
mjetet deri sa t’i vjen vdekja.

7. Përtacia fetare

Kjo është përtaci në kryerjen e ibadeteve siç janë namazi,
agjërimi, leximi i Kur’anit etj. Ky e paraqet burimin e përtacisë sepse ata që
janë përtacë në kryerjen e ibadeteve ndaj Allahut Allah, do të jenë edhe në çështjet
e tjera jetësore. Këta janë njerëzit që e kryejnë namazin shpejtë (nëse janë
prej atyre që falen), apo lexojnë shumë pak nga Kur’ani, dhe rrallë herë e
kujtojnë Allahun e Madhërishëm. Të tillët në xhami hyjnë të fundit, ndërsa
dalën të parët, dhe nuk kanë dëshirë ta përmirësojnë gjendjen e tyre shpirtërore
apo t’i afrohen Allahut. Namazin e natës as që e kanë “në listën e dëshirave”, ndërsa
agjërimin e praktikojnë vetëm gjatë muajit të Ramazanit.

Ekzistojnë edhe lloje të tjera të përtacisë, por mendoj që
të theksuarat janë më të shprehura.

Përtacia është sëmundje e vërtetë e cila e shkatërron motivimin
dhe vendosmërinë e cila ia thyen kurrizin Ummetit. Ky është burimi i dobësisë
dhe humbjes sonë si Ummet dhe burim i poshtërimit tonë. Është koha për t’u
përpjekur në mënyrë serioze për ta luftuar përtacinë.

Burimi: productivemuslim.com
Përktheu: Lutfi Muaremi

[Isl@mpress]

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-