Në mesin e gjërave që e preokupojnë dhe shqetësojnë shoqërinë tonë (përveç tjerash) është edhe ajo se sa respektohen ndjenjat e individit në veçanti dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Sa në të vërtetë respektohet e drejta e shprehjes së të menduarit dhe të besuarit.
Çfarë është ndjenja e të besuarit?
Allahu i Madhërishëm e krijoi njeriun në formën më të përkryer dhe e pajisi me karakteristika superiore. Superioriteti i njeriut mbi të gjitha krijesat tjera shfaqet nëpërmjet aftësive unike intelektuale, aftësinë e të menduarit dhe të kuptuarit, dhe gatishmërinë e tij për të mësuar dhe për të zhvilluar kultura dhe qytetërime.
Prandaj, duke u nisur nga kjo, krijesa e quajtur njeri është e pajisur me cilësi nëpërmjet të cilave atij i jepet mundësia e të menduarit dhe logjikës, dhe nga kjo e fundit të arrijë deri tek e vërteta e ndjenjës së besimit (el-iman). Ndaj, njeriu me anë të intelektit të tij të pastër dhe të pa ndikuar duhet të kuptoj se çdo gjë në këtë dynja është e krijuar vetëm nga Allahu i Madhërisëm dhe për një gjë të këtillë nuk është kërkuar ndihma nga askush tjetër.
Allahu i Madhërishëm çdo krijesë në këtë botë e ka krijuar në mënyrën e caktuar dhe për të kujdeset në mënyrë adekuate. Ndërsa vetë Allahu i Madhërishëm është i Përkryeri Absolut dhe larg çdo të mete. Në krijimin dhe në përcaktimin e Tij manifestohet vetëm drejtësia, rregulli dhe korrektësia maksimale.
Allahu i Madhërishëm qiejt dhe Tokën i ka krijuar sipas përpikmërisë së përkryer të Tij, dhe këto i ka rregulluar sipas Urtësisë së Vet, ndaj dhe janë në përsosmëri dhe në harmoni të plotë.
“Sikur të kishte në to (qiej dhe Tokë) zotëra përveç Allahut, në të dyja do të mbretëronte çrregullimi.” (Kur’ani Fisnik)
Nisur nga ajo që njeriu është një ndër krijesat e Allahut në Tokë (më i përkryeri), korrektësia e jetës se tij varet nga konceptimi i së vërtetës dhe ndjekja e saj, ndërsa lajthitja është rezultat i pashmangshëm atëherë kur nuk njihet e vërteta, ose si pasojë e flakjes së saj pasi që njëherë është njohur ajo… Shkaku i jetesës jokorrekte tek mbarë njerëzimi është mosbesimi në Krijuesin dhe mospërfillja e urdhrave dhe udhëzimeve të Tij dhe të vërtetës qe Ai ka shpallur. Së këndejmi, çuarja e një jete korrekte në këtë botë është manifestimi në praktikë i besimit në Allahun e Madhërishëm dhe në atë që Ai e ka shpallur, dhe veprimi sipas udhëzimit te Tij në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore. Në lidhje me këtë Allahu i Madhërishëm shprehet:
“Me te vërtetë do t’ju arrije juve udhëzimi nga ana Ime, e kush pason udhëzimin Tim, nuk do të humbas (në këtë botë), as që do të jetë fatkeq (në botën tjetër). E ai që shmanget nga Libri Im, ai do të ketë jetë të vështirë dhe Ne, në Ditën e Kijametit do ta ringjallim atë te verbër.” (Ta-Ha, 123-124)
Bindja dhe mëpas zbatimi në praktikë i një ligji të krijuesit Fuqiplotë do të thotë bindje e fuqishme se Allahu i Madhërishëm është Zot, Sundues dhe Krijues i gjithçkaje, se vetëm Atij meriton t’i bëhet adhurim (ibadet) me anë të namazit, agjërimit, duasë, shpresës, frikës, përuljes, ndërgjegjes etj…
Fuqizimi i ndjenjës së besimit
Besimi në Allahun e Madhërishëm do të thotë bindje e fuqishme se vetëm Allahu është Zot, Sundues dhe Krijues i çdo gjëje, se vetëm Ai meriton adhurimin dhe vetëm Atij i bëhet ibadet me anë të namazit, agjërimit, duasë, përuljes, ndërgjegjes etj., ndërsa Ai i posedon të gjitha cilësitë dhe është larg çdo të mete.
Besimin në Allahun e Madhërishëm e shijon dhe ndjenë vetëm ai i cili e manifeston këtë me veprimet e tij, e përkujton Atë, e ndjenë praninë e Tij, cilësitë dhe madhështinë e Tij, pastaj vazhdon dhe shpreh dashurinë për të Dërguarin e Tij (s.a.v.s.) dhe për njeriun si krijesë e përkryer e Allahut. Në lidhje me këtë kemi hadithin e të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.):
عن أنس ، عن النبي صلى الله عليه وآله وسلم قال : ‘ ثلاث من كن فيه وجد حلاوة الإيمان : من كان الله ورسوله أحب إليه ما سواهما ، وأن يحب المرء لا يحبه إلا الله ، وأن يكره أن يعود في الكفر بعد أن أنقذه الله منه كما يكره أن يقذف في النار.
“Transmetohet nga Enesi r.a. se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) thotë: Tek ai i cili gjenden tri gjëra (cilësi) ai e shijon ëmbëlsinë e imanit: Personi për të cilin Allahu i Madhërishëm dhe i Dërguari i Tij (s.a.v.s.) janë më të dashur se çdo gjë tjetër; Ai i cili e do dikë vetëm për hir të Allahut; dhe ai i cili urren të kthehet në kufër (mosbesim) pasi Allahu i Madhërishëm e ka shpëtuar, dhe e urren këtë gjë, njëjtë sikur që urren të bie në zjarr.”
Njeriu në këtë botë është vënë në sprovë dhe atë ndërmjet dy gjërave: ta përkujtojë dhe ta dojë Allahun e Madhërishëm dhe ta ndjek rrugën e Tij, ose ta harrojë Allahun dhe të jetë në lajthitje.
Ai ndodhet në udhëkryqin e këtyre dy rrugëve: para tij është rruga e besimit, udhëzimit dhe lumturisë në këtë dhe botën tjetër, dhe e dyta është rruga e lajthitjes dhe fatkeqësisë në të dy botët. Allahu i Madhërishëm thotë:
“Përse të mos e adhuroj Atë që më ka krijuar. E, te Ai do te ktheheni ju.” (Ja Sin, 22)
Gjëja më e fortë, më e rëndësishme, më e lartësuar dhe më e dashur te All-llahu i Madhërishëm që posedon njeriu është fuqia e besimit – për të cilën i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) thotë: المؤمن القوي خير وأحب إلى الله من المؤمن الضعيف – “Muslimani i fortë (me besim të fortë ) është më i mirë dhe me i dashur te Allahu se sa muslimani i dobët (me besim të dobët)”, nga kjo njeriu përfton forcën e qëndrueshmërisë ndaj sprovave të kësaj bote – të çfarëdo lloji qofshin ato…
Allahu i Madhërishëm thotë:
“ Vetëm Ai krijon dhe sundon! I Larte është Allahu Sunduesi i botëve!” (El-A’rafë, 54)
Që nga krijesa e parë në rruzullin tokësor (Ademi a.s.) i cili posedonte intelektin e të menduarit – e deri në ditët e sotme, ndjenja e besimit gjithnjë ka qenë prezente, mirëpo tek disa është manifestuar më shumë dhe më drejtë, ndërsa tek disa më pak…
Thuaj: “Ai është që ju krijoi, ju dhuroi të dëgjuarit, të pamurit dhe mendjen, kurse pak po falënderoni.” (El-Mulk, 23)
Historia e njerëzimit nuk njeh popuj pa këtë ndjenjë, pra ndjenjën e besimit (imanit). Ç’është e vërteta, historia dhe faktet e saj na e bëjnë me dije se kjo ndjenjë ka ekzistuar edhe atëherë kur nuk ka ekzistuar as penda e as lapsi, megjithatë tërë kjo është manifestuar në mënyra të ndryshme dhe diku më pak e diku më shumë, prandaj për këtë Allahu i Madhërishëm i dërgoi të dërguarit e Vet (pejgamberët) me misionin e tyre i cili është thirrja për adhurimin e Allahut:
“Unë nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Edh-Dharijatë, 56)
Krijuesi i Universit e solli njeriun në këtë dynja dhe bashkë me të dërgoi edhe mësimet dhe misioni i tyre i qartë ishte fuqizimi i ndjenjës së bindjes në një Fuqi Absolute dhe pa te meta, gjë për të cilat krijesa njerëzore ka shumë nevojë, sepse dobitë që sjell fuqia e besimit në Një Krijues Absolut – e nxjerr njeriun nga shumë situata të cilat i sjell jeta në këtë botë të stërmbushur përplot me kurthe dhe sprova nga më të ndryshmet…
Ne duhet të jetojme me këtë ndjenjë në mënyrë që të konsiderohet e drejtë për veten tonë dhe e saktë, përndryshe jemi të destinuar të përballemi me vetëdënim…
Pra fuqizimi i ndjenjës së besimit (imanit) sjell përftime në jetën tonë. E kjo manifestohet në forcimin e ndjenjës shpirtërore ne raport me sfidat e jetës. Fuqizimi i kësaj sjell pergjigjen e duhur në shumë pyetje të ndryshme si në raste gëzimi e hareje, po ashtu edhe në raste pikëllimi e mërzie.
Ndjenja e mbështetjes në Një Fuqi Absolute, në Një Ligjvënës, i ndihmon njeriut të kaloj sfidat e ndryshme të jetës. Betejën në jetën tënde mund ta kuptosh vetëm me posedimin e mbështetjes në Një Fuqi Absolute. Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë:
“E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet Allahu u rrënqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre”. (Enfalë, 2)
Autore: Fetie Osmani
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.