Opoja.net

HELVETAS bën bilancin e punëve të kryera gjatë vitit 2014

Lajme Opoja

HELVETAS prezantoi përmbledhjen ekzekutive për vitin 2014. Faza e parë e projektit APR është paraparë që të realizohet në periudhën 2013-2015, ndërsa caku i projektit është punësimi i 5200 personave.

Në lokalet e Hotelit „Emerald“ në Prishtinë, më 15 dhjetor 2014, organizata HELVETAS – Swiss Intercooperation organizoi një takim me bashkëpunëtorët dhe me përfituesit e projektit APR (Aftësitë për Punësim Rural) me qëllim të pasqyrimit të punës gjatë këtij viti, por edhe me synimin e zbutjes së papunësisë në Rajonin e Maleve të Sharrit, që përfshin Dragashin dhe Shtërpcën, dhe në pjesën verilindore të Kosovës, përkatësisht në Kamenicë e Novobërdë.
Duke sjellë shifra e fakte për projektin që aftëson të rinj në zonat rurale, për të ardhur sa më shpejt te një punësim, projektmenaxheri Luan Hoti, para të pranishmëve, disa herë përsëriti  moton e punës së Helvetasit në Kosovë: „Ju na sillni ide dhe vullnet për punësim dhe vetëpunësim, ne jua  financojmë projektet“.
Mbi këtë bazë edhe po funksionon faza e parë e projektit të Helvetasit – APR, që është paraparë të realizohet në periudhën 2013-2015 (albinfo.ch ka raportuar). Ndryshe, projekti është i ndihmuar edhe nga Fondacioni Medicor nga Lichtenshtajni, pastaj nga Julius Bear fondation si dhe nga Swiss Intercooperation dhe ka për qëllim punësimin e 5200 personave të papunësuar të këtyre rajoneve.
Drejtori i projektit, Heini Conrad, në fjalën e tij përshëndetëse dhe falënderuese, njëkohësisht, u shpreh tejet i kënaqur me suksesin e realizimit të projektit që e drejton ai me stafin e tij. Zoti Conrad suksesin e adresoi te mbi 30 bashkëpunëtorët e tij lokalë, pastaj te kolegu i tij Norbert Pijls që udhëheq me projektin DEMOS si dhe te komunat me të cilat Helvetas bashkëpunon. Më tutje, z. Conrad shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit me të gjithë ata individë ose institucione që kanë ndikim në hapjen e vendeve të reja të punës.

Koordinimi i ofertës me kërkesën

Në vazhdën e këtij raporti ekzekutiv, menaxheri Luan Hoti  tha se projekti APR zbatohet nga zyrtarët lokalë dhe ofruesit e shërbimeve, si dhe nga këshilltarët ndërkombëtarë që mbështesin menaxhmentin, duke pasur në fokus koordinimin e ofertës dhe të kërkesës në treg, me qëllim të përmirësimit të zhvillimit ekonomik në komuna.
Në këtë rrugëtim, padyshim, ndihmojnë edhe grupet e interesit dhe partnerët, siç janë: bizneset lokale dhe kombëtare, qendrat e të rinjve, projektet e ndryshme  (UNDP, Caritas, EYE), komunat, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe ofruesit e shërbimeve.
Projektmenaxheri Hoti shpalosi të arriturat e këtij projekti, duke dhënë fakte inkurajuese për të arriturat e projektit me grupet e mësimit, me trajnimin e punëtorëve ekzistues të sektorit privat dhe punëtorëve të rinj, pastaj për forcimin e zinxhirit të furnizimit si dhe për ngritjen e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve.
Dhjetëra marrëveshje me biznese të vogla e të mesme, qindra të punësuar në zonat e thella rurale në bletari, blegtori, zeje artizanale,  grumbullim të frutave të malit etj., ishin një pasqyrim i detajuar i projektmenaxherit Hoti, si dhe një brumë diskutimi nga përfaqësuesit komunalë të Dragashit, Kamenicës, Shtërpcës dhe Novobërdës.
Vlen të theksohet se një vend meritor në këto projekte e kanë gratë.  Ato janë 50% pjesë e projekteve, qoftë në grupet e mësimit, ku janë 1600 përfitues direkt ose edhe në zinxhirin furnizues ku janë 2600 persona të vetëpunësuar.

Helvetas po ndihmon ata që kanë humbur çdo shpresë për punë në Kosovë

Lidhur me rolin dhe rëndësinë e projektit APR folën edhe përfaqësuesit e komunave të Dragashit, Kamenicës, Shtërpcës dhe Novobërdës: Nusret Veliu, Venera Dërmaku – Rexha, Rodoljub Mladenoviq dhe Sabedin Vllasaliu, duke qenë falënderues për zbutjen e papunësisë që po bëhet pikërisht përmes këtij projekti, të cilit i uruan jetëgjatësi.
Rëndësinë e këtij projekti për Komunën e Kamenicës, përfaqësuesja e kësaj komune, zonja Venera Dërmaku – Rexha e shprehu si vijon: „Ju po ndihmoni ata të cilët e kanë humbur çdo shpresë se në Kosovë mund të krijojnë një të ardhur për ta, e cila do t’u ndihmonte t’i mbulojnë shpenzimet jetike për ata dhe familjet e tyre“, pastaj vazhdoi ajo: „po të kishim më shumë projekte të tilla në Republikën e Kosovës, sot numri i autobusëve që po bartin kryesisht të rinj drejt Evropës do të ishte më i vogël, për të mos thënë ndoshta fare nuk do të ekzistonte ky fenomen“. Zonja Dërmaku – Rexha, por edhe përfaqësuesit tjerë që dolën në foltore falënderuan popullin zviceran për ndihmën e vazhdueshme që po i jep popullit të Kosovës në shtetndërtimin dhe zhvillimin e saj.
Për rezultatet e projekteve konkrete dhe vazhdimin e tyre folën edhe Lindita Piraj, zyrtare për barazi gjinore në Dragash, pastaj pronarët e bizneseve, Ibadete Sermaxhaj, Bujar Kryeziu, Petrit Kallaba etj.
Ajo që inkurajoi  stafin e projektit APR ishte prania e përfaqësuesve të UNDP-së dhe CARITAS-it, të cilët shprehën gatishmërinë e tyre për një bashkëpunim me Helvetasin.
Takimin e moderoi Shqiponja Vokshi, kurse në organizim ndihmuan edhe bashkëpunëtorët: Basri Pulaj, Mimoza Mirashi, Flutura Vidishiqi etj.

Festa e ditës së flamurit në Dragash

Opoja.net

Mevludin Krasniqi: Llapi nuk duron ‘bisht sakice’

Fari Kolloni

Ku është akti/dokumenti origjinal i pavarësisë së Shqipërisë?!

Fari Kolloni
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net