Me vendimin e Këshillit Shkencor-Mësimor të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore nr. 245 të dt. 12. 02. 2009, jemi caktuar anëtarë të Komisionit recenzues për ta hartuar raportin për zgjedhjen e një mësimdhënësi për lëndët Gjeografia regjionale, Gjeografia regjionale I dhe Gjeografia regjionale II në Departamentin e Gjeografisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore. Komisioni vendimet i mori më 18. 02. 2009.
Në konkursin e shpallur në disa gazeta të përditshme të dt. 20. 01. 2009 janë paraqitur dy kandidatë: dr. sc. Hajriz Meleqi dhe Mr. Sc. Fatmire Ismaili. Komisioni recenzues, në përbërje Akad. dr. Hivzi Islami, profesor ordinar, dr. Ruzhdi Pllana, profesor ordinar dhe dr. Vahdet PRUTHI, profesor ordinar, pasi shqyrtoi dokumentacionin përkatës, Këshillit Shkencor-Mësimor të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore i paraqet këtë
R A P O R T
- Kandidati dr. Hajriz MELEQI u lind më 20 nëntor 1946 në Blaç të Opojës. Shkollën fillore e mbaroi në Bresanë, shkollën normale në Prizren, ndërsa Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Dega e Gjeografisë, e kreu në Prishtinë, në vitin 1974. Studimet postdiplomike i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Zagrebit, Dega e Gjeografisë, Drejtimi “Principet dhe metodat e regjionalizimit”, ku mbrojti temën e magjistraturës në vitin 1987. Shumë vite punoi në shkolla fillore dhe pastaj si profesor i gjeografisë në gjimnazin e Sharrit (ish-Dragashi). Nga hyrja e forcave ndërkombëtare në Kosovë në qershor të vitit 1999 e deri në zgjedhjet lokale të 28 tetorit 2000 ushtroi detyrën e prefektit të komunës së Dragashit. Nga Shoqata për Aftësim Profesional të Studentëve të Fakultetit të Edukimit në vitin 2008 ka marrë çmimin “Profesor i dalluar”. Nga viti 2006 është kryetar i Shoqatës së Gjeografëve të Kosovës, por që nuk ka shënuar ndonjë rezultat në organizimin e saj.
Pas një pune shumëvjeçare kandidati hartoi dhe mbrojti me sukses në vitin 1987 temën e magjistraturës me titull “Zhvillimi historiko-gjeografik i komunës së Dragashit”. Ndërkaq tezën e doktoratës me titull “OPOJA – studim kompleks gjeografik”, e mbrojti në Departamentin e Gjeografisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës më 04. 01. 2002 para komisionit në përbërje prof. dr. Hivzi Islami, prof. dr. Asllan Pushka dhe prof. dr. Ruzhdi Pllana.
Kandidati dr. Hajriz Meleqi që nga studimet themelore dhe studimet pasdiplomike iu kishte përkushtuar hulumtimit të trevës së tij, Opojës si tërësi specifike etnogjeografike dhe regjinalo-gjeografike, duke publikuar disa punime profesionale dhe shkencore në revistat lokale, kosovare dhe në disa revista jashtë Kosovës, në Tiranë dhe Shkup. Punimet u kushtohen si veçorive fiziko-gjeografike, ashtu edhe karakteristikave sociogjeografike dhe ekonomike të kësaj hapësire. Ndër to punimi më i rëndësishëm që gjendet në shtyp është monografia gjeografike “Opoja – studim kompleks gjeografiko-historik”, si botim i autorit. Më poshtë po japim listën e plotë të artikujve dhe kontributeve të publikuara.
Shkrimet dhe punimet pas zgjedhjes në thirrje Prof. Assistent në vitin 2004:
- “Antroponimia dhe toponimia në aspektin e ndriçimit etnik të popullatës së Opojës”, Sharri, nr. 50-51, qershor-korrik, 2005;
- “Ymer Prizreni-figura më markante e kohës”, Sharri, nr. 50-51, qershor-korrik, 2005;
- “Vendbanimet e Opojës”, Sharri, nr. 52-53, 2006;
- “Karakteristika gjeografike të Opojës”, Sharri, nr. 54-55, 2006;
- “Teza arnautashe si përpjekje për të shtrembëruar realitetin shkencor lidhur me etnogjenezën e popullsisë së 0pojës”, Sharri, 2006;
- “Përhapja e islamizimit në Kosovë”, Sharri, nr. 56-57, dhjetor-janar, 2006/2007;
- “Karakteristikat orohidrografike të Opojës”, Sharri, nr. 56-57, dhjetor-janar, 2006/2007;
- “Turizmi-resurset turistike të Opojës”, Sharri, nr. 56-57, dhjetor-janar, 2006/2007;
- “Tipi i shtëpive në fshatin e Opojës”, Sharri, nr. 56-57, dhjetor-janar, 2006/2007;
- “Stanet (kolibat) e bjeshkës në Opojë”, Sharri, nr. 56-57, dhjetor-janar, 2006/2007;
- “0rganizimi fisnor dhe farefisnor në Opojë”, Sharri, nr. 56-57, dhjetor-janar, 2006/2007;
- “Disa karakteristika etnografike në Opojë”, Sharri, nr. 56-57, dhjetor-janar, 2006/2007;
- “Opoja në periudhën e Jugosllavisë së Vrsajës”, Sharri, nr. 58-59, dhjetor-janar, 2008/2009;
- “Blegtoria në trevën e Kosovës”, Sharri, nr. 58-59, dhjetor-janar, 2008/2009;
- “Struktura ekonomike e sipërfaqeve bujqësore në trevën e Opojës”, Sharri, nr. 58-59, dhjetor-janar, 2008/2009;
- “Masat për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë”, Sharri, nr. 58-59, dhjetor-janar, 2008/2009;
- “Liqeni i Breznës (liqe i vetëm tektonik në Kosovës), Sharri, nr. 58-59, dhjetor-janar, 2008/2009;
- “Analiza gjeografike e këmbimit tregtar të Kosovës në periudhën e pasluftës”, Kërkime Gjeografike (Geographical Exploration), 14, Prishtinë, 2008 (Ky punim, me të njëjtin emër dhe përmbajtje është botuar dhe në revistën shkencore-shoqërore “Vizione”, Shkup, 2008);
- H. Meleqi-D. Reshiti, “Karakteristikat gjeografike të regjionit të Gorës” (Some Geographical Characteristics of Gora), Haemus, revistë e Shoqatës Kulturore Shqiptare, Bukuresht, 2008/2009 (sipas kandidatit shkrimi gjendet në shtyp dhe dorëshkrimin nuk e posedon Komisioni, por vetëm një vërtetim);
- H. Meleqi-D. Reshiti, “Teza arnautashe si përpjekje për të shtrembëruar realitetin shkencor lidhur me etnogjenezën e popullsisë në 0pojës (“Arnautashe”, thesis – an attempt to garble scientific facts on the ethnogenesis of Opoja Population), Haemus, revistë e Shoqatës Kulturore Shqiptare, Bukuresht, 2008/2009 (sipas kandidatit shkrimi gjendet në shtyp dhe dorëshkrimin nuk e posedon Komisioni, por vetëm një vërtetim); ky punim është botuar dhe nën numrin rendor 5, në revistën “Sharri”.
- H. Meleqi, “Analiza gjeografike e këmbimit tregtar të Kosovës në periudhën e pasluftës”, (A geographical analysis of Kosovo trade exchange in the post-ëar period), Haemus, revistë e Shoqatës Kulturore Shqiptare, Bukuresht, 2008/2009 (sipas kandidatit shkrimi gjendet në shtyp dhe dorëshkrimin nuk e posedon Komisioni, por vetëm një vërtetim); ky punim është botuar dhe nën numrin rendor 18 në revistën “Kërkime Gjeografike”.
Kandidati ka ofruar një kopje të publikimit me titull “Opoja – studim kompleks gjeografiko-historik”, në 231 faqe, i cili, sipas tij, gjendet në shtyp. Është botim i vet autorit. Publikimi në këtë formë dhe përmbajtje në të vërtetë është disertacioni i doktoratës së kandidatit, i mbrojtur në vitin 2002 dhe është vlerësuar me rastin e zgjedhjes së tij në titullin e Profesorit Asistent në vitin 2004.
Kandidati i ka bashkangjitur dokumentacionit edhe dy “dispenca” me titull “Gjeografia regjionale 1 (Evropa)”, 2007, dhe “Gjeografia regjionale II (Kontinentet jashtë Evropës), 2008.
Komisioni recenzues e konsideron të nevojshme të shpjegoj se këto “dispenca”
nuk janë të autorizuara nga asnjë instancë akademike dhe shkencore, sikundër që nuk mbajnë emrin e çfarëdo botuesi. Mund të jenë shënime të kandidatit që i përdorë për ligjërata me studentë. Përdorimi, distribuimi apo shitja e tyre tek studentët në asnjë mënyrë nuk është e lejueshme. Për këto arsye nuk e shohim të arsyeshme as t’i komentojmë.
Nga lista e punimeve dhe të dorëshkrimeve të dorëzuara me numrat rendorë 1-17 shihet se kontributet janë të botuara në një revistë lokale, informative-kulturore, artistike e shkencore opojane, “Sharri” dhe të gjitha janë pjesë e dorëshkrimit të doktoratës. 7 kontribute e shkrime të tilla janë të botuara vetëm në një dynumërsh (nr. 56/57) dhe 5 të tjera në dynumërshat 58/59.
Komisioni recenzues e sheh të arsyeshme të theksojë se kandidati dr. Hajriz Meleqi për herë të parë ka hyrë në Universitet në fund të vitit 2004, në moshë 58 vjeçare, nga detyra e profesorit shumëvjeçar në shkollat fillore e të mesme të Sharrit (ish-Dragashit), me një përvojë të mirë pedagogjike. Zgjedhja në thirrjen Prof. Asistent ishte pa dyshim një privilegj i madh për kandidatin, pa asnjë ditë përvoje pune në Universitet. Në periudhën pas zgjedhjes në vitin 2004, kandidati nuk ka as ndonjë punim me peshë që do ta kualifikonte për avansim në thirrje më të lartë nga kjo që ka sot. Nuk i plotëson as kushtet që i kërkon neni 183 i Statutit të Universitetit të Prishtinës, paragrafi 2, ku thuhet: Për titullin e profesorit të asocuar kandidati duhet “Të ketë një numër të zgjedhur të monografive dhe publikimeve të shqyrtuara në revista ndërkombëtare shkencore ose artistike, me së paku tri punime kryesore të publikuara dhe të shqyrtuara në revista ndërkombëtare”. Kandidati nuk e përmbush asnjë nga këto kushte. Edhe mbetja në thirrjen e tanishme akademike është një përparësi për kandidatin duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat që i zumë në gojë më lartë.
- Kandidatja Mr. sc. Fatmire KOÇMEZI –ISMAILI u lind në Gjilan në vitin 1970. Aty e mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Dega e Gjeografisë, e kreu në Prishtinë në vitin 1994. Në vitin 1997 punoi në shkollën fillore “Bari Farm” në Kastriot, ndërkaq studimet pasuniversitare i regjistroi në Degën e Gjeografisë të FSHMN-së në vitin 1996 dhe magjistroi në vitin 2003 në temën “Analiza urbano-gjeografike e zonave të banimit të qytetit të Prishtinës”. Gjatë luftës së fundit e deri në qershor të vitit 2000 qëndroi dhe punoi në Leeds në Primorose Hight School”në Angli. Nga vitit 2000 e deri në vitin 2007 punoi në Kuvendin Komunal të Prishtinës, në Drejtoratin e Shërbimeve Publike, të Transportit dhe të Mbrojtjes së Ambientit. Nga 3.01.2007 punon në Ministrinë e Punëve të Brendshme si udhëheqëse e Divizionit për Azil të Departamentit për Kufi dhe Migracion. Ka kryer disa kurse, trajnime dhe seminare. Nuk ka asnjë punim të botuar e as ndonjë dorëshkrim të ofruar. Prandaj, Komisioni nuk ka asnjë mbështetje profesionale-juridike ta propozojë për vendin e punës që kërkohet me konkurs.
Në mbështetje të gjithë kësaj që u tha më lartë, Komisioni recenzues për hartimin e raportit për zgjedhjen e një mësimdhënësi për lëndët Gjeografia regjionale, Gjeografia regjionale I dhe Gjeografia regjionale II në Departamentin e Gjeografisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, ka kënaqësinë që t’i paraqesë Këshillit Mësimoro-Shkencor të këtij Fakulteti këtë
P R O P O Z I M
Kandidatja Fatmire Koçmezi-Ismaili refuzohet. Ndërkaq kandidati dr. Hajriz Meleqi i plotëson kushtet profesionale-shkencore e pedagogjike dhe formale për t’u rizgjedhur në thirrjen Profesor Asistent për lëndët Gjeografia regjionale, Gjeografia regjionale I dhe Gjeografia regjionale II në Departamentin e Gjeografisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës.
(Shkrimi në këtë artikull nuk shpreh qëndrimet dhe opinionet e redaksisë së Portalit “Opoja.net“. E gjithë përgjegjësia e shprehjeve, bie mbi autorin e këtij opinioni).
Dërgoni edhe ju opinionin tuaj në këtë email: info@opoja.net)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.