Haxhi udhëtimi drejtë devotshmërisë

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Përafërsisht njëzet shekuj para erës sonë, Ibrahimi a.s. jetonte në tokën e Palestinës. Në bazë të urdhërit të cilin e mori prej Zotit xh.sh., bashkëshorten e tij Haxherin dhe të birin Ismailin, i cili akoma ishte në gji të nënës, i solli në Mekke. Pasi që i la ata në afërsi të vendit ku më vonë do të ndërtohet/rindërtohet Qabeja, u nda prej tyre duke u lutur që këto vise të bëhen të begatshme/bereqetshme dhe tërheqëse për njerëzit. Kur’ani famëmadhë reflekton lutjen e Ibrahimit a.s. “Kur Ibrahimi u lut: “Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër….” (Bekare2/126). Pra Ibrahimi a.s. familjen ia kishte dorëzuar Allahut madhëriplotë. Në ato kohëra jo vetëm që nuk jetonte askush në Mekke, por nuk kishte as ujë për të pirë dhe as që kishte mundësi të zhvillohet ndonjë lloj buqësie.

Sipas shpalljes së Allahut të lartë madhëruar, shtëpia e parë e themeluar në faqen e dheut për të bërë ibadet njerëzi, padyshim që është Qabeja e cila është ndërtuar në Mekke si burim i udhërrëfimit dhe mëshirës për popujt e ndryshëm. “Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt”. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën….(Ali Imran 3/96-97). Duke u nisur nga këto ajete kuptohet që Qabeja ka ekzistuar edhe para Ibrahimit a.s., madje thuhet se historia e saj zgjatet/shkon deri te Ademi a.s., mirëpo brenda rrjedhës së kohës për shkaqe të ndryshem ndërtesa është shkatërur dhe haruar. Sipas këtyre të dhënave Ibrahimi a.s. e ka rindërtuar Qabenë, në të njëjtin vend, mbi themelet e më përparëshme. Kur’ani Fisnik pohon qartë se Ibrahimi dhe Ismaili a.s. e kanë ndërtuar dhe e ka përgaditur Qaben e madhënueshme për adhurime siç janë haxhi, namazi apo adhurime tjera, gjithashtu aty përmendet se nëpërmjet gjuhës së Ibrahimit a.s. njerëzit janë ftuar në adhurimin e haxhit. “Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti! (Bekare 127-128). Prandaj lirishtë mundë të thuhet se adhurimi i haxhit ka filluar me Ibrahimin a.s. Botëkuptimi fetarë i pastër i Ibrahimit a.s. gjejgësishtë besimi në një Zot/teuhid dhe adhurimet e bëra në përputhshmëri me këtë botëkuptim kanë vazhduar për një kohë të gjatë duke e ruajtur roigjinalitetin e tyre.

Mirëpo brenda kohës deri ne paraqitjen e Muhammedit a.s. gjejgësisht shpalljen e Kur’anit famëlartë në këto rajone ishte përhapur idhujtaria. Në vitet e para të lindjes së Islamit, tradicioni i rrotullimit rreth Qabes, umreja, qëndrimi në Arafat dhe Muzdelife apo prerja e Kurbani vazhdonin të praktikoheshin; haxhi vazhdonte të realizohet bashkë me traditat politeiste. Adhurimi i haxhit, është bërë edhe në periudhën e injorancës, mirëpo pastërtinë e kohës së Ibrahimit a.s. e kishte humbur. Pothuajse në të gjitha detyrimet e haxhit ishte përzyer idhujtaria, duke filluar nga Qabeja, në shumë vende ku realizoheshin rritet e haxhit siç janë kodrina Safa, Merve, Mina, ishin vëndosur idhuj të ndryshëm dhe kurbanet e haxhit thereshin në emër të idhujve.

Në adhurimin e haxhit zbatimet e ndryshme të cilat bartnin gjurmë të besimit politeist kanë vazhduar të praktikohen deri kur është bërë farz kryerja e haxhit dhe kur u larguan idhujtarët nga këto vise gjegjësisht deri në vitin e 8. ose 9. hixhri. Që nga ky vit ishte ndaluar që idhujtarët të hynë në Mesxhid-i Haram dhe të bëjnë tavaf rreth Qabes lakuriq. Pas çlirimit të Mekkes, brenda dhe jashtë Qabes, ishin pastruar të gjitha elementet e idhujtarisë, të cilët, adhurimit të haxhit, ishin shtuar pas Ibrahimit a.s. dhe nuk kishin të bëjnë fare me esencën dhe bazën e adhurimit të haxhit. Bashkë me bërjen farzë të haxhit, nëpërmjet të ajeteve të Kur’anit Fisnik dhe zbatimit të Pejgamberit (sav) ishin përcaktuar përsëri parimet në lidhje me detyrimit dhe realizimin e këtij adhurimi.

Megjithëse haxhi ishte bërë farz para çlirimit të Mekkes, Muslimanët kishin arritur/mundur të shkojnë në haxh vetëm pas çlirimit të saj për shkak se raportet me idhujtarët nuk ishin të mira. Një vit pas çlirimit Ebu Bekiri (ra) ishte emëruar “udhëheqës i haxhit”, ndërsa Aliu (ra) ishte ngarkuar me detyrën e kumtimit/predikimit të parimeve rreth këtij adhurimi, duke theksuar se politeistët nuk mundë të afrohen dhe të hynë në Mesxhid-i Haram, si dhe askush nuk do të mundë të bëjë tavaf lakuriq qoftë burë apo grua. Ndërsa haxhi i cili u realizua në vitin e 10. hixhri gjegjësisht në vitin e fundit të jetës së Pejgamberit (sav), në literaturën fetare përmendet si “haxhi lamtumirës”. Udhëheqësit Musliman që drejtuan shtetin pas Muhammedit a.s., për ta realizuar këtë obligim në qetësi dhe rahati i kanë siguruar kushtet e volitshme për udhëtim ose duke udhëtuar në haxh vetë/personalisht ose duke emëruar ndonjë udhëheqës në krye të haxhinjve.

Udhëtimi për në haxh, sipas kalendarit hixhri, edhe pse mundë të realizohet në muajt Shevval, Dhilkade dhe dhjetë ditët e para të muajt Dhulhixhxhe të cilët edhe quhen muajt e haxhit, në ditët tona për shkak të zhvillimit të mjeteve të komunikacionit për realizimin e kësaj detyre janë të mjaftueshme javët e fundit të Dhulkades dhe dhjetë ditët e para të Dhulhixhes. Dita e arifesë/Arafatit dhe ditët e Kurban Bajramit për shkak se janë “ditë të numëruara dhe të caktuara”, haxhi mundë të bëhet vetëm njëherë në vit.

Adhurimi i haxhit është bërë farz nëpërmjet ajetit kuranor, “…dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën.”( Ali Imran 3/97) Kur është shpallur ky ajet, i Dërguari i Allahut (sav) e kishte mbajtur një ligjëratë (hutbe) dhe në mes tjerash kishte thënë, “O njerëz! Juve ju është bërë haxhi farz. Prandaj kryene haxhin….!”

Nëpërmjet ajetit kuranor të lartë përmendur theksohet se ai i cili do të shkojë në haxh duhet t’i posedojë të gjitha mundësitë dhe kushtet e volitshme për të bërë një udhëtim të lehët. Në fakt ajeti, në mënyrë të tërthortë i paralajmëron Muslimanët që të përgatisin çdo lloj mjeti që do t’iu mundësojë ta kryejnë haxhin, andaj edhe si një detyrë ua ka përcaktuar marrjen e masave të duhura për realizimin e këtij adhurimi. Për të njëjtin parim ka tërhequr vëmendjen edhe i Dërguari i Allahut (sav) duke iu përgjigjur pyetjes të cilën ia kanë parashtruar në këtë mënyrë, “Cilat kushte duhet plotësuar që haxhi të bëhet detyrim.?” Ai (Muhammedi sav) është përgjigjur “Ushqimi dhe mjeti i udhëtimit” nëpërmjet të këtij hadithi ka treguar se njeriu cili i siguron këto kushte është përgjegjës për kryerjen e haxhit. Gjithashtu, pasi që të plotësohen këto kushte, çështjen e shpejtimit për realizimin e këtij adhurimi, i Dërguari i Allahut (sav) e ka shprehur në këtë mënyrë. “Ai që dëshiron ta kryej haxhin le të shpejtojë! Sepse mundë të sëmuret, ose t’i humbë kafsha (mjeti) e udhëtimit apo mundë t’i paraqitet ndonjë nevojë (që mund t’ia pengojë shkuarjen në haxh).”

I Dërguari i Allahut (sav), në lidhje me obligueshmërinë e haxhit i ka informuar mirë sahabët dhe në rastë se ky adhurim përshkaqe të ndryshme nuk realizohet, ua ka treguar rrugën se çka dhe si mundë të veprohet në raste të këtilla. Kështu që gjatë kryerjes së haxhit lamtumirës, një grua vinë pranë Pejgamberit (sav) duke i parashtruar pyetje se, a mundë ta kryej haxhin, për babain (me autorizim të tij) që është në moshë aq të thellë sa që nuk mundë të qëndrojë hipur mbi deve? i Dërguari i Allahut ishte përgjigjur “po” (mundë ta bësh haxhin në vend të tij). Në të njëjtën mënyrë një grua tjetër e cila e kishte pyetur Pejgamberin (sav) se a mundë ta kryej haxhin për nënën e cila ka ndruar jetë pa e kryer atë, përgjigjen e kishte marrë me “Po”.

Pejgamberi ynë i nderuar, qoftë në hadithin e quajtur hadithi i Xhibrilit duke e shpejguar se çka është Islami por qoftë edhe duke thënë se Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla, bashkarishtë me adhurimet e tjera e ka përmendur edhe “bërjen e haxhit për ata që kanë mundësi.” Kështu që, i Dërguari i Allahut (sav) i cili na njohëton se haxhi është njëri prej adhurimeve themelore në Islam, njëkohësitë na lajmëron se individi do të pastrohet nga mëkatet po qese haxhin do ta realizojë denjësishtë duke i respektuar të gjitha parimet e parapara për këtë adhurim. Allahu madhëriplotë në Kur’anin famëlartë në lidhje me adhurimin e haxhit na porositë në këtë mënyrë: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!” (Bekare 2/197). Ndërsa i Dërguari i Allahut (sav) në lidhje me këtë çështje në disa hadithe të tij ka duke u shpjeguar këto fjalë të Madhëriplotit ka theksuar që: “Kush e kryen haxhin në këtë shtëpi (Qabe), duke mos u orvatur (me fjalë apo vepër) t’u afrohet mardhënieve intime, dhe nuk vepron gjëra të këqija, kthehet në shtëpi i pastër (nga mëkatet) njëjtë sikur në ditën që e ka lindur nëna.” Gjithashtu i Dërguari i Allahut (sav) ka thënë: “Ata që shkojnë në haxh dhe ata që shkojnë në umre, janë përfaqësues/të deleguar të Allahut xh.sh. Nëse i luten Allahut madhëri plotë, Allahu atyre ua pranon duatë dhe nëse kërkojnë që Allahu t’ua falë mëkatet Allahu ua falë mëkatet e tyre.” Siç shihet Muhammedi a.s, ata të cilët shkojnë në haxh i ka nderuar me shprehjen “përfaqësues/të deleguar të Allahut xh.sh.”. Ndërsa si shpërblim për haxhin e pranuar, Pejgamberi ynë (sav) i ka përgëzuar besimtarët me xhennet: “Haxhin dhe umren kryene bashkarishtë. Për shkak se, ashtu siç kaceku, e largon/zhduk ndryshkun nga hekuri, ari dhe argjendi edhe haxhi dhe umreja i zhduk mëkatet dhe varfërinë. Ndërsa haxhi i pranuar nuk ka tjetër shpërblim përveç xhennetit.”

Pejgamberi (sav) duke i shpjeguar vlerat dhe shpërblimet e haxhit i ka motivuar dhe nxitur njerëzit ta kryejnë këtë adhurim, kështu që duke iu përgjigjur pyetjes, “Cila vepër është më e vlefshme dhe më e mirë?” është përgjigjur duke thënë së pari, “Besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e tij.” Kur i është thënë “Pastaj cila është më e vlefshme?”, “Xhihadi/përpjekja në rrugë të Allahut e cila është kulmi i veprave të mira.” Ndërsa në pyetjen “pas kësaj cila është”? është përgjigjur “Haxhi i pranuar.”

Haxhi është një ibadet që bëhet edhe me pasuri edhe me trup. Muslimani i cili i plotëson kushtet e caktuara, një herë në je­të e ka farz shkuarjen në haxh. Ashtu siç është në çdo urdhër të Alla­hut, edhe në obligueshmërinë e haxhit gjenden urtësi dhe do­bi të shumta. Shkuarja e muslimanëve në vendet e shenjta nga shtete të ndrysh­me, takimi i tyre rreth një qëllimi të përbashkët pa marrë pa­rasysh gjuhët e ngjyrat e ndryshme dhe shprehja e lutjeve ndaj Zo­tit bashkërisht, e përforcon vëllazërinë islame. Muslimanët në kë­të rast kanë mundësi të njihen mes vete, si dhe të përpiqen t’u gjej­në zgjidhje brengave dhe vështirësive të tyre.

Veshja e muslimanëve me ihrame pa marrë parasysh pozitën që kanë në shoqëri, i pasur qoftë apo i varfër, pra paraqitja e tyre me uniformë të njëjtë ngjall mendimin e barazisë mes njerëzve dhe përkujton ditën e Mahsherit. Gjatë udhëtimit për në haxh nje­riu e shton diturinë dhe përvojën e tij, si dhe i fiton shprehitë e qën­dresës ndaj vështirësive. Duke e zvogëluar varësinë ndaj pa­su­ri­së, ai zhvillon ndjenjat e ndihmës dhe mëshirës ndaj të varfërve dhe të ngratëve. Pamja e vendeve ku ka lindur dhe është rritur pejgamberi ynë i dashur dhe vizita e vendeve të shenjta ku ka filluar të përhapet në tërë botën feja islame, ngjall një entuziazëm shpirtëror dhe i për­forcon ndjenjat fetare. Njeriu, në vendet e shenjta ndjen se është më afër Allahut dhe nga ibadetet e bëra në këto vende fiton se­vape të shumëfishta.

Pra haxhi ashtu siç është një adhurim që kryhet me mjete financiare dhe trupore, njëkohësisht ai është edhe një adhurim që posedon dimensionet materialë dhe shpirtërore, individuale dhe shoqërore, të kësaj bote dhe të botës tjetër. Në adhurimin e haxhit aq sa është me rëndësi çështja e kohës, edhe elementi i vendit dhe hapësirës paraqet rëndësi të madhe. Haxhi i përforcon parimet e besimit/imanit siç janë besimi në Allahun e madhërishëm, besimi në pejgamberët dhe besimi në botën tjetër/ahiret. Gjithashtu Muslimanëve u afron mundësinë që t’i fitojnë dhe përjetojnë bukuritë morale siç janë devotshmëria, durimi, dashuria, respekti, vëllazëria, flijimi apo bujaria.

Adhurimi i haxhit përbëhet nga një varg dhe dendësi e ibadeteve dhe lutjeve të ndryshme siç janë ihrami (veshja e posaçme e haxhinjëve), namazi, telbija, dhikri, qëndrimi në arafat, kërkimi i faljes, durimi, ndalesat e ndryshme gjatë qëndrimit në ihrame, prerja e kurbanit, sadakatë dhe lëmoshat e llojllojta. Meqë haxhi është një adhurim që realizohet në një kohë dhe vende të caktuara, te Muslimanët mbjellë konceptin mbi kohën dhe hapësirën, zhvillon vetëdijen se në këtë botë gjithçka realizohet brenda një sistemi të caktuar. Sipas kësaj haxhi, nuk është një adhurim që fillon dhe mbaron brenda një muaji. Përkundrazi ai është njëri ndër adhurimet më të rëndësishme, i cili Muslimanëve do t’ua përforcojë dimensionet shpirtërore, mbështetë dhe fuqizojë cilësitë morale, do t’ua shtojë nderin, krenarinë dhe madhështinë, do t’ua zhvillojë vetëdijen e përgjegjësisë dhe do t’iu jepë forcë që të lëvizin dhe veprojnë bashkarishtë. Në këtë klimë të bekuar, Muslimanët e gjejnë mundësinë dhe shansin për të përfituar nga njëri tjetri, për të çfaqur dhe prezentuar në mënyrë reciproke dashurinë, diturinë, përvojën, eksperiencën, dhe këmbimin e kulturave të ndryshme. Në këtë mënyrë, në kohën më të bekuar, në vendin më të shnejtë, e realizojnë një takim jashtëzakonishtë të bereqetshëm dhe kthehen në shtëpitë e tyre të pastruar nga mëkatet.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-