Imagjinoni njeriun me emrin Muhammed. Ai mund të ketë qenë komshiu juaj në Mançester, Hjuston ose diku tjetër. Ai kishte fytyrë të bukur, të këndshme, të rehatshme dhe sa herë që ju takonte, në fytyrën e tij vihej re buzëqeshja e tij e ëmbël. Ai kishte sy të bukur, simpatikë dhe qartësisht dukej një person i kujdesshëm dhe i dashur.
Imagjinoni një fëmijë që rritet nën mbikëqyrjen dhe nën udhëzimin e tij. Kur ky fëmijë të rritet dhe flet me tabiinët dhe tabi-tabiinët, ata që nuk e takuan Pejgamberin salallahu alejhi ue sel-lem, por panë shokët e tij. Imagjinoni emocionet e këtij kur flet për atë që e ka rritur dhe është kujdesur për të. Ky djalë ishte Enes Ibën Maliku.
Enes Ibën Maliku jetoi me Pejgamberin salallahu alejhi ue sel-lem për 10 vjet. All-llahu i dhuroi atij një jetë të gjatë, ai jetoi 103 vjet. Ndërroi jetë në shekullin e 8-të pasi kishte mbijetuar çdo bashkëkohës tjetër të Pejgamberit salallahu alejhi ue sel-lem.
Enesi, All-llahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë, “Pas vdekjes së Pejgamberit salallahu alejhi ue sel-lem, nuk kaloi asnjë ditë pa e parë në ëndërr, dhe qaja sa herë që e kujtoja fytyrën e tij.”
Kështu ishte ndikimi që pati takimi fizik i Pejgamberit salallahu alejhi ue sel-lem dhe shoqëria e tij me fëmijët. Enesi r.a. edhe kur ishte 100 vjeçar, akoma e mbante në mend gjallërisht fytyrën e Pejgamberit salallahu alejhi ue sel-lem nga kujtimet e fëmijërisë.
Në vijim do t’i kujtojmë edhe disa nga ata fëmijë që qëndruan me krijesën më të dashur të All-llahut, Pejgamberin salallahu alejhi ue sel-lem.
Të fillojmë me Enes Ibën Malikun, të cilin do ta takojmë shpesh në literaturën islame. “Enes” do të thotë lumturi dhe mbajtje shoqërinë e dikujt, dhe paraqet një emër të bukur – emër i shkurtër dhe i ëmbël. Nofka e dashur e Pejgamberit për Enesin ishte “Unais”.
Enesi i shërbeu Pejgamberit salallahu alejhi ue sel-lem për dhjetë vjet, nga mosha 10 deri në 20 vjeçare, kështu që ai na jep një perspektivë magjepsëse, unike, pasi asnjë i ri tjetër nuk kaloi kaq shumë kohë me atë, brenda dhe jashtë shtëpisë. Ai ishte në gjendje të fliste me autoritet për çdo pyetje në lidhje me rutinën dhe zakonet e përditshme të Pejgamberit salallahu alejhi ue sel-lem. Enesi lindi dhe u rrit në Medine, kështu që kurrë nuk u takua me Pejgamberin gjatë viteve të tij të hershme.
Hasan Ibën Ali, ishte një fëmijë tjetër përreth të Dërguarit të All-llahut, salallahu alejhi ue sel-lem. Ai dhe vëllai i tij, Husejni, i cili ishte një vit më i vogël se ai, ishin nipërit e Pejgamberit. Hasani lindi tre vjet para shpërnguljes për në Medine. Prindërit e tyre, Fatimeja dhe Aliu, ishin relativisht të rinj kur u martuan në Mekë. Nuk ka asgjë të keqe që një çift të martohen të ri. Ata bëhen miq dhe janë më shumë sesa thjesht bashkëshortë; ato rriten dhe i ndajnë përvojat e jetës me njëri-tjetrin, dhe sa më shumë përvoja të ndajnë, aq më e fortë bëhet lidhja e tyre.
Imagjinoni që Aliu dhe Fatimeja të rriten së bashku dhe të kenë fëmijë të quajtur Hasan, dhe një vit më vonë një tjetër të quajtur Husejn – të dy të emëruar nga i Dërguari i All-llahut, salallahu alejhi ue sel-lem. Kur lindi Hasani, Pejgamberi s.a.v.s. kishte 56 vjet. Duke ditur moshën e fëmijës dhe të Dërguarit të All-llahut, ju ndihmon të përfytyroni marrëdhënien e tyre. Hasani i ngjasonte shumë të Dërguarit të All-llahut dhe të gjithë e dinin këtë. Gjatë një rasti Ebu Bekër es-Siddiku i tha Aliut, babait të Hasanit, se Hasani i ngjante shumë Pejgamberit salallahu alejhi ue sel-lem, dhe Aliu buzëqeshi me krenari.
Pejgamberi i donte shumë nipërit e tij; ai lutej për ta duke thënë: “O All-llah! Unë i dua ata, Të lutem, duaji edhe Ti.” (Buhari) Imagjinoni një gjysh duke u lutur për nipërit ose mbesat e tij, dhe All-llahu i bekon ata me dashurinë e Tij!
Një i ri tjetër ishte edhe Abdullah Ibën Omeri. Nëse keni njohuri për historinë islame, me siguri keni dëgjuar për babanë e tij, Omer Ibën El-Hattabin, halifin e dytë i cili më vonë e pasoi të Dërguarin e All-llahut në udhëheqjen e Ummetit Islam. Ashtu si Enesi, edhe Abdullahu ishte 20 vjeç kur ndërroi jetë i Dërguari i All-llahut, në vitin 632.
Abdullahu e pranoi Islamin me babanë e tij dhe emigroi në Medine në moshën 10 vjeç. Megjithatë, 10 vitet që ai kaloi në Medinë ishin të mjaftueshme për ta bërë Abdullah Ibën Omerin shokun e tij të ri e të devotshëm që ne e njohim. Jo vetëm sepse babai i tij ishte Omeri, por sepse ai ishte një nga fëmijët që ishin bekuar ta njihnin personalisht të Dërguarin e All-llahut.
Një i ri tjetër i famshëm ishte edhe Abdullah Ibën Abasi. Ai e shoqëroi Pejgamberin salallahu alejhi ue sel-lem shumë më pak vite se Enesi. Kjo ndodhi sepse babai i tij, u rikthye në Islam vetëm dy vjet para vdekjes së të Dërguarit të All-llahut.
Shumë muslimanë mendojnë për Abdullah Ibën Abasin si një dijetar fetar të zgjuar, sepse ai e kishte shkruar tefsirin (komentin) gjerësisht të lexuar të Kur’anit, duke u mbështetur në përvojat e tij me Pejgamberin salallahu alejhi ue sel-lem.
Është mjaft interesante se ai ishte vetëm 13 vjeç kur ndërroi jetë Pejgamberi salallahu alejhi ue sel-lem, dhe kishte jetuar më pak se 3 vjet me të në Medine (ndryshe nga Enes Ibën Maliku) pasi babai i tij u rikthye në Islam pas çlirimit të Mekës. Sidoqoftë, brenda kohës së kufizuar që Abdullahu kishte me të Dërguarin, ai arriti të mësonte dhe ta kuptonte shumë Kur’anin.
Madje përmendet një lutje e veçantë të cilën e bëri Pejgamberi salallahu alejhi ue sel-lem për Abdullahun: “O All-llah, mësoja atij urtësinë dhe mësoja interpretimin e Kur’anit.” (Ibën Maxheh)
Abdullahu mund të ketë kaluar më pak se 3 vjet me të Dërguarin e All-llahut, por ai kaloi shumë kohë përreth, duke u lutur, duke luajtur dhe duke biseduar me të.
Autor: Hisham el-Awadi
Përktheu: Lutfi Muaremi
[Isl@mpress.ch]
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.