Fëmijët kuptojnë

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Sipas studimeve të bëra në fushën e zhvillimit dhe psikologjisë së fëmijëve, fëmija që kur është 4 muajsh është në gjendje që të perceptojë emrin e vet. Ndërsa kur mbush 7 muajsh, ai ka aftësinë për t’i shprehur nevojat e veta me anë të veprimeve. Për shembull, ato i hapin krahët drejt jush kur kanë nevojë që t’i përqafoni. Kur janë 9 muajsh, ato reagojnë kur ia përmendni emrin, ndërsa gjatë periudhës 12-15 muajsh, ato përdorin pasthirrma të shkurtra për të treguar nevojat që kanë. Ndërsa kur janë 36 muajsh, ato e kuptojnë krejt mirë një fjali si: “Shko në dhomë dhe merr çantën.”

Sado që përpiqemi që ta fshehim, fëmija e percepton gjendjen tonë shpirtërore (gëzimin, hidhërimin, zemërimin etj). Por në të shumtën e kohës nuk i jep dot kuptim. Kjo mund të sjellë konfuzion emocional dhe mungesë besimi.

Diskutimet e bëra në sy të fëmijëve, shkaktojnë sjellje agresive dhe mbyllje në vetvete. Fjalët që të rriturit i thonë njeri-tjetrit perceptohen nga fëmija i cili krijon një analogji me gjendjen emocionale të atij momenti.  Përdorimi i fjalëve që poshtërojnë dhe ulin personin tjetër, zë vend të rëndësishëm në kujtesën e fëmijës. Prindi, kur i dëgjon këto fjalë prej fëmijës së vet, habitet shumë dhe reagon. Ndërkohë, kjo është eksperiencë e veçantë për fëmijën, i cili vetëm me një fjalë ka arritur që të tërheq vëmendjen e të rriturve. Fëmijës që i pëlqen ky eksperiment, vazhdon t’i përdorë këto fjalë dhe në të ardhmen ka shumë mundësi që të ndërtojë një të folur të tillë, të ngjashëm. Kur jemi në prani të fëmijës, duhet të bëjmë kujdes që të shmangim fjalët fyese për njerëzit e tjerë; fjalë si: fqinji i shëndoshë, drejtori budalla, shoku acarues… Studime të shumta kanë arritur në përfundimin se fëmijët e moshave 8 deri në 10 vjeç arrijnë që ta kuptojnë të folurën me nënkuptim dhe shprehjet e ekzagjeruara. Pra, le të bëjmë kujdes kur flasim në prani të fëmijëve. Në veçanti, duhet të evitojmë bisedat me nënkuptim në lidhje me tema si: seksualiteti, dhuna dhe fyerjet.

Nëse fëmija im përdor një fjalë të keqe, a duhet t’ia tregoj kuptimin e saj?

Shpjegimi apo mos shpjegimi i kuptimit të një fjale zhargoni ose fyese, lidhet drejtpërdrejtë me moshën e fëmijës. Nëse i shpjegoni kuptimin e një fjale të ndyrë, fëmijës të moshës 4 vjeçare, ai mund ta kuptojë ose jo. Prandaj, në vend të shpjegimit mund ta paralajmërojmë fëmijën me këto fjalë: “ajo që the është fjalë e keqe, më ka mërzitur, nuk dua që ta përsëritësh.” Në çdo rast prindi duhet të jetë shembull për fëmijën, kjo është e vlefshme edhe në kontrollimin e zemërimit dhe në mënyrën se si debatojnë. Ato duhet të përpiqen që diskutimet e tyre t’i bëjnë në ambiente larg fëmijës, në këtë mënyrë fëmija do të ndikohet më pak. Fëmija i ndan grindjet e prindërve në varësi të forcës së diskutimit. Sikurse kemi grindje të thjeshta në lidhje me punët e përditshme, ashtu kemi edhe grindje të forta që bëhen shkak për mërzi të mëdha.  Sipas studimeve, grindja e madhe, për fëmijët, nënkupton katastrofë të vërtetë, sepse ai e shikon si shpërndarje të familjes, botës së tij. Fëmija dridhet nga frika e humbjes së njërit ose të dy prindërve, frikë kjo që shumëfishohet nga zhurma e dyerve që përplasen, fyerjeve që fluturojnë sa nga njëra anë në tjetrën si dhe dhuna fizike që mund të shikohet në disa raste. Fëmija që nuk i jep dot kuptim sjelljes së prindërve të vet që zakonisht janë të dhembshur e të dashur, në mënyrë të pandërgjegjshme, fillon që ta kërkojë fajin tek vetja. Prindërit duhet të bëjnë shumë kujdes që të mos e vënë fëmijën përballë pyetjes së rrezikshme: “Pa më thuaj, cili prej nesh ka të drejtë?!”

Zakonet dhe traditat tona na kanë mësuar që të tregojmë respekt për më të mëdhenjtë, jo vetëm kur jemi në prani të tyre por edhe kur nuk jemi. Për këtë arsye kujdesi në këtë temë do të forcojë lidhjet familjare. Nëna dhe babai duhet të kenë kujdes që të mos thonë fjalë fyese ndaj prindërve dhe familjarëve të bashkëshortit (vjehrri, vjehrra, axha, daja, halla, tezja).

Nga ana tjetër, diskutimet konstruktive janë të dobishme për fëmijën i cili duke i dëgjuar mëson se si t’i shpreh mendimet e veta në mënyrë të kulturuar. Një prej sjelljeve kryesore që fëmija do të mësojë nga prindërit është edhe kultura e të shprehurit. Në këtë mënyrë, fëmija që në moshë të vogël mëson se mund t’i shprehë mendimet pa pasur nevojën për të ngritur zërin.

Si përfundim; fëmijët që në momentin e lindjes, janë shumë më të ndërgjegjshëm se sa ne mund të mendojmë. Për këtë arsye, duhet të bëjmë shumë kujdes sepse ato na shohin neve si të rriturit prej ku duhet të marrin shembull. Ne jemi përgjegjës për karakterin e ardhshëm të fëmijës.

Nëse fëmija përdor fjalë abuzive ose fyese

Së pari, nuk keni përse të shqetësoheni menjëherë. Fëmija nuk do ta kuptojë dot pse ju reagoni kaq fuqishëm për një fjalë të thjeshtë. Nga ana tjetër, në momentin që përdoret kjo fjalë, mos qeshni në asnjë mënyrë dhe mos e ktheni në temë dëfrimi. Në një rast të tillë fëmija do të mendojë se po bën diçka qesharake që e ndihmon për të fituar vëmendjen e të tjerëve, prandaj do e përsërisë atë. Reagimi më i duhur është ky: “Mbase je zemëruar por ne nuk i përdorim këto fjalë.” Mund të jetë e dobishme edhe t’i flitet fëmijës për impaktin që ka fjala e tij tek të tjerët dhe t’i kujtohet se çfarë do të ndjente ai sikur dikush tjetër t’i thoshte të njëjtën gjë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-