Në kuadër të hulumtimeve të kryera nga Prof. Halil Ibrahimi nga Departamenti i Biologjisë së Universitetit të Prishtinës, është gjetur një lloj i ri insekti për shkencën nga Parku Kombëtar Mali Sharr.
Ky insekt për momentin është i njohur vetëm nga Kosova dhe është lloj endemik i Bjeshkëve të Sharrit. Është gjetur në disa përroska malore, degë të lumenjve Lumbardhi i Prizrenit dhe Lepenc, përreth zonës së Brezovicës, Prevallës si dhe territorit në të cilin planifikohet ndërtimi i kompleksit turistik Brezovica II. Lloji i ri i insektit quhet Drusus sharrensis dhe e ka marrë emrin nga Mali Sharr, transmeton koha.net.
Këto bjeshkë përndryshe janë shumë të pasura me lloje të rralla bimore dhe shtazore dhe njihen si qendër e biodiversitetit të Ballkanit.
Megjithë këtë pasuri të madhe llojore, shumë pak hulumtime ka pasur sidomos në aspektin e studimit të faunës. Viteve të fundit biodiversiteti i Malit Sharr, në disa pjesë të rëndësishme, është në rrezik nga shfrytëzimi i pakontrolluar i burimeve ujore malore, zgjerimi i aktiviteteve turistike, dëmtimi i pyjeve etj.
Ndërtimi i kompleksit turistik Brezovica II, në qoftë se nuk menaxhohet dhe planifikohet mirë, pritet të ketë ndikim në ngushtimin e arealit të vendbanimit të llojit të ri të insektit, thuhet në punimin e publikuar në revistën prestigjioze ZooKeys ku është përshkruar ky lloj i ri insekti.
Përveç përshkrimit të llojit të ri në këtë punim, është bërë edhe një analizë e detajuar gjenetike dhe filogjenike e këtij lloji me disa lloje të tjera endemike të përafërta nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Austria etj në bashkëpunim me ekipin e shkencëtarëve nga disa vende Evropiane.
Ky punim shkencor e thekson Kosovën, dhe Malin Sharr në veçanti për potencialin e lartë të biodiversitetit duke i bërë të domosdoshme hulumtimet e ardhshme në këtë drejtim për zbulimin e tij. Vitin e kaluar ishte publikuar një zbulim tjetër i Profesorit Halil Ibrahimi, lloji endemik i insektit Drusus dardanicus nga Llapi.
Burimi i punimit: http://zookeys.pensoft.net/articles.php?id=6350
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.