Hape zemrën dhe shtoje dashurinë

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Ekzistenca e besimit së pari fillon në zemër. Ajo qëndron mbi bazën e dashurisë.[1] Dashuria ndaj Allahut Teala është qendra e kësaj pune. Të gjitha përkatësitë në lidhje me këtë dashuri qendrore marrin pjesë nga kjo dashuri hallkë pas hallke. Çdo vlerë që i atribuohet atij si i Dërguari i Allahut, Libri i Allahut, Shtëpia e Allahut, evliatë e Allahut, robërit e Allahut etj., ka një vend në botën e dashurisë së besimtarit. Për këtë arsye, njëra prej shenjave më të rëndësishme të hyrjes së besimit nëpër zemra, siç shprehet edhe i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, është “dashuria ndaj vëllezërve besimtarë”.[2] Përderisa besimi të reflektojë nga fjalët në zemër dhe në vepra, kryen një funksion që e pjek personalitetin dhe zgjeron zemrën.

Zoti (xh.sh.), e lidh me besimin dashurinë, vëllazërinë dhe paqen ndërmjet besimtarëve. Në këto deklarata të të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, hyrja në Xhenet është lidhur me besimin. Ndërsa sinqeriteti dhe përsosmëria e besimit është lidhur me kushtin e dashurisë ndaj vëllezërve besimtarë:

“Betohem në Allahun, i Cili e ka në dorë shpirtin tim, se nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni. Përderisa të mos e doni njëri-tjetrin nuk do të besoni. A t’ju tregoj për diçka që nëse e bëni do ta doni njëri-tjetrin? Përhapeni selamin ndërmjet jush!” (Muslim, Iman, 93-94. Veçanërisht shik. Tirmidhi, Et’ime, 45, Kiamet 56.)

Ata që e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut Teala, Ditën e Gjykimit do të jenë njëri prej shtatë grupeve që do të qëndrojnë nën hijen e Arshit të Zotit (xh.sh.). Nëse çështjen e shohim nga ky aspekt, në të vërtetë kuptohet se ky qëllim ka një shkallë të lartë,[3] sepse kjo pjekuri, për të cilën premtohet një shpërblim i barabartë me shpërblimin që do të marrë një kryetar shteti i drejtë, sigurisht se nuk është një shkallë që mund të arrihet lehtë. Kjo gjendje kërkon pajisjen me virtytet si durimi, vendosmëria, modestia, flijimi, besa, falja dhe mbulimi i gabimeve.

Edhe pse farat e para të dashurisë që besimtarët ndjejnë kundrejt njëri-tjetrit hidhen me besimin, këto fara kanë nevojë për shërbimin e të zotit dhe mëshirën e ndihmën e Allahut Teala, në mënyrë që të mbrohen, të rriten dhe të japin frytet e tyre.

Besimi është një pikë mëshire hyjnore që bie në zemër, në mënyrë që të fillojë procesi i pjekjes së njeriut. Shndërrimi i kësaj pike në oqean dhe reflektimi i saj në çdo qelizë të trupit dhe në jetë mund të realizohet me vepra të mira, sjellje të bukura, virtyte morale dhe mirësi hyjnore. Ndërmjet besimtarit të thjeshtë dhe besimtarit të përsosur sigurisht që ka një ndryshim të madh. Ja pra, dashuria e besimtarëve kundrejt njëri-tjetrit për hir të Allahut Teala është njëri prej shkaqeve më të rëndësishëm për përsosjen e besimit.

Nisur nga këto që thamë, shtimi dhe rritja e dashurisë janë detyrë e besimit. Hallka e dashurisë duhet të rritet aq shumë saqë duhet të përfshijë tokën dhe qiellin, përveç armiqve të Allahut Teala. Kjo dashuri nuk duhet të përfshijë vetëm llojin tonë, por duhet të përfshijë të gjitha krijesat. Ne në këtë shkrim do të përpiqemi të shtjellojmë çështjen se si mund të mbrohet dhe përsoset fara e dashurisë ndaj besimtarëve që fillon me besimin.

Para së gjithash duhet të shërohen sëmundjet si pëlqimi i vetes, mendjemadhësia, smira, urrejtja, përgojimi dhe paragjykimi të cilat mund t’i quajmë pengesa më e madhe e dashurisë nëpër zemra, sepse, përderisa të gjenden në zemra këto pengesa që i radhitëm, do të thotë se nuk ka mundësi për shtimin e dashurisë. Të urtët kanë thënë: “Së pari duhet të pastrohen faktorët e prishjes, pastaj duhet të merren elementet e dobishme.” Ky është një rregull i rëndësishëm i sheriatit. Nisur nga këto, disiplina e përparimit në mistikë të cilën mund ta shprehim në formën e “pastrimit të nefsit dhe dëlirjes së zemrës”, në të njëjtën kohë është edhe edukim për shtimin e dashurisë dhe për përsosmërinë e pjekurisë së vëllazërisë.

Urdhri i të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam, për ta përhapur selamin të cilin na e ka dhënë me qëllim për të siguruar formimin, vazhdimësinë dhe zhvillimin e dashurisë ndërmjet besimtarëve, padyshim që është një sunnetullah i cili përfshin urtësi të pafundme. Me fjalë të tjera:

Të përhapësh selamin do të thotë të jesh një njeri që mund të të besohet. Domethënë, është një edukim personaliteti që i bën të tjerët të sigurt nga dora e gjuha jote, nga dëmi dhe humbja që mund t’u shkaktosh. Siguria, domethënë, besueshmëria është njëra prej kushteve të domosdoshme për formimin e dashurisë. Çdo lloj tradhtie e shuan zjarrin e dashurisë dhe i nxit ndjenjat e armiqësisë.

Përhapja e selamit është edhe të shprehurit se besimtarët e mbrojnë njëri-tjetrin, në mënyrë që të jetojnë në paqe. Mbrojtja e të tjerëve nga çdo lloj rreziku që dëmton dhe nxjerrja e vëllezërve në bregun e paqes, edhe e bën të vazhdueshme dashurinë, edhe e shton atë. Lënia vetëm e vëllait në kohë të vështirë, dorëzimi i tij te i padrejti dhe të mos i japësh ndihmë ndërkohë që ai ka nevojë për këtë të fundit, sigurisht që do të shkaktojë largimin e begatisë së dashurisë.

Përhapja e selamit është shtimi i dhënies së selamit në mënyrë të ndërsjellë. Me një thënie tjetër, do të thotë të jesh në gjendje komunikimi të vazhdueshëm dhe të mos i shkëpusësh marrëdhëniet. Dhënia e selamit në mënyrë të ndërsjellë është çelësi i miqësisë, domethënë, çelësi i formimit të marrëdhënieve ndërmjet nesh. Gjithashtu është edhe shenja e parë e respektit. Është simboli i vlerësimit të të tjerëve. Është shprehja më e bukur e ndjenjave pozitive që ndjen në zemër kundrejt vëllait tënd. Komunikimi me fjalë i takon sytë. Takimi i syve i takon duart dhe zemrat.

Pema e dashurisë që mbillet me besim dhe vaditet me përhapjen e selamit, duhet të vazhdojë të rritet duke e zbatuar këshillën e të Dashurit të Allahut (s.a.s.), i cili thotë: “Jepini dhurata njëri-tjetrit, në mënyrë që t’ju shtohet dashuria ndërmjet jush.”[4] Nëse të gjithë e zbatojnë këtë sunet, sipas mundësive që kanë, pa marrë parasysh nëse dhurata është e madhe apo e vogël, dashuria do të shtohet dhe me kalimin e kohës do të shndërrohet në oqean. Ai që nuk gjen dot asgjë për të dhuruar, duhet t’ia shprehë dashurinë vëllait të tij duke i thënë një fjalë të mirë apo duke i buzëqeshur ëmbëlsisht, në mënyrë që dashuria të shtohet dhe ndjenjat e këqija të largohen nga zemrat.

Edhe një vepër tjetër që e shton dashurinë ndërmjet besimtarëve është që ata ta vizitojnë njëri-tjetrin për hir të Allahut të Madhëruar. Begatia e vizitës është një ujë i mëshirës hyjnore që e zhvillon më shpejt se çdo gjë pemën e dashurisë. Madje ajo është një fuqi hyjnore që e tërheq dashurinë e Zotit (xh.sh.), drejt robit.

Është transmetuar se i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të ka thënë: “Një burrë mori rrugën për të vizituar vëllain e tij (në fe) që gjendej në një fshat tjetër. Allahu Teala urdhëroi një engjëll që ta kontrollonte atë në rrugë. Kur burri erdhi pranë engjëllit, engjëlli i tha: “Ku po shkon?” Burri iu përgjigj: “Në këtë fshatin matanë kam një vëlla besimtar. Kështu që po shkoj ta vizitoj.” Engjëlli e pyeti: “Mos ke ndonjë interes prej atij burri?” Burri i tha: “Jo, nuk kam. Unë e dua atë vetëm për hir të Allahut. Për këtë arsye po shkoj ta vizitoj.” Nisur nga kjo, engjëlli i tha: “Siç e do ti atë, ashtu të do edhe Allahu ty. Unë jam një i dërguar i Allahut Teala për të të dhënë këtë sihariq.” (Muslim, Birr, 38.)

Njëri prej suneteve më të rëndësishëm që në ditët e sotme pothuajse e kemi harruar është suneti i vizitës. Gjallërimi i këtij suneti është shumë i rëndësishëm, në mënyrë që umeti të bashkohet dhe të marrë begati. Fakti që dashamirësia, dashuria, madje edhe miqësia janë bërë sipërfaqësore, kohëshkurtra dhe kanë hyrë në një proces të mbështetur te interesi, do të thotë se ndërmjet nesh gjendet sëmundja e mospërfitimit nga këto burime të dashurisë.

Edhe një vepër tjetër që e shton dashurinë ndërmjet besimtarëve është fokusimi jo te gabimet e mangësitë e vëllait, por te virtytet dhe mirësitë e tij. Pra, të menduarit mirë për të tjerët dhe dhënia përparësi ndjenjave të vlerësimit. Mbi të gjitha, ne duhet të arrijmë një pjekuri shpirtërore sa për ta kujtuar me mirësi vëllain besimtar edhe kur ai nuk është prezent. Ne nuk duhet t’i hyjmë rrugës për ta rritur veten duke përçmuar vëllain besimtar. Për këtë arsye, vëllain besimtar duhet ta pranojmë si pjesën tonë, të rritemi të gjithë së bashku dhe t’i besojmë begatisë së zhvillimit.

Virtyti për të qenë të bashkuar edhe në ditë të mira, edhe në ditë të këqija, i jep dashurisë një pjekuri që nuk e lë të shpërbëhet. Nëse solidarizohemi duke u bërë inkurajues dhe ndihmues në mirësi e devotshmëri dhe parandalues e pengues në ligësi e armiqësi, trupat e ndryshëm do t’i bashkojmë në një frymë.

Besnikëria, sinqeriteti dhe sakrifica janë virtytet më të rëndësishme që e forcojnë dashurinë. Këto janë virtyte të larta morale që shfaqen te njerëzit me personalitet.

Të gjitha këto vepra që i radhitëm janë lutje të reflektuara në jetën reale të cilat bëhen në emër që Zoti (xh.sh.), i Cili është “el-Vedud”, domethënë “Ai që do shumë dhe që duhet shumë” si burimi i të gjitha dashurive, në një kuptim t’u japë dashuri zemrave tona. Nëse këtyre veprave u shtohen edhe përgjërimet verbale dhe nëse kërkohet nga i Lartmadhërishmi që të na japë dashuri edhe për Të, edhe për robërit e dashur të Tij, padyshim se nuk do të kthehemi duarbosh.

Si përfundim mund të themi se ne kemi dashuri aq sa kemi besim. Shtimi i besimit shton edhe dashurinë. Shtimi i dashurisë e shton përsosmërinë e besimit. Gjithëpërfshirja në dashuri është e lidhur drejtpërsëdrejti me gjerësinë e zemrës. Besimi është një dritë hyjnore që e zgjeron zemrën. Ai që ka më shumë dritë, e ka edhe zemrën më të gjerë. Urrejtja dhe armiqësia në një zemër të tillë gjendet vetëm kundrejt armiqve të Allahut Teala. Njerëzit e tillë që në këtë botë ecin në atmosferën e xhenetit bashkë me vëllezërit e tyre besimtarë. Sepse vetëm zemrat që janë të pastruara nga urrejtja dhe mëria kundrejt njëra-tjetrës mund të vëllazërohen. Dhe vetëm njerëzit e tillë mund ta shijojnë kënaqësinë e besimit të tyre.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-