FIFA ia ka refuzuar Nedim Bajramit kërkesën për t’u paraqitur me Shqipërinë.
“Zemra rrah për Shqipërinë”, kishte thënë reprezentuesi i të rinjve të Zvicrës, Nedim Bajrami.
22-vjeçari nuk është lejuar që të paraqitet për Shqipërinë, ka shkruar gazeta zvicerane “Blick”.
Tri javë kanë kaluar qëkur Bajrami e kishte informuar Federatën e Futbollit të Zvicrës për ndryshimin e përfaqësueses.
Përzgjedhësit të Zvicrës U21, Mauro Lustrinellit, i kishte ardhur keq për vendimin që ai e kishte marrë, por ka thënë se identifikimi është një nga vlerat themelore për një lojtar të Përfaqësueses së Zvicrës. Ai ka shtuar se nuk kanë pasur zgjidhje tjetër, përveç se ta lënë atë të lirë.
Arsyeja pse Bajrami nuk është lejuar nga FIFA për ta përfaqësuar Shqipërinë është sepse i kishte zhvilluar katër ndeshje kualifikuese të Kampionatit Evropian për gjeneratën U21 te Zvicra pasi kishte mbushur 21 vjeç.
Kjo është e vendosur me rregullat e FIFA-s, pika 9, paragrafi 2b. Bajrami ishte ndihmesë e madhe e Zvicrës U21 kur “helvetikët” u kualifikuan në Kampionatin Evropian për këtë grupmoshë për herë të parë në 10 vjet. Bajrami ishte i grumbulluar me Shqipërinë, por është kthyer sepse nuk kishte marrë leje për ta përfaqësuar Shqipërinë./Gazeta Sinjali Sporti/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.