FAMILJA BËRTHAMË DHE AJO TRADICIONALE

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Ndryshimet shoqërore, dashje pa dashje, po ndikojnë tek familja duke e shndërruar atë. Me kalimin e kohës, ndryshimi që ka pësuar martesa dhe familja, po i shkatërron kallëpet tradicionale. Së pari, bie në sy zgjedhja e asaj që quhet “familja bërthamë”, e përbërë nga nëna, babai dhe fëmijët. Nganjëherë, hasemi edhe me raste kur lidhjet farefisnore ndikojnë tek familja. Çiftet e ditëve të sotme preferojnë që të ndahen nga prindërit dhe ta ndërtojnë folenë e tyre në një banesë tjetër.

Kemi vënë re se familja tradicionale po humb terren në konkurrencën me familjen bërthamë. Duhet theksuar fakti se ndryshimet nuk kanë ndodhur vetëm në përbërjen e familjes. Ne jemi dëshmitarë të ndryshimeve rrënjësore në rolet e bashkëshortëve. Kjo ka ndodhur si pasojë e ndryshimit të përgjegjësive të mashkullit dhe të femrës. Ndoshta do të jetë më e saktë sikur të pranojmë se pas disa kohësh kallëpet gjinore mund të zhduken krejtësisht.

Në përbërjen e familjes tradicionale kishte kallëpe të gatshme që jepnin udhëzime duke filluar nga formimi i familjes së re dhe  të gjitha stadet ku ajo kalon. Në familjen tradicionale, roli i secilit individ, detyrat dhe përgjegjësisë e tija ishin të parapërcaktuara që në fillim. Roli i dhëndrit, nuses, bashkëshortit, nënës, babait, tezes, xhaxhait, gjyshit , gjyshes, nipit e mbesës mësohej duke u jetuar dhe duke shikuar shembujt e të tjerëve. Të gjitha këto e lehtësonin ndjeshëm jetën e secilit person. Edhe në  marrëdhëniet me familjarët dhe rastet e ndryshme si dasma e fejesa, njerëzit dinin si të silleshin në bazë të kallëpeve të gatshme që ekzistonin.

Sigurisht që është e vështirë dhe e dhimbshme që të pranojmë se së bashku me ndryshimet në jetën familjare kanë tronditur edhe lidhjet e bazuara në këto themele. Familja bërthamë e vazhdon jetën e vet në një vend të ri dhe e udhëhequr nga vendimet e veta. Gjithsesi ajo e ka të pamundur që të vazhdojë ekzistencën e vet e pavarur nga traditat, sepse familja e madhe vazhdon të jetojë edhe pse me lidhje pak më elastike. Gjithsesi, edhe pse neve na vjen pak e rëndë, duhet ta pranojmë se njerëzit (në veçanti ato që jetojnë në qytet) po priren gjithnjë e më shumë drejt asaj që quhet familje bërthamë. Kjo familje pranohet si një përbërje e re që i merr vendimet në mënyrë të pavarur dhe që si gjatë momentit fillestar të formimit, ashtu edhe gjatë kohëzgjatjes së martesës, ec në rrugën e vendimeve personale.

Nëse do marrim parasysh të gjitha këto etapa kalimtare do të kuptojnë se, në mënyrë që familja bërthamë të ekzistojë në trajtë të pavarur, duhet që vazhdimisht të krijohet nga e para. Një nevojë e tillë bën që çiftet e reja që janë në fazat e para të krijimit të familjes të hasin vështirësi, probleme, ngatërresa, diskutime dhe mospërputhje mendimesh.

Këto probleme shfaqen në çdo fazë të martesës. Duke qenë se njerëzit nuk i binden më rregullave tradicionale që na paraqisnin kallëp të gatshëm, lehtësisht të kuptueshëm e të praktikueshëm, tani njerëzit përballen me surpriza dhe probleme që kërkojnë zgjidhje në çdo hap që hedhin, duke filluar me kërkimin i dorës së vajzës e duke vazhduar me fejesën e martesën.  Bashkëshortët janë vazhdimisht në kërkim të një rruge të re.

Në ditët tona, edhe në rastet kur për zgjidhjen e këtyre problemeve njerëzit drejtohen drejt rregullave tradicionale, prejardhja nga krahina të ndryshme e eliminon këtë mundësi.

Bashkëshortët që janë të detyruar të lodhen për të gjetur rrugëzgjidhje për çdo problem që u del përpara, përballen me një situatë të vështirë. Nga ana tjetër, njerëzit pësojnë zhgënjime të mëdha kur shikojnë se jeta reale nuk përputhet me idealet e tyre.

Në ditët e sotme martesa krijohet në bazat e vendimeve individuale të çiftit. Për këtë arsye, i jepet shumë rëndësi njohjes paraprake të kandidatëve për martesë. Por në të ardhmen kjo do të krijojë probleme të mëdha në familje. Palët që do të martohen e hedhin hapin e parë duke  e njohur shumë mirë njëri-tjetrin, duke ndarë të njëjtat ideale dhe duke pasur pika të përbashkëta në pritshmëritë e tyre. Ndërkohë, me kalimin e kohës ato e shikojnë se idealet nuk realizohen dot dhe kjo gjë mund të sjellë shkatërrimin  e ëndrrave. Në mes mendimeve të përbashkëta dhe kthimit të tyre në praktikë mund të ketë humnera të mëdha. Shumë probleme të thjeshta mund të jenë tronditëse dhe zhgënjyese për çiftet e reja. Këto mund të bëhen shkak që martesa të futet në krizë.

Të ndodhur në një situatë të tillë, çiftet  e reja janë të detyruara që të gjejnë disa zgjidhje praktike të cilat nganjëherë kanë sukses e herë të tjera jo, duke e çuar çiftin drejt shpifjeve e ngatërresave. Madje, mund të lindin probleme që nuk kanë kthim pas. Këto mund të sjellin divorce e fatkeqësi familjare. Duhet theksuar fakti se çiftet e kanë të vështirë që të përpunojnë zgjidhjen e duhur për çdo problem që i del përpara. Por dihet që formimi i kallëpeve të reja të sjelljes për çdo hap që hedh është shumë i lodhshëm. Zvarritja e çifteve drejt kësaj përgjegjësie është një barrë e rëndë për to.

Mbase arsyet e hasura nga familja bërthamë bëjmë mirë që t’i kërkojmë këtu. Në veçanti numri i rritur i divorceve është një shenjë e qartë e kësaj. Duket hapur që modelet moderne të krijuara në vitet e fundit nuk mund të jenë aq të fuqishëm sa modelet tradicionale. Tashmë çdo familje e re gjendet përpara një barre shumë të madhe, asaj të përgjegjësive të fuqishme para çdo hapi të hedhur. Bashkëshortët e rinj mbështeten tek prindërit e tyre për ndihmë, ndërsa kur nuk e kanë një mundësi të tillë kanë vështirësi të papërshkrueshme.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-